Nga ana gjuhësore, fjala “mursel” ka kuptimin: “i lëshuar, i zgjidhur, i neglizhuar, i dërguar”.([1])
Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith mursel” përkufizohet me fjalët: “Hadithi që tabi`ini – i cilitdo brez qoftë – ia cilëson apo adreson të Dërguarit të Allahut”.([2]) Pra tabini thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “…”.
Shembull:
Ebu Daudi thotë: Na ka treguar Uehb ibn Bakija, i cili transmeton nga Khalidi, ky transmeton nga Junusi, ndërsa ky i fundit transmeton, se Hasani ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush bëhet imam i një grupi, ta falë namazin sipas gjendjes së më të dobëtit në mesin e tyre, sepse pas tij është i moshuari, i dobëti, nevojtari, i sëmuri dhe i largëti (udhëtari)”.([3]) Hasan Basriu është tabi`in dhe nuk e ka përmendur fare sahabiun në vargun e hadithit.
Gjykimi për hadithin mursel
Shtrohet pyetja: “A vlen për argument hadithi mursel i transmetuar nga tabi`ini, kur ai plotëson kushtet e hadithit të vërtetë, përveç faktit se në hallkën e vargut të hadithit mungon sahabiu”?! Në lidhje me këtë çështje, dijetarët kanë tre mendime:
Mendimi i parë: Hadithi mursel është i pranuar dhe vlen për argument, me kusht që tabi`ini ta ketë zakon që transmeton vetëm nga transmetues të besueshëm. Këtë mendim e përkrah Ibrahim Nekhaiu, Hamd ibn Ebi Sulemani, Ebu Hanife, Ebu Jusufi, Muhamedi, Maliku, Sufjan Theuri, Ebu Daudi, Ahmed ibn Hanbeli (mendimi bazë i tij) etj. Një pjesë e mirë e tyre thonë se transmetimet mursele të Said ibn Musejibit, Said ibn Xhubejrit, Hasan Basriut, Amr Shabiut, Ibrahim Nekhaiut, Urve ibn Zubejrit janë të pranuara. Ky mendim është më afër të vërtetës.
Mendimi i dytë: Hadithi mursel nuk vlen fare për argument. Këtë mendim e përkrah Shafiu (spas një mendimi të tij) Muslimi, Ebu Hatimi dhe pjesa më e madhe e dijetarëve të hadithit.
Mendimi i tretë: Hadithi mursel vlen për argument, nëse plotëson këto kushte: hadithi transmetohet me një varg tjetër të pandërprerë, ose mund të jetë mursel por transmetuesit e hadithit janë të ndryshëm; hadithi përforcohet nga fjala e një sahabiu; tabi`ini transmeton vetëm nga persona të besueshëm. Këtë mendim e përkrah Shafiu. Ky mendim është i argumentuar mirë.
Përsa i përket haditheve mursel të treguara nga sahabët, ato janë të pranuara edhe nëse nuk e përmendin sahabiun, prej të cilit e kanë dëgjuar hadithin.
Shembull: Aishja (r.a) thotë: “Gjëja e parë që i ka ardhur të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) si shpallje ka qenë ëndrra e vërtetë, e cila realizohej më pas”.([4]) Aishja (r.a) nuk kishte lindur, në kohën kur filloi shpallja.
Nga librat e përpiluar në këtë fushë është “ المراسيل– El-Merasil” i imam Ebu Daudit.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – “Mukhtaru`s-Sihah”, (fq: 242), “El-Misbahu`l-Munir”, (fq: 119) dhe “El-Muxhemu`l-Uasit”, (fq: 344).
([2]) – Ibn Salahu në “Ulumu`l-Hadith”, (fq: 51), “Nuz`hetu`n-Nadhar”, (fq: 100), “Tedribu`r-Raui”, (fq: 128), “Es-Saju`l-Hathith”, (fq: 187), “Kavaid fi Ulumi`l-Hadith”, (fq: 39), “Mebahith fi Ulumi`l-Hadith”, (fq: 121), “Ulumu`l-Hadith ue Mustalahuh”, (fq: 166) dhe “Tahrir Ulumi`l-Hadith”, (fq: 923).
([3]) – Vargu i hadithit është i vërtetë, por ai është mursel. Ebu Daudi në “Merasil” (38). Mirëpo hadithi gjendet me fjalë të përafërta tek Buhariu (703) dhe Muslimi (467).



















