Amësia

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Amësia nuk është i vetmi identitet i imi dhe unë nuk jam përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të mi. Amësia nuk duhet ta shuajë jetën e gruas.

Këto shprehje kanë filluar të përhapen gjithnjë e më shumë ndër nënat, të reja e të moshuara. Disa prej tyre kanë nisur të përsërisin: “Unë dua ta jetoj jetën time dhe të jetoj për veten time. Dua të dal, dua të udhëtoj, dua të ulem me shoqet e mia, të shkoj për kafe dhe të merrem me hobet e mia, ndërsa për fëmijët e mi le të kujdeset babai ose shërbyesja.”

Kjo mënyrë të menduari dhe kjo qasje e skajshme ndaj konceptit të amësisë nuk janë të sakta. Gruaja kryen më shumë se një rol në jetë. Ajo është nënë dhe kujdeset për edukimin e fëmijëve të saj, por njëkohësisht ka edhe synime për zhvillimin e vetes, ka punën, marrëdhëniet dhe interesat e saj. Megjithatë, këto role kërkojnë të dish si t’i harmonizosh dhe si ta menaxhosh mirë kohën, në mënyrë që secilit t’i japësh të drejtën që i takon.

Amësia nuk do të thotë të sakrifikosh gjithçka. Po ashtu, amësia nuk është një detyrë që vazhdon përgjithmonë gjatë gjithë jetës; ajo ka periudhën e saj të caktuar. Nëna e suksesshme nuk është ajo që i bën fëmijët të varen prej saj për çdo gjë, por ajo që i edukon siç duhet, duke i mësuar të mbajnë përgjegjësi për jetën e tyre, edhe kur janë të vegjël. Nëna ka të drejtë të pushojë, ka të drejtë të kujdeset për veten, të merret me hobet e saj dhe të punojë. Edukimi i fëmijëve nuk e privon nënën nga pjesëmarrja në jetë dhe nga të jetuarit e saj me qetësi.

Fëmija nuk është vetëm “projekti” i nënës. Në edukimin e tij e ndihmojnë edhe babai dhe familjarët, sepse edukimi është një përgjegjësi e përbashkët. Por që nëna të jetojë me parimin: “Kujdesu për veten dhe jeto jetën tënde”, kjo konsiderohet neglizhencë ndaj rolit të saj edukues. Nëna egoiste mendon në këtë mënyrë, ndërsa nëna që ka një këndvështrim të gjerë dhe largpamës i sheh fëmijët si vazhdimësi të saj, të jetës së saj, të veprës së saj, të moralit dhe vlerave të saj, si dhe të misionit të saj në jetë.

Mendo pak për këtë paradoks: nëse një nënë sakrifikon kohën e saj për punën, për sportin, për t’u ulur me shoqet e për të pirë kafe, ajo përshkruhet si një grua normale që po e jeton jetën e saj. Por nëse kjo grua sakrifikon një pjesë të kohës së saj për një njeri që, kur të rritet, do t’ia ngrejë kokën lart, do ta nderojë dhe do t’i shërbejë, duke qenë vazhdimësi e veprave të saj të mira edhe pas vdekjes së saj, atëherë thuhet se ajo po e humb kohën dhe po e shpërdoron jetën! Çfarë lloj logjike është kjo që predikojnë disa përkrahës të ideve perëndimore, të cilët përsërisin shprehje të tilla si: “Amësia nuk është i vetmi identitet i imi”, “Unë nuk jam përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të mi” ose “Lëri fëmijët dhe jeto jetën tënde”?

Unë nuk i fajësoj disa prej përkrahësve të këtyre ideve perëndimore kur paraqesin një qasje të tillë egoiste, sepse, sipas botëkuptimit të tyre, fëmija nuk është një amanet nga Allahu, nuk është pasardhës që do të mbajë dhe përcjellë mesazhin e Islamit, dhe nuk ka detyrimin t’i nderojë prindërit e tij. Ata nuk e shohin fëmijën si vazhdimësi të prindërve të tij dhe nuk besojnë se veprat e mira të fëmijës mund të shtohen në peshoren e veprave të mira të prindërve të tij. Për ta, fëmija është thjesht një njeri që ka ardhur në tokë për të jetuar dhe për të shijuar jetën. Prandaj, ne e shohim amësinë si një mision madhështor në jetë.

Ka dallim midis t’i thuash nënës: “Mos e neglizho veten”, që është e drejtë, dhe t’i thuash: “Hiq dorë nga amësia jote”. E para është ekuilibër, ndërsa e dyta është heqje dorë nga përgjegjësia. Ai që thotë: “Lëri fëmijët dhe jeto jetën tënde”, nuk e sheh se fëmijët janë një projekt edukues i Zotit të botëve, i cili synon që ata të jenë mëkëmbës në tokë. Ai nuk jeton me kuptimin e fjalës së Profetit (a.s): “Të gjithë jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e tij.”

Islami nuk i kërkon gruas të zgjedhë midis vetes dhe fëmijëve të saj. Përkundrazi, e mëson se si t’i japë vetes të drejtën që i takon dhe t’u japë edhe fëmijëve të saj të drejtën që u takon, pa lejuar që njëra prej këtyre të drejtave të cenojë ose të mbizotërojë mbi tjetrën.

Autor: Xhasim Mutava

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *