Pozitiviteti kuranor: Kalimi nga kultura e ankesës dhe kritikës drejt kulturës së gjetjes së zgjidhjeve

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në një botë ku krizat ndërthuren dhe sfidat shtohen, shumë njerëz dhe kombe gjenden të robëruar në “kulturën e ankesës”, ku përqendrohen në përshkrimin e problemeve, numërimin e pengesave dhe shkëmbimin e akuzave, derisa ankesa bëhet një nga temat kryesore të bisedave të tyre dhe një nga shtyllat e mënyrës së tyre të të menduarit.

Mirëpo, Kurani fisnik e edukon njeriun me një kulturë tjetër, të mbushur me veprimtari dhe gjallëri, që është kultura e pozitivitetit dhe e gjetjes së zgjidhjeve; një kulturë që sfidat i sheh si mundësi për t’u sprovuar dhe për të arritur suksese, e jo si arsye për t’u dorëzuar dhe për t’u ankuar. Përmes meditimeve në metodologjinë kuranore, vërejmë se ajo mbështetet në katër shtylla të ndërlidhura dhe plotësuese: paraqitjen e sfidave, sigurimin e mundësive dhe potencialeve, paraqitjen e modeleve praktike të zgjidhjeve, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme morale dhe psikologjike.

Së pari: Paraqitja e sfidave si një ligj i pandryshueshëm hyjnor

Kurani nuk e paraqet jetën si një rrugë të shtruar me lule dhe as nuk u premton besimtarëve një botë pa vështirësi dhe pengesa. Përkundrazi, ai thekson se sfidat janë pjesë thelbësore e natyrës së ekzistencës njerëzore dhe se ato janë një mjet sprove, përzgjedhjeje dhe formimi e njeriut të aftë për të arritur suksese.

Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira!”[1]. Pra, dallimet dhe shumëllojshmëria nuk janë një problem për të cilin duhet të ankohemi, por një realitet që duhet menaxhuar përmes garimit në vepra të mira dhe angazhimit pozitiv.

Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë: “Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri tjetrin.”[2] 

Kështu, konfliktet dhe sfidat me të cilat përballen shoqëritë nuk janë të kota, por përbëjnë një fushë ku shfaqet aftësia për durim, veprim dhe përballje qytetëruese.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë”[3].  Pra, ky univers është krijuar me një qëllim të caktuar: që njerëzit të garojnë drejt veprave më të mira.

Kurani e përforcon këtë të vërtetë edhe me fjalën e Allahut: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në vështirësi të njëpasnjëshme.”[4] Kjo do të thotë se jeta e njeriut, për nga vetë natyra e saj, është e mbushur me vështirësi dhe sfida. Prandaj, ai nuk duhet të befasohet prej tyre dhe as t’i konsiderojë si gjendje të jashtëzakonshme, por duhet t’i trajtojë si një mundësi për rritje dhe përparim.

Pikërisht këtu fillon pozitiviteti kuranor: duke e çliruar mendjen nga iluzioni i një jete pa probleme dhe duke e nxitur njeriun të shtrojë pyetjen: Çfarë mund të bëj unë?, në vend të pyetjes: Pse ndodhi kjo?

Së dyti: Sigurimi i mundësive dhe potencialeve përpara ngarkimit me përgjegjësi

Pasi Kurani e përcakton ekzistencën e sfidave, kalon në ndërtimin e besimit te aftësia e njeriut për t’u përballur me to. Ai nuk e lë njeriun të bjerë pre e ndjenjës së pafuqisë dhe dëshpërimit, por thekson se Allahu i Madhëruar i ka dhuruar çdo njeriu mundësi dhe aftësi të tilla që e bëjnë të aftë për të përmbushur përgjegjësitë që i janë ngarkuar.

Allahu i Madhëruar thotë: “Askush nuk ngarkohet më tepër, vetëm aq sa ka mundësi”[5]

Gjithashtu, Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi.”[6]

 Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë.”[7]

Pra, çdo përgjegjësi shoqërohet me një aftësi dhe mundësi përkatëse.

Këto ajete vendosin një parim madhështor kuranor, sipas të cilit çdo ngarkim me përgjegjësi paraprihet nga dhënia e mundësive për ta përmbushur atë. Siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ne ju kemi vendosur në tokë dhe aty ju kemi dhënë çfarë ju nevojitet për jetesë.”[8]

Prandaj, mendësia kuranore nuk i dorëzohet logjikës së pafuqisë dhe as nuk e përdor realitetin e vështirë si justifikim për ngurtësi dhe mosveprim. Përkundrazi, ajo kërkon burimet dhe mundësitë që ka në dispozicion dhe më pas synon t’i shfrytëzojë ato në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pikërisht për këtë arsye, besimtari niset nga pyetja: Çfarë mundësish kam në dispozicion?, dhe jo nga pyetja: Pse nuk mundem?. Ai kërkon burimet që i ka në dispozicion, në vend që të kërkojë justifikime që e pengojnë të veprojë.

Së treti: Shembuj kuranorë në gjetjen e zgjidhjeve

Kurani nuk është mjaftuar vetëm me udhëzime teorike, por ka paraqitur edhe shembuj praktikë e konkretë se si mund të përballohen sfidat dhe të gjenden zgjidhje.

Këta shembuj janë të shumtë dhe ne po përmendim disa prej tyre, pa pretenduar se i kemi përfshirë të gjithë.

1 – Musai (a.s) Gjetja e zgjidhjes në zemër të krizës

Musai (a.s) u përball me sfida të njëpasnjëshme, që nga lindja e tij e deri në udhëheqjen e bijve të Israilit.

Kur u gjend përballë detit, ndërsa ushtria e Faraonit po e ndiqte nga pas, populli i tij mendoi se rruga ishte mbyllur plotësisht dhe tha: “Me të vërtetë, na zunë!”[9]

Por Musai (a.s) nuk iu dorëzua logjikës së krizës, përkundrazi, shprehu besimin e tij të palëkundur tek Allahu: Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”[10]  

Kështu, udhëzimi hyjnor bëri të mundur hapjen e një rruge, e cila nuk ishte e dukshme për njerëzit.

Nga ky rast mësojmë se të qenët pozitiv nuk do të thotë të shpërfillësh realitetin, por të kesh besim se gjithmonë mund të ekzistojë një rrugëdalje dhe një zgjidhje, edhe atëherë kur të gjitha mundësitë që duken para nesh na shfaqen të mbyllura.

2- Jusufi (a.s): Planifikimi paraprak për përballimin e krizave

Historia e Jusufit (a.s) përfaqëson një model të shkëlqyer të menaxhimit strategjik dhe të parashikimit të së ardhmes.

Kur ai interpretoi ëndrrën e mbretit, nuk u mjaftua vetëm me identifikimin e problemit që pritej të shfaqej, por ofroi një plan të plotë dhe praktik për përballimin e tij.

Ai parashikoi vitet e thatësirës dhe urisë përpara se ato të ndodhnin dhe hartoi një program për prodhimin, ruajtjen, shpërndarjen dhe administrimin e burimeve.

Kështu, ai kaloi nga përshkrimi i krizës në ndërtimin e zgjidhjes dhe nga pritja e fatkeqësisë në përgatitjen për përballimin e saj.

Për këtë arsye, Jusufi (a.s) u bë një model kuranor i udhëheqësit që ndërthur vizionin për të ardhmen me aftësinë për ta zbatuar atë në praktikë.

Në të vërtetë, i gjithë Kurani synon t’i udhëzojë njerëzit drejt zgjidhjes së problemeve të tyre dhe të gjitha tregimet kuranore përmbajnë modele për zgjidhjen e problemeve.

Dallimi ndërmjet mendësisë negative dhe asaj pozitive shfaqet qartë pikërisht këtu:

Mendësia negative pyet: Çfarë do të bëjmë kur të ndodhë kriza?

Mendësia pozitive pyet: “Çfarë duhet të bëjmë që sot, në mënyrë që kriza e ardhshme të mos shndërrohet në një katastrofë?

Së katërti: Inkurajimi moral dhe kultivimi i shpresës

Meqenëse përballimi i sfidave kërkon energji psikologjike dhe shpirtërore, ajetet e Kuranit kanë ardhur për të mbjellë optimizëm, shpresë dhe besim në shpirtrat e njerëzve.

Në suren Duha, kur Profeti Muhamed (a.s) po kalonte një periudhë vështirësie shpirtërore dhe ndërprerjeje të shpalljes, zbriti mesazhi hyjnor, plot butësi dhe mëshirë: “Pasha paraditen! Dhe pasha natën kur shtrihet në qetësinë e saj! Zoti yt as nuk të ka braktisur, as nuk të ka përbuzur.”[11]

Ky është një mesazh për çdo njeri që mbart shqetësime, për çdo njeri që ka një projekt apo një mision: Mos e konsidero periudhën e vështirë si dëshmi të dështimit apo të braktisjes nga Allahu, sepse e ardhmja mund të sjellë mirësi edhe më të madhe.

Po kështu, në suren Inshirah, Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a nuk ta zgjeruam Ne gjoksin (zemrën tënde)?” Deri në fjalën e Tij: “Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi!”[12]

Kurani nuk premton se vështirësia do të zhduket menjëherë, por thekson se lehtësimi është i pranishëm krahas saj. Në këtë mënyrë, ai kultivon te njeriu një mendësi shprese, pune dhe mosdorëzimi.

Pozitiviteti sipas Kuranit nuk është optimizëm bosh dhe as dëshira të shkëputura nga realiteti. Përkundrazi, ai është një metodologji e plotë, e cila fillon me pranimin e ekzistencës së sfidave, vijon me theksimin e mundësive dhe kapaciteteve që janë në dispozicion, më pas paraqet modele praktike për krijimin e zgjidhjeve dhe, në fund, i mbush shpirtrat me shpresë dhe besim.

Prandaj, është e nevojshme që umeti të kalojë nga kultura e ankesave dhe e fajësimit të ndërsjellë në kulturën e iniciativës dhe të arritjeve; nga pyetja: “Kush është përgjegjës për problemin?”, te pyetja: “Çfarë zgjidhjeje mund të ofroj unë?”

Popujt nuk përparojnë falë numrit të madh të njerëzve që përshkruajnë krizat, por falë numrit të madh të atyre që krijojnë zgjidhje.

Ky është thelbi i edukimit kuranor dhe shpirti i mesazhit qytetërues të Islamit.

Autor: Fehmi Xhivanto

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Maide: 48.

[2] – Sure Muhamed:4:

[3] – Sure Mulk: 2.

[4] – Sure Beled: 4.

[5] – Sure Bekare: 233.

[6] – Sure Bekare: 286.

[7] – Sure Talak: 7.

[8] – Sure A’raf: 10.

[9] – Sure Shuara: 61.

[10] – Sure Shuara: 62.

[11] – Sure Duha: 1 – 3.

[12] – Sure Inshirah: 1- 6.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *