Dobia e Usul Fikhut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Çdo dije apo shkencë studiohet dhe mësohet, në mënyrë që të përfitohet prej saj. Shkenca e Usul Fikhut nuk studiohet për të shtuar kulturën e përgjithshme, por studiohet që të jetë mekanizëm efikas për studiuesin e Sheriatit Islam. Nga studiuesi apo dijetari kërkohet të deduktojë ligje sheriatike sipas metodologjisë më të saktë. Prej tij kërkohet të dallojë argumentimet e sakta nga të gabuarat, të përfitojë aftësinë juridike për nxjerrjen e ligjeve praktike nga burimet e përgjithshme dhe argmentet specifike, në mënyrë që ta ketë sa më të lehtë procesin e ixhtihadit. Atij i kërkohet të njohë vlefshmërinë e Sheriatit për çdo kohë dhe vend, si dhe i kërkohet të pasurojë Fikhun islam me ligje të reja. Të gjitha këto, por jo vetëm, ia mundëson shkenca e Usul Fikhut. Dobitë e mësimit dhe studimit të kësaj shkence janë të shumta.

1- Vërtetimi i bazave dhe ligjeve sheriatike: Usul Fikhu është shkenca që përcakton saktësisht dhe vërteton bazat e ligjeve sheriatike dhe argumentet përkatëse, ashtu siç motivon personin e ngarkuar me përgjegjësi sheriatike të zbatojë përgjegjësitë dhe urdhëresat fetare. Të gjithë usulistët kanë thënë, se dobia e shkencës së Usul Fikhut është: njohja e ligjeve dhe vendimeve të Allahut të Madhëruar, njohje që është shkak për fitimin e lumturisë në këtë botë dhe në ahiret.

2- Sqarimi i metodologjive dhe bazat referenciale të jurisit: juristi i përdor këto metodologji për të përftuar ligje sheriatike për çështjet e reja dhe dinamike. Muxhtehidi që i njeh mirë këto metodologji, njeh burimet e përgjithshme dhe parimet juridike sheriatike, është i aftë të nxjerrë një ligj apo dispozitë të ligjit sheriatik për çdo çështje. Në të vërtetë, ky është edhe objekti bazë i Usul Fikhut.

3- Lehtësimi i procesit të ixhtihadit: kjo shkencë përcakton kriteret për të bërë ixhtihad, kriteret e muxhtehdit, kriteret e procesit të dhënies së fetvasë, kriteret e myftiut, etj. Kjo shkencë kultivon përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë tek muxhtehidi, prandaj një nga dobitë më të mëdha të kësaj shkence është përkushtimi fetar dhe afrimi me Allahun e Madhëruar.

4- Ofrimi i sigurisë dhe bindjes për pasuesin e një shkolle jurdike: studiuesi që nuk ka arritur gradën e muxhtehidit, përfiton nga studimi i Usul Fikhut, duke u aftësuar për të kuptuar metodën që ka ndjekur imami që pason në çështjet praktike të fesë. Kjo i jep atij siguri për aftësinë që ka pasur imami që ndjek, si dhe i krijon aftësinë për të mbrojtur metodologjinë që ka ndjekur imami i tij.

5- Shpërblim i madh për atë që mëson këtë shkencë: studiuesi që nuk ka arritur gradën e ixhtihadit, por që njeh metodologjinë që ka ndjekur imami i tij në çështjet e fesë, ka shpërblim më të madh se sa një pasues që zbaton fetvanë e imamit të tij për një çështje vaxhib apo sunet, por që nuk e di bazën që i është referuar imami për këtë fetva.

6- Aftësimi juridik i pasuesit të një shkolle juridike të caktuar: studiuesi që nuk ka arritur nivelin e ixhtihadit, por njeh parimet juridike universale, të cilave iu është referuar imami që ndjek, është i aftë të nxjerrë ligje sheriatike dhe të trajtojë çështje të reja, të patrajtuara më parë nga imami i tij.

7- Aftësimi i muslimanit misionar në fushën e davetit (thirrjes islame): studiuesi dhe njohësi i parimeve juridike mund të ftojë me sukses të tjerët për tek feja e Allahut. Duke njohur mirë bazat dhe metodat e kësaj diturie, ai mund të ofrojë argumente dhe të bindë tjetrin për tek ajo që e fton.

8- Armatosja e dijetarit me arsenal argumentesh të pakundërshtueshme: studiuesi dhe njohësi i parimeve juridike mund të sqarojë para mbarë botës, se Islami është fe e vlefshme për çdo kohë, për çdo vend dhe i aplikueshëm në çfarëdo rasti dhe situate. Islami ka aftësinë e rigjenerimit të vazhdueshëm, pasi i jep përgjigje çdo situate, ka ligj sheriatik praktik dhe përkatës për çdo rast. Nuk mund të imagjinohet as hipotetikisht qoftë edhe një rast i vetëm, ku Islami të mos ketë fjalën e tij për të.

9- Rritja profesionale e gjuhëtarëve: gjuhëtarët përfitojnë nga mësimi i shkencës së Usul Fikhut, pasi usulistët kanë hulumtuar në fjalë, jo vetëm në aspektin juridik sheriatik të saj, por edhe në aspektin gjuhësor. Usulistët kanë pasur si tipar njohjen e gjuhës arabe dhe Sheriatit, prandaj kanë bërë harmonizim të mrekullueshëm mes tyre. Kjo ka bërë që shumë gjuhëtarë të shquar të gjuhës arabe të studiojnë Usul Fikhun, gjë që ka rritur aftësitë e tyre gjuhësore profesionale.

10- Rritja shkencore e ekspertit të dijeve fetare: studiuesi ekspert dhe i kualifikuar i shkencës së tefsirit dhe të hadithit e ka të nevojshme studimin e shkencës së Usul Fikhut. Është pikërisht kjo shkencë, që i shpjegon atij semantikën e fjalëve dhe mekanizmat që përdoren për të deduktuar dhe zbuluar ligjet sheriatike nëpërmjet fjalëve të tekstit sheriatik. Imam Ebu Bekr Xhasasi e ka konsideruar librin e tij “El-Fusûlu fi`l-Usûl” si një hyrje të domosdoshme për komentimin e Kuranit. Në tefsirin e tij “Ahkâmu`l-Kuran” ai i është përmbajtur parimeve që ka përmendur në këtë hyrje, që është libër në fushën e Usul Fikhut.

11- Domosdoshmëria e Usul Fikhut në punimet shkencore: kushdo që kërkon të bëjë një punim shkencor të shkruar qoftë edhe disa faqe, apo një temë diplome, apo ndonjë vepër në një shkencë të caktuar, apo një ese me karakter shkencor, duhet të njohë mirë dijen e Usul Fikhut. Dija e Usul Fikhut ka harmonizuar mes burimeve referenciale dhe arsyes, prandaj ai që thellohet në këtë dituri, ka aftësinë ta prezantojë siç duhet temën, të japë përshkrimin e duhur për të, ta argumentojë me fakte, ndërsa objeksioneve që i bëhen kësaj teme t`iu japë përgjigje të ndërtuara mbi parime dhe metodologji të sakta, të cilat nuk i gjen aq mirë të strukturuara sa në dijen e Usul Fikhut.

12- Dije origjinale islame: në rrafshin historik, Usul Fikhu i siguron studuesit apo dijetarit njohjen e metodologjivie që kanë ndjekur muxhtehidët në deduktimin e ligjeve dhe dispozitave sheriatike. Kjo e bind atë për origjinalitetin e kësaj shkence, për frytin e saj të këndshëm dhe të mirëstudiuar, e bën krenar që i përket një feje që ka pasur dijetarë të këtij kalibri, të cilët i kanë dhuruar muslimanëve dhe mbarë botës një thesar të pashterrshëm, siç është Fikhu islam.

13- Formimi i muxhtehidëve: nëpërmjet Usul Fikhut, dijetari apo studiuesi fiton aftësinë juridike, që i mundëson të kuptojë drejt ligjet dhe dispozitat sheriatike dhe të ketë perceptim të qartë për to. Muxhtehidi ka aftësinë të kuptojë metodat dhe metodologjitë e dijetarëve për nxjerrjen e ligjeve, si dhe t`i referohet këtyre metodologjive për t`iu dhënë zgjidhje problemeve që hasin njerëzit. Dihet se ligjet dhe dispozitat tekstuale sheriatike janë të kufizuara në numër, prandaj dijetari duhet të hulumutojë në këto ligje, të cilat i shërbejnë si lëndë e parë për nxjerren e ligjeve të reja.

14- Aftësia për të dalluar shkaqet e mospajtimeve mes muxhtehidëve: Usul Fikhu i mundëson muxhtehidit të dijë arsyetimin e dijetarëve, për mospajtimet mes tyre në çështjet e Ixhtihadit. Dihet se çështjet e trajtuara nga ixhtihadi janë çështje me argument aludues, apo me argument që të jep bindje të përgjithshme dhe jo bindje të sigurtë. Për rrjedhojë, do të ketë larmi mendimesh mes dijetarëve për këto çështje. Çelësi për të kuptuar siç duhet mospajtimet mes dijetarëve të mëdhenj, është pikërisht shkenca e Usul Fikhut.

15- Njohja e mirë e shkollave juridike dhe e metodologjive të tyre: Usul Fikhu i mundëson studuesit të krahasojë dhe të vlerësojë shkollat juridike islame, të sqarojë dhe të vërë në pah mendimin më të saktë të tyre për një çështje të caktuar. Për të arritur në një konkluzion të tillë, dijetari duhet të studiojë metodologjitë e themeluesve të këtyre shkollave dhe burimet që u janë referuar ata, pasi çdonjëri prej tyre ka pasur kriteret parimore juridike, të cilave iu  është referuar. Dijetari duhet të studiojë kriteret e tyre dhe të bëjë krahasimin mes tyre, duke iu referuar parimeve juridike dhe normave juridike të Usul Fikhut për të dalë në konkluzionin, se mendimi i filan juristi ka pëparësi ndaj një tjetri.

16- Sqarimi i veçorive dhe karakteristikave të Sheriatit Islam: kjo dije sqaron me detaje karakteristikat e Sheriatit Islam, vë në pah qartësinë dhe faktin se nuk ka kundërthënie reale mes ligjeve sheriatike praktike, sqaron realitetin dhe vitalitetin e Sheriatit, ligjet e të cilit janë në simetri dhe harmoni me njëri-tjetrin, integrohen dhe plotësojnë njëri-tjetrin, si dhe manifestojnë shpirtin lehtësues të këtij Sheriati.([1])

Autor: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com

([1]) –  Nemle, “El-Muhedhdheb”, v. 1, f. 42-44; Zuhejli, “Usûlu`l-Fikhi`l-Islâmî”, v. 1, f. 30-32; Rashid, “Khulâsatu Ilmi Usûli`l-Fikh ale`l-Medhâhibi`l-Erba`ah”, f. 45-49; Abdulmunim, “Bidâjetu`l-Mubtedi”, f. 19-20.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *