Në ndihmë të nevojtarëve
Egjipti në kohën e Faraonit Ramsis shtrihej në një territor shumë të gjerë, gjë e cila ia vështirësonte udhëtimin Musait (a.s.). Përveç Egjiptit të sotëm, territoret e Faraonit shtriheshin edhe në Sirinë dhe Libanin e sotëm. Vendi i vetëm ku Musai (a.s.) mund të gjente strehë dhe të ndihej i sigurt nga Faraoni, ishte në Medjen.
Rruga për në Medjen ishte shumë e vështirë, pasi i duhej të përshkonte shkretëtira të tëra, nën diellin përvëlues. Distanca nga Egjipti për në Medjen është njëmijë kilometra dhe Musai (a.s.) e përshkoi për tetë ditë.
Ishte hera e parë për Musain (a.s.) që ndahej nga Egjipti dhe udhëtonte kaq shumë.
Me fjalët: “Teksa drejtohej nga Medjeni”, duket qartë që Musai (a.s.) e kishte përcaktuar më parë destinacionin e tij, Medjenin. Ai zgjodhi Medjenin, pasi ky vend ishte jashtë dominimit të Faraonit. Duke mos e ditur rrugën, Musai (a.s.) u lut: “Ai tha: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!”[1]
Edhe pse e njihte mirë astronominë, ai e kishte të vështirë të përshkonte gjithë atë distancë në shkretëtirë. Për këtë, ai e luste Zotin që ta udhëzonte dhe orientonte të ndiqte rrugën e duhur për në Medjen. Ai po largohej nga Egjipti për shkak se qëndroi përkrah të shtypurve dhe të vobektëve. Ishte pikërisht kjo vlerë ajo që e përgatiti që të zgjidhej nga Zoti si profet, madje edhe t’i flasë pa ndërmjetës.
Për njeriun nuk ka gjë më të vështirë sesa të braktisësh vendin tënd befasisht. Edhe për Musanë (a.s), nuk ishte e vështirë se po largohej nga Egjipti, por sepse po largohej befas. Ai gjer atë ditë ishte thirrur princi Musa, kurse sot njihej si Musai i përndjekur. Ai e braktisi Egjiptin që të shpëtonte jetën dhe kjo sepse i erdhi në ndihmë një të vobekti. Të lësh vendin befasisht, do të thotë që të mos kesh me vete ushqim, ujë, kafshë udhëtimi, kallauz, shok e miq, nuk përshëndetesh dhe nuk ndahesh me njerëzit e dashur si nëna, vëllai e motrat. Ai nuk arriti të ndahej as me nënën e tij birësuese, Asijen. Njëmijë kilometra Musai (a.s.) i përshkoi në këmbë, i paushqyer dhe i paveshur mirë. Nga kjo ditë, udhëtimet bëhen pjesë të jetës së profetit Musa (a.s.).
Që gjatë përgatitjes së këtyre temave, zemra ime është lidhur shumë ngushtë me profetin Musa (a.s.). Unë e ndjej që e dua me gjithë zemër këtë profet. Gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës, ai nuk do të gjejë karar në asnjë vend. Ai do të qëndrojë në Medjen dhjetë vjet. Do të kthehet sërish në Egjipt, ku do të qëndrojë pesëmbëdhjetë vjet. Nga Egjipti do të largohet përsëri për në Sina, Jordani dhe në kufijtë e Palestinës. Më pas do të humbasë bashkë me popullin e tij në shkretëtirën e Sinasë, ku edhe do të vdesë. Ai do të kalojë shtatëdhjetë vjet i pastabilizuar në një vend, me qëllim që t’ju vijë në ndihmë të vobektëve. Ky ishte kontributi dhe sakrifica e Musait (a.s.) për të vobektët e popullit të tij. Po ti o vëlla dhe oj motër, çfarë keni bërë për të vobektët e popullit tuaj?
Kjo sakrificë e Musait (a.s.) e bëri që të meritojë gradën e profecisë dhe t’i flasë Zoti direkt pa ndërmjetës.
Situata në Egjipt
Ndërkohë që Musai (a.s.) udhëtonte për në Medjen, Faraoni kishte kthyer gjithçka përmbys në kërkim të Musait (a.s.). Fakti që kishte therur njëmijë foshnja për shkak të Musait dhe fakti që e kishte ushqyer dhe arsimuar në pallat, gati sa nuk po e çmendnin Faraonin. Ai kishte dhënë urdhra të prera që Musai (a.s.) të gjendej i gjallë apo i vdekur. Nëse kishte shpëtuar nga vdekja para tridhjetë viteve, tanimë do të përballej me fatin e tij fatal. Ushtarët e Faraonit kishin përmbysur të gjitha shtëpitë e çifutëve, në kërkim të Musait. Vendi i vetëm që nuk kërkuan ishte në shkretëtirë jashtë Egjiptit. Kjo, sepse kushdo që hynte në shkretëtirë pa ushqim të mjaftueshëm dhe pa kafshë udhëtimi, fati i tij ishte vdekja e sigurt.
Vallë çfarë mendonte Musai (a.s.) teksa vazhdonte rrugëtimin e tij të gjatë? Ku vajti misioni im o Zot? Përse më ndodhi kjo gjëmë?
Ai nuk e dinte se diçka e tillë ishte pjesë e planit përgatitor për ta çuar në vend dhe për ta përmbushur mesazhin të cilin ia ngarkon Zoti. Që ta meritosh misionin hyjnor dhe të të flasë Zoti pa ndërmjetës, duhet të durosh vuajtjet dhe vështirësitë. Përmbushja e mesazhin kërkon fizik dhe shpirt të fortë, gjë e cila arrihet me sakrifica, lodhje dhe mundime. Të gjithë mundimet që i ndodhnin Musait (a.s.), ishin brenda asaj që deklaron Zoti në Kuran: “Unë të kam zgjedhur ty për Vete.”[2]
Gjithçka që i ndodh Musait (a.s.) gjatë kësaj kohe, ishte si përgatitje për misionin që e priste. Një aksiomë thotë: “Shpeshherë, Zoti të jep që të të privojë nga diçka. Ashtu siç të privon nga diçka, për të të dhënë diçka tjetër”.
Nëse je në rrugë të drejtë, nëse u ofron ndihmë dhe përkrahje njerëzve të vobektë dhe hallexhinj, nëse përpiqesh me sa mundësi ke, që të bësh mirë dhe sprovohesh e përballesh me vështirësi, dije se kjo është nga përkujdesi i Zotit për ty. Kushdo që ecën në rrugën e Zotit dhe punon për të mirën, Ai e përball me vështirësi dhe sprova. Nëse bën vepra të mira dhe u vjen në ndihmë hallexhinjve, mos kij frikë se je nën përkujdesjen e Zotit.
Musai (a.s.) gjatë rrugës për në Medjen
Musai (a.s.) vazhdoi rrugën për në Medjen për tetë ditë rresht. Ai ishte i kërcënuar me jetën dhe peshën e kësaj e ndjente gjatë gjithë rrugës. Ishte hera e dytë që jeta e tij ishte e kërcënuar. Herën e parë ishte foshnje dhe nuk e mbante mend. Kurse këtë herë po e shihte me sytë e tij. Me këtë, sikur Zoti i thoshte: “O Musa! Ashtu siç shpëtove në rastin e parë, do të shpëtosh edhe këtë herë. O Musa! Jeta jote dhe e të gjithë njerëzve është në duart e Mia.”
Jeta dhe risku jot janë në dorën e Zotit, prandaj mos kij frikë askënd. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Shpirti i shenjtë (Xhibrili a.s.) më ka thënë se asnjë frymor nuk do të vdesë derisa të shpenzojë të gjithë jetën dhe riskun e tij.”
Nuk ka përse të shqetësoheni për jetën dhe riskun tuaj, pasi janë të garantuara nga Zoti. Ajo për të cilën duhet të shqetësoheni është si t’u vijmë në ndihmë hallexhinjve dhe nevojtarëve.
Siç tregon edhe Abdulla ibn Abasi, gjatë rrugës së gjatë, Musait (a.s.) iu bashkua barku me shpinën nga uria. Ai ushqehej me gjethe pemësh dhe ç’të gjente. Ai fjeti përtokë, në një vend të mbushur me akrepa helmues. Nga rruga e gjatë, iu prishën këpucët. Ai e vazhdoi udhëtimin pa këpucë, gjë e cila ia gjakosi këmbët.
Të njëjtën gjë bëri edhe profeti Muhamed (a.s.) kur iu shpall Kurani. Ai udhëtoi me qindra kilometra për të përçuar fenë e Zotit tek fiset arabe. Atij iu gjakosën këmbët nga udhëtimi, provoi urinë, frikën dhe pasigurinë.
Thotë profeti Muhamed (a.s.): “Njeriu do të sprovohet sipas besimit. Nëse e ka besimin të fortë, sprovat do të jenë më të rënda.”
Dikush e pyeti: “Cilët janë njerëzit që sprovohen më shumë, o i dërguar i Allahut?”
Profeti (a.s.) u përgjigj: “Profetët , pastaj ata që vijnë pas tyre.”
Nëse je në rrugë të drejtë dhe përballesh me sprova, dije se je në rrugën e profetëve, je në gjurmët e profetit Musa (a.s.), je në rrugën që të çon në xhenet.
Nëse je në rrugë të mbarë dhe sprovohesh, unë të bëj thirrje që të tregohesh i duruar, ashtu siç duroi profeti Musa (a.s.). Zoti thotë në Kuran: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”[3] (Zumer, 10)
Intimiteti me Zotin
Gjatë gjithë udhëtimit për në Medjen, Musai (a.s.) përjetoi një periudhë intimiteti me Zotin e tij. Nëse ke Zotin me vete, nuk mund të konsiderohesh kurrë i vetëm. Intimiteti me Zotin, është një ndër adhurimet më të bukura. Unë i bëj thirrje çdo myslimani që ta shijojë këtë adhurim. Ai mund të praktikohet edhe në shtëpi me njerëzit e tjerë. Në vend që të dëgjosh thashethemet dhe bisedat e tyre të kota, në vend që të qëndrosh dy tre orë para televizorit, në vend që të luash me lojra në kompjuter, shko në dhomën tjetër dhe fal dy rekate. Në çastin kur thua: “Të gjitha falënderimet i përkasin Zotit të botëve!”, Zoti thotë: “Më falënderoi robi Im!” Kur thua: “I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti”, Zoti thotë: “Më lavdëroi robi Im!” Kur lexon: “Sundues i Ditës së Gjykimit”, Zoti thotë: “Më lartësoi robi Im!” Kur lexon: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”, Zoti thotë: “Kjo është mes Meje dhe robit Tim. Robit Tim do t’i jepet ajo që kërkon.”
Sa herë që Omer ibn Abdulazizi lexonte suren Fatiha, pas çdo ajeti bënte një pauzë të shkurtër. Kur dikush e pyeti mbi këtë, u përgjigj: “Dua të ndjej kënaqësinë që më fal përgjigja e Zotit tim.”
Kulmi i intimitetit me Zotin është kur e përkujtojmë Atë në çdo gjendje. Zoti thotë në Kuran: “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime).”[4]
Në një hadith kudsij, Zoti thotë: “Unë jam pranë robit Tim, për aq kohë sa ai më përkujton me gojë”. Nëse në këto çaste thua: “La ilahe il-laAllah”, dije se edhe Zoti të kujton duke përmendur emrin tënd.
Musai (a.s.) në Medjen
Musai (a.s.) e përshkoi distancën mes Egjiptit dhe Medjenit për tetë ditë. Ditën e tetë, ai filloi të dallojë nga larg pemët e Medjenit. Ai e shihte të realizuar lutjen që i kishte bërë Zotit kur mori arratinë: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!”[5]
Për herë të parë, Musai (a.s.) u ndal pranë një burimi uji në Medjen. Ky burim ekziston edhe sot e kësaj dite. Nuk është rastësi që Zoti e përmend këtë burim edhe në Kuran. Në librin e Zotit nuk përmenden veçse gjëra që kanë domethënie. Për t’i nxjerrë xhevahiret e Kuranit dhe për të përfituar sa më shumë prej këtij libri, duhet ta lexojmë dhe ta studiojmë me imtësi.
Burimi i ujit ndodhet në rrethin Kerek, në Medjen të Jordanisë. Pranë burimit të ujit, sot ndodhet një tabelë e madhe ku shkruhet ajeti: “Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz të cilët u jepnin ujë kafshëve”[6]
Tek burimi i ujit, Musai (a.s.) do të na demonstrojë edhe njëherë dëshirën dhe pasionin që kishte për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të vobektë dhe pa përkrahje. Ai u arratis nga Egjipti, për shkak se u ofroi ndihmë dhe përkrahje njerëzve të shtypur. Udhëtoi tetë ditë derisa arriti në Medjen, sepse u gjendej njerëzve pa përkrahje. Dhe tani do të ndihmojë sërish dy vajza për t’u dhënë deleve ujë. Nëse do të lexonim CV-në e profetit Musa (a.s.), tek përvoja dhe qëllimi i jetës, do të gjenim të shkruar me shkronja të mëdha: “Përkrahës i njerëzve të shtypur”. Ishte pikërisht kjo vlerë ajo që ia lehtësoi rrugën për t’u bërë më pas profet i Zotit. Nëse dëshiron të kesh peshë tek Zoti, qëndroju pranë hallexhinjve dhe njerëzve të vuajtur.
Medjeni, ishte vendi ku banonte Shuajbi. Ai ishte një nga profetët e Zotit dhe ishte bashkëkohës i profetit Lut (a.s.). Banorët e Medjenit e kishin refuzuar ftesën për besim të profetit Shuajb. Këtë e përmend Zoti në Kuran ku thotë: “Popullit të Medjenit Ne i dërguam vëllain e tyre, Shuajbin, i cili u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj, prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në tokë, pasi të jetë vënë rregulli në të. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë!”[7]
Ata jetonin në tokë pjellore dhe ishin zhvilluar. Edhe pse kishin jetesë të mirë, ata bënin hile në peshore. Zoti dërgoi tek ky popull profetin Shuajb, i cili i ftoi në besim të një Zoti të vetëm, u bëri thirrje të distancohen nga hilet në peshore etj… por ata refuzuan. Duke parë këmbënguljen e tyre në rrugë të gabuar, Zoti i ndëshkoi. Zoti thotë në Kuran: “Ata vazhduan të mos e besojnë, prandaj i goditi dënimi i Ditës së Errësirës. Njëmend, ky ishte dënimi i një dite të madhe.”[8]
Edhe sot e kësaj dite dallohen disa mbetje të shtëpive, që ishin ngritur në kodrat përreth. Ato u shkatërruan nga një tërmet i fuqishëm, si pasojë e padrejtësive që bënin.
Vendosja e Musait (a.s.) pikërisht në këtë vend nuk ishte e rastësishme. Musai (a.s.) dhe populli i tij vuanin nga shtypja dhe dhuna e Faraonit. Ai ishte arratisur nga Egjipti, ndërkohë që Faraoni, shtypësi dhe dhunuesi, jetonte i qetë në pallatet e tij. Duke u vendosur Musai (a.s.) në Medjen, vend të cilin Zoti e kishte shkatërruar më parë, sikur i thuhej: “O Musa! Zoti yt është i dhembshur dhe i dashur. Ai u jep afat zullumqarëve që të pendohen dhe t’i kthehen Atij, por nëse insistojnë në të keqen e tyre, Zoti i ndëshkon rëndë.”
Duke jetuar në Medjen, Musai (a.s.) do të mësonte mbi atë që i kishte ndodhur popullit të Shuajbit, kur insistuan në paudhësitë e tyre. Zoti thotë në Kuran: “I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.”[9] Musai (a.s.) duhej të vinte në këtë vend dhe të shihte ndëshkimin e një populli që insistoi në zullume dhe padrejtësi. Me këtë, Zoti i jepte një mësim praktik Musait (a.s.).
Përse pikërisht tek pusi?
Përse duhej që Musai (a.s.) të ndalonte pikërisht tek pusi i Medjenit? Përse të mos ndalonte tek një vend tjetër, tek tregu p.sh, apo te qendra e qytetit?
Asokohe, ishte bërë zakon që çdo i huaj që kishte nevojë për ndihmë dhe për dikë që ta strehonte, duhej të ndalonte tek pusi ku njerëzit furnizoheshin me ujë. Kjo, pasi aty mblidheshin të gjithë njerëzit dhe ishte mundësia e vetme ku udhëtari mund të gjente strehim dhe ushqim. Kështu, Musai (a.s.) vajti tek pusi me qëllim që të shuante etjen, e cila kishte zgjatur për tetë ditë, dhe njëkohësisht për të gjetur dikë që ta strehonte dhe ta ushqente. Çastin e mbërritjes tek pusi, Zoti e përshkruan në Kuran: “Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak.”[10]
Kur arriti tek burimi i ujit, i cili ndodhej brenda një shpelle, Musai (a.s.) gjeti shumë njerëz. Disa prej tyre mbanin ujë me kova dhe u jepnin bagëtive, disa të tjerë shuanin etjen, disa e mbartnin në shpinë etj… Një numër kaq i madh njerëzish ishte një ogur i mirë për Musanë, pasi mes tyre do të dilte dikush që ta mirëpriste në shtëpi dhe ta ushqente.
Veç njerëzve të shumtë, Musai (a.s.) dalloi mënjanë edhe dy vajza me bagëtitë e tyre, të cilat përpiqeshin t’i mbanin larg njerëzve. Edhe pse dukej se atyre po u bëhej padrejtësi, Musai (a.s.) nuk ndërhyri. Tashmë ai kishte marrë dy mësime praktike dhe u tregua i matur. Herën e parë, ai kishte ndërhyrë në një shamatë dhe si pasojë një egjiptian kishte mbetur i vdekur. Herën e dytë, ai u mendoi dhe kur u mat të ndërhynte në një shamatë tjetër, ndodhi që u demaskua dhe u detyrua të braktisë Egjiptin. Tashmë ishte hera e tretë që konstatonte një padrejtësi, por këtë herë u tregua i matur. Fillimisht, ai e studioi situatën dhe vetëm pasi të sigurohej do të ndërhynte.
Në të gjithë historinë e Musait (a.s.), vihet re përkujdesja hyjnore, e cila e mëson dhe e orienton në çdo hap. Zoti e mësoi Musanë (a.s.) që edhe kur të vepronte diçka të mirë, më parë duhej të sigurohej dhe ta studionte situatën. Nëse kjo maturi është e kërkuar për t’i ardhur në ndihmë dikujt dhe për të vepruar një vepër të mirë, çfarë mendoni për diçka të ligë. Me këto fjalë, unë u bëj thirrje të rinjve dhe të rejave tona, që të mos bien viktima të shoqërisë, duke vajtur pas tyre në harame, pa u menduar dhe pa u siguruar. Mos ia dorëzoni arsyen dhe shpirtin shejtanit! Mos ia dorëzo veten një shoku/shoqeje të ligë! Më parë studiojeni situatën dhe pastaj vendosni!
I fisëm edhe pse i uritur dhe i etur
Nga një studim i shpejtë i situatës, Musai (a.s.) vuri re se ai që mbushte ujë i pari, ishte më i fuqishmi dhe më i forti ndër të gjithë njerëzit. Pra, ishte logjika e më të fortit. Më e keqja ishte se pasi më të fortit të mbaronin punë, uji fillonte të shteronte dhe ai që mbetej turbullohej. Kështu, ai që pinte dhe mbushte në fillim, e merrte ujin të kulluar. Kurse ata që vinin më pas, detyroheshin të merrnin ujë të turbullt. Ata që do të plotësonin nevojat e tyre për ujë në fund, ishin dy vajzat me delet e tyre.
Musai (a.s.) konstatoi se këta njerëz udhëhiqeshin nga logjika e më të fortit dhe jo nga dhembshuria dhe respekti për më të dobëtit. Vallë, a ndodh diçka e tillë edhe në shoqëritë tona? Nëse po, ti cilës kategorie i përket, asaj që vepron sipas logjikës së më të fortit, apo asaj të dhembshurisë dhe mëshirës për më të dobëtin? A ke zgjedhur të jesh si Musai (a.s.), apo ke zgjedhur të jesh si kategoria tjetër? A ke zgjedhur të jesh si Musai (a.s.) që u bë profet me të cilin Zoti komunikonte direkt dhe pa ndërmjetës, apo si ata që nuk përmenden askund në histori? Vendi ku ndodhet burimi i Medjenit, është simbol i linjës ndarëse mes atyre që udhëhiqen nga logjika e forcës dhe atyre që udhëhiqen nga logjika e mëshirës dhe dhembshurisë.
Ata që vepronin sipas logjikës së forcës dhe mbushnin ujë të parët, nuk i përmend historia, janë harruar. Kurse Musait (a.s.), i cili u gjendej të varfërve dhe hallexhinjve, nuk i harrohet emri. Madje, ai u shpërblye duke u bërë profet dhe duke i folur Zoti direkt, pa ndërmjetës.
Shfrytëzimi i ujit të burimit ishte i tillë, që fillimisht pinte më i forti. Pasi pinte vetë, ai mbushte ujë për familjarët e tij dhe në fund u jepte bagëtive të tij të pinë. Pas tij e kishte radhën personi tjetër më i fortë. Kështu, dy vajzave do u vinte radha në fund fare, pasi të ishte turbulluar uji.
Musai (a.s.) kishte ardhur tek ky pus për të gjetur dikë që ta strehonte në shtëpi dhe ta ushqente. Që dy vajzat mund ta strehonin në shtëpinë e tyre, as nuk i shkonte ndërmend Musait (a.s.). Edhe pse nuk kishte asnjë interes të ndihmonte dy vajzat, fisnikëria dhe karakteri i tij e detyruan t’i ndihmonte. Edhe pse këmbët i kishte gjithë gjak, edhe pse barku i ishte bashkuar me shpinën nga uria, edhe pse ndihej i kërcënuar në çdo vend nga faraoni, ai nuk e harroi parimin e tij: Do të ndihmoj këdo që ka nevojë për ndihmë. Të gjithë veprat e mëparshme të Musait (a.s.), silleshin në ndihmën që u ofronte hallexhinjve dhe nevojtarëve. Është e çuditshme, por të njëjtin karakter kishte dhe profeti Muhamed (a.s.). Natën e parë që Profetit (a.s.) iu shfaq Xhibrili (a.s.), gruaja e tij Hatixhja e qetësoi me fjalët: “Jo për Zotin! Ty nuk të lë në baltë kurrë Zoti! Ti shkon mirë me farefisin, nderon mikun, ndihmon ata që janë në fatkeqësi, u gjendesh njerëzve të vobektë dhe hallexhinjve…”
Ajo që i bashkon të gjithë profetët është se u gjendeshin hallexhinjve dhe nevojtarëve. Nëse dëshiron të ecësh në gjurmët e profetëve, nëse dëshiron të jesh sa më pranë tyre, nëse dëshiron të jesh i dashuri i tyre, atëherë ndihmoji njerëzit pa përkrahje dhe hallexhinj. Ajo që ia përgatiti rrugën profetit Musa (a.s.) që të bëhej profet, është pikërisht fakti se u gjendej njerëzve të dobët. Ajo që ia përgatiti rrugën profetit Muhamed (a.s.) të bëhej profet dhe i dërguar i Allahut, është pikërisht ndihma që u ofronte njerëzve në hall dhe në nevojë.
Nëse do të ishe në vendin e Musait, të kishe udhëtuar për tetë ditë, me këmbë të gjakosura, i uritur, i etur dhe i rraskapitur, vallë si do të veproje? Dikush do të kishte çarë radhën dhe do ishte hedhur në mes të burimit duke shuar etjen. Dikush tjetër mund të shtrihej pranë njerëzve, me shpresë se dikush do i zgjaste dorën dhe do e merrte në shtëpi. Dikush mund të shtrihej dhe të pushonte në hijen e një peme. Dikush tjetër mund t’i drejtohej ndonjërit që priste të mbushte ujë dhe t’i kërkonte ta strehonte dhe ta ushqente. Kurse hazreti Musa (a.s.) nuk bëri asnjërën nga këto. Në çfarëdo kushtesh të ishte, Musai (a.s.) do u vinte në ndihmë nevojtarëve dhe hallexhinjve. Ky ishte një parim, i cili nuk pranonte lëshime.
Ai vajti tek dy vajzat që qëndronin mënjanë dhe i pyeti: “Si e keni hallin ju?” Ai kishte nxjerrë mësim nga dy ndodhitë e mëparshme dhe fillimisht mblidhte informacion, para se të ndërhynte. Dy vajzat u përgjigjën: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak.”[11]
Dy vajzat e justifikuan ardhjen në atë vend për t’u dhënë ujë deleve, me faktin se babai i tyre ishte i shtyrë në moshë dhe i pamundur. Kur u sigurua për këtë, Musai (a.s.) ndërhyri menjëherë. Zoti thotë në Kuran: “Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre…”[12]
Musai (a.s.) e harroi fare hallin e tij, madje as që piu ujë për vete. Thotë Ibn Abasi: “Musai harroi të pijë ujë dhe të shuajë etjen.” Me një vetëmohim të tillë Musai (a.s.) e fitoi gradën që të bisedojë me Zotin direkt dhe pa ndërmjetës.
Po ti o vëlla dhe oj motër, a i ndihmoni nevojtarët? A jeni përkrahës të tyre? Çfarë keni vepruar diçka të mirë që të meritoni xhenetin? Sa jetimë keni përkrahur dhe ndihmuar? Sa të vobektë i keni ushqyer dhe veshur? Sa gra të veja keni ndihmuar? Sa fëmijë rrugësh keni ushqyer?
Në një transmetim tjetër, thuhet se burimi ku pinin ujë njerëzit ndodhej brenda një shpelle. Njerëzit që prisnin në radhë, kur panë Musanë gjithë muskuj që kishte marrë kovat e dy vajzave dhe ishte nisur për tek burimi, morën një shkëmb të madh dhe e bllokuan derën e shpellës që të çonte tek burimi. Shkëmbi ishte aq i madh, saqë dhjetë burra mezi e lëvizën dhe bllokuan hyrjen.
Simpatia e profetit Muhamed (a.s.) për Musanë (a.s.)
Vlen të përmendet se profeti Muhamed (a.s.) ishte shumë i lidhur me profetin Musa (a.s.). Të dy profetët janë takuar gjatë udhëtimit të profetit Muhamed (a.s.) në Miraxh. Pas profetit Ibrahim, profeti Musa (a.s.) është profeti më i afërt me profetin Muhamed (a.s.). Këtë e vërteton vetë fakti se një e treta e Kuranit trajton historinë e historinë e Musait (a.s.). Veç kësaj, profeti Musa (a.s.) ka vuajtur njëlloj si profeti Muhamed (a.s.).
Për këtë, sa herë që Profeti (a.s.) përballej me ashpërsinë e njerëzve thoshte: “Zoti e mëshiroftë vëllain tim Musanë! Ai është përballur me sjellje edhe më të këqija, megjithatë i përballonte me durim.”
Edhe ne duhet ta duam shumë profetin Musa (a.s.), ashtu siç duam profetin Muhamed (a.s.). “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!”[13]
Profeti (a.s.) tregon se gjatë udhëtimit në Miraxh, u takua edhe me profetin Musa (a.s.). Ai thotë: “Kur u takova me Musain (a.s.), më tha:”Mirë se vjen o profet dhe vëlla i mirë.”
Këto fjalë janë thirrje për të gjithë çifutët që ta hedhin mënjanë racizmin e tyre të verbër. Ata duhet të sensibilizohen dhe ndërgjegjësohen për simpatinë që ndjente profeti ynë Muhamedi (a.s.), për profetin Musa (a.s.).
Profeti Muhamed (a.s.) e përshkruan profetin Musa (a.s.) me të cilin u takua në qiellin e gjashtë dhe thotë: “U takova me Musain (a.s.), i cili ishte shumë i gjatë, gjithë muskuj dhe me flokë kaçurrela.”
Musai (a.s.) heq shkëmbin i vetëm
Musai (a.s.) vajti dhe i vetëm e hoqi shkëmbin nga hyrja e burimit. Duke parë këtë, njëra nga vajzat e këshillojë më pas të atin me fjalët: “O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim.”[14]
Musai (a.s.) i vinte muskujt e tij të fuqishëm në shërbim të njerëzve të pafuqishëm dhe pa përkrahje. Të gjithë ata të rinj që merren me sport dhe forcimin e muskujve, duhet që këtë të mos e bëjnë që të fitojnë simpatinë e vajzave. Kurrë mos e përdor bukurinë fizike dhe trupin tënd sportiv për të qenë superior ndaj të tjerëve. Kurrë mos ia lejo vetes të mbash thikë, apo çfarëdo lloj arme tjetër. Fuqinë tënde fizike ruaje dhe përdore vetëm në ndihmë të fukarenjve dhe njerëzve pa përkrahje. Mësoje diçka të tillë nga Musai (a.s.) dhe praktikoje në jetë!
Menjëherë pasi të lexosh këtë temë, shko dhe ndihmo një person që është në nevojë! Do të shohësh që njerëz të tillë të rrethojnë nga të katër anët. Ata mund t’i kesh edhe brenda në shtëpi. Ai person në nevojë mund të jetë nëna jote, mund të jetë gruaja jote ose vajza jote. Të ndihmosh njerëzit në nevojë dhe në hall, është rruga e profetëve dhe është rruga që të çon në Xhenet.
Është e çuditshme, por burimi për të cilin bëhet fjalë, ekziston sot e kësaj dite dhe prej tij furnizohen banorët e qytetit Kerek në Jordani.
Dikush mund të thotë se Musai (a.s.) nuk bëri ndonjë vepër të madhe që të meritonte një nder kaq të madh. Ai thjesht ndihmoi dy vajza që t’u jepnin ujë deleve të tyre.
Por Zoti e vlerëson veprën e mirë, sado e vogël qoftë ajo. Ai që e mund nefsin e tij dhe u bëhet krah njerëzve të dobët, edhe pse me vepra të vogla, Zoti e ndihmon që të jetë i qëndrueshëm edhe në sprova të mëdha. Me atë që bëri, Musai (a.s.) u shndërrua në simbol të përkrahjes së njerëzve në nevojë. Ai është heroi më i madh që e refuzoi dhunën dhe shtypjen, në të gjithë historinë njerëzore.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Që dikush të ecë për të zgjidhur hallin e vëllait të tij, është më mirë për të se të mbyllet në xhaminë time dyzet ditë për itikaf.”
Shko në fshatin apo lagjen ku punon dhe ndihmo një hallexhi, ofroji ndihmë një nevojtari, ushqe një familje të uritur, largoja brengat një familjeje në nevojë etj…
Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush ia largon një vëllait të tij një brengë nga brengat e kësaj bote, Zoti do ia largojë brengat e botës tjetër”.
“Zoti e ndihmon një njeri, për aq kohë sa ai e ndihmon vëllain e tij”. “Kush ia lehtëson hallet një personi në vështirësi, Zoti do t’ia lehtësojë hallet e kësaj bote dhe të botës tjetër”.
Një nga shokët e profetit Muhamed (a.s.) ka thënë: “Çdo ditë që në derën time nuk troket ndonjë hallexhi dhe person në nevojë, them: “Kjo fatkeqësi më ka ndodhur për shkak të një gjynahu që kam bërë”.
Nëse nuk ke ndonjë person, të cilit t’i ofrosh ndihmë dhe përkrahje, nëse nuk ke ndonjë të varfër, të cilin ta përkrahësh dhe ta ndihmosh, dije se je i privuar nga e mira e Zotit dhe se gjynahet i ke të shumta.
Ne sot kemi nevojë ta njohim në detaje historinë e profetit Musa (a.s.). Ne kemi nevojë që ta kemi shembull dhe model për të ndihmuar nevojtarët dhe fukarenjtë.
Duke ndihmuar dy vajzat për t’u dhënë ujë deleve, Musai (a.s.) humbi çdo shans që dikush nga të pranishmit tek burimi ta merrte në shtëpi dhe ta ushqente. Veç kësaj, edhe dy vajzat, pasi u dhanë ujë deleve, u larguan në shtëpinë e tyre. Sërish Musai (a.s.) mbeti i vetëm.
Autor: Amër Halid
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Kasas: 22.
[2] – Sure Taha: 41.
[3] – Sure Zumer: 10.
[4] – Sure Bekare: 152.
[5] – Sure Kasas: 22.
[6] – Sure Kasas: 23.
[7] – Sure A’raf: 85.
[8] – Sure Shuara: 189.
[9] – Sure Hud: 102.
[10] – Sure Kasas: 23.
[11] – Sure Kasas: 23.
[12] – Sure Kasas: 24.
[13] – Sure Bekare: 285.
[14] – Sure Kasas: 26.



















