Thirrja për lënien e duasë së Kunutit në raste fatkeqësie pasi ka kaluar një muaj

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Disa imamllarë kanë heshtur përkitazi me duanë e Kunutit për të dobëtit në raste fatkeqësie, e disa të tjerë patën frikë se mos i godiste ndonjë bela për shkak të duasë. Disa të tjerë ngritën zërin dhe thanë  se vazhdimi I bërjes së duasë së Kunutit për më shumë se një muaj është kundër Sunetit profetik, sepse Pejgamberi (a.s) nuk e ka bërë duanë e Kunutit për më shumë se një muaj, se imamët që vazhdojnë të bëjnë duanë e Kunutit  janë në kundërshtim me Sunetin dhe Sheriatin e lartësuar, se ata janë të ndikuar pas emocioneve të tyre të cilat nuk janë të frenuara me freun e Sheriatit, dhe se feja nuk është me dëshira e emocione, por me tekst dhe athar (transmetim prej të parëve)!!

Kunuti në rastet e fatkeqësisë dhe ngjarja e vrasjes së shtatëdhjetë lexuesve të Kuranit

Hadithi i Kunutit për një muaj rresht transmetohet te Buhariu, Muslimi dhe të tjerë prej dijetarëve të Sunenit, lidhur me ngjarjen e vrasjes së shtatëdhjetë lexuesve të Kuranit.  Në Sahihun e Muslimit citohet se i Dërguari i Allahut (a.s) “Bëri dua në Kunut për një muaj pas rukusë në namazin e sabahut, duke u lutur kundër fisit Beni Asije”. Ndërsa te Buhariu thuhet: “Kunuti ka qenë në namazin e akshamit dhe të sabahut”.

Në një transmetim tjetër të Ebu Daudit dhe Nesaiut, thuhet: “E kanë pyetur Enesin: “A ka bërë Kunut i Dërguari i Allahut (a.s) në namazin e sabahut?” Ai tha: “Po”. Atij iu tha: “Para rukusë apo pas rukusë?” Ai u përgjigj: “Pas rukusë” Në një transmetim tjetër: “Se Pejgamberi (a.s) bëri Kunut një muaj, e më pas e la atë”. Dhe në një tjetër të Nesaiut, thuhet: “Bëri Kunut një muaj duke mallkuar (fiset) Riil, Dhekuan dhe Lihjan”.

Në një transmetim tjetër të tij: “Se i Dërguari i Allahut (a.s) bëri Kunut një muaj, duke u lutur kundër një fisi prej fiseve arabe”.

Këto janë përmbledhja e transmetimeve që përmendin se Pejgamberi ka bërë Kunut për një muaj e pastaj e la atë. Por, a është shtimi mbi një muaj në kundërshtim me Sunetin?

Në lidhje me këtë temë, pyetja që duhet të parashtrojmë është kjo: A është përcaktimi i muajit një adhurim që duhet të ndalemi te kufinjtë e tekstit? Që do të thotë, kush bën Kunut, duhet ta bëjë atë për një muaj, duke mos shtuar e as pakësuar? Apo muaji është kufiri i mjaftueshmërisë, kështu që myslimanët kanë të drejtë të bëjnë Kunut në një masë që nuk i kalon një muaj?

Apo muaji apo çdo kohëzgjatje tjetër nuk është e qëllimtë në vetvete, por Kunuti lidhet me vetë fatkeqësinë; nëse fatkeqësia vazhdon, vazhdon edhe Kunuti, kurse nëse fatkeqësia largohet, ndalet edhe Kunuti, pa marrë parasysh kohëzgjatjen?

Parimi bazë në këtë çështje është se Kunuti është legjitimuar vetëm për shkak të ndodhjes së fatkeqësisë, ai është i lidhur me të; ai duhet bërë në rastin kur fatkeqësia është prezente dhe lihet kur ajo merr fund. Këtë e mbështet ajo që transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra, se Pejgamberi (a.s) bënte Kunut pas rukusë në namazin e tij për një muaj, kur thoshte: “Semi’allahu limen hamideh”, dhe thoshte në Kunutin e tij: “O Allah, shpëto Velid ibn el-Velid! O Allah, shpëto Seleme ibn Hishamin! O Allah, shpëto Ajash ibn Ebi Rebia! O Allah, shpëto të dobëtit e myslimanëve! O Allah, shtrëngo dorën Tënde ndaj fisit Mudar! O Allah, bëji ato vite për ta si vitet e Jusufit!”. Ebu Hurejra tha: “Pastaj e pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke e lënë duanë më pas.

Prandaj, ajo dua për ta ishte bërë me qëllim të shpëtimit nga duart e jobesimtarëve; dhe pasi ata u shpëtuan prej tyre dhe erdhën në Medine, nuk mbeti më ndonjë nevojë për të bërë dua për ta në atë mënyrë. Ndërsa sa i përket duasë kundër jobesimtarëve, disa prej tyre pranuan Islamin e të tjerë vdiqën, kështu që nuk mbeti më as për këtë ndonjë nevojë.

Ibn Hibani pasi transmetoi hadithin, tha: “Në këtë transmetim ka tregues të qartë se Kunuti bëhet në namaze vetëm kur ndodh ndonjë ngjarje (fatkeqësi) … prandaj, nëse mungojnë rrethana të tilla, nuk bëhet Kunut. Për shkak se i Dërguari i Allahut (a.s) e ka barë duanë e Kunutit kundër idhujtarëve dhe lutej për shpëtimin e myslimanëve, derisa një ditë e la atë. Ebu Hurejra e pyeti se përse e la atë, e ai (a.s)iu përgjigj: “A nuk i shikon se ata kanë ardhur?”

Lidhja midis Kunutit dhe fatkeqësisë

Imam Ibn el-Kajimi (r.h) e lidh bërjen e duasë së Kunutit me fatkeqësinë duke thënë: “Ai (a.s) e ka bërë duanë e Kunutit vetëm gjatë fatkeqësive. Ai (a.s) u lut në Kunut kundër një populli tjetër, e më pas e la atë kur erdhën ata për të cilët ishte lutur dhe u shpëtuan nga robëria, si dhe kur pranuan Islamin ata kundër të cilëve ishte lutur dhe erdhën të penduar. Kështu, duaja e Kunutit ishte për një shkak të përkohshëm; e kur ai shkak u largua, ai e la Kunutin.”[1]

Në lidhje me duanë e Kunutit në rast fakteqësie, Imam Ibn Tejmije (r.h) ka thënë: “Me atë që përmendëm u bë e qartë se duaja e Kunutit bëhet gjatë fatkeqësive dhe se duaja në Kunut nuk është diçka e caktuar tekstualisht, e as nuk lutet njeriu me çfarë t’i vijë në mendje, por lutet me dua të ligjësuara që i përshtaten shkakut të Kunutit.”[2]

Gjithashtu, lejueshmëria e bërjes së Kunutit për më shumë se një muaj për aq kohë sa fatkeqësia mbetet prezente, është fetva e shumë institucioneve të fetvasë, në krye të të cilave është Komisioni i Përhershëm për Kërkime Shkencore dhe Fetva në Mbretërinë e Arabisë Saudite, nën kryesimin e Shejh Bin Bazit (r.h) ku i është drejtuar pyetja: A është e lejueshme të bëhet duaja e Kunutit për fatkeqësinë që ka rënë gjatë pesë namazeve për një periudhë më të gjatë se një muaj? Ai është përgjigjur: “Një veprimi i tillë është i lejuar për më shumë se një muaj, duke pasur parasysh gjendjen e fatkeqësisë në ashpërsinë dhe vazhdimësinë e saj.”

Autor: Mes’ud Sabri

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – “Zadul Mead”.

[2] – “Mexhmu-ul Fetava”.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *