Amir ibn Abdullah Temimi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falenderimet më të sinqerta i takojnë Zotit të Madhëruar. Paqa dhe mëshira e Tij qofshin mbi profetin Muhamed (a.s) shokët dhe të gjithë ata që ndoqën rrugën e tij.

Tabi’inët janë brezi që erdhën direkt pas sahabëve, shokëve dhe bashkëkohësve të Profetit (a.s)

Sahabët, jetuan, dëgjuan, përfituan direkt nga dijet e tij, u edukuan me moralet më të larta dhe përcollën tek ne detajet më të imta nga jeta e Profetit (a.s). Ishin ata që ushtruan dhe zbatuan islamin e pastër dhe të freskët, ashtu siç e kishin marrë nga Profeti (a.s) dhe e kuptonin nga Kurani famëlartë, shpalljen e të cilit e përjetuan vetë.

Kurani shpallej sipas rrethanave dhe shpesh herë për të zgjidhur një problem që shqetësonte ndonjërin prej sahabëve dhe muslimanëve të asaj kohe.

Pas vdekjes së Profetit (a.s) shokët e tij u shpërndanë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, duke mbartur dhe përcjellë mesazhin hyjnor dhe njëkohësisht duke hedhur themelet e civilizimit islam.

Vendet dhe rajonet ku u përqendruan sahabët, ishin kryesisht në Gadishullin Arabik, në Egjypt, Sham, Irak dhe rajone të tjera. Ata njerëz që jetuan me sahabët e Profetit (a.s), quhen tabi’i.

Brezi i Tabi’inve janë model dhe shembull i rrallë. Vetë Profeti (a.s) i kishte vlerësuar që gjatë jetës së tij me fjalët:”Brezat më të mirë janë brezi im, pastaj ata që i pasojnë, pastaj ata që i pasojnë.”

Kështu, kuptojmë që brezi më i mirë është brezi i sahabëve, bashkëkohësve të Profetit (a.s) dhe pas tyre, janë brezi i Tabi’inëve.

Ashtu siç kishte mes sahabëve të dalluar në fusha të ndryshme, kishte dhe nga tabi’inët të dalluar në fusha të ndryshme, si dijet, xhihadi etj…

Nëse për sahabët, njerëzit do të thonin se ata kanë jetuar dhe e kanë dëgjuar Profetin (a.s) direkt dhe kjo ishte ajo që i bëri të dallohen dhe të kenë sukses, diçka të tillë nuk mund ta thonë për tabi’inët.

Me këtë, ata u kthyen model dhe shembull për brezat që nuk jetuan me Profetin (a.s). Ndërkohë që dëgjon dhe lexon bëmat dhe heroizmat e shokëve të Profetit (a.s), të shkon mendja menjëherë dhe i justifikon këto me faktin që ata jetuan me Profetin (a.s) dhe dëshmuan shpalljen e zbulesës hyjnore.

Duke qenë se tabi’inët nuk jetuan me Profetin (a.s) dhe nuk i dëgjuan hadithet direkt prej tij, ata janë njerëzit më të afërt dhe më të përshtatshëm për t’u ndjekur dhe për t’u marrë si model. Ata i përjetuan historitë dhe thëniet e Profetit (a.s) nëpërmjet shokëve të tij, sahabëve.

Historitë dhe ndodhitë e brezit të tabi’inëve janë të shumta dhe janë të mbushura me vlera dhe veçori, të cilat duhet të bëhen të ditura për muslimanët e sotëm. Në to rrëfehet mënyra si u rritën dhe u edukuan, duke u bërë shembull për mbarë muslimanët që ndjekin udhën e tyre.

Nga këta figura të ndritshme të historisë islame, fillimisht do të zgjedhim njërin prej tyre, Amir ibn Abdullah Temimi, i cili njihet ndryshe si imami i zahidëve.

Thotë Alkame ibn Murtez: ”Zuhdin e vërtetë e kanë arritur vetëm tetë vetë, në krye të tyre qëndron Amir ibn Abdullah Temimi.”

Kur flasim mbi njerëz të tillë si Abdullah Temimi, flasim mbi njerëz të cilët ndërtuan qytetërimin islam, të bazuar mbi Kuranin, traditën profetike dhe kontributin e shokëve të Profetit (a.s)

Halifeja i muslimanëve, Omer ibn Hattabi, kishte dhënë urdhër që të ndërtohej qyteti i Basras, të cilin kishte vendosur ta kthejë në një bazë ushtarake për ushtritë muslimane. Ajo ishte bazë ushtarake dhe njëkohësisht dhe baza nga ku niseshin ftuesit dhe thirrja Islame drejt Persisë dhe Azisë lindore.

Sahabët dhe tabi’inët e përfunduan ndërtimin e qytetit, drejt të cilit filluan të drejtohen njerëz dhe familje të shumta. Njerëzit vinin nga Hixhazi, Nexhdi dhe Jemeni dhe shumë shpejt, qyteti i Basras u kthye në një nga qytetet ushtarake më të rëndësishme.

Mes atyre që u vendosën në këtë qytet të ri, ishte dhe një djalosh i njomë nga Nexhdi, nga fisi Benu Temim. Ai ishte pikërisht Amir Abdullah Temimi.

Kur u vendos në Basra, ai ishte i njomë, me fytyrë simpatike, shpirtmirë dhe zemërbardhë.

Qyteti i Basras, edhe pse një qytet i ri, shumë shpejt u shndërrua në një nga qytetet më të pasur të shtetit islam. Kjo, për shkak se aty ishte forca ushtarake dhe njëkohësisht aty grumbulloheshin të gjithë plaçkat e luftës. Për shkak se fitoret e muslimanëve dhe territoret e reja që zgjeroheshin çdo ditë ishin të shumta, plaçkat dhe të ardhurat nga luftërat ishin padyshim të shumta.

Ushtria luante një rol të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit, duke ditur se 4\5 e plaçkës së luftës shpërndahej tek luftëtarët dhe vetëm 1\5 përfundonte në arkën e shtetit.

Jeta luksoze dhe stolitë e shumta, ishin kthyer në karakteristikë për këtë qytet.

Edhe pse jetonte në një nga qytetet më luksoze, Amir ibn Abdullah Temimi, kurrë nuk e shijoi jetën e luksit. Ai u rrit dhe jetoi si zahid, larg çdo luksi dhe larg të mirave të kësaj bote. Ai ishte i dhënë pas adhurimit dhe kënaqësive të botës tjetër.

Kur arriti në Basra, guvernator i saj asokohe ishte një nga shokët më të mirë të Profetit (a.s), Ebu Musa El-esh’arij. Përveçse ishte guvernator i Basras, Ebu Musa ishte dhe komandant i ushtrive që niseshin në të karër anët. Ai printe njerëzit në namazin me xhemat dhe u mësonte atyre çështjet e fesë dhe jetëshkrimin e Profetit (a.s).

Me t’u takuar me këtë sahabij të nderuar, Amir Temimi iu ngjit dhe nuk i ndahej as dhe në luftë. Prej tij ai mësoi dhe Kuranin përmendësh. Ebu Musa e kishte mësuar Kuranin nga vetë Profeti (a.s) dhe zëri i bukur melodioz gjatë leximit të Kuranit, ishte karakteristikë e tij. Edhe vetë Profeti (a.s) i kishte thënë:”Të është dhënë një nga zërat melodiozë të Daudit.”

Një ditë, teksa Profeti (a.s) ishte duke ecur, dëgjoi papritur një zë të bukur dhe melodioz, që i tërhoqi vëmendjen. I mrekulluar nga zëri, Profeti (a.s) pyeti se i kujt ishte. Ai ishte zëri i Ebu Musa El-Esh’arij, zë i cili kishte tërhequr dhe vëmendjen e Profetit (a.s). Një ditë më vonë, Profeti a.s e njoftoi se melekët kishin zbritur për të dëgjuar zërin e Ebu Musa El-Esh’ariut, teksa lexonte Kuran. Ai i tha:”O i dërguar i Zotit! Nëse do e kisha ditur se po më dëgjon, do e kisha zbukuruar më shumë zërin.”

Ebu Musa El-Esh’arij, ishte dhe fakih (jurist). Një ditë, Profeti (a.s) e dërgoi si gjykatës në Jemen, pasi banorët e tij kishin pranuar islamin. Bashkë me të, Profeti (a.s) dërgoi dhe Muadh ibnu Xhebel-in. Nëse Ebu Musa nuk do të ishte një jurist i aftë, Profeti (a.s)  nuk do e dërgonte si gjykatës në Jemen.

Amir ibn Abdullah Temimi, ashtu siç mësoi Kuranin nga Ebu Musa, mësoi hadithet e Profetit (a.s) dhe jurisprudencën islame.

Amir ibn Abdullah Temimi, e kishte ndarë aktivitetin e tij të përditshëm në tre pjesë:

Në njërën pjesë, u mësonte njerëzve Kuranin dhe njohuritë që kishte përftuar nga Ebu Musa El-Esh’arij.

Pjesën e dytë e kishte të caktuar vetëm për adhurim, lutje dhe përkushtim ndaj Zotit. Ai veçohej nga të gjithë dhe adhuronte Zotin.

Pjesën e tretë, ai e kishte caktuar për fushën e betejës dhe sa herë që dëgjonte se do të nisej një ushtri, përgatiste rrobat dhe dilte bashkë me ushtrinë.

Për shkak të adhurimit dhe përkushtimit të shumtë, njerëzit e thërrisnin si “adhuruesi i Basras dhe zahidi i saj.”

Një nga të rinjtë e qytetit Basra, tregon:”Një herë, isha me një karvan, me të cilin ndodhej dhe Amir ibn Abdullah Temimi. Në mbrëmje, ndaluam pranë një oazi të mbushur me pemë dhe të cilat nuk na lejonin të shihnim brenda oazit. Të gjithë njerëzit e tjerë u shpërndanë në oaz, kurse Amir ibn Abdullahu me të zbritur nga kali, morri një torbë me ushqim dhe ia vuri kalit para për të ngrënë. Më pas, ai hyri mes pemëve të oazit, gjë e cila zgjoi kureshtjen time dhe iu vura pas ta shoh çfarë do të bëjë.

Ai  vazhdoi të çajë derisa arriti tek një kodër gjithë pemë. Aty qëndroi dhe i sigurtë që nuk e shihte kush, filloi të falej. Unë e ndiqja nga larg mes pemëve. Për Zotin, kurrë nuk kam parë njeri më të përkushtuar në namaz se ai. Pasi përfundoi namazin, filloi të lutej. Unë kisha mprehur veshët, në përpjekje për të dëgjuar dhe mësuar ndonjë nga lutjet e tij. Nga lutjet e tij, të cilat arrita t’i kap dhe t’i mësoj është dhe kjo:”O Zot! Më krijove me vullnetin Tënd, më hodhe mes fatkeqësive, vuajtjeve dhe sprovave të kësaj bote dhe më the:”Mbahu!”  Si të mbahem unë i varfëri, nëse nuk gëzoj mbështetjen dhe zemërgjerësinë Tënde të pafund?! O Zot! Ti e din që nëse do të posedoja të gjithë të mirat e kësaj bote dhe po t’i kërkoje ato në këmbim të kënaqësisë Tënde, unë do i jepja me kënaqësi. O Zot! Dashuria ime për Ty është aq e madhe saqë ma ka lehtësuar rezistencën ndaj çdo gjynahi, sado joshës qoftë. Ajo më ka mbushur me lumturi dhe sido që të jetë caktimi Yt, e pres me kënaqësi.”

Më vonë mua më kishte zënë gjumi dhe kur u zgjova, e gjeta përsëri duke u falur dhe duke u lutur. Përsëri më kishte zënë gjumi dhe përsëri kur u zgjova, e gjeta në të njëjtën gjendje. Vazhdoi duke u falur dhe duke u lutur, derisa filloi të agojë. Atëherë, pasi fali sabahun tha:”O Zot! Po lind një ditë e re, ku të gjithë njerëzit venë e vijnë në kërkim të mirësive të Tua. Të gjithë njerëzit kanë halle dhe nevoja të ndryshme të cilat kërkojnë prej Teje t’ua përmbushësh. O Zot! Nevoja dhe halli im i vetëm është që të mi falësh gjynahet. O Zot! Përmbushe nevojën dhe hallin tim dhe gjithashtu, përmbushi hallet dhe nevojat e njerëzve të tjerë! O Zot! Unë të kam kërkuar tre gjëra, kurse ti më je përgjigjur vetëm për dy. O Zot! Të lutem të ma japësh dhe të tretën, me qëllim që të të adhuroj siç e pëlqej dhe siç dua unë…”

Pasi përfundoi, Amir ibn Abdullahu u ngrit dhe befas i vajtën sytë tek djaloshi që e kishte vëzhguar deri atëherë.

Vallë çfarë ndodhi mes Amir ibn Abdullah dhe këtij djaloshi nga Basra?

Cilat ishin tre gjërat që Amir ibn Abdullah ia kishte kërkuar Zotit? Cilat ia kishte dhënë Zoti dhe cilën nuk ia kishte dhënë?

Pasi përfundoi namazin dhe lutjet, Amir ibn Abdullah u ngrit dhe befas i vajtën sytë tek djaloshi që e kishte vëzhguar deri atëherë. Ai e kuptoi që kishte qenë nën vëzhgimin tim gjatë gjithë natës dhe u shqetësua nga ky fakt. I dëshpëruar më tha:”Shoh që më paske ndjekur mua gjatë gjithë natës!” Unë i thashë:”Po” Atëherë më tha:”Mbaje të fshehtë atë që pe o djalosh nga Basra!”

Zakonisht, dikush që vepron vepra të ulëta u kërkon atyre që e kanë parë që t’a mbajnë sekret dhe të fshehtë. Kurse ky i ditur, i kërkonte ta mbajë të fshehtë adhurimin dhe përkushtimin në Zot. Këtë e bënte me qëllim që të mos i pëlqejë vetja.

Djaloshi nga Basra tregon:”Unë i thashë:”Pashë Zotin, të më tregosh se cilat ishin ato tre gjëra që ia kishe kërkuar Zotit dhe njërën nuk ta kishte dhënë, përndryshe do u tregoj të gjithë njerëzve për atë që pashë.” Ai më tha:”Mos e bëj këtë pash Zotin!” “Po nuk më tregove, të gjithë do e marrin vesh” i thashë unë. Kur pa këmbënguljen time dhe insistimin, ai më tha:”Do të të tregoj, vetëm nëse më jep fjalën dhe besën në emër të Zotit që nuk do i tregosh askujt.” Unë i thashë:”Të jap fjalën dhe besën e Zotit që nuk do i tregoj askujt, sa të jesh gjallë.” Pra, nëse do të vdiste, do u tregonte njerëzve për atë që kishte parë.

Atëherë ai më tha:”Nuk ka pasur gjë që i frikësohesha më shumë, se ç’i frikësohesha epshit të grave dhe bukurisë së tyre. Unë iu luta Zotit që të ma largojë këtë ndjenjë epshore dhe ai ma pranoi lutjen. Të shoh një grua dhe të shoh një mur, tani e kam njëlloj.”

Në fakt, është një lutje e çuditshme e cila nuk është në traditën profetike. Mund të ketë dhe njerëz të tjerë që luten me këtë lutje, duke e menduar se po zbatojnë traditën e Profetit (a.s). Kjo, në një kohë që vetë Profeti (a.s) thoshte:”Gjërat që më tërheqin më shumë nga kjo botë, janë gratë dhe parfumet.”  Dhe kjo nuk e pengonte Profetin (a.s) të përmbushë detyrat e tjera.

Tregon djaloshi nga Basra:”Më pas e pyeta:”Kjo ishte njëra, po tjetra?” Ai më tha:”Lutja e dytë të cilën Zoti ma pranoi është se unë iu luta që të ma largojë frikën nga krijesat dhe të mos kem frikë asgjë tjetër veç Zotit. Ai ma pranoi këtë lutje dhe unë nuk kam frikë asgjë tjetër përveç Zotit.” Unë i thashë:”Po lutja të cilën nuk ta ka pranuar Zoti, cila është?” Ai tha:”I kërkova Zotit që të ma largojë gjumin, me qëllim që ta adhuroj ditën dhe natën. Kjo, pasi gjumi më merr shumë nga koha ime. Por Zoti nuk ma ka pranuar këtë lutje.”

Ka shumë njerëz të cilët janë të angazhuar me punë, ftesë dhe arrijnë rendimente të larta. Kështu, atyre u duhet që dita të jetë më e gjatë, ose të mos kenë nevojë për të fjetur, me qëllim përmbushjen e detyrave dhe planeve.

Me qëllim që të kishte rendiment më të lartë në adhurim, përftim dhe dhënie dijesh, Amir ibn Abdullah i kërkonte Zotit që t’ia largojë gjumin dhe të mos flejë fare, por Zoti nuk ia pranoi këtë lutje. Vetë Profeti (a.s) punonte, adhuronte Zotin por dhe flinte.

Tregon djaloshi nga Basra:”Pasi përfundoi unë i thashë:”Merre me shtruar! Ti agjëron ditën, falesh natën dhe nuk flen veçse kur detyrohesh ta bësh atë. A nuk e din që Xheneti fitohet me vepra më të pakëta se ato që vepron ti?!” Ai u habit nga fjalët e mia dhe më tha:”Kam frikë se do të pendohem atë Ditë kur pendimi nuk do të bëjë dobi. Atë Ditë kam frikë se të mirat e mia do të jenë të pakta dhe të pamjaftueshme, për shkak të syfaqësisë dhe të vetëpëlqimit. Prandaj, unë përpiqem dhe lodhem me qëllim që të garantoj shpëtimin e Ditës së Kijametit. Për Zotin do të lodhem dhe përpiqem në adhurim dhe po shpëtova nga ndëshkimi i Zotit, do të shpëtoj nga mëshira e Zotit dhe jo nga veprat e mia.”

Me këtë të fundit, ai shpreh dyshimet se ndoshta këto vepra të mira mund të mos jenë garantues dhe mund të mos mjaftojnë për të shpëtuar. Ai ndihet i sigurtë se do të shpëtojë, vetëm kur kujton mëshirën dhe faljen e madhe të Zotit të Madhëruar.

Këto fjalë, na bëjnë të kujtomë njerëz të cilët edhe pse kanë pak vepra të mira, ndihen të qetë dhe të siguruar se Zoti do i bëjë nga banorët e Xhenetit. Njeriu duhet të përpiqet dhe të lodhet që ta fitojë xhenetin dhe të shpëtojë nga zjarri i xhehenmit, qoftë dhe me një gjysëm hurme, duke ua dhënë atë të varfërve dhe të uriturve. Një gjysëm hurme mund të bëhet shkak, që një njeri të shpëtojë nga zjarri. Të mirat e tij mund të jenë më shumë se të këqiat dhe kur të vendoset kjo hurmë në peshore, mund t’i ndryshojë ekuilibrat dhe kështu, personi shpëton dhe hyn në xhenet.

Prandaj njeriu nuk duhet të ndihet i sigurtë, por të jetë nismëtar për punë të mira sa herë që i jepet mundësia, pasi jeta është e shkurtër. Meqënëse je akoma gjallë, nuk ka rast më të volitshëm se tani për  vepra të mira.

Përveç atyre që përmendëm mbi adhurimin dhe përkushtimin e tij, ai ishte i veçantë dhe në pjesmarrjen në xhihad. Sa herë që bëhej thirrje për luftë, Amir ibn Abdullahun e gjeje në krye të atyre që i përgjigjeshin thirrjes. Me t’u nisur ushtria, nisej dhe Amir, por pjesmarrja e tij nuk ishte si e çdo ushtari tjetër.

Kur nisej për në luftë, ai i zgjidhte dhe shokët dhe bashkëluftëtarët me të cilët do të shoqërohej gjatë udhëtimit dhe luftës. Ai zgjidhte bashkëluftëtarët që karakterizoheshin nga devotshmëria, përkushtimi dhe dëshira për të mirën. Kur haste në njerëz të tillë mes ushtrisë, ulej pranë tyre dhe u thoshte:”Unë dua të jem në shoqërinë tuaj gjatë kësaj lufte, por për këtë dua të më plotësoni tre kushte:

Kushti i parë është që dua të pranoni të jem shërbëtori juaj dhe nuk pranoj prej askujt prej jush të më ndihmojë.

Ai kërkonte të fitojë kënaqësinë e Zotit, duke u shërbyer muslimanëve. Disa njerëz janë kryeneçë dhe mendjemëdhenj në komunikim me të tjerët. Kurse besimtarët, kanë një karakteristikë tjetër të cilën e përmend Zoti në Kuran:” Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre.”[1]

Kështu, nëse je i fuqishëm, këtë fuqi tregoje para armiqve të fesë dhe të atdheut. Kurse para muslimanëve, pjestarëve të feve të tjera që jetojnë në tokat islame dhe atyre që hyjnë me vizë në vendet tona, duhet të sillemi me edukatë dhe mirësjellje.

Kushti i dytë është që të jem unë muezini juaj dhe askush të mos kërkojë të thërrasë ezanin.

Shpërblimi i thirrjes së ezanit është i madh, pasi kushdo që e dëgjon ezanin do të dëshmojë në favor të muezinit Ditën e Kijametit.

Kushti i tretë është që – sipas mundësisë – shpenzimet dhe ushqimi do të ofrohet nga ana ime.

Meqë Zoti e kishte privilegjuar dhe i kishte dhënë pasuri të shumta, ai kërkonte që këto pasuri t’i jepte në rrugë të Zotit dhe t’i ndante me vëllezërit dhe bashkëluftëtarët për të njëjtën çështje.

Ka njerëz që janë zahidë edhe pse kanë gjithë të mirat e kësaj bote, kurse ka të tjerë që janë zahidë ngaqë nuk kanë asgjë nga këto të mira.

Kurse zuhdi i vërtetë, është që të mirat e kësaj bote t’i kesh në duart dhe jo në zemrën tënde.

Edhe pse ishin kushte dhe pika të dëshiruara nga të gjithë, shokët e tij i pranuan. Kështu, Amir ibn Abudullahu u bashkua me ta.

Por cilësitë më të mira të Amir ibn Abdullah Temimit u shfaqën kur filloi beteja mes dy ushtrive. Ai depërtonte dhe çante rreshtat e armikut, me trimëri dhe guxim të admirueshëm.

Kur shpërndaheshin plaçkat e luftës, Amir ibn Abdullah largohej, duke refuzuar të marrë diçka nga këto plaçka. Diçka e tillë u vu re sidomos në betejën El-Kadisije, betejë që u zhvillua mes muslimanëve dhe persëve në Irak. Ushtria perse komandohej nga Rustum, kurse ajo muslimane nga heroi Sad ibn Ebi Vekkas, një nga të përgëzuarit me Xhenet.

Beteja përfundoi në favor të muslimanëve, të cilët vendosën kontrollin e tyre të plotë mbi Irak dhe të gjithë Persinë. Muslimanët hynë në Medain, kryeqytetin Pers, ku ndodhej dhe rezidenca e perandorit pers, Kisra. Rezidenca e tij, asokohe quhej Ivan dhe ndryshe e quanin Shtëpia e bardhë. Kur hynë brenda pallatit mbretëror, muslimanët gjetën stoli dhe gurë të çmuar të shumtë.

Menjëherë komandanti i ushtrisë Sad ibn Ebi Vekkas, urdhëroi Amr ibn Mukrin të bëjë një listë me të gjithë stolitë dhe gurët e çmuar. Plaçka e luftës ndahej në këtë mënyrë: 1\5 shkonte për arkën e shtetit, kurse 4\5 u shpërndahej luftëtarëve.

Llojshmëria e stolive dhe enëve të florinjta ishte e madhe. Gjatë kontrollit të rezidencës perandorake, muslimanët gjetën dhe disa shporta të mëdha, të mbushura me enë prej floriri, të cilat përdoreshin për familjen mbretërore. Ata gjetën dhe sëndukë të mëdhenj prej druri të kushtueshëm, të mbushura me rroba dhe veshje të stolisura me gurë të çmuar dhe perla të shumta.

Ata gjetën shpata, mburoja dhe armë të tjera të lyera dhe zbukuruara me flori dhe diamante, armë që ishin trashëguar nga familja mbretërore brez pas brezi dhe që ishin marrë nga mbretëri të ndryshme, pasi ishin pushtuar nga persët gjatë njëmijë viteve. Qypat dhe poçet me flori dhe diamantë ishin të shumtë.

Ndërkohë që njerëzit ishin të angazhuar me grumbullimin dhe numërimin e pasurive të shumta, afrohet një burrë me flokë të shpupurishur, gjithë pluhur dhe me fytyrë të mbuluar. Ai mbante në duar një sënduk të madh, të cilin herë e ulte dhe herë e ngrinte, ngaqë ishte i rëndë dhe i mbushur plot. Kur u afrua, ai e hapi dhe të gjithë njerëzit mbetën gojëhapur, kur panë që ai ishte i mbushur me gurë të çmuar, perla dhe diamantë të shumtë. Të mahnitur e pyetën burrin se ku e kishte gjetur atë thesar të çmuar dhe ai u tha:”Pas betejës e gjeta në filan vend.” Ata e pyetën:”A ke marrë ndonjë gjë prej sëndukut?” Ai u përgjigj:”Zoti ju udhëzoftë! Për Zotin, ky sënduk dhe të gjithë pasuritë e perandorit pers, më duken si maja e një thoi. Për Zotin, nëse këto xhevahire nuk u takonin muslimanëve, unë as do i kisha prekur me dorë, por i morra ngaqë kisha frikë mos i merrte ndonjë hajdut. Ndryshe, nuk do i kisha prekur dhe nuk do i kisha sjellë këtu.”

Të pranishmit e pyetën:”Kush je ti, Zoti të nderoftë dhe të shpërbleftë me të mira?”

Ai u tha:”Jo. Nuk dua që të më thurren lavde, apo të ironizohem nga dikush tjetër. Unë e falenderoj Zotin dhe pres vetëm shpërblimin e Tij.” Më pas u largua, pa u prezantuar.

Komandanti i ushtrisë, Sad ibn Ebi Vekkasi dërgoi një ushtar që ta ndjekë nga pas dhe të zbulojë kush ishte ai burrë.

Personi që solli sëndukun me xhevahire vazhdoi rrugën derisa arriti tek shokët e tij, ku hoqi dhe shallin me të cilin kishte mbuluar fytyrën. Pasi e njohu kush ishte, ushtari u kthye dhe i tha Sad ibnu Ebi Vekkasit:”Si nuk e njohe o komandant?! Ai ishte zahidi i gjithë Basras, ishte Amir ibn Abdullah Temimi.”

Jeta e Amir ibn Abdullah Temimit, nuk u karakterizua vetëm nga mirëqenia dhe lumturia. Normalisht, ajo kishte dhe vuajtjet dhe problemet e saj. Këto probleme dhe vuajtje, do jenë objekt i temës tonë të ardhshme.

Kjo ishte jeta e Amir ibn Abdullah Temimi, jetë e mbushur me zuhd, adhurim dhe përkushtim për Zotin e Madhëruar.

Paqa e Zotit qoftë me ju!

Autor: Tarik Suejdan

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Fet’h: 29.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *