Mos i prekni “Lulet e Jetës”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Një Kundërshtim ndaj Urdhërit Nr. 304, datë 28.04. 2026

Fëmijët janë si një sfugjer, thithin gjithçka që shohin, gjithçka që u thuhet, gjithçka që shoqëria u ofron si “normale”. Ata nuk e pyesin veten nëse diçka është e mirë apo e keqe apo të pyesin nëse është normale. Për shumë vite si mësuese, i kam parë duke u rritur, duke u shndërruar nga fëmijë të vegjël në të rinj me karakter e besim. E di çfarë do të thotë të kesh përgjegjësi ndaj një shpirtit të ri dhe pikërisht prandaj nuk mund të rri heshtur, sepse heshtja bëhet bashkëfajësi në krim, krimin e të prekurit të luleve të jetës, të fëmijëve tanë, në moshën kur zhvillimi i tyre biologjik, psikologjik dhe shpirtëror është ende në formim, kur identiteti i tyre është i brishtë dhe çdo  ndërhyrje e jashtme mbi të lë gjurmë të pashlyeshme. Urdhri nr. 304 të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili lejon trajtimin hormonal për ndryshim gjinie që nga mosha 14-16 vjeç dhe e financon me fondet publike, me paratë e mia, me paratë e tua, me paratë e çdo shqiptari që punon dhe paguan taksa, detyra ime dhe e çdo shqiptari është të flasë, të protestojë të revoltohet pasi ka gjëra që nuk i legjitimojnë dot as ligjet, as firmat e ministrave. Vendimet e tyre nuk shkelin vetëm fenë, por dhe traditën e një populli që e ka njohur familjen si themel para se të kishte shtet, shkel shkencën që nga Hippokrati e deri më sot, dhe shkel instinktin më të lashtë njerëzor mbrojtjen e fëmijës.

Allahu thotë në Kuran: “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur”[1] ky ajet nuk është thjesht fjalë lëvdimi, është deklaratë e qartë se trupi i njeriut, me gjithë gjininë e tij, është krijim i menduar, i qëllimshëm dhe i shenjtë. Ndërhyrja artificiale për ta tjetërsuar atë nuk është një “korrigjim”, por është kundërshtim i veprës së Allahut. Po ashtu në Kuran në ajetin: “do t’i urdhëroj që t’u presin veshët bagëtive, e pastaj do ti urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut”[2], ky ajet, në kontekstin e tij, përmend devijimin që Shejtani synon të fusë te njerëzit, përfshirë edhe ndryshime të padrejta në krijimin natyror. Ulematë islamë e kanë cituar pikërisht këtë ajet në kontekstin e ndërhyrjeve trupore artificiale pa nevojë mjekësore, dhe ndryshimi i gjinisë nëpërmjet hormoneve tek një fëmijë 14-vjeçar hyn drejtpërdrejt në kategorinë e ndryshimit të krijimit të Allahut.

Islami ka konceptin e “akl” (arsye, mendje, intelekt, mendjes së pjekur) dhe “bulūġ” (rritja e pubertetit, pjekuria fizike, juridike, bulūgh shënon kalimin nga fëmijëria në moshën e përgjegjësisë fetare dhe ligjore, moshës madhore) si kushte themelore për marrjen e vendimeve me peshë ligjore e morale. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë “Nuk lejohet të shkaktohet dëm dhe as të kthehet dëmi me dëm”[3]. Ky hadith është një nga themelet e fikhut islam dhe të etikës mjekësore islame. Trajtimi hormonal tek adoleshentët mund të sjellë pasoja të pakthyeshme, si steriliteti, ndryshime skeletore dhe rreziqe kardiovaskulare. Vetë mjekët e kanë quajtur këtë praktikë një “akt Kriminal” dhe kanë theksuar se të miturit nuk e kanë as pjekurinë mendore, as të drejtën ligjore për të marrë vendime kaq drastike e të pakthyeshme mbi trupin e tyre. Islami jo vetëm që e njeh këtë mungesë pjekurie, por mbi këtë bazë ndalon edhe ndërhyrje të tilla që sjellin dëme të përhershme para se individi të arrijë pjekurinë e plotë dhe të jetë në gjendje të mbajë përgjegjësi për zgjedhjet e tij. Një fëmijë mund të rritet, të ndryshojë bindjet dhe mënyrën e të menduarit, por pasojat e këtyre ndërhyrjeve të trupit nuk do të kthehen më.

Ulematë e fikhut islam kanë identifikuar pesë objektiva themelore të Sheriatit; ruajtjen e fesë, jetës mendjes, pasardhësve ose prejardhjes dhe pasurisë. Ruajtja e pasardhësve dhe e linjës familjare, është detyrë e shprehur e sheriatit, konsiderohet një nga objektivat themelore që Sheriati synon të mbrojë.

Çdo gjë që çon drejt shterimit të kësaj vazhdimësie, dëmtimit të riprodhimit, ose shkatërrimit të identitetit gjinor natyror të fëmijëve, bie ndesh me këtë qëllim themelor. Trajtimi hormonal shpesh çon në sterilitet të përhershëm, dhe kur shteti e financon këtë tek fëmijët, ai nuk po mbron askënd po dëmton brezat.

Dikush mund të thotë se protokolli kërkon miratimin e prindërve, por kjo nuk e bën të lejuar atë që është e ndaluar. Në fikhun hanefi, prindi ka kujdestari, autoritet ligjor, përgjegjësi mbikëqyrëse mbi fëmijën, por kjo kujdestari ka kufij të qartë. Prindi nuk mund të autorizojë dëmtimin e pakthyeshëm të fëmijës, ashtu si nuk mund ta shesë atë apo ta privojë nga e drejta për jetë. “Vilāje” ekziston për të mbrojtur jo për të dëmtuar. Ibn Kajjim el-Xheuzijje ka shkruar në “Tuḥfat al-Maudūd” se kujdestaria mbi fëmijën nënkupton detyrimin për ta rritur sipas fitras natyrës me të cilën Allahu e krijoi. Devijimi nga kjo fitër nuk është e drejtë e prindit.

Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë, ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri…”[4] Dhe Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdonjëri prej jush është bari dhe çdonjëri do të pyetet për kopenë e tij”[5] Shteti është bari mbi qytetarët sidomos mbi fëmijët. Kur shteti, në vend që t’i mbrojë, u hap rrugën ndërhyrjeve të pakthyeshme mbi trupat e tyre pa pjekuri vendimmarrëse, ai vetëm se e ka braktisur detyrën e tij si kujdestar.

Islami na mëson dhembshurinë ndaj çdo njeriu, çdo krijese, dhe dhembshuria e vërtetë ekziston, por dhembshuria e vërtetë nuk do të thotë të miratosh çdo gjë që dikush kërkon, sidomos kur ai person është 14-16 vjeç dhe nuk e kupton plotësisht çfarë po heq dorë përgjithmonë. Fëmija nuk është eksperiment dhe trupi i tij nuk është fushë beteje e ideologjive. Ai është amanet dhe amaneti i kthehet Atij që e ka besuar.

Sido ta mendoni, është çështje politike, është çështje besimi, është çështje ndërgjegjeje, dhe mbi të gjitha është çështje e asaj që do tu lëmë brezave pas nesh, përgjegjesia ndaj luleve të jetës nuk ndryshon. Allahu e ruajttë fëmijërinë shqiptare!

Autore: Elsa Sadikllari

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Tin: 4.

[2] – Sure Nisa: 119.

[3] – Ibn Maxheh (2341).

[4] – Sure Tahrim: 6.

[5] – Buhariu (893) dhe Muslimi (1829).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *