Çiftësia në Krijim: Një Vështrim Shkencor dhe një Mrekulli e Kuranit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kurani Famëlartë ka bërë të ditur një ligj madhështor kozmik, i cili është parimi i çiftësisë në krijim, dhe këtë e shpreh në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe prej çdo gjëje Ne krijuam nga një çift, që ju të mund të merrni mësim.”[1]

Ky ajet zbulon një të vërtetë të qëndrueshme shkencore, e cila dëshmon se krijimi në univers është i ndërtuar mbi një sistem çiftësie dhe ndërlidhjeje ndërmjet elementeve të tij; duke filluar nga qeniet e gjalla e deri te atomet dhe grimcat themelore të materies.

Treguesit shkencorë:

Çiftësia te qeniet e gjalla: Ndër treguesit më të spikatur shkencorë që shfaqen në këtë ajet është fakti se shumica e organizmave të gjallë mbështeten në sistemin dypalësh të riprodhimit (mashkulli dhe femra). Ky sistem përfshin bimët, kafshët dhe gjithashtu njeriun. Riprodhimi kërkon ekzistencën e dy pjesëve plotësuese, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e jetës.

Çiftësia te atomet dhe molekulat: Shkenca moderne ka zbuluar se materia përbëhet nga atome dhe molekula, ndërsa vetë atomet përbëhen nga ngarkesa të kundërta elektrike: elektronet (me ngarkesë negative) dhe protonet (me ngarkesë pozitive). Kjo çiftësi e ngarkesave tregon se sistemi atomik është i ndërtuar mbi ekuilibrin ndërmjet forcave të kundërta, gjë që kontribuon në qëndrueshmërinë e materies.

Çiftësia ndërmjet energjisë dhe materies: Parimi i çiftësisë shfaqet gjithashtu në ligjet e energjisë, ku materia dhe energjia ndërveprojnë brenda një kuadri të ndërtuar mbi marrëdhënie të dyanshme, si: pozitivja dhe negativja, drita dhe errësira, nxehtësia dhe ftohtësia. Ky ekuilibër dhe kjo plotësueshmëri ndërmjet elementeve të kundërta janë ndër faktorët që ruajnë rregullsinë dhe harmoninë e universit.

Çiftësia në fizikën moderne: Zbulimi i grimcave kundërmaterie në fizikë e forcon më tej këtë ide, pasi për çdo grimcë ekziston një grimcë përkatëse e kundërt me të. Këto zbulime tregojnë se universi përmban çifte të kundërta të ndërtuara me një saktësi dhe rregullsi të jashtëzakonshme, duke reflektuar madhështinë e mrekullisë shkencore të Kuranit.

Çiftësia në konceptet abstrakte: Edhe në çështjet abstrakte, si e mira dhe e keqja, jeta dhe vdekja, gëzimi dhe trishtimi, vërejmë se koncepti i çiftësisë shfaqet në shumë aspekte të ekzistencës. Kjo e bën ajetin gjithëpërfshirës në përfshirjen e dimensioneve të ndryshme të krijimit.

Mrekullia shkencore në Kuran: Çiftësia në univers

Mrekullia shkencore e Kuranit shfaqet qartë në ajetin: “Dhe prej çdo gjëje Ne krijuam nga një çift” ku Kurani i referohet konceptit të çiftësisë, i cili përshkon të gjitha përbërësit e universit. Ky koncept gjithëpërfshirës nuk kufizohet vetëm te qeniet e gjalla, siç janë mashkulli dhe femra te kafshët dhe bimët, por shtrihet edhe në strukturën atomike dhe molekulare të materies.

Madje, edhe në fushat abstrakte, si e mira dhe e keqja, jeta dhe vdekja, vërejmë se parimi i çiftësisë përfaqëson një nga ligjet themelore të rregullit kozmik.

Kjo shenjë e përmendur në Kuran përbën një tregues të ri të faktit se ky Libër është prej Allahut të Madhëruar dhe nuk është vepër e mendjes njerëzore.

Autor: Firas Uelid

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Dharijat: 49.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *