Allahu është Sunduesi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

“I Madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send.”

Të dashur fëmijë!

Allahu është Sunduesi (El Meliku)

Allahu është i Pasuri (El Ganijju)

Allahu është i Plotfuqishmi (El Kadir)

Allahu është i Gjithëfuqishmi (El Xhebbaru)

Allahu është Lartësuesi (Er Rafiu)

Allahu është Përulësi (El Khafidu)

Të dashur fëmijë!

Allahu është Sunduesi i kësaj bote.

Allahu është Sunduesi i universit.

Allahu është Sunduesi i qiejve.tokës dhe çfarë ka midis tyre.

Allahu është Sunduesi dhe nuk ka fëmijë.

Allahu është Sunduesi dhe nuk ka ortak në sundim dhe gjykim.

Allahu është Sunduesi, sepse vetëm Atij i takon krijimi dhe urdhëri.

Allahu është Sunduesi dhe vetëm Ai ka të drejtë të japë urdhra dhe të ndalojë.

Allahu është Sunduesi sepse jep jetën, e merr atë dhe do të ringjallë të gjithë njerëzit në botën tjetër.

Allahu është Sunduesi i Ditës së Kiametit.

Le të mendojmë së bashku!

Të dashur fëmijë!

Ne nuk jemi pronarët e vërtetë të gjërave që posedojmë, madje dhe as të vetveteve tona. Dhe a e dini përse:

Asnjëri prej nesh nuk e ka zgjedhur datën e lindjes, prindërit, gjininë – mashkull apo femër – dhe as ngjyrën e lëkurës. Ky është krijimi i Allahut që është Sunduesi i Vërtetë.

Asnjëri prej nesh nuk e ka zgjedhur beben e syrit, zërin, mollëzat e gishtave dhe erën e trupit të tij. Më e bukura është se ti nuk gjen as edhe një njeri në botë që të jetë i ngjashëm me një tjetër në këto katër gjëra. Ky është krijimi i Allahut që është Sunduesi i Vërtetë.

Nëpërmjet syve ne shohim gjithçka që na rrethon, por ne nuk jemi pronarët e vërtetë, sepse ne shohim deri në një distancë të caktuar, po të ishim ne pronarët e vërtetë atëherë do të shihnim edhe në distanca të largëta. Ky është krijimi i Allahut që është Sunduesi i Vërtetë.

Nëpërmjet duarve ne mbajmë shumë gjëra, por jo gjithçka sepse nuk kemi fuqi dhe as takat që të mbajmë pesha të rënda. Po të ishim ne pronarët e vërtetë, atëherë do të mbanim çfarëdo lloj objekti, sado i rëndë që të ishte ai. Ky është krijimi i Allahut që është Sunduesi i Vërtetë.

Nëpërmjet këmbëve ne lëvizim sa në një vend në një vend tjetër. Por nëse jemi  shumë të lodhur nuk kemi mundësi të hedhim as dy hapa. Po të ishim pronarët e vërtetë të këmbëve tona, atëherë ne nuk duhet të ishim lodhur asnjëherë. Ky është krijimi i Allahut që është Sunduesi i Vërtetë.

Dhikër:

“Asbahna ue asbahal mulku lil lahi, uel hamdu lil lahi, la ilahe il lall llahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue hue ala kul li shej’in kadir.”

Përkthimi:

“U gdhimë (shëndoshë), i gjithë sundimi është i Allahut, Allahun e falenderojmë, nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një i Vetëm dhe i pashok, Atij i takon sundimi dhe falenderimi. Ai mbi çdo send është i Plotfuqishëm.”

“Kulil lahum me fatires semauati uel erdi, alimel gajbi uesh shehadeti, rab be kul li shej’in ue melikehu, esh’hedu en la ilahe il la ente, eudhu bike min sher ri nefsi ue sher rish shejtani ue shirkihi.”

Përkthimi:

“Thuaj: Zoti im, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Ti je Ai i Cili di të fshehtën dhe të dukshmen, Zoti dhe Sunduesi i çdo sendi, dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Teje, kërkoj mbrojtje nga e keqja e vetes time dhe shejtanit dhe ajo që ai shpie në idhujtari.”

Në testin e besimit Armejda mori notën 10. Ja si i është përgjigjur ajo pyetjes:

Shkruaj se çfarë di rreth sundimit të Allahut!

Sundimi i Allahut është i përhershëm.

Sundimi i Allahut është i vazhdueshëm.

Sundimi i Allahut nuk ndryshon.

Sundimi i Allahut nuk shteron.

Sundimi i Allahut nuk pakësohet.

Hadith:

Allahu i Madhëruar thotë në një hadith kudsij:

O robërit e Mi, edhe po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin Tim. O robërit e Mi, edhe nëse të gjithë njerëzit e xhinët, fillim e mbarim, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë as që do të pakonte sundimin Tim.O robërit e Mi, në qoftë se të gjithë njerëzit e xhinët, fund e krye, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë ia jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, aq sa pakëson gjilpëra kur futet në det.”

Dialog:

Amiri: Babi të kam parë që çohesh natën, çfarë bën?

Babai: Fal namaz nate.

Amiri: Përse?

Babai: Sepse për një gjë të tillë na ka këshilluar Profeti (a.s)

Amiri: Cila është këshilla që ka dhënë Profeti (a.s)?

Babai: Profeti (a.s) ka përcjellur nga Allahu se në pjesën e tretë të fundit të natës, Ai thotë: “A ka ndonjë njeri që më lutet dhe unë t’ia pranoj atë. A ka ndonjë njeri që më kërkon dhe unë do t’i jap. E ka ndonjë njeri që kërkon falje dhe unë do ta fal atë” Prandaj edhe unë çohem në pjesën e fundit të natës, fal dy rekate namaz dhe i drejtohem Allahut të Madhëruar me falje.

Amiri: Sa bukur qenka që të falësh namaz nate. Inshallah edhe unë do të përpiqem që të falë namaz nate dhe t’i drejtohem Allahut të Madhëruar me lutje.

Abdullahu në xhami:

Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, ai dëgjoi imamin që po thoshte se:

Allahu është Zotëruesi i gjithë pushtetit!

Allahu ia jep pushtetin kujt të dojë dhe ia heq kujt të dojë.

Allahu lartëson kë të dojë dhe përul kë të dojë.

Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.

Prandaj nëse njeriu dëshiron të posedojë i lutet Sunduesit, Zotëruesit të gjithë pushtetit.

Nëse njeriu dëshiron të jetë i pasur i lutet Sunduesit, Zotëruesit të gjithë pushtetit.

Nëse njeriu dëshiron të jetë në një pozitë të lartë, i lutet Sunduesit, Zotëruesit të gjithë pushtetit që ta lartësojë.

Nëse njeriu nuk dëshiron që të humbasë atë që posedon, i lutet Sunduesit, Zotëruesit të gjithë pushtetit, që mos ta humbasë.

Zoti posedon gjithçka në Dynja dhe Ahiret:

Shumë kohë më parë, halifja i muslimanëve Hisham ibn Abdulmeliku hyri në Qabe dhe pa Salimin,  nipin e Omerit dhe u takua me të.

Hishami tha: O Salim! A ke nevojë për ndonjë gjë?

Salimi: Mua më vjen turp t’i kërkoj të tjerëve, teksa jam në shtëpinë e Allahut.

Kur dolën nga Qabja

Hishami tha: Tani më kërko çfarëdo lloj nevoje që të kesh?

Salimi: A nevoja të kësaj bote apo botës tjetër?

Hishami: Të kësaj bote, se unë s’kam gjë të botës tjetër.

Salimi: O Halife! Nevojat e kësaj dynjaje nuk ia kam kërkuar Zotit që i posedon, e si mund të kërkoj prej teje që nuk i posedon ato?!

Unë nuk jam i varfër:

Njëherë një njeri i pasur shkoi tek një njeri i varfër – të cilin e njihte – dhe i thotë: Merri këto para sepse ti je i varfër. Njeriu i varfër tha: Të falenderoj shumë për bujarinë tënde, por unë nuk jam i varfër, sepse Zoti është Sunduesi i qiejve dhe tokës. Dhe sa herë që unë kam nevojë i lutem Atij që posedon gjithçka ka në qiej e në tokë.

Meditim dhe reflektim rreth ajetit kuranor:

“Thuaj: O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash. Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde. Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.”

Në Kuranin Fisnik, Allahu i Madhëruar na tregon historinë e atyre personave që Ai ju pat dhënë pushtet dhe i lartësoi në Dynja dhe Ahiret por në të njëjtën kohë Ai i pat dhënë pushtet disa personave por i poshtëroi në Dynja dhe Ahiret.

Personat që Allahu i Madhëruar u dha pushtet dhe i lartësoi në Dynja dhe Ahiret:

Profeti Jusuf (a.s) i drejtua Allahut me këtë lutje: “Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, ma mësove komentimin e ëndrrave. O Krijues i qiejve dhe i tokës, Ti je Kujdestari im në Dynja dhe Ahiret, më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët.”

Profeti Sulejman (a.s) iu drejtua Allahut me këtë lutje: “O Zot më dhuro asi pushteti që askush pas meje nuk do ta ketë; vërtet, Ti je Dhuruesi më i madh.”

Profetit Daud (a.s) e madhëronte Allahun e Madhëruar me “tesbih” e Ai i dha pushtet, pejgamberllikun dhe e mësoi atë për çdo gjë ai kishte dëshirë.

Personat që Allahu i Madhëruar u dha pushtet, por që i poshtëroi në Dynja dhe Ahiret:

Karuni tha: “Më është dhënë në sajë të dijes time” por Allahu e shkatërroi duke e fundosur atë dhe pasurinë e tij.

Faraoni tha: “A nuk është i imi pushteti i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që po rrjedhin në pallatin tim.” Por Allahu bëri që ai ta humte pushtetin e tij dhe e fundosi atë dhe ushtrinë e tij në fund të detit.

Populli i Adit tha: “A ka më të fortë se ne” Por Allahu i ndëshkoi me një furtunë që zgjati shtatë net dhe tetë ditë.

Shejtani tha: “Unë jam më i mirë se njeriu (Ademi)” Por Allahu e përzuri nga mëshira e Tij për shkak se u tregua mëndjemadh e mburravec.

Idhujt nuk posedojnë asgjë!

Përgjatë historisë së njerëzimit, njerëzit kanë adhuruar idhujt në vend të Allahut të Madhëruar. Është e habitshme se si njerëzit adhurojnë idhujt sakaq ata nuk posedojnë asgjë. Në Kuranin Fisnik, Allahu i Madhëruar e tregon qartë vërtetësinë e tyre. Më poshtë po përmendim disa ajete kuranore:

Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është që zgjat natën në pjesë të ditës dhe e zgjat ditën në pjesë të natës, i nënshtroi diellin dhe hënën, që secili lëviz deri në afatin e caktuar. Ky është Allahu, Zoti juaj, i tërë sundimi është i Tij, e ata që i lutni në vend të Tij, nuk posedojnë as sa një cipë. Nëse ata i thërritni, ata nuk e dëgjojnë thirrjen tuaj, po ta zëmë se dëgjojnë, nuk mund t’ju përgjigjen juve, në Ditën e Kijametit ata do ta mohojnë adhurimin tuaj ndaj tyre. E askush nuk të informon ty si i Gjithëdijshmi.”

Allahu i Madhëruar thotë: “Thirrni ata, të cilët i menduat për zota, pos Allahut. Ata nuk posedojnë sa një grimcë, as në qiej e as në tokë, dhe as që kanë në to ndonjë pjesë.”

Allahu i Madhëruar thotë: “Mirëpo ata idhujtarët në vend të Tij, adhuruan zota të tjerë, të cilët nuk krijuan asgjë, sepse ata edhe vetë janë të krijuar. Ata nuk posedojnë për vetveten, as dëm, as dobi, ata nuk kanë në dorë as vdekje, as jetë e as ringjallje.”

Sunduesi i Ahiretit:

Allahu është Sunduesi i Ditës së Kiametit.

Atë Ditë i gjithë pushteti është vetëm i Allahut, Një të Vetëm e Fuqiplotë.

Atë Ditë askush nuk do të ketë fuqi të bëjë gjë dhe pushteti do të jetë vetëm i Allahut.

Atë Ditë të gjithë njerëzit do të jenë të përulur para Tij dhe gjithsekush do të dalë fill i vetëm para Tij.

Atë Ditë, Allahu do t’i gjykojë të gjithë.

Atë Ditë, të gjithë do t’i ulin zërat para të Gjithëpushtetshmit.

Atë Ditë i gjithë ndërmjetsimi është vetëm i Allahut.

Atë Ditë, do të vendosen peshoret e drejta dhe askujt nuk do i bëhet padrejtësi.

Atë Ditë, pushteti i vërtetë është vetëm i Allahut dhe ajo do të jetë ditë e vështirë për jobesimtarët.

Atë Ditë, ata që bëjnë punë të mira i Gjithëpushtetshmi do t’i japë dashuri.

Mbretëria e personit të fundit që hyn në Xhenet:

Njeriu i fundit që do të hyjë në Xhenet, është një njeri që herë ecën dhe herë rrëzohet dhe një herë tjetër e godet vala e zjarrit, e kur ta kalojë atë, kthehet nga ai dhe thotë:

“I Madhëruar qoftë Ai që më shpëtoi nga ti, Allahu mua më dhuroi dicka që nuk i ka dhuruar as të parëve dhe as atyre pas meje. Atëherë i paraqitet atij një pemë dhe thotë:

”O Zot më afro afër asaj peme që të hyj nën hijen e saj dhe të pi nga uji i saj“.
Allahu i Lartësuar i thotë:”O bir i Ademit, nëse do ta dhuroj atë a do të më kërkosh gjë tjetër?“

Njeriu thotë: “Jo o Zot. Dhe i premton se nuk do t`i kerkojë gjë tjetër. Zoti e afron afer saj, ai hyn nën hijen e saj dhe pi nga uji i saj, pastaj i paraqitet atij një pemë edhe më e bukur se e para dhe ai thotë:

“O Zot më afro tek ajo pemë që të pi nga ajo dhe të hyj nën hijen e saj, nuk do te kerkoj tjetër: Allahu i thotë:”O biri i Ademit, a nuk më premtove se nuk do të më kërkosh gjë tjetë? Sikur të afroj tek ajo a do të më kërkosh përsër tjetër?” Ai i premton atij falje sepse i paraqet gjëra që nuk mund të ketë durim nga ato, kështu që Zoti e afron tek ajo dhe ai hyn nën hijen e saj dhe pi nga uji i saj. Pastaj i paraqitet një pemë tek dera e Xhenetit, e cila është më e mirë se dy të parat. Njeriu i thotë:

”O Zot, më afro te futem tek ajo që të hyj nën hijen e saj dhe të pi nga uji i saj, dhe nuk do të kërkoj gjë tjetër”.

Zoti i thotë: “O biri i Ademit, a nuk më premtove se nuk do të më kërkosh gjë tjetër?”
Njeriu  thotë:  “O Zot! Nuk do të kërkoj gjë tjetër” Zoti i tij e fal, sepse i paraqet gjëra që ai nuk mund të durojë nga ato, kështu që e afron tek ajo. Kur afrohet aty ai dëgjon zërat e banorëve të Xhenetit, dhe thotë:

“O Zot, më fut aty”.

Zoti i thotë: “O biri i Ademit çfarë të kënaq,  a je i kënaqur të japë sa bota dhe njëherë sa ajo?”

Njeriu thotë: “O Zot, a po përqeshesh me mua dhe Ti je Zot i botëve?”

Zoti thotë: “Unë nuk po përqeshem me ty. Unë bëj çfarë të dëshiroj.”

Zoti i kërkon atij të kërkojë sa të dëshirojë. E njeriu kërkon e kërkon derisa vjen një moment dhe ndalet. Zoti i thotë: Ti do të kesh 10 fishin e kësaj.

Të dashur fëmijë!

Kjo do të jetë mbretëria dhe sundimi i personit që fundit që do të hyjë në Xhenet. Imagjinoni sa e madhe do të jetë mbretëria e atyre që do të hyjnë më përpara.

Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk e di askush për atë kënaqësi që u është caktuar atyre si shpërblim.”

Ja se si i lutet Kenza Allahut të Madhëruar:

O Zot, Sunduesi i kësaj bote dhe botës tjetër! Më jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër.

O Zot. Ti je Sunduesi i gjithçkaje! Bëj që të mirat që më vijnë prej Teje t’i gëzoj, të jenë të vashdueshme dhe mos të më ndërpriten.

O Zot. Ti je Sunduesi i gjithkaje që unë kam. Më jep forcë, fuqi e shëndet që të jetoj se një muslimane e devotshme.

O Zot, Ti je Sunduesi i Ditës së Kijametit. Më fal gabimet e mia, të prindërve të mi dhe të gjithë muslimanët dhe muslimanet.

O Zot, Ti je Sunduesi i Xhenetit. Më bëj prej baonrëve të Xhenetit.

Autor: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *