Kjo është ajo që Asia bintu Muzahimi i tha bashkëshortit të saj, Faraonit, për Musën (paqja e Allahut qoftë mbi të): “Ky është gëzim për mua dhe për ty.”
Por Faraoni iu përgjigj: “Le të jetë gëzim për ty; sa për mua, nuk kam nevojë për të!”
Duke komentuar këtë ngjarje, Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Betohem në Allahun! Sikur Faraoni ta kishte pranuar Musën si gëzim për veten e tij, ashtu siç e pranoi gruaja e tij, Allahu do ta kishte udhëzuar edhe atë, ashtu siç udhëzoi gruan e tij. Por Allahu ia mohoi këtë mirësi.”
Kush nis një punë duke e parë në thellësi të zemrës së tij si barrë apo fatkeqësi, rrallëherë do të korrë prej saj veçse atë që ka pritur.
Po kështu, ai që hyn në martesë duke e konsideruar atë një humbje apo një marrëveshje të dështuar, zakonisht nuk do të shohë prej saj tjetër veçse atë që ka mbjellë në mendjen dhe zemrën e tij.
Mbani mendim të mirë, ushqeni shpresë dhe shikoni anën e ndritur të gjërave.
Nganjëherë, njeriut i jepet pikërisht ajo që pret dhe shpreh me gojën e tij.
Autor: Ed’hem Sherkavi
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com



















