Mrekullia e Zotit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mrekullia e Zotit

Autor: Elton Harxhi

Me emrin e Allahut Mëshiruesit Mëshirëbërësit. Falenderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin  Muhamed (a.s)

Disa ditë më parë, mediat turke kanë publikuar historinë e një vajze 6-të vjeçare, e cila shpëtoi nga rrënojat e tërmetit në Hatay të Turqisë. Kjo vajzë tregoi se gjatë ditëve që ajo ka qëndruar nën rrënoja, atë e ka ushqyer një burrë me rroba dhe mjekër të bardhë. Madje ajo është shprehur se burri mbante mbi shpinë shtëpinë që të mos e zinte poshtë. Ky lajm është përhapur në të gjithë rrjetet sociale dhe ka marrë dhenë.

Në lidhje me këtë lajm, një pjesë e konsiderueshme e njerëzve e kanë besuar dhe e kanë parë si një mrekulli nga Zoti, i Cili kur i thotë diçkaje: “Bëhu ajo bëhet.” Një pjesë tjetër e njerëzve e kanë mohuar dhe refezuar një lajm të tillë duke u shprehur se kjo është imagjinata e një fëmije, apo lajm i rremë. Kurse të tjerë njerëz kanë preferuar që më mirë të heshtin. A vërtet ka ndodhur një mrekulli? Apo thjesht është imagjinata e një fëmije? Apo.. Si qëndron e vërteta?

Në lidhje me këtë ngjarje, gjithsekush prej nesh mund ta intepretojë atë sipas këndvështrimit të vet, prandaj edhe kjo (ngjarje) do të ngelet një enigmë, që përgjigjen e vërtetë – ndoshta – nuk do ta mësojmë kurrë. Megjithatë unë mendoj se për këtë rast ne duhet të parashtrojmë një pyetje që vërtet ka përgjigje, madje përgjijgja e saj është shumë e thjeshtë. Po cila është kjo pyetje:

A mund të ndodhë një mrekulli nga Zoti?

Përgjigja e kësaj pyetje është shumë e thjeshtë dhe është pohore.

I gjithë universi është mrekulli nga Zoti.

Krijimi i qiejve dhe Tokës është mrekulli nga Zoti.

Yjet, trupat qiellorë dhe galaktikat janë mrekulli nga Zoti.

Lindja e diellit nga lindja dhe perëndimi i tij nga perëndimi është mrekulli nga Zoti.

Ndriçimi i hënës dhe etapat e saj janë mrekulli nga Zoti.

Ndryshimi i natës dhe ditës është mrekulli nga Zoti.

Uji i burimeve, puseve, përrenjve, lumenjve, liqeneve, detrave, oqeaneve është mrekulli nga Zoti.

Malet, rrafshnaltat, kodrat, bregoret, fushat, lëndinat janë mrekulli nga Zoti.

Bimët dhe pemët e shumëllojshme janë mrekulli nga Zoti.

Shpendët, kafshët, zvarranikët, insektet, peshqit janë mrekulli nga Zoti.

Krijimi i njeriut në formën më të bukur dhe më të përsosur është mrekulli nga Zoti.

Të gjitha këto fakte dhe shumë e shumë të tjera janë dëshmi e gjallë se Zoti është Krijuesi, Formësuesi, Sunduesi, Bujari, I Gjithëdijshmi, i Urti që çdo gjë që ndodh në Univers ndodh me Vullnetin e Tij.  Allahu i Madhëruar thotë: “Kjo është vepër e krijimit të Allahut, e më tregoni pra mua se ç’krijuan të tjerët pos Tij. Jo, asgjë, por zullumqarët (mosbesimtarët) janë në një humbje të pafund.”[1]

Por cili është reagimi i njerëzve në lidhje me këtë krijim madhështor e të mrekullueshëm nga Zoti? Allahu i Madhëruar thotë: “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, të cilët i shohin, por ata nuk i vështrojnë fare.”[2] Pra argumentet dhe faktet e krijimit dhe mrekullisë nga Zoti ndodhen në qiej e në tokë dhe ata janë të shumtë. Njerëzit i shikojnë dhe përfitojnë prej tyre në çdo kohë dhe moment por harrojnë të falenderojnë Dhuruesin e këtyre të mirave dhe mrekullive. Dhe ky është një gabim fatal. Pikërisht për këtë arsye, jo më kot, Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim faljen e namazit pesë herë në ditë dhe jo më kot, Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim këndimin e sures “Fatiha” të paktën 17 – të herë në ditë, sepse besimtari fillon me fjalët “El hamdu lil lahi rab bil Alemin”: Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve; botës së universit të mrekullueshëm, botës së gjallesave të mrekullueshme, botës së ujit të mrekullueshëm.., i gjithë kësaj mrekullie që na shikojnë sytë.

Gjithçka që ndodh në univers është -absolutisht- mrekullia e Zotit, por çdo që  ndodh në univers ndodh me Vullnetin e Zotit dhe ndodh sipas ligjeve dhe rregullave që ka vendosur Zoti në univers. Këto ligje dhe rregulla janë të pandryshueshme. Megjithatë ka raste kur – me Vullnetin e Zotit – këto ligje nuk funksionojnë. Shembuj të tillë janë përmendur në Kuran dhe Sunet.

Veti e zjarrit është që të djegë, por ai nuk e dogji Ibrahimin (a.s)

Veti e thikës është që të presë, por ajo nuk e preu qafën e Ismailit (a.s)

Shkopi i Musait (a.s) shndërrohej në gjarpër të vërtetë, çau detin më dysh dhe çau shkëmbin nga i cili shpërthyen 12 – të burime.

Të gjithë njerëzit lindin nga nëna dhe babai, por Isai (a.s) lindi pa baba.

Foshnja që është në djep nuk flet, por Isai (a.s) foli kur ishte në djep.

Brenda një nate njeriu nuk mund të ngjitet e zbresë nga shtatë qiejtë, por Profeti (a.s) është ngritur në natën e Israsë dhe Miraxhit.

Ushqimi dhe pija nuk mund të shtohet, por ai u shtua me bereqetin e Profetit (a.s) si mrekulli nga Zoti.

Trungu nuk ka ndjenja dhe as të rënkon, por ai u ndje keq dhe rënkoi kur Profeti (a.s) nuk hipi më në të.

Prandaj për ne si besimtarë, nuk është e vështirë që të besojmë tek mrekullitë edhe kur thyhen ligjet e natyrës, sepse këto ligje i ka vendosur Allahu dhe ato janë funksionale ose jo me lejen e Allahut të Madhëruar. Ajo që lipset prej nesh është me e falenderuar Dhuruesin e të mirave dhe mrekullive.

[1] – Sure Lukman: 11.

[2] – Sure Jusuf: 105.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.