Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu është i Pasur (nuk ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër.”
Të dashur fëmijë!
Allahu është i Pasuri (El Ganijju)
Allahu është Sunduesi (El Meliku)
Allahu është Gjithëpërfshirësi (El Uasiu)
Allahu është Bujari (El Kerimu)
Të dashur fëmijë!
Allahu është i Pasur dhe nuk ka të meta.
Allahu është i Pasur dhe nuk ka nevojë për askënd.
Allahu është i Pasur dhe nuk ka nevojë për ortak.
Allahu është i Pasur dhe nuk ka nevojë për bashkëshorte.
Allahu është i Pasur dhe nuk ka nevojë për fëmijë.
Allahu është i Pasur dhe posedon depot e qiejve dhe të tokës.
Allahu është i Pasur dhe nuk ka nevojë për adhurimin tonë.
Allahu është i Pasur dhe Atë nuk e dëmtojnë mëkatetet tona.
Allahu është i Pasur dhe Ai bën çfarë të dojë.
Allahu është i Pasur dhe është shumë Bujar
Allahu është i Pasur dhe na begaton me të gjithë të mirat.
Allahu është i Pasur dhe i begaton banorët e Xhenetit me mirësi të mëdha.
Në klasë:
Mësuesi: Bjorni për çfarë folëm herën e fundit në klasë?
Bjorni: Folëm për atributin e Allahut “I Pasuri” dhe se nëpërmjet këtij atributi ne kuptojmë se Allahu është Gjipërfshirës e të mirat e tij ndaj nesh nuk shterojnë.
Mësuesi: Driola, mund të na tregosh një gjë që nuk shteron dhe që është gjithpërfshirëse!
Driola: Fjalët e Zotit.
Mësuesi: Cili është argumenti për këtë?
Driola: Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Sikur deti të ishte ngjyrë për të shkruar fjalët e Zotit, deti do të shterohej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, edhe sikur të sillnim shtesë edhe një shtesë si ai.”
Mësuesi: Adi, mund të na tregosh një gjë tjetër që nuk shteron dhe që është gjithëpërfshirëse!
Adi: Begatitë dhe të mirat e Zotit.
Mësuesi: Cili është argumenti për këtë?
Adi: Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Ai ju dha gjithçka që keni nevojë. Edhe në qoftë se përpiqeni të numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mundni”
Mësuesi: Eni, mund të na tregosh një gjë tjetër që nuk shteron dhe që është gjithëpërfshirëse!
Eni: Furnizimi i Zotit.
Mësuesi: Cili është argumenti për këtë?
Eni: Allahu i Madhëruar thotë: “Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim. Allahu është Furnizues i Madh.”
Mësuesi: Ajla, mund të na tregosh një gjë tjetër që nuk shteron dhe që është gjithëpërfshirëse!
Ajla: Mëshira e Zotit.
Mësuesi: Cili është argumenti për këtë?
Ajla: Allahu i Madhëruar thotë: “Luteni Atë duke patur frikë dhe duke shpresuar mëshirën e Tij. S’ka dyshim se mëshira e Allahut është pranë atyre të mirëve.”
Mësuesi: Hemas, mund të na tregosh një gjë tjetër që nuk shteron dhe që është gjithëpërfshirëse!
Hemasi: Falja e Zotit.
Mësuesi: Cili është argumenti për këtë!
Hemasi: Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk ka dyshim se Zoti yt është që gjerësisht përfshin në falje.”
Mësuesi: Tila, mund të na tregosh një gjë tjetër që nuk shteron dhe që është gjithëpërfshirëse!
Tila: Allahu shikon veprat tona.
Mësuesi: Cili është argumenti për këtë?
Tila: Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, Ai sheh mirë gjithçka që ju bëni.”
Mësuesi: Ju lumtë nxënës. E shoh që e paskeni mësuar shumë mirë mësimin.
Le të mendojmë së bashku:
Të dashur fëmijë! A nuk e keni parë se:
Një njeri i pasur kur është i sëmurë shkon tek doktori sepse ka nevojë për të. Megjithëse ai është i pasur, pasuria e tij nuk këtë rast nuk vlen sepse ai nuk është mjek.
Vetë mjeku, nëse i prishet makina ka nevojë që të shkojë tek ustai që të rregullojë makinën.
Ustai i makinës me lekët që fiton nga rregullimi i makinës ka nevojë të shkojë në dyqan që të blejë bukë.
Buka prodhohet nga mielli, mielli nga gruri, e gruri që të rritet ka nevojë për dhe’, ujë, diell e kripëra minerale. E kështu me rradhë. Çdo krijesë që të kryejë rolin dhe funksionin e vet ka nevojë për të tjera krijesa. Vetëm Allahu i Madhëruar është i Pasuri dhe nuk ka nevojë për askënd.
Dialog:
Usejdi: Gjyshi, më thuaj një atribut të Allahut!
Gjyshi: Allahu është i Pasuri dhe nga kjo kemi dobi që të gjithë ne.
Usejdi: Çfarë dobie kemi?
Gjyshi: Po ja Allahu na ka dhënë dëgjimin, shikimin, nuhatjen, shijimin, të prekurin, logjikën, trupin e shpirtin.
Usejdi: Po tjetër dobi a kemi?
Gjyshi: Po patjetër, Allahu mëshiron, fal, jep shpresë, dije, urtësi, shëndet e shumë gjëra të tjera.
Usejdi: Po të tjera dobi?
Gjyshi: Allahu na ka treguar rrugën e drejtë, atë të besimit.
Usejdi: Gjyshi edhe një pyetje të fundit.
Gjyshi: Urdhëro!
Usejdi: Nuk e kuptoj çfarë lidhje kanë këto dobi me atributin e Allahut “I Pasur”?
Gjyshi: Nëse unë nuk kam lekë dhe ti më kërkon 1000 lekë, a do të të jap gjë?
Usejdi: Jo.
Gjyshi: Po nëse unë kam a do të t’i japë?
Usejdi: Po.
Gjyshi: Kështu pra nipi im i dashur. Allahu është Posedeusi i të gjithë këtyre të mirave, është i Pasuri dhe me bujarinë e Tij na dhuron shumë të mira.
Usejdi: Allahu ta shpërbleftë me të mira gjyshi.
Lutje profetike:
“Allahumme Ente Allahu La Ilahe il la Ente. Entel Ganijju ue Nahnul Fukarau. Enzil Alejna El Gajthe, Uexh’al ma Enzeltena Lena Kuueten ue Belagan ila Hiin”
Përkthimi:
“Zoti ynë. Ti je Allahu, Nuk ka zot tjetër përveç Teje. Ti je i Pasur kurse ne jemi të varfër. Na e zbrit shiun, bëje atë të jetë ushqim për ne dhe shpërndaje atë deri në një kohë të caktuar.”
“Allahumme inni es’elukel huda uet tuka uel afafe uel gina”
Përkthimi:
“Zoti im unë kërkoj udhëzim, devotshmëri, shëndet dhe pasuri”
Në testin e besimit Driola mori notën 10. Ja si i është përgjigjur ajo pyetjes:
Çfarë duhet të bëjë besimtarja që të përfitojë nga atributi i Allahut “I Pasur”?
1 – Besimtarja duhet të besojë bindshëm se Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për asgjë, kurse të gjithë krijesat kanë nevojë për të.
2 – Besimtarja duhet të jetë e kënaqur me riskun që Allahu i ka dhënë, sepse vetëm kështu ajo është njeriu më i pasur në botë.
3 – Besimtarja vazhdimisht duhet t’i lutet Allahut të Madhëruar që t’i japë të mira sepse ajo që është tek Allahu nuk pakësohet dhe nuk shteron kurrë.
4 – Besimtarja duhet të përkushtohet në adhurimin ndaj Allahut të Madhëruar sepse vetëm kështu zemra e saj mbushtet me bollëk e lumturi.
Jep dhe mos ki frikë!
Njëherë e një kohë, tek Profeti (a.s) erdhi një njeri dhe kërkoi prej tij që t’i jepte, e ai i dha. Disa ditë më vonë i njëjti person erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha:
O i Dërguar i Allahut më jep!
Nuk kam, por merr borxh në emrin tonë dhe kur të kem mundësi do të ta paguaj borxhin – tha Profeti (a.s)
Omeri (r.a) tha: O i Dërguar i Allahut! Allahu nuk të ka urdhëruar që të mundohesh kaq shumë. Burri erdhi tek ty për herën e parë e ti i dhe, por tani që nuk ke, nuk ke përse të mundohesh.
Profetit (a.s) nuk i pëlqyen fjalët e Omerit (r.a) dhe kjo u duk qartë në fytyrën e tij.
Një njeri nga Ensarët që ishte prezent u çua dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Jep dhe mos ki frikë nga Poseduesi i Arshit se pasuria nuk do të të pakësohet!
Profeti (a.s) buzëqeshi dhe kjo u duk qartë në fytyrën e tij pastaj tha: Kështu jam urdhëruar.
Allahun dhe të Dërguarin e Tij
Omeri (r.a) tregon:
Një ditë, I Dërguari i Allahut (a.s) na urdhëroi që të jepnim sadeka. Qëlloi që atë ditë unë kisha shumë para. Me vete thashë: Sot kam për t’ia kaluar Ebu Bekrit (r.a), asnjëherë nuk kam dhënë më tepër se ai, ama sot kam për të dhënë më shumë se ai. Me vete mora gjysmën e shumës që kisha dhe shkova tek I Dërguari i Allahut (a.s) i cili më pyeti:
Çfarë ke lënë për familjen?
Gjysmën tjetër – u përgjigja.
Më pas erdhi Ebu Bekri (r.a) me të gjithë pasurinë që kishte tek i Dërguari i Allahut (a.s) i cili e pyeti:
Çfarë ke lënë për familjen?
Allahun dhe të Dërguarin e Tij – u përgjigj Ebu Bekri (r.a)
Omeri (r.a) tha me vete: Pas këtij rasti, nuk ka për të bërë më garë me Ebu Bekrin (r.a)
Abdullahu në xhami:
Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, ai dëgjoi imamin që po thoshte se:
Njerëzit janë të varfër e nevojtarë dhe se kanë nevojë që Allahu i Madhëruar t’i furnizojë vazhdimisht me ushqim dhe pije.
Njerëzit janë të varfër e nevojtarë dhe kanë nevojë që Allahu i Madhëruar t’ia mësojë atyre atë që nuk e dinë.
Njerëzit janë të varfër e nevojtarë dhe kanë nevojë që Allahu i Madhëruar t’i falë e t’i mëshirojë.
Njerëzit janë të varfër e nevojtarë dhe kanë nevojë që Allahu i Madhëruar t’ia pranojë punët dhe veprat e mira.
Njerëzit janë të varfër e nevojtarë dhe kanë nevojë që Allahu i Madhëruar t’i mbrojë nga të këqijat.
Njerëzit janë të varfër e nevojtarë dhe kanë nevojë që Allahu i Madhëruar t’ia zgjidhë hallet dhe problemet.
Vjershë:
Ndaj Zotit të gjithësisë
Unë jam nevojtar,
Në të gjitha ndodhitë
Unë në fakt jam mjeran.
Unë vetes sime i bëj padrejtësi
Dhe kjo është e imja padrejtësi
E nëse na vjen e mira
Ajo na vjen vetëm prej Tij
Unë nuk mund t’i sjell vetes sime dobi
Dhe as të shmang gjërat që më dëmtojnë
Nevoja është atributi im i pandashëm, i përgjithmonë
Ashtu sikurse i “Pasur” është atributi i përhershëm i Tij
E kjo është gjendja e gjithë krijesave të Tij
E të gjitha ato do të paraqiten si robër nevojtar para Tij.
Musai (a.s) në Medjen:
Kur Profeti i Allahut, Musai (a.s) ishte në Egjipt, Faraoni i dha urdhër ushtarëve që ta kapnin atë me qëllim që ta vriste. Dikush e lajmëron Musain (a.s) për qëllimin e keq të Faraonit dhe, Musai (a.s) e mori për bazë këshillën e burrit. Ai (a.s) nuk pati kohë që të khehej në shtëpi, që të merrte me vete ushqim, pije dhe ndonjë mjet udhëtimi, por u nis menjëherë dhe u largua nga Egjipti duke patur frikë nga ushtarët e Faraonit që mos ta kapnin. Musai (a.s) i lut Allahut me fjalët: “O Zot më shpëto nga populli zullumqar”. Musai (a.s) u drejtua për në Medjen që është në lindje të Egjipitit, duke kërkuar prej Allahut që ta orientonte për andej sepse ai (a.s) nuk e dinte rrugën. Udhëtimi për në Medjen ishte i gjatë dhe zgjati disa ditë.
Kur Musai (a.s) mbërriti në Medjen, pa një burim me ujë dhe u drejtua drejt burimit. Sakaq në burim ishin një grup njerëzish të cilët po mbushnin ujë nga burimi. Kur Musai (a.s) shkoi tek burimi pa se njerëzit po u jepnin ujë kafshëve të tyre. Mirëpo diku aty anash ai (a.s) pikasi dy vajza që nuk po i jepnin ujë kafshëve të tyre.
Çfarë halli keni ju – pyeti Musai (a.s)?
Ne nuk u japim ujë kafshëve derisa të largohen barinjtë. Babai jonë është i moshuar dhe nuk ka mundësi që vijë e të mbushë ujë vetë – u përgjigjën vajzat.
Musait (a.s) i erdhi keq nga kjo gjë. I kërkoi leje vajzave që të merrte bagëtitë, i mori, u përzi ne mesin e barinjve, u dha ujë bagëtive dhe pastaj ua dorëzoi ato dy vajzave. Më pas u ul nën hije dhe iu lut Allahut me fjalët: “Zoti im çfarëdo të mire që të më japësh, unë jam nevojtar.”
Dy vajzat shkuan në shtëpi më herët se zakonisht. Kur babai i tyre i pyeti se përse kishin ardhur aq herët, ato i treguan për Musain (a.s). Babai i vajzave e ftoi Musain (a.s) tek shtëpia e tij dhe i propozoi atij që të martohej me njërën prej vajzave dhe të qëndronte tek shtëpia e tij në Medjen 8 ose 10 vjet. E Musai (a.s) pranoi.
Dialog:
Murseli: Murat të shikoj të menduar, çfarë ke?
Murati: Në mendjen time kam disa pyetje rreth besimit, por që nuk di t’i jap përgjigje.
Murseli: Unë mendoj që të shkojmë tek imami i xhamisë dhe ta pyesim.
Murati: Shumë mirë.
Murseli dhe Murati shkojnë në xhami dhe takohen me imamin.
Murseli: Imam i nderuar, ky është shoku im Murati dhe ka disa pyetje për të bërë.
Imami: Bujrum.
Murati: A nuk i posedon Allahu i Madhëruar depot e qiejve dhe të tokës?
Imami: Po është e vërtetë.
Murati: Atëherë përse Allahu i Madhëruar mos të më japë gjithçka që unë dua.
Imami: Allahu i Madhëruar e shpërndan riskun midis krijesave por me masë të caktuar.
Murati: Po përse?
Imami: Sepse nëse do t’i jepte njeriut gjithçka atëherë njeriu do të tejkalonte cakun.
Murati: Çfarë caku?
Imami: Po ja njeriu do ta harronte Allahun, do të tregohej mëndjemadh dhe do të ishte arrogant ndaj të tjerëve.
Murati: Po unë dua të jem i pasur?!
Imami: Shiko biri im. Jeta e kësaj bote është sprovë dhe njeriu do të sprovohet me pasuri ose me varfëri. Më e rëndësishme se kjo është se zemra jote duhet të jetë e pasuruar me dritën e besimit. Dhe kjo është pasuria e vërtetë.
Murati: Imam i nderuar! Kam dëgjuar shpeshherë prej jush që na ftoni që të japim sadeka. A nuk na pakësohet pasuria nëse ne japim sadeka?
Imami: Përkundrazi, pasuria na shtohet. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush tregohet koprac tregohet për veten e tij.” Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk pakësohet pasuria nga dhënia e sadekasë.”
Murati: Të falenderoj shumë për përgjigjet që më dhe. Allahu ta shpërbleftë me të mira.
Këshillat e babait drejtuar djalit të tij
Biri im!
Njeriu duhet të pranojë që është i dobët, i pafuqishëm dhe nevojtar ndaj Zotit.
Njeriu duhet ta pranojë se Allahu është i Pasur dhe të gjithë krijesat kanë nevojë për Të.
Njeriu duhet ta falenderojë Allahun e Madhëruar për mirësitë e shumta që Ai i ka dhënë.
Kur njeriut i vjen një e mirë duhet të thotë se Allahu e ndihmoi atë me mirësinë dhe bujarinë e Tij të pakufishme.
Ajo që është në dorën e Allahut është më e sigurtë dhe ajo që është në dorën e njeriut nuk është e sigurtë.
Nuk është buka ajo që të ngop, as uji që të shuan etjen dhe as pasuria që të pasuron. Në të vërtetë, Allahu është Ai që e ka bërë bukën sebep që ti të ngopesh, ujin sebep që ti të shuash etjen dhe pasurinë sebep që ti të pasurohesh.
Njeriu duhet të japë nga ajo që Allahu i ka dhënë.
Ja si lutet Kenza Allahut të Madhëruar:
O Zot na pasuro duke qenë nevojtarë për Ty!
O Zot mos na varfëro duke qenë të panevojshëm për Ty!
O Zot ne kemi nevojë për rizkun, mëshirën dhe bujarinë Tënde!
O Zot pasuroje zemrën tonë me dritën e nurit dhe të besimit!
Autor: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















