Nuk mjafton që Islamin ta mishërojmë në zemrat tona dhe në realitetin tonë të kufizuar, por është e domosdoshme të bëjmë përpjekje për ta vendosur Islamin në jetën e përditshme, në realitetin e përgjithshëm e të pakufizuar të njerëzve. Kjo është e vërteta e parë që qëndron në themel të çështjes së thirrjes islame në të gjitha epokat. Ajo përbën përgjegjësinë e të gjithë thirrësve në rrugën e Allahut, sot dhe nesër, prej së cilës nuk ka shmangie dhe as shpëtim. Ky është fati ynë i pashmangshëm dhe një çështje që përcakton të ardhmen e të gjithë atyre që i përkushtohen Islamit.
Mirëpo, rruga e thirrjes islame është e mbushur me rreziqe. Ajo është një rrugë e vështirë, e gjatë dhe e mundimshme, një udhëtim rraskapitës e i rëndë për nefsin që priret drejt së keqes. Megjithatë, nuk kemi strehë tjetër përveçse t’i përkushtohemi kësaj rruge. Ky është ligji i Allahut në krijesat e Tij dhe ti nuk do të gjesh ndryshim në ligjin e Allahut.
Është e pashmangshme dhe tejet e domosdoshme që veprimtaria islame të jetë e rëndë dhe të mund të përballohet vetëm nga njerëzit me vendosmëri të fortë, qëllime të mira, besim të sinqertë dhe durim të bukur. Sa më shumë të zgjerohet hendeku ndërmjet Islamit dhe njerëzve, aq më e rëndë, më e vështirë dhe më e mundimshme bëhet veprimtaria islame.
Vetë natyra e thirrjes islame kërkon, që në fillim, bashkimin rreth një fjale të përbashkët dhe takimin në një pikë të përbashkët, mbi bazën e besimit se kjo fe e meriton të jetë prijëse. Ajo kërkon gjithashtu një lidhje të ngushtë me këtë çështje, e cila shfaqet, së pari, në dashurinë për hir të Allahut, në sinqeritetin e punës për fenë e Tij dhe në besnikërinë ndaj mësimeve e parimeve të Islamit. Së dyti, kjo lidhje shfaqet në bashkëveprimin, harmoninë, përputhjen dhe bashkërendimin e përpjekjeve, sepse, në të kundërtën, përpjekjet e bëra do të shpërndahen dhe do të shkojnë kot.
Le të përfytyrojmë një thirrje, qoftë kjo thirrja islame, me të cilën merren individë të veçuar, të cilët nuk e njohin njëri-tjetrin, përdorin mjete të ndryshme, ndjekin metoda që bien ndesh me njëra-tjetrën dhe kanë shkallë të ndryshme suksesi, duke supozuar se mund të ketë sukses. Le të përfytyrojmë që kjo thirrje e bekuar të mbështetet te njerëz me këto karakteristika. A do të mund të çajë ajo rrugën e saj në mes të kësaj vorbulle të madhe e të pafundme thirrjesh, doktrinash dhe bindjesh?
Përse të shkojmë kaq larg, kur kemi përpara realitetin e vetë thirrjes islame, i cili paraqet një pasqyrim të qartë të kësaj prirjeje të devijuar në mënyrën e thirrjes drejt Allahut? A ekziston vallë një plan i përbashkët veprimi, sipas të cilit udhëhiqen thirrësit myslimanë në të gjitha anët e botës islame, nga lindja në perëndim? Sigurisht që nuk mund të jemi të bindur se përpjekjet e njerëzve të sinqertë do të kenë sukses dhe se do të realizohet shpresa e madhe për ngritjen e shoqërisë islame, nëse thirrja vazhdon të ndjekë këtë rrugë kaq të përçarë.
Ka disa autorë islamë që e kalojnë kohën duke zhvilluar fushata polemike, me fjalë dhe me shkrime, kundër vëllezërve të tyre në fe dhe në thirrjen islame.
Në revistat islame, madje edhe në gazetat e përditshme, lexojmë artikuj të shkruar nga autorë që kanë njëfarë përvoje në fushën e thirrjes islame, në të cilët ata sulmojnë, në një mënyrë ose në një tjetër, autorë të tjerë që nuk janë aspak më pak të përkushtuar dhe të sinqertë ndaj kësaj feje sesa vetë ata. Madje, botohen edhe libra të posaçëm, të cilët kanë për qëllim sulmin ndaj këtij apo atij autori mysliman, ndaj këtij apo atij thirrësi apo mendimtari… Kush janë ata që i sulmojnë këta njerëz?! Zakonisht janë persona që merren me detyrën e thirrjes dhe përcjelljes së mesazhit islam, në këtë fushë apo në atë tjetren. Vallë, a i shërbehet Islamit me këtë mënyrë të shtrembër veprimi, me këtë përpjekje të çuar dëm dhe me këtë energji të shpërndarë?
Bashkërendimi i përpjekjeve në fushën e thirrjes islame është një ndër çështjet më të rëndësishme të kohës sonë. Por, kush do ta marrë përsipër këtë detyrë kaq të rëndë dhe madhore të bashkërendimit?!
Thirrja islame është e ndarë ndërmjet veprimtarisë individuale dhe asaj kolektive, por të dyja ecin me hapa të ngadaltë, të pasigurt dhe të plogësht, të cilët nuk mund t’i bëjnë ballë sfidës së rëndë ideologjike me të cilën përballet umeti islam.
Veprimtaria individuale përfaqësohet nga individë tejet të shpërndarë, të larguar nga njëri-tjetri, pa bashkërendim dhe pa bashkëpunim. Ndërsa veprimtaria kolektive përfaqësohet nga organizata, institucione dhe shoqata që mbajnë slogane islame, por veprojnë sipas programeve dhe planeve kontradiktore e kundërshtuese ndaj njëra-tjetrës. Ndonëse synojnë lartësimin e fjalës së Allahut, ato ndjekin rrugë të ndryshme, të cilat degëzohen dhe shpërndahen në mënyrë që e dëmton dhe e cenon rëndë thirrjen islame.
Organizatat islame, ndonëse të pakta në numër dhe të dobëta, e nganjëherë edhe të pafuqishme, mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj çështjeve të kohës. Në përcaktimin e këtyre qëndrimeve ndikojnë shumë faktorë, ndër të cilët janë: mirësjellja e tepruar, favorizimi, marrja parasysh e këtij apo atij regjimi, lajkatimi i këtij apo atij sundimtari, si dhe faktorë të tjerë frenues, të cilët shpesh kanë shkaktuar goditje të rënda ndaj disa lëvizjeve islame, duke i dobësuar në thelb, duke i shpërbërë, copëtuar dhe përçarë.
Disa prej këtyre konsideratave dhe faktorëve kanë luajtur rol të kundërt në etapa të mëparshme. Në atë kohë, lajkatimi, përshtatja me rrethanat dhe mirësjellja e tepruar ishin në kundërshtim me vetë idenë islame. Më vonë u bë e qartë se përballja e hapur dhe dalja nga izolimi e mbyllja në vetvete, drejt jetës së njerëzve, ishte më pranë urtësisë.
Këtë e ka vërtetuar përvoja në më shumë se një rast. Por, cila formë e veprimtarisë islame është sot e dobishme dhe mund të japë fryte?!
Unë, dëshiroj të përjashtoj shumë prej supozimeve që kanë disa prej atyre që merren me veprimtarinë islame. Unë besoj se përballja e hapur me sfidat e kohës është rruga më e drejtë për përhapjen e mendimit islam.
Veprimtaria individuale mund të mos sjellë ndonjë dobi, ose mund të sjellë, por në një rreth të ngushtë e të kufizuar dhe në një shkallë të dobët e të pamjaftueshme. Ndërsa veprimtaria kolektive nuk nënkupton domosdoshmërisht krijimin e një “partie”, sipas modelit që është ndjekur në shumë vende. Kjo mënyrë veprimi nuk është islame. Muhamedi, i Dërguari i Allahut (a.s), u përball drejtpërdrejt me injorancën e kohës së tij, në realitetin e jetës. Prandaj, edhe thirrja në Islam duhet të zhvillohet hapur, pa u fshehur. Ne nuk synojmë shkatërrimin e botës, por jemi thirrës të së mirës, të përmirësimit dhe të udhëzimit. Atëherë, përse të fshihemi? Përse të mos e shfaqim hapur qëndrimin tonë?!
A nuk është e vërteta ajo që meriton më shumë të thuhet? Dhe a ka ndonjë mënyrë tjetër për ta thënë të vërtetën, përveçse duke ua paraqitur njerëzve hapur, në jetën e tyre të përditshme?
Po kështu, edhe veprimtaria kolektive duhet të ndjekë këtë rrugë. Atëherë, është e domosdoshme që në thirrje të ndjekim metodën e të Dërguarit të Allahut (a.s). E kush është më i denjë për t’u ndjekur sesa i Dërguari (a.s)?!
Studimi i metodave të thirrjes islame në agimin e saj mund të na ndihmojë të zbulojmë rrugët më të përshtatshme dhe më të drejta për thirrjen në ditët tona. Kjo sepse ekziston një lidhje, ose më saktë, një ngjashmëri ndërmjet rrethanave tona aktuale dhe periudhës së të Dërguarit (a.s). Përqendrimi te pastrimi i akides nga shtrembërimet dhe ndikimet e injorancës përbën një fushë të gjerë e të frytshme për thirrjen islame.
Drejtojuni zemrave të njerëzve, o ushtarë të Allahut! Drejtojuni zemrave të tyre dhe pastrojini ato nga shirku dhe idhujtaria moderne! Drejtojuni mendjeve të tyre dhe korrigjojani shtrembërimet e mendimit! Drejtojuni nefseve të tyre dhe mbushini me qetësi, me freskinë e bindjes së sigurt, me ngrohtësinë e besimit dhe me forcën e bindjes së palëkundur!
Përmes veprimtarisë kolektive, bashkimit rreth një fjale të përbashkët, solidaritetit, bashkëveprimit të ngushtë, dashurisë për hir të Allahut, sinqeritetit në punën për fenë e Tij dhe besnikërisë ndaj mësimeve e parimeve të Islamit, me të gjitha këto mjete përballemi me umetin e humbur, me umetin që ka dalë nga bindja ndaj Allahut, me umetin jobesimtar ose të devijuar.
Sa i përket organizimit, sipas mendimit tim personal, i cili mund të jetë i saktë ose i gabuar, ai është një lloj marrëveshjeje e heshtur për të punuar në shërbim të Islamit; është porosia e ndërsjellë për angazhim në veprimtarinë islame dhe zotimi për të thirrur në rrugën e Allahut, larg rrëshqitjeve, vështirësive dhe dyshimeve. Myslimani nuk bart me vete asgjë tjetër përveç Islamit. Atëherë, përse ta ekspozojë veten ndaj rrethanave që mund t’ia pengojnë veprimtarinë dhe t’ia mbyllin rrugën thirrjes islame, duke bërë që umeti të mbetet i humbur, për shkak të mungesës së njerëzve që t’ia tregojnë fytyrën e së vërtetës?
Autor: Abdulkadir Idrizi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















