Në kuadrin e “Dhjetë porosive” të imam Hasan el Benas

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Imami dëshmor Hasan el-Bena jetoi për Islamin, u përkujdes për myslimanët dhe punoi për fenë, duke qenë vazhdimisht i preokupuar me të, duke vepruar me sinqeritet e përkushtim dhe duke sakrifikuar në rrugën e Allahut përgjatë gjithë kohës.

Njohja e vërtetë e Allahut dhe dashuria për Të prekën thellë zemrën e tij. Prandaj, ai ishte me të vërtetë “rabbanij”; dijetar i mësimeve të Zotit sepse ai jetoi për Zotin. Atij iu përkushtua me sinqeritet dhe Atë e bëri synimin e jetës së tij; Kuranin e mësoi përmendësh, e zbatoi dhe e bëri rrugën e metodologjinë e tij; të Dërguarin e Tij e mori si udhëheqës dhe shembull; xhihadin në rrugën e Allahut e bëri mjet për ta ndihmuar fenë e Allahut; ndërsa vdekjen e mirë e konsideroi dëshirën më të lartë. Allahu ia mundësoi ta arrinte atë, kështu që fitoi privilegjin e rënies dëshmor në rrugën e Tij. Allahu e mëshiroftë deri në Ditën e Kiametit.

Një poet është shprehur me fjalët:

Vëllezërit kanë një ndërtesë madhështore,

ku çdo gjë është e bukur;

Mos më pyet kush e ndërtoi,

sepse ndërtuesi është Hasan el-Bena.

Imami dëshmor la pas edhe “Dhjetë Porositë”, që të jenë për ne një dritë në rrugën e davetit tonë, me anë të të cilave të arrijmë synimet e larta.

Porosia e parë: Ngrihu për namaz sapo ta dëgjosh ezanin, sido që të jenë rrethanat

Pra, kushtoji rëndësi namazeve dhe shmang çdo angazhim kur të hyjë koha e tyre. Shembulli më i mirë për këtë është Omeri ibn Abdulazizi (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili thoshte: “Shmang çdo angazhim kur të hyjë koha e namazit, sepse ai që e shpërfill namazin, do t’i shpërfillë edhe më shumë dispozitat e tjera të Islamit.”

Ndër shenjat e kujdesit ndaj namazit janë:

1 – Përgatitja – shpirtërisht, psikologjikisht, mendërisht dhe fizikisht – për faljen e namaiz para se të thirret ezani.

2 – Të ndjesh madhështinë e faktit se po i bindesh Allahut dhe se po qëndron para Tij.

3 – Sjellja ndërmend e nijetit të pastrimit para marrjes së abdesit. Me këtë nuk synojmë vetëm nijetin e zakonshëm për larjen e gjymtyrëve, por një nijet gjithëpërfshirës: pastrimin e trupit nga papastërtitë që i janë ngjitur, pastrimin e shpirtit nga sëmundjet e fshehta, si urrejtja dhe smira; pastrimin e syve nga gjurmët e shikimeve të ndaluara; pastrimin e këmbëve nga gjurmët e ecjes drejt mëkatit; pastrimin e duarve nga çdo lloj dëmi që kanë shkaktuar; pastrimin e gojës nga fjalët e pahijshme, përgojimi dhe bartja e fjalëve; si dhe pastrimin e veshëve nga ato që kanë dëgjuar e që kanë zemëruar Zotin e botëve. Me pak fjalë, le ta bëjmë abdesin një pikënisje të bukur drejt pastërtisë së trupit dhe të shpirtit njëkohësisht.

4 – Të tregohemi sa më të përulër gjatë faljes së namazit dhe ndërmjet ezanit dhe ikametit ta shfrytëzojmë me lutje, sepse ajo është një kohë kur duaja nuk refuzohet.

5 – Të tregohemi të kujdesshëm për faljen e dymbëdhjetë rekateve sunete gjatë ditës, përveç farzeve. Ato plotësojnë mangësitë e namazeve obligative dhe janë shkak për ndërtimin e një shtëpie në Xhenet.

6 – Të kemi vazhdimisht parasysh rëndësinë e namazit, sepse ajo është vepra e parë për të cilën robi do të japë llogari në Ditën e Gjykimit. Nëse namazi është në rregull, llogaria për pjesën tjetër do të jetë më e lehtë; ndërsa nëse ai është i mangët, edhe pjesa tjetër e llogarisë do të jetë më e vështirë.

Porosia e dytë: Lexo Kuranin, studioje ose dëgjoje dhe mos e lër asnjë pjesë të kohës tënde pa dobi

Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta dhe u jep lajmin e mirë besimtarëve që bëjnë vepra të mira, se për ta ka shpërblim të madh.”[1] (El-Isra, 9)

Në lidhje me Kuranin Fisnik duhet të kesh parasysh sa më poshtë:

1 – Të kujdesesh që çdo ditë të lexosh një numër të caktuar faqesh ti si dhe çdo anëtar i familjes tënde. E ku ka më bukur se leximi i një pjesë nga Kurani për çdo ditë.

2 – Libri i Allahut të vendoset në një vend të pastër e të nderuar, dhe në çdo dhomë të ketë një kopje të Kuranit, që shtëpia të begatohet dhe të nderohet me praninë e Fjalës së Allahut: “Shpallje nga i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.”[2]

3 – Të ruhet respekti për Kuranin brenda shtëpisë; mbi të nuk vendoset asnjë libër apo fletë tjetër, sepse ai është Libri i Allahut, i cili qëndron lart dhe mbi të nuk qëndron asgjë.

4 – Të ruhet edukata gjatë leximit të Kuranit: të lexohet me abdes, me përulësi, me zë të bukur, me përqendrim dhe meditim; të mos përthyhen faqet dhe të përdoret shenjuesi i faqes ose fija përkatëse, duke e ruajtur me kujdes.

5 – Nëse myslimani ndonjë ditë nuk ka mundësi ta lexojë Kuranin, atëherë le të kujdeset të paktën ta dëgjojë Kuranin; dhe nëse nuk ka mundësi as për lexim e as për dëgjim, të mos e privojë veten nga shikimi i faqeve të Kuranit para gjumit, që të fitojë begatinë e shikimit, qetësinë e syrit dhe pastërtinë e shpirtit.

6 – Të lexohet ose të dëgjohet surja Bekare një herë në çdo tre ditë, sepse në të ka mirësi të madhe, siç ka thënë i Dërguari (a.s): “Lexojeni suren Bekare, sepse marrja e saj është begati, braktisja e saj është humbje, dhe magjistarët nuk mund ta përballojnë atë.”

7 – Sa gjë e bukur është kur anëtarët e familjes mblidhen me njëri – tjetrin, lexojnë Kuranin dhe komentohen disa prej ajeteve të tij.

8 – Dita të fillojë me leximin e ajeteve të Kuranit në mëngjes, dhe të përfundojë po ashtu me leximin e  ajeteve nga Kurani para gjumit, që e gjithë dita të jetë e mbushur me begati dhe mëshirë.

9 – Të ruhet gjithmonë vetëdija për shpërblimin e madh që merr lexuesi i Kuranit, ku çdo shkronjë shpërblehet dhjetëfish. Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Nuk them “Elif Lam Mim” është një shkronjë, por Elif është shkronjë, Lam është shkronjë dhe Mim është shkronjë.”

10 – Të mbahet gjithmonë një fletë pranë gjatë leximit të Kuranit për të shënuar ajetet që të kujtojnë Allahun, botën e përtejme, Xhenetin dhe Xhehenemin, si dhe jetën e familjes myslimane dhe të Pejgamberit (a.s). Qëllimi i mbajtjes së kësaj flete është se ajo shërben që myslimani të jetë më i përkushtuar në adhurim.

11 – Të kujdesesh për mësimin përmendësh të Kuranit dhe të inkurajohen fëmijët për këtë me shpërblime e motivim, duke synuar që ata të bëhen hafëzë të Librit të Allahut dhe të arrijnë atë që prindërit ndoshta nuk e kanë arritur.

12 – Të ndalemi te ajetet e Kuranit që përmbajnë urdhra hyjnorë për t’i zbatuar ato, si dhe te ajetet që përmbajnë ndalesa hyjnore, për t’iu shmangur plotësisht asaj që Allahu ka ndaluar.

Porosia e tretë: Mos e tepro me polemikat në asnjë çështje, sepse debati i tepruar nuk sjell të mirë

Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij të shenjtë: “Ka prej njerëzve që polemizojnë rreth Allahut pa dije dhe ndjekin çdo shejtan të rebeluar.”[3]  “Ka prej njerëzve që polemizojnë rreth Allahut pa dije, pa udhëzim dhe pa një Libër ndriçues.”[4]  A nuk shihni se Allahu ju ka nënshtruar gjithçka që është në qiej dhe në tokë dhe ju ka plotësuar dhuntitë e Tij të dukshme dhe të fshehta? E megjithatë, ka prej njerëzve që polemizojnë rreth Allahut pa dije, pa udhëzim dhe pa Libër ndriçues.”[5]

Ruaju nga polemikat e shumta, sepse debati i tepërt nuk sjell asnjë të mirë. Dhe dije se Pejgamberi (a.s) e ka ndaluar këtë sjellje të keqe duke thënë: “Unë garantoj një shtëpi në rrethinat e Xhenetit për atë që e lë debatin edhe nëse ka të drejtë.”

Porosia e katërt: Shmang përgojimin e personave dhe cenimin e figurave, dhe mos fol veçse për mirë

Shmang përgojimin e njerëzve dhe cenimin e tyre, dhe mos fol veçse për mirë. Nëse ndodh që të biesh në përgojim, atëherë ndiq të gjitha mënyrat dhe rrugët për ta shlyer atë.

Përgojimi është një prej sëmundjeve të gjuhës. Gjuha mund të përdoret për përmendjen e Allahut, për ndërtimin e vetvetes dhe për hapjen e dyerve të mirësisë, por ajo mund të përdoret edhe për hapjen e portave të së keqes dhe mbylljen e çelësave të mirësisë.

Është transmetuar në këtë kuptim se Ukbe ibn Amir (r.a) ka thënë: Unë thashë: “O i Dërguari i Allahut, cili është shpëtimi?” Ai tha: “Ruaje gjuhën tënde, le të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatin tënd.”

Kur Profeti (a.s) u pyet: Cila është vepra që më së shumti i fut njerëzit në Xhenet?” Ai tha: “Frika ndaj Allahut dhe morali i mirë.” Dhe kur u pyet për atë që më së shumti i fut njerëzit në Zjarr, ai tha:
“Dy zgavrat: goja dhe organi seksual.”

Porosia e pestë: Përpiqu të flasësh gjuhën standarde arabe (arabishten e pastër), sepse kjo është prej simboleve të Islamit

Rëndësia e gjuhës arabe qëndron ndoshta në faktin se ajo është:

Gjuha e Kuranit të Shenjtë dhe e Sunetit të nderuar profetik.

Gjuha e trashëgimisë arabe dhe islame përgjatë katërmbëdhjetë shekujve.

Gjuha e mësimdhënies dhe e të nxënit në shkolla dhe universitete në shumë vende arabe.

Gjuha e librave, revistave dhe gazetave në të gjitha vendet arabe.

Gjuha e buletineve informative, konferencave, debateve dhe ligjërimeve publike; ajo është gjithashtu gjuhë e shumë programeve në radio, televizion dhe rrjetin elektronik në të gjithë hapësirën arabe.

Lidhja e arabishtes standarde me simbolet e Islamit

Përvetësimi i arabishtes standarde në dëgjim, të folur, lexim dhe shkrim është, në të vërtetë, një domosdoshmëri e rëndësishme përmes së cilës realizohen shumë interesa për Islamin dhe myslimanët. Kjo mund të sqarohet si më poshtë:

Pasimi i fjalëve dhe veprave të Profetit Muhamed (a.s), pasi ai është shembulli i përkryer në çdo gjë.

Ndihmon në përvetësimin e dijes dhe në arritjen e përparimit qytetërues.

Realizon krijimtarinë intelektuale personale dhe kolektive.

Kontribuon në vendosjen e themeleve të kohezionit kulturor të mbarë kombit arab.

Mishëron ringjalljen e simboleve të madhërishme të Islamit dhe shfaq bukurinë, madhështinë dhe pozitën e tij.

E ndihmon myslimanin të njohë shenjat e shqiptimit dhe të vokalizimit (haraketet), përmes të cilave ndryshojnë kuptimet dhe konceptet.

Porosia e gjashtë: Mos bëj shaka, sepse umeti që përpiqet dhe lufton për kauzën e tij nuk njeh veçse seriozitetin

Është e rëndësishme të sqarojmë këtu se me seriozitet nuk nënkuptohet që njeriu të jetë i vrenjtur, me shenja të tepruara serioziteti në fytyrën e tij, në mënyrë që njerëzit të largohen prej tij dhe ta braktisin për shkak të ashpërsisë dhe vrazhdësisë së tij. Kjo nuk ka asnjë lidhje me fenë.

Shakaja në vetvete është e lejuar, përveçse kur përzihet me ekzagjerim, frikësim, tmerrim, gënjeshtër dhe kur del jashtë kufijve të moralit dhe virtytit.

Disa mund të thonë se është transmetuar nga Profeti (a.s) se ai bënte shaka. Kjo është e vërtetë dhe askush nuk e mohon, por duhet të dimë se shakatë e tij (a.s) nuk ishin thjesht për argëtim, humbje kohe apo për të kaluar tubimet, siç shohim shpesh në shoqëritë tona. Përkundrazi, ato ishin shaka me qëllim të dobishëm, të cilat nuk dilnin jashtë kornizës së moralit të lartë me të cilin ai (a.s) ishte i njohur dhe i cilësuar.

Ndoshta qëllimi i kësaj porosie është që shakaja të jetë pjesë e adhurimit ndaj Allahut, në kuptimin që:

1 – Të bëhet me qëllim afrimin me të tjerët, fitimin e dashurisë së tyre dhe afrimin e zemrave të tyre.

Ka pasur raste të tilla me Profetin (a.s). Suhejbi erdhi tek Profeti (a.s) ndërsa në dorën e tij të nderuar kishte hurma dhe bukë. Profeti (a.s) i tha: “Afrohu dhe ha.” Ai filloi të hante nga hurmat. Profeti (a.s) i tha: “Në syrin tënd ka sëmundje (skuqje)…” Suhejbi tha: “O i Dërguari i Allahut, unë po ha vetëm nga ana tjetër.” Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s) buzëqeshi.

2 – Të bëhet për ngushëllim dhe lehtësim të gjendjes së tjetrit.

Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) p shkonte tek Umu Sulejmi, e cila kishte një djalë nga Ebu Talha, me kunjën Ebu Umejr. Profeti (a.s) bënte shaka me të. Një ditë hyri tek ai dhe e pa të pikëlluar, prandaj tha:
“Çfarë ka që e shoh Ebu Umejrin të pikëlluar?” Ata thanë: “Ka ngordhur zogu i tij i vogël me të cilin luante.” Atëherë ai (a.s) filloi t’i thoshte: “O Ebu Umejr, çfarë bëri zogthi?”[6] Të jetë e shoqërueshme, e hijshme dhe e lehtë për shpirtin e tjetrit, jo e rëndë dhe bezdisëse.

3 – Të mos jetë tipar dhe gjendje e pandashme e myslimanit, por të përdoret vetëm në situatat që e kërkojnë atë.

4 – Të jetë larg gënjeshtrës.

5 – Të bëhet sipas nevojës dhe rrethanës.

6 – Të mos jetë e vazhdueshme, në mënyrë që të mos humbasë dinjiteti i personit dhe të mos dobësohet vullneti i tij i lartë.

7 – Të mos shkaktojë urrejtje, mëri dhe armiqësi, sepse fatkeqësisht mund të gjejmë shumë raste të tilla.

8 – Të mos prishë vëllazërinë dhe marrëdhëniet e mira, sepse në Islam parimi themelor është dashuria mes njerëzve dhe mes atyre që kanë aspirata të larta.

Porosia e shtatë: Mos qesh shumë, sepse zemra e lidhur me Allahun është e qetë dhe e denjë

A ka ndonjë prej nesh që nuk dëshiron të jetë i lidhur me Allahun, i varur prej Tij, i përkushtuar në dashurinë ndaj Tij dhe që përpiqet për të arritur kënaqësinë e Tij?

A ka ndonjë prej nesh që nuk dëshiron të pajiset me cilësitë e dinjitetit dhe qetësisë, të cilat janë shenjë dalluese e njerëzve të devotshëm, pamja e adhuruesve dhe shpirti i vepruesve?

Pa dyshim, të gjithë përpiqemi për këtë, e dëshirojmë dhe e shpresojmë. Por kjo nuk do të thotë që të tregohemi të ashpër me veten dhe ta ngarkojmë atë me më shumë sesa mund të përballojë. Buzëqeshja është e rëndësishme dhe e qeshura është një qiri që ndriçon, por ajo që ka pasur për qëllim autori i këtyre porosive është që njeriu të mos e teprojë me të qeshurën. Ai nuk tha në porosinë e tij: “Mos qesh”, por tha: “Mos qesh shumë”; prandaj dallimi mes të dyjave është i madh.

Qëllimi i mos-teprimit me të qeshurën është:

Që ajo të mos jetë me zë të lartë dhe me shpërthim të madh në të qeshur (me të qeshura të zhurmshme).

Që njeriu të kujtojë fjalën e Profetit (a.s): “Ki kujdes nga të qeshurit e tepërt, sepse ai e vdes zemrën dhe ia largon dritën fytyrës.”[7]

Që e qeshura të mos e largojë njeriun nga çështjet e rëndësishme dhe të domosdoshme.

Që njeriu të përpiqet me veten e tij për ta pakësuar atë sa të ketë mundësi, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Andaj, frikësojuni Allahut sa të mundeni.”

Që të mos e përziejë atë me tubimet e njerëzve mendjelehtë dhe të papërgjegjshëm.

Imam Aliu (r.a) ka thënë: “Kur dijetari qesh një të qeshur (të tepërt), ai heq nga dija e tij një pjesë.”

Porosia e tetë: Mos e ngri zërin më shumë sesa ka nevojë dëgjuesi, sepse kjo është sjellje e pamatur dhe bezdisje

Kjo porosi na tregon bukurinë e asaj që na ka udhëzuar Kurani i Shenjtë dhe në të cilën na ka ftuar zotëria i krijesave dhe shembulli i moralit të lartë, hazreti  Muhamedi (a.s), për të cilin Zoti dhe Krijuesi i tij ka thënë: “Vërtet, ti je me moral madhështor.”[8]

Bukuria e moralit dhe edukata e mirë në marrëdhëniet me të tjerët janë prej kërkesave të lartësimit shpirtëror dhe prej shkaqeve për të fituar zemrat e njerëzve që të rrethojnë.

Imam El-Bena nuk e ka përfshirë këtë porosi ndër porositë e tij të çmuara, veçse duke u nisur nga besimi dhe bindja në atë që është përmendur në Kuranin e Shenjtë, në suren Lukman, ku Lukmani e këshillon birin e tij me këshilla që e ngrenë moralin e tij dhe i mëson se si duhet të sillet me njerëzit përreth tij: me ecje të matur, me ulje të zërit dhe me përulësi.

Ndoshta shprehja e Lukmanit drejtuar birit të tij: “Ule zërin tënd, sepse zëri më i neveritshëm është zëri i gomarëve.”[9] është një dëshmi e qartë dhe e dukshme se ngritja e zërit është prej mangësive të moralit, e cila e shtyn njeriun që në sjelljen e tij të ngjajë me gomarët, të cilët kur ngrenë zërin e tyre shqetësojnë atë që fle, trazojnë atë që është zgjuar dhe shkaktojnë në rrugë zhurmë, rrëmujë dhe gjendje frike e kaosi.

O Allah, ashtu siç e ke përsosur krijimin tonë, përsos edhe moralin tonë.

Porosia e nëntë: Njihe atë që takon prej vëllezërve të tu, edhe nëse ai nuk të kërkon një gjë të tillë, sepse baza e thirrjes sonë është dashuria dhe njohja reciproke

Madhështia dhe bukuria e Islamit e kanë bërë atë një fe gjithëpërfshirëse, e cila kujdeset për çdo gjë që përhap dashurinë, afërsinë, harmoninë dhe shoqërimin e mirë mes robërve të Allahut. Sepse, kur kjo afërsi të realizohet dhe kjo dashuri të ndizet në zemrat e njerëzve ndaj njëri-tjetrit, atëherë rezultati pa dyshim nuk do të jetë tjetër veçse një shoqëri e mirë: që ndjek të vërtetën, merr Kuranin si udhërrëfyes, e do dhe ndjek Sunetin, si dhe udhëzohet dhe frymëzohet nga brezat e parë të devotshëm dhe shokët e Profetit (a.s).

Për këtë arsye, kujdesi i Imam El-Benas në këtë porosi ishte i qartë: që myslimani të afrohet me njerëzit e tjerë duke i njohur ata. Njohja dhe afrimi reciprok janë një hap në rrugën e vëllazërisë së sinqertë, përmes së cilës përmirësohen gjendjet, para së cilës edhe malet do të dridheshin, dhe pa të cilën umeti islam nuk mund të qëndrojë i fortë.

Edhe udhëzimi hyjnor në Kuranin e Shenjtë i ka kushtuar kësaj çështjeje një rëndësi të madhe, ku Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet jush.”[10]

Gjithashtu, gjëja e parë për të cilën u kujdes Profeti ynë Muhamedi (a.s), kur themeloi shtetin islam në Medinën e Ndritur ishte realizimi i vëllazërisë dhe afrimit mes ensarëve dhe muhaxhirëve, me qëllim krijimin e një njohjeje të fortë dhe të qëndrueshme. Kjo vinte nga bindja e tij (a.s) se njohja dhe vëllazërimi mes pjesëtarëve të radhës islame do të ishte themeli i parë dhe i fuqishëm për arritjen e synimeve dhe për vendosjen e shtyllave të forcës dhe qëndrueshmërisë së shtetit mysliman.

Thirrja islame ka një bazë të rëndësishme mbi të cilën mbështetet: dashurinë, njohjen reciproke dhe vëllazërinë mes myslimanëve. Përmes saj thyhen pengesat dhe bashkohen shpirtrat, derisa të bëhen si një shpirt i vetëm.

Sepse shpirtrat janë ushtri të rreshtuara: ata që njihen mes tyre afrohen dhe bashkohen, ndërsa ata që nuk përputhen mes tyre largohen dhe ndryshojnë.

Punë praktike rreth njohjes reciproke dhe dashurisë

Me këtë aspekt kemi një ndalesë praktike, të cilën do ta formulojmë në atë që njihet nga të interesuarit dhe edukatorët si punë praktike, me qëllim që konceptet të qartësohen, mendjet të orientohen drejt dhe të realizohet tek ne mirësia e lavdëruar.

A ekziston vërtet brenda shoqërisë së myslimanëve ajo që quhet njohje e saktë, e fortë dhe e qëndrueshme reciproke, apo është thjesht një koncept teorik më shumë sesa një realitet praktik?

A nënkupton njohja reciproke dhe dashuria ngritjen morale dhe ruajtjen e normave të sjelljes së mirë në marrëdhëniet mes njerëzve, apo dashuria dhe njohja kanë një kuptim tjetër?

A është e mundur që në një shoqëri njerëzish që njihen dhe duhen mes tyre të gjendet dikush me sjellje të pamatur, me mungesë edukate, pa ndjeshmëri dhe që vonon në dhënien e ndihmës?

A do të thotë dashuria dhe njohja reciproke që i vogli të mos respektojë të madhin dhe i madhi të mos kuptojë të voglin? Apo Allahu i Lartësuar ka ngritur disa prej jush mbi disa të tjerë në shkallë, që disa prej jush t’i vënë në shërbim disa të tjerë, dhe se çdo njeri është i lehtësuar për atë për të cilën është krijuar?

A do të thotë dashuria dhe njohja reciproke të trokasësh në dyer dhe të telefonosh në kohët e pushimit, të cilat myslimani ka të drejtë t’i shijojë, në mënyrë që të mund të rifillojë veprimtarinë dhe jetën e tij?

A është prej dashurisë dhe njohjes reciproke që njerëzit të marrin hua nga njëri-tjetri dhe pastaj të hezitojnë në kthimin e të drejtave, duke u vonuar aq shumë sa huadhënësi të mbetet i habitur e i mahnitur, madje edhe të pendohet për atë që ka dhënë hua?

A është prej dashurisë dhe njohjes reciproke që fjalët të dominojnë mbi veprat dhe filozofitë të mbizotërojnë mbi të drejtën dhe të vërtetën?

A është prej dashurisë dhe njohjes reciproke që unë të të telefonoj, të interesohem për gjendjen tënde dhe të të dërgoj mesazhe në telefon, ndërsa ti të mos e kthesh mirësinë dhe bamirësinë, të paktën me të njëjtën masë, duke zbatuar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kur ju përshëndet dikush me një përshëndetje, kthejeni me një më të mirë ose të paktën me të njëjtën.”[11]

Apo do të vazhdosh gjithmonë të jesh i padrejtë ndaj tjetrit dhe mohues i mirësisë së dashurisë, kontaktit dhe interesimit të tij për ty?

A është prej dashurisë dhe njohjes reciproke që të mungoj tek ti kur unë jam i sëmurë, në vështirësi ose kur gjendja ime ndryshon?

A është prej dashurisë dhe njohjes reciproke të harrosh të mirën, të mohosh mirësinë dhe të kalosh kufijtë gjatë konfliktit?

A është prej dashurisë dhe njohjes reciproke të mos e respektosh një takim të caktuar, pa e marrë mundimin të telefonosh për të kërkuar falje për mungesën ose vonesën tënde?

Porosia e dhjetë: Detyrimet janë më të shumta sesa koha; prandaj ndihmoji të tjerët që të përfitojnë nga koha e tyre, dhe nëse ke një detyrë, përfundoje shkurt dhe me efikasitet

Vërtet ka thënë me të drejtë ai që ka thënë: “Bota është vetëm një çast, prandaj bëje atë adhurim.”

Kjo do të thotë se koha, në realitetin e saj, nuk është gjë tjetër veçse vetë jeta e robit. Nëse ai arrin ta përdorë jetën e tij në mënyrë të dobishme, që ta afrojë atë tek Allahu dhe ta ndihmojë në realizimin e përgjegjësisë së tij si mëkëmbës i Allahut në tokë – një mëkëmbësi përmes së cilit realizohet jeta, dinjiteti dhe lumturia e umetit, madje edhe jeta e tij personale, lumturia e tij, arritja e synimeve dhe dëshirave të tij – atëherë ai ka fituar. Lum ai që është me të devotshmit, të sinqertët dhe dëshmorët; sa shokë të mirë janë ata!

Imam Aliu (r.a) ka thënë për kohën: “Koha i vjetëron trupat, i kufizon shpresat, e afron vdekjen dhe e largon dëshirën. Ai që e shfrytëzon atë lodhet, ndërsa ai që e humbet atë mundohet.”

“O bir i Ademit! Çdo gjë që ke fituar mbi kohën tënde, ti në të vërtetë je vetëm ruajtës i saj për dikë tjetër.”

Si t’i ndihmoj të tjerët që të përfitojnë nga koha e tyre?

Të respektosh periudhën kohore që ke përcaktuar me dikë tjetër dhe t’i vendosësh vetes një kufi kohor që nuk e tejkalon, pavarësisht arsyeve dhe rrethanave.

T’i përfundosh detyrat që të tjerët të kanë ngarkuar, duke i përgatitur mirë ato në mënyrë që të realizohen në kohën e caktuar, pa teprim dhe pa mangësi.

Të kujdesesh që të jesh në takimet me njerëzit në kohën e përcaktuar; mos shko para kohe dhe as pas saj. Respekto shtëpitë e njerëzve dhe ruaje privatësinë e tyre, sepse ndoshta shtëpia ka nevojë për rregullim dhe përgatitje pasi nuk është gati për të pritur dikë.

Të shmangësh bisedat anësore me të tjerët, sepse ato janë humbje kohe, shkaktojnë pakënaqësi dhe rëndojnë zemrat e njerëzve.

Mos u bëj kokëfortë në mendimin tënd, edhe nëse mendimi yt është i saktë. Ji i sjellshëm dhe i matur në paraqitjen e ideve të tua, sepse kjo ruan kohën tënde dhe kohën e të tjerëve. Mos fol për gjëra që nuk të interesojnë, sepse mund të dëgjosh diçka që nuk të pëlqen.

Para se të flasësh, përcakto kur do të flasësh, me çfarë do ta fillosh dhe kur do ta përfundosh. Dije se fjala më e mirë është ajo që është e shkurtër dhe e qartë. Jo çdo njeri që flet shumë është domosdoshmërisht më i ditur, më i aftë apo më i mirë.

Dije se filozofia e cila nuk mbështetet në udhëzimet hyjnore është në të vërtetë mendim i rremë; prandaj mos e lodh veten dhe mos i lodh të tjerët.

Shpresë

Shpresoj nga Allahu i Lartësuar që ta bëjë këtë punë të sinqertë vetëm për Fytyrën e Tij fisnike, të na pranojë neve dhe juve veprat e mira dhe të na ketë dhënë sukses dhe drejtim të saktë në shpjegimin e këtyre dhjetë porosive të Imam Hasan El-Benas (r.h) të cilat ndoshta kanë mbetur larg vëmendjes, ruajtjes, leximit dhe studimit.

Në një kohë kur këto porosi përfaqësojnë një metodologji besimore, thirrëse, hyjnore dhe të drejtë morale, e cila kontribuon në mirësinë e individit, shoqërisë dhe madje të umetit – një umet që në kohën tonë ka më shumë nevojë se kurrë për moralet e larta, sjelljen e bukur dhe lidhjen me Allahun që sjell shpëtim.

Dhe Allahu është Ai që qëndron pas qëllimit.

Autor: Nebil Xhenhum

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Isra: 9.

[2] – Sure Fussilet: 2.

[3] – Sure Haxh: 3.

[4] – Sure Haxh: 8.

[5] – Sure Lukman: 20.

[6] – Ahmedi.

[7] – Ahmedi.

[8] – Sure Kalem: 4.

[9] – Sure Lukman: 19.

[10] – Sure Huxhurat: 13.

[11] – Sure Nisa: 86.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *