“Ne shkruajmë atë që kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë”: Filozofia e veprave dhe ndikimi i tyre në Islam dhe në gjithësi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Historia e gozhdës dhe e murit: fillimi me pasojat e lëndimit dhe kërkimin e faljes

Djali sillej vazhdimisht keq me shokët dhe fqinjët e tij. I ati dëshironte t’ia frenonte këtë prirje të keqe, ndaj i tha: “Sa herë që i bën keq dikujt, ngul një gozhdë në mur.”

Pas një kohe të shkurtër, djali mbeti i habitur kur pa se muri ishte mbushur me gozhdë. Secila prej tyre përfaqësonte një veprim të keq: mund të ishte një fjalë fyese, një vështrim përçmues apo një lëndim fizik që u kishte shkaktuar njerëzve përreth tij.

Djali e kuptoi përmasën e gabimeve të veta dhe dëshiroi t’i ndreqte ato. Atëherë i ati i tha: “Sa herë që i kërkon falje në mënyrën e duhur dikujt që e ke lënduar, hiq një gozhdë nga muri.”

Kjo metodë rezultoi e suksesshme: djali pushoi së keqtrajtuari të tjerët dhe filloi t’u kërkonte falje pa vonesë. Kështu, hoqi gozhdët njëra pas tjetrës dhe i tregoi të atit me gëzim se ideja kishte funksionuar. Ata shkuan së bashku për të parë murin, i cili tani ishte zbuluar, pasi më parë kishte qenë i mbuluar me gozhdë. I ati u gëzua, por deshi t’ia tërhiqte vëmendjen të birit te një çështje thelbësore dhe i tha: “Ti kërkove falje dhe e hoqe gozhdën nga muri, por gjurmët e saj ende duken. Muri ka nevojë për më shumë riparime që të kthehet në gjendjen e mëparshme.”

Kjo histori, qoftë e vërtetë apo e sajuar, përbën një shembull domethënës të gjurmëve që lënë veprat tona, qofshin të mira apo të këqija, në mendjet dhe shpirtrat tanë, si dhe te njerëzit që na rrethojnë, si miqtë, të afërmit dhe të njohurit tanë, madje edhe në gjithësi.

Kurani na e ka tërhequr vëmendjen te rëndësia e shqyrtimit të kujdesshëm të gjurmëve të veprave tona, përmes ajetit fisnik që trajton shënimin e asaj që njerëzit kanë bërë dhe të gjurmëve që kanë lënë pas. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Ne i ngjallim të vdekurit dhe shënojmë atë që kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë pas. Çdo gjë e kemi regjistruar në një Libër të qartë.”[1]

Fakti që veprat tona shënohen është i njohur për ne, por shënohen edhe gjurmët e tyre. Ibn Ashuri (r.h) thotë: “Sa u përket gjurmëve, ato janë pasojat e veprave dhe jo vetë veprat, siç kuptohet nga fakti që ato përmenden në dallim nga “ajo që kanë bërë”.[2]

Gjurmët e veprave nuk kufizohen vetëm te ata që i kryejnë, por shtrihen edhe në gjithësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Shkatërrimi është shfaqur në tokë dhe në det për shkak të asaj që kanë bërë duart e njerëzve, në mënyrë që Ai t’u bëjë të shijojnë një pjesë të asaj që kanë punuar, me shpresën që të kthehen (nga e keqja).”[3]

Ajo që kanë bërë duart e njerëzve ka ndikuar në tokën ku jetojnë dhe në detin ku lundrojnë disa prej tyre, përmes të cilit udhëtojnë njerëzit dhe transportohen mallrat, dhe i cili është plot me begati, prej të cilave njeriu ka përfituar një pjesë, ndërkohë që në të gjenden ende shumë begati të tjera. Në përgjithësi, për shkak të veprave të këqija të duarve të veta, njeriu është privuar nga mirësitë që Allahu ka vendosur në gjithësi.

Gjurmët e mëshirës së Allahut dhe optimizmi në Kuranin fisnik

Nga adhurimi që shprehet përmes vëzhgimit të gjurmëve të veprave tona, me qëllim përmirësimin e tyre, kalojmë te adhurimi që shprehet përmes vëzhgimit të gjurmëve të mëshirës së Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Shiko, pra, gjurmët e mëshirës së Allahut, se si Ai e ngjall tokën pas vdekjes së saj. Vërtet, Ai është që do t’i ngjallë edhe të vdekurit dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.”[4]

Gjurmët e mëshirës së Allahut shfaqen në mbarë gjithësinë: kur Ai e furnizon atë me begati, e mbron nga shkatërrimi, e shtyn ndëshkimin për t’i dhënë mundësi keqbërësit të përmirësojë veprimet e veta, si dhe kur zbret sprova të shoqëruara me butësinë dhe mëshirën hyjnore.

Ky këndvështrim mbi gjurmët e mëshirës së Allahut ia shton njeriut besimin në fuqinë dhe madhështinë e Tij dhe ia hap krejtësisht dyert e optimizmit. Kjo sepse, sado e madhe të jetë fatkeqësia, mëshira e Allahut të Lartësuar është edhe më e madhe; dhe sado e rëndë të jetë sprova, Allahu i Lartësuar është më i Madh.

Këto të vërteta mund t’i ndiejë vetëm ai që i vështron gjurmët e mëshirës së Allahut. Kështu, ai kthehet te vetja me zemrën të mbushur me mendim të mirë për Allahun e Lartësuar, me bindjen se lehtësimi i Tij, i Madhëruar dhe i Lartësuar, është afër dhe se Ai, i Madhëruari, pas vështirësisë do të sjellë lehtësimin.

A është ndikimi i adhurimeve i madh apo i kufizuar?

Një nga çështjet që i vë në mëdyshje të rinjtë dhe ata që vëzhgojnë gjendjen e njerëzve fetarë, është ndikimi i adhurimeve në sjellje. Kjo ndodh kur dikush sheh një person që kujdeset të falë pesë namazet me xhemat, madje në safin e parë, por që sillet keq me fqinjët dhe në marrëdhëniet e tij financiare nuk shfaq as shkallën më të vogël të asaj që mund të quhet bamirësi apo drejtësi. Madje, marrëdhëniet e tij shoqërore janë të dëmshme dhe helmuese.

Të kuptuarit e kufijve të ndikimit që kanë adhurimet në zemrat e atyre që i kryejnë ato, na çliron nga shumë shqetësime. Disa njerëz i qasen namazit, një adhurim që përsëritet pesë herë në ditë e natë, përveç namazeve vullnetare dhe suneteve të rregullta, vetëm për ta kryer atë, pa pritur që të ketë ndonjë ndikim në zemrën, mendjen, shpirtin apo marrëdhëniet e tyre. Ata thjesht e falin namazin. Prandaj, mos u habit nëse pas përfundimit të namazit, madje ndonjëherë menjëherë pas dhënies së selamit, bien në një shkelje të rëndë të dispozitave fetare. Atëherë pyet veten i habitur: A ishte vallë ky njeri në namaz?!

Po, ai u përkul dhe ra në sexhde, por nuk kishte për qëllim që edhe zemra e tij të përulej dhe gjuha e tij të pastrohej. Synimi i tij ishte thjesht të kryente detyrimin fetar, që të mos e pyeste Allahu i Lartësuar: “Përse nuk u fale?”

Profeti (a.s) na ka tërhequr vëmendjen për shkallët e ndryshme të ndikimit që namazi ka tek ata që falen:

“Njeriu mund ta përfundojë namazin e tij dhe të mos i llogaritet prej tij veçse një e dhjeta, një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta ose gjysma e tij.”[5]

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për të gjitha veprat e mira: ndikimi i tyre mund të jetë i kufizuar, por mund të jetë edhe aq i madh sa ta çrrënjosë të keqen nga themelet. Kjo varet nga cilësia e veprës dhe nga përkushtimi i robit ndaj Zotit të tij, të Madhëruar.

“Një burrë erdhi te Profeti (a.s) dhe i tha: “Filani falet natën, por, kur gdhin, vjedh!” Ai iu përgjigj: “Ajo që thua se bën do ta ndalojë atë (nga vjedhja).”[6]

Ky person falej natën, ndërsa namazi i natës është vullnetar, çka do të thotë se ai ishte i përkushtuar edhe ndaj namazit të detyrueshëm. Megjithatë, ai vidhte. Kjo vjedhje mund të fillojë që nga mashtrimi në matjen e peshën dhe në matje, e deri te marrja e pasurisë së tjetrit pa të drejtë. Në kohën tonë, përveç vjedhjes së pasurisë, mund të shtojmë edhe përvetësimin e mundit dhe punës së të tjerëve.

Pyetja që duhet të shtrojmë është: Si lë namazi gjurmë në zemrën dhe sjelljen e atij që falet?

Namazi lë gjurmët më të mira te njeriu që falet, nëse ai këmbëngul në kryerjen e tij, përmirëson mënyrën se si e fal dhe stërvitet që ta ketë zemrën të pranishme gjatë tij. Atëherë namazi do të japë ndikimin për të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, namazi të largon nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.”[7]

Namazi do të arrijë një shkallë të tillë ndikimi në sjelljen e atij që falet, saqë do ta pengojë atë nga të këqijat që mund të kryejë.

Namazi ndikon si në shpirtin e njeriut, ashtu edhe në trupin e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Shenjat e tyre duken në fytyrat e tyre, si pasojë e sexhdes.”[8]

Kur bie në sexhde para Allahut të Lartësuar, duhet ta pyes veten: Sa e ndiej përulësinë dhe afërsinë me Të, të Madhëruar, kur robi është më së afërmi Zotit të tij në sexhde? Dhe, kur bie në sexhde, sa ndikon ajo që zemra ime të mbushet me çlirim e qetësi dhe sa ndikon në marrëdhëniet e mia me të tjerët, duke më bërë më zemërgjerë dhe më të përkushtuar në mirësjelljen ndaj të afërmve dhe të largëtve?

Ndikimi afatgjatë i veprave të mira (sadakaja dhe dija e dobishme)

Disa vepra kanë një ndikim që vazhdon për një kohë të gjatë, madje përtej jetëgjatësisë së vetë njeriut. Për ta kuptuar këtë, mund të marrim si shembull një libër si Sahihu i imam Buhariut. Ndikimi dhe dobia e tij kanë vazhduar për afro dymbëdhjetë shekuj pas vdekjes së Buhariut (r.h) dhe do të vazhdojnë, me ndihmën e Allahut të Lartësuar.

Profeti (a.s) na udhëzon drejt kuptimit të ndikimit afatgjatë të disa veprave, duke thënë: “Kur njeriu vdes, veprat e tij ndërpriten, përveç tri gjërave: sadakasë rrjedhëse, dijes prej së cilës përfitohet dhe fëmijës së mirë që lutet për të.”[9]

Me vdekjen, veprimtaria e njeriut merr fund. I vdekuri në varrin e tij nuk mund ta shtojë më bilancin e veprave të mira, por gjurmët e sadakasë rrjedhëse, të dijes së dobishme dhe të lutjes së fëmijës së mirë vazhdojnë të japin frytet e tyre.

Madje, njerëzit e kuptojnë se veprat e mira, morali fisnik dhe sjellja e hijshme e një njeriu janë ndër frytet e edukimit të mirë që ai ka marrë nga prindërit. Prandaj, shpesh, pa e menduar fare, ata shprehin mirënjohjen ndaj dikujt që u ka bërë mirë duke i ndihmuar, me fjalët: “Allahu i mëshiroftë prindërit e tu!”

Kështu, kush dëshiron të përfitojë nga lutjet për mëshirë, si gjatë jetës, ashtu edhe pas vdekjes, le t’i edukojë mirë fëmijët e tij dhe t’i udhëzojë që t’u bëjnë mirë njerëzve.

Urtësia hyjnore në dhënien e afatit gabimtarëve dhe në mosshfaqjen e menjëhershme të pasojave të mëkatit

Ne jemi të bindur se çdo vepër, qoftë e mirë apo e keqe, lë gjurmët e saj te ai që e kryen. Megjithatë, mëshira e Allahut të Lartësuar krijon hapësirë për pendim, ndaj Ai u jep afat atyre që gabojnë, me shpresën se do të pendohen para Zotit të tyre dhe do ta ndreqin rrugën e tyre.

Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur Allahu t’i ndëshkonte njerëzit për shkak të padrejtësisë së tyre, nuk do të linte mbi të asnjë gjallesë, por Ai u jep afat deri në një kohë të caktuar.”[10]

Ndikimi i hytbes së xhumasë dhe këshillave fetare në pastrimin e shpirtrave

Pyetja thelbësore është kjo: Kur hyjmë në xhami ose vizitojmë rrjetet sociale për të dëgjuar një këshillë fetare apo një hytbe, a kërkojmë të shohim se çfarë ndikimi ka ajo këshillë në shpirtrat tanë? Madje, përpara kësaj, a dëshiron ai që flet si këshillues apo udhëzues të lërë gjurmë në mendjet dhe zemrat e dëgjuesve, apo thjesht kërkon të fitojë admirimin e tyre?

Kur Allahu i Lartësuar përshkruan mirësitë që na ka dhuruar përmes shpalljes, thotë: “O njerëz! Juve ju ka ardhur një këshillë nga Zoti juaj, shërim për atë që gjendet në kraharorët tuaj, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.”[11]

Atëherë, cila është pjesa ime nga kjo këshillë, ky shërim, ky udhëzim dhe kjo mëshirë?

Matja e ndikimit të fjalës së mirë dhe përpjekjeve edukative

Ndonjëherë kërkojmë të shohim çfarë gjurmësh kanë lënë fjalët dhe përpjekjet tona edukative, por nuk gjejmë asnjë ndikim, ose vërejmë se ndikimi është i dobët. A do të thotë kjo se këto përpjekje kanë shkuar kot dhe se duhet të heqim dorë prej tyre?!

Ata që besojnë në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne nuk ua humbim shpërblimin atyre që bëjnë vepra të mira.”[12]  i rishikojnë veprat e tyre dhe shkallën e përsosmërisë së tyre, duke qenë të bindur se këto përpjekje nuk shkojnë dëm. Disa njerëz i kthejnë shpinën së vërtetës, ndërsa të tjerë e pranojnë atë. Çdo fjalë apo vepër e mirë është si një farë e fshehur në tokë, e cila ka nevojë për tokë pjellore, ujë të bekuar dhe lejen e Krijuesit, të Gjithëdijshmit, që të mbijë, të lulëzojë dhe të japë fryte. Prandaj, myslimani duhet të veprojë, ndërsa rezultatet t’ia lërë Zotit të botëve.

Shkaku që çoi në hartimin e Sahihut të Buhariut, librit më të saktë pas Librit të Allahut të Lartësuar, të cilin umeti e ka pranuar me miratim përgjatë kohëve dhe në të gjitha vendet, ishte një fjalë e vetme. Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Isha tek Is’hak ibn Rahuje, kur njëri prej shokëve tanë tha: “Sikur të përpilonit një libër të përmbledhur me sunetet e Profetit (a.s)!” Kjo fjalë zuri vend në zemrën time dhe kështu nisa ta përpiloja këtë libër, domethënë El-Xhamiun.”

Kjo fjalë doli nga goja e një nxënësi të dijes, por ndikimi i saj në zemrën e imam Buhariut ishte i madh, ndërsa ndikimi i saj në jetën e umetit islam ishte edhe më i madh.

Le ta pyesim veten: Çfarë gjurmësh lëmë në mjedisin tonë të afërt apo të largët, në mënyrë që t’i gjejmë ato ditën kur çdo njeri do ta shohë të pranishme atë që ka bërë prej veprave të mira?

Autor: Muhamed Atije

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Jasin: 12.

[2] – “Et Tahrir uet Tenuir”.

[3] – Sure Rum: 41.

[4] – Sure Rum: 50.

[5] – Ebu Daudi dhe Nesai.

[6] – Ahmedi.

[7] – Sure Ankebut: 45.

[8] – Sure Fet’h: 29.

[9] – Ahmedi.

[10] – Sure Nahl: 61.

[11] – Sure Junus: 57.

[12] – Sure Kehf: 30.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *