Hallka e munguar në ekuacionin e besimit
Myslimani bashkëkohor gjendet përballë një paradoksi që të shtyn të mendosh thellë. Ku Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij të urtë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…”[1]
Nga drita e këtij ajeti kuptojmë se Libri i Allahut është shpallur për të sjellë një ndryshim gjithëpërfshirës, për t’i dhuruar lumturi njerëzimit dhe për ta nxjerrë atë nga errësirat në dritë.
Ky premtim hyjnor u bë realitet i prekshëm në jetën e Profetit (a.s) dhe të shokëve të tij fisnikë. Kurani ishte mjeti i vetëm dhe metodologjia e vetme që solli transformimin e madh qytetërues në historinë e njerëzimit. Ai e shndërroi shoqërinë e mjerueshme të epokës së injorancës në një umet që udhëhiqte botën me drejtësi dhe besim.
Këtu shtrohet një pyetje thelbësore: Si u realizua ky ndryshim madhështor në atë epokë? Përse sot nuk e ndiejmë të njëjtin ndikim të thellë në realitetin tonë bashkëkohor?
Përsiatja rreth kësaj pyetjeje na çon drejt një të vërtete të vetme: në mënyrën se si ne i qasemi Kuranit Famëlartë, ekziston një hallkë e munguar.
Kurani është po ai Kuran dhe nuk ka ndryshuar. Fakti që ai është i vlefshëm për çdo kohë dhe vend është një e vërtetë absolute. Allahu i Madhëruar është i Drejtë dhe nuk i bën padrejtësi askujt. Prandaj, nuk mund të thuhet se brezit të parë i dha aftësi që ua mohoi brezave të mëvonshëm, apo se Kuranin ua bëri të lehtë atyre, ndërsa ua vështirësoi atyre që erdhën pas tyre.
Në realitetin e sotëm të umetit, xhamitë janë të mbushura me besimtarë, grupet e mësimit përmendsh të Kuranit përhapen kudo dhe mijëra njerëz e mësojnë përmendsh Librin e Allahut çdo vit. Megjithatë, umeti vazhdon të vuajë nga dobësia dhe prapambetja.
Ky krahasim dëshmon se problemi nuk qëndron te teksti, por te metodologjia.
Nëse dëshirojmë të rimarrim krenarinë dhe lartësinë që Allahu ia ka lidhur kësaj feje, sipas fjalës së Tij: “Ne të kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju..”[2]
Atëherë hapi i parë është të rishqyrtojmë marrëdhënien tonë me Kuranin dhe të kthehemi te modeli i parë praktik: Si e mori Profeti (a.s) të dhe shokët e tij këtë Libër?
Fakti që zemrat e njerëzve në realitetin bashkëkohor janë mbushur me dashurinë për dynjanë nuk ka ardhur pa shkak. Përkundrazi, kjo ka qenë një pasojë e natyrshme e zhytjes së plotë, me zemër dhe me gjymtyrë, në biseda, lajme dhe tregtinë e saj, për orë të tëra çdo ditë.
Çelësi i udhëzimit: Mbjellja e besimit para recitimit të Kuranit
Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, për shkak të besimit të tyre..”[3]
Synimi më i lartë i shpalljes së Kuranit është realizimi i teuhidit të pastër dhe rrënjosja e bindjes së palëkundur se krijimi dhe urdhërimi i përkasin vetëm Allahut. Që ajetet e Kuranit të japin frytet e tyre dhe njeriu të arrijë udhëzimin, duhet të plotësohet një kusht themelor: njeriu duhet të ketë së pari në zemër farat e besimit të sinqertë. Më pas vjen Kurani, i cili e shton dhe e forcon këtë besim, duke e bërë të qëndrueshëm si malet.
Në të kundërt, mjaftimi vetëm me mjetet e njohjes dhe arsyetimit, pa pasur besim, ia zhvesh leximit të Kuranit ndikimin udhëzues. Allahu na ka treguar për popuj që i lexonin fjalët e Tij dhe i kuptonin domethëniet e tyre, por mungesa e besimit dhe e bindjes së palëkundur i pengonte të arrinin udhëzimin. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet shpresoni ju (besimtarë) se ata (hebrenjtë) do t’ju besonin ju, ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!?”[4]
Për ta kultivuar këtë besim para se të fillojmë shoqërimin me Kuranin dhe gjatë tij, metodologjia kuranore përcakton disa mjedise themelore edukuese, të cilave u referohet fjala e Allahut: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij.”[5]
Po ashtu, Ebu Hurejra (r.a) përcjell se Profeti (a.s) ka thënë: “Sa herë që një grup njerëzish mblidhen në ndonjë shtëpi të Allahut për ta lexuar Librin e Allahut dhe për ta studiuar ndërmjet vete, zbret mbi ta qetësia, i mbulon mëshira, i rrethojnë melekët dhe i përmend Allahu para atyre që janë pranë Tij.”[6]
Tubimet për studimin e përbashkët të Kuranit: Janë tubime në të cilat madhërohen Allahu, Libri i Tij dhe Suneti i Profetit të Tij. Në to zbret qetësia dhe engjëjt i rrethojnë të pranishmit.
Dëgjimi i vëmendshëm: T’i dëgjosh mesazhet e shpalljes me zemër të pranishme dhe me dëshirën për të gjetur udhëzimin, e jo thjesht të dëgjosh fjalët.
Meditimi mbi jetën e sahabëve: Të studiohet me vëmendje jeta e brezit që u formua nga Kurani, për të kuptuar se si kaluan nga kullotja e bagëtive te udhëheqja e popujve.
Njohja nga afër e historive të njerëzve të devotshëm: Të ndiqen jetët e njerëzve të lidhur ngushtë me Kuranin dhe të shihet se si metodologjia kuranore i udhëhoqi drejt lumturisë në të dyja botët.
Pikërisht këtë metodologji e zbatoi edhe “Shtëpia e Erkam ibn Ebi Erkam-it”, ku fillimisht u hodhën themelet e besimit. Këtë e shpreh edhe sahabiu Xhundub ibn Abdullah (r.a), i cili ka thënë: “Ne së pari mësuam besimin, pastaj mësuam Kuranin dhe, nëpërmjet tij, na u shtua edhe më shumë besimi.”
Ligji i përthithjes: Nga zhytja në dynja te mbushja me Kuran
Zemrat e njerëzve kanë një natyrë të theksuar përthithëse, pasi ato përthithin dhe përvetësojnë atë me të cilën ushqehen vazhdimisht.
Përballë vetes, njeriu ka dy rrugë, pa një të tretë:
1 – Rruga e udhëzimit: Mbushja e zemrës me besim, njohja e Allahut dhe lidhja e ngushtë me ajetet e Tij.
2 – Rruga e humbjes: Përthithja e dashurisë për dynjanë dhe joshjet e saj. Këtë e shpreh Kurani në fjalën e Allahut të Madhëruar: “atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin.”[7] Këtu, “viçi” simbolizon gjithçka ndaj së cilës njeriu dorëzohet, qofshin dëshirat apo joshjet e dynjasë.
Fakti që zemrat e njerëzve në realitetin bashkëkohor janë mbushur me dashurinë për dynjanë nuk ka ardhur pa shkak. Përkundrazi, ai është pasojë e natyrshme e zhytjes së plotë, me zemër dhe me gjymtyrë, në bisedat, lajmet dhe tregtinë e saj për orë të tëra çdo ditë.
Për ta ndryshuar këtë gjendje, zemra duhet t’i nënshtrohet një metodologjie të kundërt përthithjeje, e cila ia rikthen Kuranit vendin e parë.
Metodologjia profetike e përthithjes së mesazhit kuranor mbështetet në disa shtylla praktike që shkojnë përtej qasjes sipërfaqësore të kohës sonë. Në vend që Kuranit t’i kushtohen vetëm disa minuta të shkëputura nga koha e lirë, atij i caktohen seanca të gjata, që zgjasin të paktën një orë pa ndërprerje secila.
Në vend që leximi të bëhet mes shpërqendrimeve dhe angazhimeve materiale, kujdesemi të shkëputemi nga ato, të gjejmë qetësi dhe të përkushtohemi plotësisht ndaj Librit të Allahut.
Po ashtu, kjo metodologji shkon përtej leximit të shpejtë, që synon vetëm përfundimin e një sasie të caktuar apo arritjen e një numri të caktuar faqesh ose ajetesh. Në vend të tij, ajo e zëvendëson këtë me një lexim të vetëdijshëm dhe përsiatës, gjatë të cilit lexuesi e ndien se fjalët e Allahut i drejtohen drejtpërdrejt atij.
Kështu, ndryshon edhe qëndrimi i tij i brendshëm: nga synimi për të fituar thjesht shpërblimin për shqiptimin e shkronjave, ai kalon te përjetimi i mesazhit të drejtpërdrejtë hyjnor dhe te një bashkëbisedim i gjallë e i përulur me Krijuesin e Madhëruar.
Profeti (a.s) e praktikonte këtë përthithje në jetën e tij. Ai falej natën duke lexuar Kuran për orë të gjata dhe lexonte sure të gjata, si Bekare, Ali Imran dhe Nisa, në një rekat të vetëm. Kur arrinte te ajetet që flisnin për mëshirën, lutej për mëshirën e Allahut; kur lexonte ajete që madhëronin dhe lartësonin Allahun mbi çdo të metë, e madhëronte Atë me tesbih. Ai e përjetonte këtë adhurim duke qenë i vetëdijshëm se ndodhej në një gjendje lutjeje, përulësie dhe komunikimi të drejtpërdrejtë me Krijuesin.
Rikthimi i umetit në krenarinë e dikurshme nuk kërkon domosdoshmërisht shpikjen e mjeteve të reja, por, më shumë se gjithçka, rikthimin te metodologjia themelore.
Vetëdija ndaj Kuranit: “Shpirt” që u jep jetë zemrave, e jo thjesht një tekst që lexohet.
Allahu i Madhëruar thotë: “Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin)..”[8] (Esh-Shura, 52)
Allahu e ka cilësuar Kuranin si “shpirt”, dhe të qenët i vetëdijshëm për këtë cilësi përbën dallimin thelbësor mes leximit formal dhe leximit që lë gjurmë të thella.
Trajtimi i Kuranit thjesht si një libër historik që përmban tregime dhe këshilla, ose shikimi i tij vetëm nga këndvështrimi i fitimit të shpërblimit për leximin ndonëse ky shpërblim është i sigurt, siç dëshmohet në hadithin e Profetit (a.s): “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, ka një shpërblim për të, dhe shpërblimi dhjetëfishohet. Nuk them se ‘Elif-Lam-Mim’ është një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë.”[9]
Një qasje e tillë ia zbraz procesit të marrjes së mesazhit kuranor thelbin dhe përmbajtjen e tij të vërtetë.
Kërkimi vetëm i shpërblimit për shqiptimin e shkronjave e privon lexuesin nga ndikimi transformues që trondit shpirtrat dhe i gjallëron ata. Prandaj, respekti ndaj Allahut të Madhëruar kërkon që robi t’i dëgjojë fjalët e Tij me vetëdije të plotë dhe të përfshihet emocionalisht e praktikisht me ajetet.
Kur dëgjon thirrjet e besimit: Kur lexuesi i Kuranit ndeshet me fjalën e Allahut të Madhëruar: “O ju që keni besuar!”, ai e ndien se kjo thirrje i drejtohet atij dhe thotë me gjuhën e gjendjes së tij dhe me zemër: “Urdhëro, o Zoti im, me kënaqësi të përgjigjem! Çfarë më urdhëron të bëj dhe nga çfarë më ndalon?”
Kur ndeshet me ajetet e ndëshkimit dhe të mëshirës: Zëri dhe zemra e tij bashkëveprojnë me ndjenjën e trishtimit, frikës dhe shpresës; ai kërkon mbrojtjen e Allahut kur lexon ajetet e ndëshkimit, i lutet Atij kur lexon ajetet e mëshirës dhe e madhëron Atë kur lexon ajetet e madhërimit.
Nëse prej virtyteve dhe edukatës së mirë ndërmjet njerëzve është dëgjimi me vëmendje i bisedës dhe bashkëndjenja me atë që flet, atëherë dëgjimi i fjalës së Allahut është edhe më parësor dhe më i detyrueshëm. Kur besimtari bashkëvepron me Kuranin si një “shpirt” që përshkon qenien e tij, kjo jep frytet e ndërtimit të njeriut të devotshëm, i aftë për ta ringjallur umetin dhe për ta ndryshuar rrjedhën e historisë.
Kthimi i umetit në lavdinë e tij të dikurshme nuk kërkon aq shumë shpikjen e mjeteve të reja, sa kërkon kthimin te thelbi i metodologjisë. Prandaj, këtu vjen thirrja e sinqertë drejtuar të gjithë atyre që merren me fushat e thirrjes, mësimdhënies së fesë dhe rretheve të mësimit të Kuranit Famëlartë: detyrimi edukativ dhe i ftesës kërkon sot një rishikim të plotë dhe të ripërtërirë të metodave dhe mënyrave të mësimdhënies së Kuranit Famëlartë.
Duhet të mbillet dhe të rrënjoset fillimisht te nxënësit “metodologjia e përvetësimit të saktë të Kuranit në veçanti”, përpara se të zhyten në pjesën tjetër të shkencave dhe degëve të tyre, sepse Kurani është themeli dhe rrënja prej së cilës degëzohen të gjitha shkencat.
Korrigjimi i marrëdhënies sonë me Kuranin Famëlartë, duke kaluar nga leximi i thjeshtë te formimi i besimit, nga leximi kalimtar te përvetësimi i thellë dhe meditimi, si dhe nga qasja sipërfaqësore te përjetimi i «shpirtërores», është e vetmja rrugë për ringjalljen e individit dhe të shoqërisë, si dhe për arritjen e ndryshimit të dëshiruar, të cilin Allahu ua ka premtuar robërve të Tij të devotshëm.
Autor: Salih Ahmed Muslih
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Isra: 9.
[2] – Sure Enbija: 10.
[3] – Sure Junus: 9.
[4] – Sure Bekare: 75.
[5] – Sure Kehf: 28.
[6] – Muslimi.
[7] – Sure Bekare: 93.
[8] – Sure Shura: 52.
[9] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.



















