Nga majat e historisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Historia e umetit musliman është e mbushur me xhevahire dhe thesare të çmuara, të cilat përbëjnë margaritarë të vyer me të cilët stolitet kurora e këtij umeti. Ajo është një regjistër i pasur me ngjarje të shumta dhe një rezervuar i madh përvojash e përjetimesh, si pozitive ashtu edhe negative.

Megjithatë, pavarësisht këtyre veçorive, ne nuk pretendojmë përsosmërinë e historisë sonë, sepse ajo nuk ka shpëtuar nga ndërhyrjet e atyre që e kanë shtrembëruar, nga trillimet e të pavërtetëve dhe nga gënjeshtrat e shpifësve. Por Allahu i Lartësuar ka përgatitur për shqyrtimin dhe filtrimin e rrëfimeve dijetarë të shquar të këtij feje, të cilëve u mbetet vetëm të bëjnë përpjekjen e tyre maksimale për ta kapërcyer këtë pengesë, duke e situr historinë në të gjitha etapat e saj, duke e rivlerësuar dhe riformuluar atë nga një këndvështrim islam dhe përmes prizmit të ligjësive hyjnore, të çliruar nga mendësia tradicionaliste dhe nga nënshtrimi politik.

Kështu, do të mund t’i paraqesim umetit musliman ilaçin e dobishëm dhe shërues për sëmundjet dhe krizat që e kanë goditur, ia kanë rrënuar qenien dhe i kanë dëmtuar strukturën e tij.

Prandaj, që të mos përfshihemi ndër ata që i morën ajetet e Allahut për tallje dhe lojë, dhe që penguan nga rruga e Allahut, qasja jonë ndaj historisë duhet të jetë një qasje islame: ta lexojmë historinë nga majat e saj dhe jo nga ultësirat e saj; një vështrim që buron nga Kurani Fisnik dhe Suneti Profetik për ta kuptuar historinë. Mbi këto dy burime, në dritën dhe udhëzimin e tyre, ne përballemi me vështirësitë për të ndërtuar të ardhmen tonë të ndritur, në mënyrë që të mos rrëshqasim në humnerat e vartësisë qytetëruese, në ndjekjen e rrugëve të shejtanit dhe të mos e humbasim detyrën më të shenjtë dhe burimin e krenarisë e dinjitetit: detyrën e përpjekjes së pandërprerë për ta ndihmuar Islamin dhe për të mbrojtur kufijtë e tij.

Ky univers dhe gjithçka që përmban ecën sipas ligjësive të pandryshueshme e të qëndrueshme, të cilat nuk ndryshojnë dhe nuk zëvendësohen. Sot, umeti ka nevojë më shumë se kurrë të kuptojë këto ligjësi hyjnore, këto norma kozmike dhe këto rregulla hyjnore, në mënyrë që të ndriçohet me dritën e tyre dhe të ecë sipas metodës që ato përcaktojnë. Madje, kjo është e domosdoshme që ai të jetojë jetën e drejtë, duke njohur ligjësitë që kanë përcaktuar ngritjen dhe rënien, fitoren dhe humbjen e popujve të mëparshëm; që të ndjekë ligjësitë e përparimit dhe të fitores dhe të shmangë ligjësitë e rënies dhe të disfatës. Këto ligjësi dhe rregulla nuk ndryshojnë, nuk zëvendësohen, nuk transformohen, nuk cenohen dhe nuk zbuten.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe kurrë nuk do të gjesh ndryshim në ligjësinë e Allahut dhe kurrë nuk do të gjesh shmangie në ligjësinë e Allahut.”[1]

Ai është një parim themelor që Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar në Librin e Tij të qartë dhe e ka bërë një ligjësi të pandryshueshme e të vazhdueshme, të cilën umeti mund ta kuptojë dhe ta vërë në zbatim.

Allahu i Madhëruar ka vendosur në këtë univers dhe në jetën njerëzore ligjësi të qëndrueshme dhe norma të pandërprera që rregullojnë lulëzimin dhe rrënimin e popujve, si edhe ndryshimin e shoqërive dhe të gjendjeve të tyre; qoftë kur ky ndryshim ndodh nga dobësia drejt forcës, apo nga forca drejt dobësisë. Përfundimi i çdo umeti përcaktohet nga rruga që ai zgjedh të ndjekë: një umet qëndron i fortë mbi argumentin dhe të vërtetën, ndërsa një tjetër bëhet një korrë e prerë nga rrota e historisë dhe hidhet në shportën e harresës.

Kur lexojmë historinë dhe shfletojmë faqet e saj, ne vërejmë qartë ligjësitë hyjnore që veprojnë në ndryshim e zëvendësim, në lulëzim e rrënim. Historia e përsërit veten në një mënyrë të habitshme, aq sa, ndërsa lexon ngjarje që kanë ndodhur shekuj më parë, të duket sikur janë po ato ngjarje që po përsëriten në kohën tonë, megjithëse ndryshojnë emërtimet dhe hollësitë e tyre.

Kështu, historia e ka përsëritur dhe vazhdon ta përsërisë veten. Armiqtë na morën një pjesë të asaj që kishim në duar: na morën Andaluzinë, të quajtur “parajsa e humbur” (më 2 Rabiul-Evvel të vitit 897 h., që përkon me 2 janar 1492); humbën Sebtan (më 21 gusht 1415) dhe Meliljen (më 17 shtator 1497); u uzurpua Palestina, toka e Israsë dhe Miraxhit (më 15 maj 1948); u rrënua shteti i Familjes Osmane (më 27 Rexheb 1343 h., që përkon me 3 mars 1924); u pushtuan viset përtej lumit, u copëtua Iraku dhe ranë shtete të tëra… E gjithë kjo erdhi si pasojë e kundërshtimit të ligjësive të Allahut, të cilat nuk bëjnë dallim dhe nuk favorizojnë askënd.

A nuk e përsërit vallë historia veten? A nuk ka thënë Zoti ynë i Bekuar dhe i Lartësuar: “Dhe nuk do të gjesh kurrë ndryshim në ligjësinë Tonë.”[2]

Ai që nuk e ngre kokën lart për t’i lexuar ligjësitë e Allahut në univers dhe në jetë, ashtu siç i lexon ato në Mus’haf, nuk do të mund të shijojë flladin e krenarisë së Islamit dhe madhështinë e tij.

Autor: Rashid Kuhusi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

 

 

[1] – Sure Fatir: 43.

[2] – Sure Isra: 77.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *