Dihet se pjesa më e madhe e Kuranit është shpallur në Meke dhe Medine, mirëpo ka pasur edhe disa pjesë të Kuranit, që janë shpallur në Xhuhfe, Taif, Bejtul Makdis, Hudejbije, Mina, Arafat, Usfan, Tebuk, Bedr, Uhud, Dhate Rrika, Hamrau`l Esed, Gadir Khum, Sidretul Munteha, Kabe Kausejni, si dhe në vende mes Mekes dhe Medines.
Ajetet e shpallura në vendbanim dhe ajetet e shpallura në udhëtim
Dihet se pjesa më e madhe e Kuranit është shpallur në ato vende ku ka banuar i Dërguari i Allahut (a.s), pra në Meke dhe Medine. Mirëpo, disa sure apo ajete të Kuranit janë shpallur gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut (a.s) ishte në udhëtim.
Shembuj:
– Xhabiri (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) bëri Tavafin, Umeri (r.a) e pyeti: “Ky është mekami i babait tonë – Ibrahimit”? Ai (a.s) i tha: “Po”. Umeri (r.a) tha: “Përse të mos e caktojmë si vend për faljen e namazit”?! Atëherë Allahu i Madhëruar shpalli: “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje”. Kjo ka ndodhur në Haxhin e Lamtumirës”.
– Ibn Abasi (r.a) thotë, se ajeti: “Për ata që morën plagë të rënda, pasi iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit dhe për ata që kanë bërë të mira e që i frikësohen Allahut, ka shpërblim të madh”, është shpallur në Hamrau`l-Esed.
– Muhamed ibn Kabi thotë: “Surja Maide është shpallur në Haxhin e Lamtumirës, në një vend mes Mekes dhe Medines”.
– Aishja (r.a) thotë:“Ajeti i tejemumit (ajeti 6 i sures Maide) është shpallur në vendin e quajtur Bejda”.
– Ebu Hurejra (r.a) thotë: “Ajeti: “Allahu të ruan ty prej njerëzve” i është shpallur të Dërguarit të Allahut (a.s), kur ai ishte në udhëtim”.
– Sad ibn Ebi Uekasi (r.a) thotë: “Pjesa e parë e sures Enfal është shpallur në Bedër”.
– Theubani (r.a) thotë, se ajeti: “Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm”, I është shpallur të Dërguarit të Allahut (a.s), kur ai ishte në një udhëtim”.
– Ibn Abasi (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) po largohej nga Meka për në Medine, qëndroi pak në kodrat e Mekës, e shikoi qytetin dhe qau. Allahu i Madhëruar shpalli: “Eh, sa shumë qytete, të cilat kanë qenë më të fuqishme se qyteti yt, që të ka përzënë, Ne i kemi shkatërruar dhe nuk kanë pasur asnjë ndihmës” Shembuj të tillë ka plot.
Ajete/sure të shpallura ditën dhe ajete/sure të shpallura natën
Pjesa më e madhe e Kuranit është shpallur ditën, por ka pasur edhe pjesë të tij – ajete apo sure -, të cilat janë shpallur natën. Për shembull:
– Ibn Umeri (r.a) thotë: “Kur njerëzit po falnin namazin e Sabahut në xhaminë e Kubasë, u erdhi një person dhe tha: “Të Dërguarit të Allahut (a.s) i është shpallur Kuran (ajeti 144 i sures Bekare) dhe është urdhëruar, që gjatë namazit të drejtohet nga Kibla”.
– Aishja (r.a) tregon: “Kur Bilali erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s), që të merrte leje për të thirrur ezanin e Sabahut, e gjeti atë (a.s) duke qarë. Ai e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Cfarë të ka bërë të qash”? Ai (a.s) tha: “E pse të mos qaj, ndërkohë që sonte më janë shpallur këto ajete: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për të zotët e mendjes…”. Më pas tha: “Mjerë për atë që i lexon këto ajete dhe nuk mediton në to”.
– Ibn Abasi (r.a) thotë: “Surja Enam është shpallur e plotë gjatë një nate në Mekë. Ajo ka zbritur e shoqëruar nga 70.000 engjëj, të cilët e madhëronin Allahun”.
– Kab ibn Malik (r.a) tregon: “Ajeti 118 i sures Teube është shpallur në pjesën e fundit të natës”.
– Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sonte më është shpallur një sure, e cila është më e dashur për mua, se çdo gjë që prek dielli. Ajo sure është: “Ne të dhamë ty një fitore të qartë”
– Ukbe ibn Amir (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sonte më janë shpallur disa ajete dhe nuk ka të ngjashme me to: “Thuaj: “Kërkoj mbështetje tek Zoti i agimit”, dhe “Thuaj: “Kërkoj mbështetje tek Zoti i njerëzve”
Ajete të shpallura në kohën e ndërrimit të natës me ditën
Bëhet fjalë për ajetet që janë shpallur në kohën e Sabahut. Më lart u përmend hadithi në të cilin flitet për ndryshimin e Kibles.
– Aishja (r.a) tregon: “Koha e Sabahut hyri dhe njerëzit kërkuan ujë, mirëpo nuk gjetën. Atëherë Allahu i Madhëruar shpalli: “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla…” deri tek: “…që të jeni falenderues”
– Ebu Hurejra (r.a) tregon: “Ajeti: “Ti nuk ke asgjë në dorë, nëse do t’ua pranojë Ai pendimin apo do t’i dënojë, se ata janë vërtet keqbërës” i është shpallur të Dërguarit të Allahut (a.s) në rekatin e dytë të namazit të Sabahut (para se të binte në sexhde), para se të bënte lutje (ku mallkonte idhujtarët që vranë hafizët e Kuranit)”.
Ajete/sure të shpallura në verë dhe ajete/sure të shpallura në dimër
Kurani është shpallur gjatë gjithë stinëve. Për shembull:
– Umeri (r.a) thotë: “Aq shumë e kam pyetur të Dërguarin e Allahut (a.s) për trashëgiminë e atij që nuk ka askënd që ta trashëgojë, saqë më është përgjigjur ashpër, më ka goditur me gisht në gjoks dhe më ka thënë: “O Umer! A nuk të mjafton ajeti në fund të sures Nisa (ajeti 176(, që është shpallur në verë”?
– Abdullah ibn Ebi Bekr ibn Hazimi thotë: “Ajetet 49 dhe 81 të sures Teube janë shpallur në Tebuk gjatë verës, kur i nxehti ka qenë përvëlues”.
– Aishja (r.a) thotë: “Ajetet 11-26 të sures Nur janë shpallur në një ditë dimri”.
– Hudhejfe (r.a) thotë: “Ajetet 9-27 të sures Ahzab janë shpallur në një natë të ftohtë”.
Ajete/sure që i janë shpallur Profetit (a.s), kur ka qenë shtrirë dhe ajete/sure që i janë pasqyruar në gjumë
Aishja (r.a) tregon: “Njerëzit e ruanin natën të Dërguarin e Allahut (a.s), derisa u shpall ajeti: “Allahu të ruan ty prej njerëzve”. I Dërguari i Allahut (a.s) nxorri kokën nga tenda dhe tha: “O njerëz! Largohuni, sepse Allahu më mbron (nga çdo e keqe)”.
Surja Keuther i është shfaqur Profetit (a.s) në gjumë. Enesi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) ishte në mesin tonë dhe e kaploi kotja. Pasi u zgjua, ai (a.s) ngriti kokën duke buzëqeshur. Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! Pse po buzëqesh”? Ai (a.s) tha: “Sapo m`u shpall një sure” dhe pastaj lexoi: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira (Keutherin), pandaj falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë”
Ky hadith nuk është argument, se surja është shpallur në gjumë, por të Dërguarit të Allahut (a.s) i është shfaqur Keutheri në atë gjendje (kotje) dhe pasi është zgjuar, i ka ardhur direkt shpallja, ose ka ndodhur që më parë i është shpallur surja dhe më pas ai (a.s) e ka parë Keutherin në ëndërr.
Ajetet/suret e shpallura në tokë, në qiell, nën tokë dhe në hapësirë
Pjesa më e madhe e Kuranit i është shpallur Muhamedit (a.s) mbi tokë, kryesisht në Meke dhe në Medine. Sidoqoftë, disa ajete i janë shpallur atij në qiell, në hapësirë apo nën tokë.
– Hebetullahu thotë: “Kurani është shpallur në Meke dhe në Medine, përveç gjashtë ajeteve, të cilat nuk janë shpallur as në tokë dhe as në qiell (por në hapësirën mes tyre). Ato ajete janë: tre ajetet e sures Safat (164-166), ajeti 45 i sures Zukhruf dhe dy ajetet e fundit të sures Bekare (285-286)”.
– Ibn Mesudi (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) bëri Isranë, ai u dërgua deri tek Sidretul Munteha….”. Ndër të tjera, Ibn Mesudi (r.a) thotë: “Atje, të Dërguarit të Allahut (a.s) iu dhuruan tre gjëra: pesë namazet ditore, ajetet e fundit të sures Bekare dhe iu tha, se kujtdo që vdes
– nga Umeti i tij – pa i bërë shirk Allahut, Ai do t`ia falë mëkatet shkatërruese (të mëdha)”. Kjo nënkupton, se ajetet e fundit të sures Bekare janë shpallur në qiell apo në hapësirë.
– Ibn Mesudi (r.a) tregon: “Kur po qëndronim me të Dërguarin e Allahut (a.s) në një shpellë të Minasë, atij (a.s) iu shpall surja Murselat”. Për këtë mund të thuhet, se shpallja i ka ardhur atij (a.s), duke qenë thellë në tokë.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com



















