Është transmetuar se Harun er-Rashidi doli për në haxh. Kur arriti në afërsi të Kufes, pa Behllulin duke “hipur” mbi një kallam, ndërsa pas tij vraponin fëmijët dhe ai rendte me të.
Ai pyeti: Kush është ky?
I thanë: Behluli, i marri.
Ai tha: Kam dëshiruar prej kohësh ta shoh. Ma thërrisni, por pa e trembur.
I thanë: Përgjigjju prijësit të besimtarëve!
Behluli u afrua duke vrapuar mbi kallamin e tij.
Kur iu afrua, Haruni tha: Paqja qoftë mbi ty, o Behlul!
Ai u përgjigj: Edhe mbi ty qoftë paqja, o prijës i besimtarëve!
Haruni tha: Kam pasur shumë dëshirë të të takoj.
Behluli tha: Por unë nuk kam pasur mall për ty.
Ai tha: Më këshillo, o Behlul!
Behluli tha: Me çfarë të të këshilloj? Ja pallatet e tyre, e ja varret e tyre.
Haruni tha: Më thuaj më shumë, sepse fole bukur.
Ai tha: O prijës i besimtarëve! Atij që Allahu i ka dhënë pasuri dhe bukuri, e ai ruan dëlirësinë me bukurinë e tij dhe ndihmon të tjerët me pasurinë e tij, emri i tij shkruhet në regjistrin e njerëzve të mirë.
Haruni mendoi se ai po kërkonte diçka, ndaj tha: Kemi urdhëruar të të shlyhet borxhi.
Behluli tha: Jo, o prijës i besimtarëve! Borxhi nuk shlyhet me borxh; por ktheju të drejtat njerëzve të tyre dhe shlyeje borxhin e vetes sate prej vetes sate.
Haruni tha: Atëherë kemi urdhëruar që të të caktohet një pagesë e rregullt.
Behlluli tha: O prijës i besimtarëve! A mendon se Allahu të furnizon ty dhe më harron mua?
Pastaj u largua duke vrapuar.
Kuptimi i disa fjalëve
Mbi një kallam: domethënë se e kishte bërë kallamin sikur të ishte kalë, siç luajnë fëmijët.
“Kam pasur mall për ty”: domethënë, kam dëshiruar të të takoj.
“Borxhi nuk shlyhet me borxh”: shprehje e urtë dhe me kuptim të thellë; domethënë se një padrejtësi nuk rregullohet me një padrejtësi tjetër ose me pasuri të marrë nga populli.
“Të caktohet një pagesë”: domethënë, t’i caktohet një rrogë apo furnizim i vazhdueshëm.
Sqarime dhe dobi
Kjo rrëfenjë i përket atij zhanri të lashtë të letërsisë arabe që ndërthur urtësinë, asketizmin dhe këshillën morale. Është një lloj letërsie që u bë e njohur përmes tregimeve të “të mençurve të marrë”; njerëz që e fshehnin urtësinë e tyre pas thjeshtësisë së pamjes ose sjelljeve të pazakonta, ndërsa fjalët e tyre depërtonin në zemra me një sinqeritet që nuk e arrijnë dot fjalimet e zbukuruara dhe këshillat e stolisura.
Prandaj, figura e Behlulit në këtë tregim ngjan në shpirt me figurat e mëdha të zahidëve si Hasan el-Basriu, Ibrahim ibn Ed’hemi dhe Sufjan eth-Theuriu. E gjithë skena ndërtohet mbi një përballje të qetë mes pushtetit të dynjasë dhe zërit të urtësisë që qëndron mbi dukjen e jashtme.
Ajo që bie në sy është se tregimi nuk mbështetet në këshilla të gjata, por në fjali të shkurtra e të ngjeshura me kuptim, të cilat lënë ndikim të madh në shpirt. Ndër më të fuqishmet është fjalia e Behllulit:
“Ja pallatet e tyre, e ja varret e tyre.”
Kjo shprehje ndërtohet mbi një kundërvënie të bukur mes pallateve dhe varreve, sikur të përmbledhë gjithë udhëtimin njerëzor në dy fjalë: një ndërtim që përfundon në shkatërrim dhe një zbukurim që kthehet në dhe.
Ky lloj kontrasti përdorej shpesh në letërsinë e zuhdit, sepse bashkon bukurinë e shprehjes me fuqinë e përkujtimit të vdekjes dhe kalueshmërisë së shpejtë të jetës.
Tregimi fiton edhe më shumë thellësi sepse zhvillohet gjatë rrugës për në haxh. Haxhi, në vetëdijen islame, nuk është thjesht një udhëtim drejt një vendi të shenjtë, por një çast kur njeriu çlirohet nga barrët e dynjasë dhe reflekton mbi vetveten dhe përfundimin e tij.
Pikërisht për këtë arsye, fjalët e Behllulit ishin në përputhje me frymën e këtij sezoni shpirtëror. Kur Rashidi i pa pallatet, madhështinë dhe pushtetin me syrin e halifes, Behluli ia rikujtoi të vërtetën para së cilës shkrihen të gjithë: se fundi është i njëjtë për të gjithë dhe se njeriu nuk merr me vete nga kjo botë veçse veprat e tij.
Në tregim gjendet gjithashtu një kuptim i mrekullueshëm mbi vlerën e vërtetë të njeriut. Halifja, para të cilit dridhej vendi, qëndron duke kërkuar këshillë nga një njeri që vrapon mbi një kallam e pas të cilit rendin fëmijët. Sikur tregimi të donte të thoshte se urtësia nuk është monopol i njerëzve me poste dhe se zemrat mund të hapen nga një fjalë e sinqertë që del nga një njeri pa pushtet e pa autoritet.
Prandaj, Behluli në këtë qëndrim duket më i lirë se vetë halifja, sepse ishte çliruar nga nevoja ndaj njerëzve dhe nga frika e pushtetit; ndaj nuk u sforcua në fjalët e tij dhe nuk kërkoi as dhuratë, as pozitë.
Tregimi zbulon edhe një kuptim të lartë të zuhdit. Behluli nuk e qorton pasurinë në vetvete, por lidhjen e tepruar me të dhe padrejtësinë ndaj njerëzve për shkak të saj. Për këtë ai tha:
“Atij që Allahu i ka dhënë pasuri dhe bukuri, e ai ruan dëlirësinë me bukurinë e tij dhe ndihmon të tjerët me pasurinë e tij, emri i tij shkruhet në regjistrin e njerëzve të mirë.”
Pra, begatia në konceptin islam nuk është e qortueshme; e qortueshme është kur ajo shndërrohet në mendjemadhësi ose egoizëm. Kështu, haxhi lidhet me kuptimet e solidaritetit, bujarisë dhe çlirimit nga egoja, pasi njerëzit qëndrojnë aty të barabartë dhe nuk kanë përparësi ndaj njëri-tjetrit veçse me devotshmëri.
Kur Rashidi ofroi t’ia shlyente borxhin, përgjigjja e Behllulit ishte më e thellë se një refuzim i thjeshtë i ndihmës materiale. Ai tha:
“Ktheju të drejtat njerëzve të tyre.”
Sikur këshilla të kalonte nga çështja individuale tek drejtësia në tërësi, sepse përmirësimi i vërtetë nuk arrihet me shumicë dhuratash, por me kthimin e padrejtësive dhe vendosjen e së drejtës.
Ky kuptim është ndër më të lidhurit me frymën e haxhit, sepse pendimi i sinqertë nuk plotësohet përderisa hahen të drejtat e njerëzve ose neglizhohen padrejtësitë.
Tregimi arrin kulmin në fjalën e tij:
“A mendon se Allahu të furnizon ty dhe më harron mua?”
Në këtë fjali të shkurtër shfaqet dinjiteti i shpirtit dhe mbështetja e plotë tek Allahu. Po ashtu shfaqet edhe ajo pasuri e brendshme që e bën njeriun të lirë, sado pak të ketë në dorë.
Pikërisht për këtë arsye, këto tregime mbetën të gjalla në librat e letërsisë dhe zuhdit, sepse ato nuk rrëfejnë vetëm një ngjarje kalimtare, por zbulojnë përplasjen e përhershme mes pushtetit të dynjasë dhe zgjimit të shpirtit, mes shkëlqimit të pallateve dhe realitetit të varreve, duke e lidhur sezonin e haxhit me kuptimin e tij më të thellë: udhëtimin e kthimit tek Allahu para se të jetë udhëtim drejt vendit të shenjtë.
Burimi: mugtama.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















