|
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit! Të gjitha falënderimet janë për Allahun, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij. Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje. Ata që nuk besojnë se njeriu mund të zotërohet nga xhindi, duhet t’i shpjegojnë në mënyrë të arsyeshme simptomat, nga të cilat vuajnë njerëzit, të cilët janë të pushtuar nga djalli. Nga ana tjetër, ata të cilët kanë mendimin e kundërt i konsiderojnë rastet e çuditshme të njerëzve të pushtuar nga xhindet, si fakte konkrete që mbrojnë mendimin e tyre, duke përdorur faktin, se njerëzit janë të përgatitur psikologjikisht të besojnë, se xhindet mund të zotërojnë trupat e tyre. Në lidhje me këtë, duam të citojmë për ju fetvanë e mëposhtme nga dijetari mysliman Jusuf Kardavi: Xhinët janë qenie, të cilat ne nuk mund t’i shohim siç janë në realitet. Allahu thotë për shejtanin: “Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk i shihni”[1]. Megjithatë xhindet mund të marrin formën e njeriut, ashtu si ka ndodhur gjatë kohës së profetit (a.s), kur një xhind në formë njeriu shkoi tek Ebu Hurejra, ndërsa ai po ruante zekatin e Ramazanit, sipas urdhrit të profetit (a.s). Pasi pa se xhindi po merrte ushqim nga sadakaja (pa leje), Ebu Hurejra e kapi dhe donte ta dërgonte tek profeti, por ai e liroi, kur xhindi i dha një këshillë. Kur Ebu Hurejra ia tregoi këtë ngjarje profetit (a.s), ai tha: “Ai ka qenë xhind, këshilla e tij është e vërtetë, megjithëse ai ishte gënjeshtar në të vërtetë”[2] Shumë njerëz thonë, se kanë parë xhinde apo se kanë lidhje me ta, madje ka dhe nga ata që thonë, se janë të martuar me xhinde. Në fakt shumë prej këtyre deklarimeve janë të rreme. Për më tepër, shumica e atyre që pretendojnë se janë pushtuar nga xhindet, në fakt vuajnë nga çrregullime psikologjike si skizofrenia e sëmundje të tjera të ngjashme dhe xhindet nuk kanë të bëjnë me këto çrregullime. Shejh Fejsal Mavlavi, zëvendëskryetar i Këshillit Evropian për Fetva dhe Studime thotë: Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur më zotërimin e njerëzve nga xhindet dhe për aftësinë e tyre, për t’i dëmtuar dhe për t’i prekur ata me sëmundje dhe dhimbje. Disa dijetarë besojnë, se kjo mund të ndodhë dhe citojnë si fakt fjalët e të Plotfuqishmit: “Përkujto edhe robin tonë Ejubin, kur me lutje iu drejtua Zotit të vet: “Djalli më ka goditur me mundim e dhembje!”[3] Këta dijetarë e kanë shpjeguar ajetin fjalë për fjalë dhe kanë thënë, se ajo që i ndodhi profetit Ejub në trup, pasuri dhe familje u shkaktua nga shejtani. Nga ana tjetër, disa dijetarë të tjerë, janë të mendimit, se xhindet nuk mund t’i pushtojnë njerëzit dhe as nuk mund t’i dëmtojnë ata, sepse Zoti i Plotfuqishëm thotë: “S’ka dyshim se intriga e djallit është e dobët”[4]. Sipas këtij grupi të dijetarëve, nëse do të ishte e vërtetë që xhindet mund ta zotërojnë trupin e njeriut dhe mund ta dëmtojnë atë, njerëzit do t’i kishin ngatërruar veprat e xhindeve me të Allahut të Plotfuqishëm. Për më tepër, ata dijetarë kanë shpjeguar ajetin lidhur me profetin Ejub, në atë mënyrë që përputhet me ajetet dhe hadithet e tjera, që tregojnë se shejtani nuk mund ta dëmtojë apo të ndikojë mbi besimtarët e vërtetë. Sipas tyre, nëse kjo ndodh me besimtarët e vërtetë në përgjithësi, duhet të ndodhë dhe me profetët për të njëjtën arsye. Në “Xhamia li Ahkam El Kuran” volumi 15, Imam Kurtubiu shkruan se Imam Ibn el-Arabi dhe dijetarë të tjerë kanë thënë lidhur me ajetin në fjalë, se ajo që i ra profetit Ejub në trupin e tij, pasurinë dhe familjen e tij ishte caktim i Allahut të Plotfuqishëm, por profeti Ejub ia atribuoi ato shejtanit nga nderimi i madh që kishte për Allahun e Plotfuqishëm. Sipas “Tefsir El-Kebir” të Imam Fakrudin er-Razit disa dijetarë e shpjeguan këtë ajet mbi të njëjtën bazë, që është se vuajtjet e Ejubit ishin caktim nga Allahu i Plotfuqishëm. Këta dijetarë ishin të mendimit, se shejtani i pëshpëriste profetit Ejub duke i përkujtuar të mirat që Allahu ia kishte marrë, në mënyrë që profeti të ankohej për ato që humbi dhe të mos ishte i kënaqur nga caktimi i Allahut. Profeti Ejub nuk iu nënshtrua pëshpërimave të shejtanit, por shejtani ia kujtonte ato vazhdimisht. Ai, nga frika se mos u dorëzohej fjalëve të shejtanit, iu lut Allahut t’ia largonte shejtanin me fjalët: “Përkujto edhe robin tonë Ejubin, kur me lutje iu drejtua Zotit të vet: “Djalli më ka goditur me mundim e dhembje!” Në Kuran përmenden dhe dy ajete të tjera, që tregojnë ndikimin e shejtanit tek njerëzit, njëri tregon ndikimin e tij jo të drejtpërdrejtë dhe tjetri atë të drejtpërdrejtë. Vargu i parë është: “Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (Allahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën)”[5] Këtu ndikimi i referohet pëshpërimave që u bën shejtani njerëzve, që ata të kryejnë mëkate; nuk ka fare lidhje me zotërimin e njerëzve nga xhindet. Vargu i dytë është: “Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu sepse thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! E Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë”[6] Shpjegimi i Imam Fakrudin Er-Razit Sipas tij, ky ajet mund të shpjegohet në dy mënyra. E para sipas shpjegimit të Ebu Ali el-Gubbaie. Ai mendon se “të prekurit e djallit” në ajet i referohet dëmtimit të tyre, me anë të pëshpëritjeve të liga, që ai dëshiron t’ua ngulisë njerëzve në mendje. Këtë kishte në mendje profeti Ejub kur tha, sipas Kuranit: “Djalli më ka goditur me mundim e dhembje!” Këto pëshpëritje të liga ndikojnë tek njerëzit që kanë besim të dobët dhe bëjnë që ata të sëmuren me epilepsi. Kjo ndodh, sepse këta njerëz janë shumë të dobët dhe nuk mund t’u rezistojnë pëshpëritjeve të shejtanit. Pra, nga kjo mund të kuptojmë, se shejtani nuk mund të ndikojë tek njerëzit që kanë besim të fortë. Si rrjedhim, El-Gubaaie është i mendimit, se shejtani nuk mund të ketë shumë ndikim tek njerëzit. Sipas tij i vetmi ndikim që shejtani mund të ketë, është nëpërmjet mendimeve të liga që u pëshpërit njerëzve. Shpjegimi i dytë i vargut, sipas Imam Fakrudin Err-Razit është prezantuar nga El-Kaffali (dijetar nga shkolla shafii). El-Kaffali është i mendimit, se njerëzit ia atribuonin epilepsinë shejtanit dhe xhindeve në përgjithësi. Ata gjithashtu ia përshkruanin gjërat e këqija dhe ngjarjet fatkeqe shejtanit. Duke u bazuar në këtë besim, Allahu i Plotfuqishëm e përshkruan gjendjen e keqe të fajdexhinjve, si të atyre që ngrihen nga të prekurit e djallit. Allahu përshkruan gjithashtu dhe pemën e Zekumit që mbin nga fundi i xhehenemit: “Pema (fruti) e saj është sikurse koka dreqërish”[7] Shpjegimi i të njëjtit ajet nga Zemaksheriu Ai ka thënë: “Vargu “Ata që e hanë kamatën” e krahason gjendjen e atyre që hanë kamatën me gjendjen e atyre, që goditen nga xhindet. Kjo përputhet me besimin e arabëve se xhindet mund t’i godasin njerëzit dhe t’i rrëzojnë, madje mund të shkaktojnë dhe çrregullime mendore. Arabët tregojnë shumë histori për njerëzit, të cilët kanë parë xhinde me sytë e tyre. Prandaj për arabët të mohosh mundësinë se njerëzit kanë parë xhinde, është njësoj si të mohosh se i shikon gjërat materiale dhe konkrete rreth teje. Ebu Suudi kishte të njëjtin mendim me Zemaksheriun. Kjo bëhet e qartë në librin e tij “Tafsir ebu es-Suud”. Shpjegimi i ajetit nga Kurtubiu Ai ka thënë: “Ky ajet e hedh poshtë mendimin e atyre që e mohojnë aftësinë e xhindeve për t’i dëmtuar njerëzit”. Shpjegimi i ajetit nga el -Alusi Dijetari i njohur el-Alusi ka thënë, se ata që hanë kamatën do të ngrihen Ditën e Gjykimit si ata që goditen fort nga xhindi në këtë botë. El-Alusi citoi gjithashtu në një nga shkrimet e tij, dijetarin Ibn Atijah, se ka thënë që ky ajet krahason dhënien e fajdexhinjve pas mbledhjes së parave dhe nxitimin e tyre për ta arritur këtë qëllim me gjendjen e njerëzve të paqëndrueshëm, të cilët lëvizin me nxitim të madh, saqë mund t’i quash të çmendur. Për këtë mendim El-Alusi tha: “Është e qartë se ky mendim e kundërshton atë që thonë njerëzit në përgjithësi”. El-Alusi preku dhe çështjen, se xhindet i rrahin disa njerëz dhe i rrëzojnë dhe deklaroi se ishte dakord me të. Për më tepër, ai i kundërshtoi pikëpamjet e El-Mutazilahut dhe El-Kaffalit, të cilët deklaruan se xhindet nuk kanë ndikim mbi njerëzit. Ata citojnë si fakt për mendimin e tyre atë që shejtani ka thënë, duke u bazuar në Kuran: “Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush”[8] El-Alusi komenton se thënia e shejtanit se nuk ka pushtet, i referohet paaftësisë së tij për të pasur kontroll të plotë apo për t’i robëruar njerëzit, dhe jo për paaftësinë e tij për t’i dëmtuar ata. Sipas El-Alusit ka shumë fakte në Sheriat, që e kundërshtojnë mendimin e el-Mutazihalit dhe El-Kaffalit. Për shembull, profeti (a.s) ka thënë: “Kur lind një fëmijë, shejtani e prek, prandaj ai qan”. Një version tjetër i këtij hadithit është: “Kur lind një fëmijë, shejtani e prek në të dyja anët e trupit”. Përjashtimi i vetëm janë Merjemja dhe djali i saj Isai, sepse nëna e Merjemes iu lut Zotit të Plotfuqishëm si tregohet në Kuran: “Zoti im, unë e linda femër”! Po Allahu e di më së miri atë që ajo e lindi. E mashkulli nuk është si femra. “Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar”[9]. Transmetohet dhe një hadith, se një xhind kishte rrëmbyer një njeri gjatë kohës së profetit dhe pastaj e kishte kthyer atë. Më vonë ky njeri tha: “Një zog si një deve erdhi dhe më mbajti me një pendë të vogël”. Sipas El-Alusit, paraardhësit e sunive besonin, se këto hadithe tregojnë ngjarje të vërteta dhe se shpjegimi i tyre jo i drejtpërdrejtë i ndërlikon gjërat. Shpjegime të tilla të ndërlikuara mundohet t’i japë shkolla e Al-Mutazilahut. Shqyrtimi i haditheve të transmetuara për xhindet na tregon, se xhindet kanë aftësi t’i dëmtojnë njerëzit. |
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure A’raf: 27.
[2] – Buhariu.
[3] – Sure Sad: 41.
[4] – Sure Nisa: 76.
[5] – Sure A’raf: 201.
[6] – Sure Bekare: 275.
[7] – Sure Saffat: 65.
[8] – Sure Ibrahim: 22.
[9] – Sure Ali Imran: 36.



















