Vërtet, Allahu i Lartësuar e ka veçuar robin dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin (a.s) mbi të gjithë profetët e tjerë me shumë veçori të posaçme, si nderim dhe fisnikërim për të. Këto dëshmojnë pozitën e tij madhështore dhe vendin e tij të lartë te Zoti i tij.
Në këtë botë, Allahu i dhuroi Kuranin Madhështor, mrekullinë e përjetshme dhe të ruajtur; e ndihmoi duke mbjellë frikë në zemrat e armiqve të tij; e dërgoi si të dërguar për mbarë njerëzimin dhe vulosi me të vargun e profetëve.
Përveç këtyre, ai u dallua edhe me shumë veçori të tjera.
Ndërsa në botën tjetër, Allahu e nderoi me ndërmjetësimin e madh (shefaatin e madh), me Vesilen, me Fadilen, me Haudin e begatë, tek i cili do të drejtohen besimtarët, si dhe me Pozitën e Lavdëruar (el-Mekam el-Mahmud).
Përveç këtyre, ai u dallua edhe me veçori të tjera. Gjithashtu, Allahu e nderoi umetin e tij me veçori që nuk iu dhanë asnjë prej bashkësive të mëparshme.
Në këtë botë, Allahu ua lejoi atyre plaçkën e luftës, ua bëri tokën vend faljeje dhe mjet pastrimi (tejemumi), si dhe i bëri ata bashkësinë më të mirë ndër të gjitha popujt, përveç shumë veçorive të tjera.
Ndërsa në botën tjetër, Allahu do ta bëjë këtë umet dëshmitar për profetët kundër popujve të tyre dhe do ta bëjë bashkësinë e parë që do të hyjë në Xhenet.
Ajetet kuranore dhe hadithet profetike kanë ardhur duke e pohuar qartë lartësinë e pozitës së tij fisnike (a.s), se ai është njeriu me pozitën më të lartë, me vendin më të nderuar dhe më i përsosuri në virtyte, cilësi të mira dhe merita.
Veçoritë profetike ndahen në dy kategori kryesore:
E para: Veçoritë legjislative – janë dispozitat hyjnore me të cilat është veçuar Profeti (a.s).
E dyta: Veçoritë e epërsisë – janë virtytet dhe nderimet me të cilat Allahu e ka dalluar dhe fisnikëruar Profetin tonë Muhamed (a.s) mbi të gjithë të tjerët.
Dobitë e njohjes së veçorive profetike
Dikush mund të pyesë: Pse duhet të flitet për veçoritë e Profetit (a.s)? Cila është dobia e njohjes së tyre?
Përgjigjja është se studimi dhe shqyrtimi i këtyre veçorive sjell shumë dobi. Ndër to është njohja e asaj me të cilën Profeti ynë (a.s) u dallua nga të gjithë profetët dhe të dërguarit e tjerë –paqja qoftë mbi ta–, si dhe njohja e dhuntive dhe mirësive të veçanta që Allahu ia dha, për ta nderuar, madhëruar dhe fisnikëruar. Kjo është dëshmi e pozitës së tij të lartë tek Zoti i tij.
Njohja e këtyre veçorive e shton besimin, e forcon dashurinë dhe respektin e tij për Profetin (a.s), ia shton mallin për të dhe e bën më të palëkundur në bindjen ndaj tij.
Po ashtu, kjo e nxit edhe jomyslimanin të studiojë jetën dhe gjendjen e këtij Profeti fisnik (a.s) dhe, nëse është njeri i paanshëm dhe i drejtë, ta pranojë atë me besim dhe të besojë mesazhin me të cilin ai është dërguar.
Këtyre u shtohet edhe dobia e njohjes së dispozitave me të cilat Profeti (a.s) është veçuar nga umeti i tij.
Një prej këtyre dobive është dallimi dhe njohja e këtyre veçorive, fryt i së cilës është sqarimi se ato janë të posaçme vetëm për të dhe se askush tjetër nuk lejohet ta marrë atë si shembull në ato çështje.
Ibn Haxher Askalani (r.h) duke përmendur dobitë e hadithit: “I Dërguari i Allahut (a.s) e ndaloi agjërimin e pandërprerë.” Ata i thanë: “Por ti agjëron pa ndërprerje.” thotë: “Në këtë hadith vërtetohet se Profeti (a.s) ka veçori të posaçme dhe se përgjithësimi i fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ju e keni në të Dërguarin e Allahut një shembull të shkëlqyer” nuk përfshin ato çështje që janë veçori të posaçme të tij.”
Burimi: kalemtayeb.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















