Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, vulën e të dërguarve të Allahut. Më tej:
Ndër rregullat e mirënjohura tek dijetarët e Usulit është edhe rregulli: “Parimi bazë në adhurime është ndalimi, ndalimi juridik ose pezullimi i gjykimit”. Kjo do të thotë se ndalohet kryerja e një adhurimi dhe pezullohet gjykimi për të, derisa të ekzistojë një argument që e mbështet atë, qoftë nga Kurani fisnik, qoftë nga Suneti profetik i vërtetuar. Për këtë arsye, ky rregull mund të shprehet edhe me formulimin: “Parimi bazë në adhurime është ligjësimi.”
Ky rregull është ndër rregullat e rëndësishme, sepse nëpërmjet tij përcaktohet koncepti i adhurimit. Çdo formë adhurimi që mbështetet në argument është e ligjësuar, ndërsa ajo që nuk ka një mbështetje të tillë është e ndaluar.
Sa u përket zakoneve dhe çështjeve të kësaj bote, parimi bazë për to është lejimi, me përjashtim të atyre që Allahu i Lartësuar i ka ndaluar.
Prandaj, feja nuk ndërtohet mbi mendimin personal, arsyen, dëshirat, shijen personale, zbulimin shpirtëror, ëndrrat, përvojën, apo mbi përhapjen dhe famën e një veprimi.
Autorët e veprave islame, si në të kaluarën, ashtu edhe në kohët moderne, e kanë përmendur vazhdimisht këtë rregull në librat e tyre. Nuk ka asnjë vlerë kundërshtimi i atij që thotë: “Deri më sot nuk kam dëgjuar që në Sheriat të ekzistojë një rregull që thotë: “Parimi bazë në adhurime është pezullimi i gjykimit”. Kjo, sepse shtysa që e çon atë drejt një pohimi të tillë është dëshira personale dhe prirja për të konsideruar të mirë atë që feja e pastër nuk e ka miratuar.
Shejhul-Islam Ibn Tejmijethotë: “Imam Ahmedi dhe dijetarë të tjerë të fikhut, të cilët i përkisnin shkollës së dijetarëve të hadithit, thoshin se parimi bazë në adhurime është mbështetja në argumentet e Sheriatit; prandaj, asgjë prej tyre nuk mund të ligjësohet, përveç asaj që e ka ligjësuar Allahu i Lartësuar. Përndryshe, do të përfshiheshim në kuptimin e fjalës së Allahut: “A kanë ata ortakë që u kanë përcaktuar atyre në fe atë që Allahu nuk e ka lejuar?”[1]
Ndërsa parimi bazë në zakone është falja dhe lejimi; prandaj, prej tyre nuk ndalohet asgjë, përveç asaj që Ai e ka ndaluar. Përndryshe, do të përfshiheshim në kuptimin e të njëjtit ajet: “A kanë ata ortakë që u kanë përcaktuar atyre në fe atë që Allahu nuk e ka lejuar?”[2]
Edhe hafizi Ibn Haxher el-Askalani, dijetar i medhhebit shafiit, e pohon këtë rregull dhe argumenton me fjalët: “Parimi bazë në adhurime është mbështetja në argumentet e Sheriatit.”[3]
Po kështu, edhe Shejhul-Islam Ebu Jahja Zekerija el-Ensari el-Misri, dijetar i medhhebit shafiit, e ka përmendur rregullin: “Parimi bazë në adhurime është mbështetja në argumentet e Sheriatit”[4].
Gjithashtu, hafizi Velijuddin Ebu Zur’a Ahmed ibn Abdurrahim ibn el-Husejn ibn Abdurrahman el-Iraki, dijetar i medhhebit shafiit, e pohon këtë rregull.
Argumentet për këtë rregull
1 – Allahu i Lartësuar thotë: “A kanë ata ortakë që u kanë përcaktuar atyre në fe atë që Allahu nuk e ka lejuar?”
Imam Buhariu, në lidhje me fjalën e Allahut “u kanë përcaktuar”, thotë: “Kanë shpikur”.
Hafizi Ibn Haxher el-Askalani thotë: “Shprehja e Tij: “u kanë përcaktuar”, me kuptimin “kanë shpikur”, është thënia e Ebu Ubejde-s”
Ebu Xhafer et-Taberiu thotë: “Domethënë, kanë shpikur për ta në fe atë që Allahu nuk ua ka lejuar ta shpikin”
2 – Ndër argumentet e tjera për këtë rregull është edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni, dhe çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu është ndëshkues i ashpër!.”[5]
Xhabiri (r.a) ka thënë: “E pashë Profetin (a.s) duke hedhur gurët mbi devenë e tij ditën e Kurban Bajramit dhe duke thënë: “Mësoni prej meje mënyrën e kryerjes së riteve të haxhit, sepse nuk e di, ndoshta nuk do të kryej më haxh pas këtij haxhi tim”[6].
Ky hadith përbën një bazë madhore në lidhje me ritet e haxhit dhe ka të njëjtin kuptim me thënien e tij (a.s) “Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur!”[7]
Gjithashtu, kur iu ndërtua minberi të Dërguarit të Allahut (a.s), ai u fal mbi të në prani të shokëve të tij dhe më pas tha: “O njerëz! Unë e bëra këtë vetëm që ju të më ndiqni mua dhe të mësoni mënyrën se si falem.”[8]
3 – Ndër argumentet që e përforcojnë dhe e qartësojnë këtë rregull është edhe hadithi që e transmeton Aishja, sipas së cilës i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush kryen një vepër që nuk përputhet me çështjen tonë, ajo është e refuzuar.”[9]
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush shpik në çështjen tonë këtë diçka që nuk i përket asaj, ajo është e refuzuar”[10]. Shprehja “shpik” këtu nënkupton krijimin dhe futjen e diçkaje të re në fe.
Ndërsa shprehja “e refuzuar” do të thotë se vepra është e pavlefshme, i kthehet mbrapsht atij që e ka kryer dhe nuk pranohet tek Allahu.
Ibn Haxheri thotë: “Ky hadith konsiderohet ndër bazat themelore të Islamit dhe njëri prej rregullave të tij. Kuptimi i tij është se kush shpik në fe diçka për të cilën nuk dëshmon asnjë prej bazave të saj, ajo nuk merret në konsideratë.”
Imam Neveviu ka thënë: “Ky hadith është ndër hadithet që duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë, si për t’u mësuar përmendësh, ashtu edhe për t’u zbatuar në kundërshtimin e veprave të qortueshme dhe përhapjen e argumentimit me të.”
Ibn Dekik el-Idi ka thënë: “Ky hadith është një rregull madhor ndër rregullat e fesë dhe bën pjesë në shprehjet përmbledhëse e gjithëpërfshirëse me të cilat u pajis Profeti (a.s). Ai është i qartë në refuzimin e çdo bidati dhe çdo risie të shpikur. Disa prej dijetarëve të Usulit janë mbështetur në të për të argumentuar se ndalimi nënkupton pavlefshmërinë”
4 – Një tjetër hadith që shërben si argument për rregullin “Parimi bazë në adhurime është ndalimi» është ai transmeton Xhabir ibn Abdullahu, nga i Dërguari i Allahut (a.s), i cili ka thënë: “Fjala më e mirë është Libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, ndërsa çështjet më të këqija janë risitë e shpikura dhe çdo bidat është humbje.”[11]
Edhe Seid ibn el-Musejjibi, prijësi i tabiinëve, paralajmëronte kundër kryerjes së adhurimeve jashtë udhëzimit të Muhamedit (a.s).
Transmetohet se Seid ibn el-Musejjibi (r.h) pa një burrë që, pas agimit, falte më shumë se dy rekate, duke kryer në to shumë ruku dhe sexhde. Ai e ndaloi, por burri i tha: “O Ebu Muhamed! A do të më ndëshkojë Allahu për shkak të namazit?” Ai iu përgjigj: “Jo, por do të të ndëshkojë për shkak të kundërshtimit të Sunetit.”[12]
Në të njëjtën frymë, edhe imam Maliku paralajmëronte kundër teprimit në fe dhe kryerjes së adhurimeve jashtë udhëzimit të të Dërguarit të Allahut.
Një burrë shkoi tek ai dhe e pyeti: “O Ebu Abdullah! Në cilin vend duhet ta vesh ihramin?” Ai iu përgjigj: “Nga Dhul-Hulejfeja, aty ku e veshi ihramin i Dërguari i Allahut (a.s).” Burri tha: “Unë dëshiroj ta vesh ihramin nga xhamia” Ai i tha: “Mos e bëj këtë!” Burri vazhdoi: “Atëherë dëshiroj ta vesh ihramin nga xhamia, pranë varrit.” Ai i tha: “Mos e bëj këtë, sepse kam frikë se mund të biesh në sprovë.” Burri e pyeti:” «Çfarë sprove është kjo?! Në fund të fundit, janë vetëm disa milje që dëshiroj t’i përshkoj më shumë!” Imam Maliku iu përgjigj: “E çfarë sprove mund të jetë më e madhe sesa të mendosh se ke arritur një virtyt në të cilin i Dërguari i Allahut (a.s) nuk ka arritur?! Unë e kam dëgjuar Allahun të thotë: “Le të ruhen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, se mund t’i godasë ndonjë sprovë ose mund t’i godasë një dënim i dhembshëm!”[13]
Ndër thëniet e transmetuara gjithashtu nga imam Maliku (r.h) është edhe kjo: “Kush shpik në Islam një bidat që e konsideron të mirë, ka pretenduar se Muhamedi e ka tradhtuar misionin e tij profetik.” Për këtë ai është mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Sot jua përsosa fenë tuaj dhe e plotësova dhuntinë Time ndaj jush.”[14] Pastaj ka thënë: “Ajo që atë ditë nuk ishte pjesë e fesë, nuk mund të jetë as sot pjesë e saj.”[15]
Profeti (a.s) e përcolli fenë e Allahut në mënyrën më të përsosur dhe më të plotë, në zbatim të fjalës së Allahut të Lartësuar: “O i Dërguar! Përcille atë që të është shpallur nga Zoti yt!”[16]
Në një hadith të transmetuar nga Abdulla ibn Mes’udi, nga i Dërguari i Allahut (a.s), thuhet: “Nuk ka asgjë që ju afron me Xhenetin, përveçse ju kam urdhëruar për të, dhe nuk ka asgjë që ju afron me Zjarrin, përveçse ju kam ndaluar prej saj.”[17]
Kushtet e adhurimit në Islam
Që një adhurim të jetë i pranuar, ai duhet të jetë në përputhje me Sheriatin në gjashtë aspekte, për të cilat ekzistojnë argumente nga Sheriati:
1 – Shkaku
Për shembull, hyrja e kohës së namazit është shkak për detyrimin e faljes së tij; hyrja e muajit të Ramazanit është shkak për detyrimin e agjërimit, ndërsa zotërimi i nisabit është shkak për detyrimin e zekatit.
Për këtë arsye, është thënë: “Kur një shkak ka ekzistuar në kohën e Profetit (a.s), nuk ka pasur ndonjë pengesë për kryerjen e veprës dhe megjithatë ai nuk e ka kryer atë, atëherë moskryerja e saj përbën Sunetin.”
Prandaj, nuk është e ligjësuar të kryhet një adhurim mbi bazën e një shkaku për të cilin nuk ekziston argument.
2 – Lloji (kategoria)
Adhurimet që lidhen me një lloj apo kategori të caktuar duhet të jenë në përputhje me përcaktimet e Sheriatit. Kështu, kurbani duhet të jetë patjetër nga bagëtitë e imta dhe të trasha. Për rrjedhojë, nuk lejohet të bëhet kurban me kalë, struc, gazelë, pulë e të ngjashme me to. Profeti (a.s) nuk ka fshehur asgjë nga feja dhe nuk ka lënë mangët asgjë në shpjegimin dhe përcjelljen e saj.
3 – Sasia
Kjo nënkupton sasinë dhe numrin e adhurimit. Për shembull, numri i namazeve gjatë ditës dhe natës është pesë; po kështu, është përcaktuar edhe numri i rekateve për çdo namaz. Tavafi rreth Qabesë përbëhet nga shtatë rrotullime. Gjithashtu, janë përcaktuar sasitë që duhen nxjerrë si zekat për llojet e ndryshme të pasurisë.
E njëjta gjë vlen edhe për numrin e dhikreve të përcaktuara, siç janë dhikret që thuhen pas përfundimit të namazit. Disa prej tyre kanë numër të përcaktuar shprehimisht në tekstet fetare. Prandaj, nuk lejohet të veprohet në kundërshtim me këto përcaktime, sepse përndryshe njeriu bie në bidat dhe humbje, ndërsa vepra e tij refuzohet.
Në këtë kuadër hyn edhe ajo që kohët e fundit është përhapur te disa njerëz, të cilët japin leje për kryerjen e dhikrit me numra të caktuar dhe pretendojnë se nuk lejohet as shtimi, as pakësimi i numrit të përcaktuar. E gjithë kjo nuk ka asnjë argument në fe dhe bën pjesë në bidatet dhe risitë e shpikura kundër të cilave ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut (a.s).
4 – Mënyra dhe forma
Është e domosdoshme që mënyra dhe forma e adhurimit të përputhen me atë që është ligjësuar dhe për të cilën ekziston argument. Kjo vlen, për shembull, për mënyrën e marrjes së abdesit, faljes së namazit dhe kryerjes së haxhit. Nëse dikush bie në sexhde gjatë namazit para se të kryejë rukunë, namazi i tij nuk është i vlefshëm, sepse kjo bie ndesh me mënyrën e përcaktuar nga Sheriati.
Po kështu, formulimet e ezanit, teshehudit dhe dhikreve të përcaktuara janë të mbështetura në tekstet fetare dhe nuk mund të thuhen me fjalë të tjera që përcjellin të njëjtin kuptim, as të zëvendësohen me formulime të tjera, sepse ato janë përcaktuar nëpërmjet shpalljes së Allahut të Lartësuar.
Këtë e dëshmon hadithi i Berra ibn Azibit, nga i Dërguari i Allahut (a.s) i cili ka thënë: “Kur të shtrihesh në shtrat, merr abdes ashtu siç merr për namaz, pastaj shtrihu në krahun tënd të djathtë dhe thuaj: “O Allah! Ty të dorëzohem me fytyrën time, Ty ta besoj çështjen time, Ty të mbështetem me shpinën time, me dëshirë dhe frikë ndaj Teje. Nuk ka strehim dhe as shpëtim prej Teje, përveçse tek Ti. Besoj në Librin Tënd që ke shpallur dhe në Profetin Tënd që ke dërguar”. Bëji këto fjalë të fundit që thua para se të flesh. Nëse vdes gjatë asaj nate, do të vdesësh në natyrshmërinë e pastër islame, ndërsa nëse zgjohesh në mëngjes, do të kesh arritur mirësi”. Berra tha: “I përsërita këto fjalë që t’i mësoja përmendësh, por thashë: “Besoj në të Dërguarin Tënd që ke dërguar”, në vend të fjalëve: “Besoj në Profetin Tënd që ke dërguar”. Atëherë ai më tha: “Thuaj: Besoj në Profetin Tënd që ke dërguar”
Ajo që dëshmohet nga ky hadith është kujdesi i Berra-s (r.h) për ta mësuar përmendësh këtë lutje me vlerë. Ai ia përsëriti atë të Dërguarit të Allahut (a.s), por zëvendësoi fjalën “Profeti” me fjalën “i Dërguari”. Atëherë, i Dërguari i Allahut (a.s) e korrigjoi. Kjo dëshmon domosdoshmërinë e respektimit të formulimit të saktë të dhikreve të përcaktuara.
5 – Koha
Disa adhurime janë të lidhura me një kohë të caktuar, siç është falja e namazit brenda kohës së tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, namazi është detyrim për besimtarët në kohë të përcaktuara.”[18]
Agjërimi i muajit të Ramazanit duhet të kryhet pikërisht gjatë muajit të Ramazanit; haxhi kryhet në muajt e haxhit, ndërsa therja e kurbanit ka kohën e saj të përcaktuar nga Sheriati. Nëse dikush e ther kurbanin, për shembull, ditën e Arafatit, ai nuk llogaritet si kurban, por thjesht si mish që ia ka ofruar familjes së tij.
6 – Vendi
Disa adhurime janë të lidhura me një vend të caktuar. Për shembull, itikafi kryhet në xhami dhe nuk është i vlefshëm jashtë saj. Haxhi kryhet në Mekë dhe në vendet e riteve të haxhit, ndërsa tavafi bëhet rreth Qabesë.
Kushdo që kryen tavaf rreth varrit të ndonjërit prej njerëzve të mirë, kjo përbën shirk dhe një vepër të refuzuar, sepse tavafi është adhurim që i kushtohet vetëm Allahut dhe sepse nuk është ligjësuar tavaf rreth asgjëje tjetër përveç Qabesë.
Autor: Ebu Asim el Berkati
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Shura: 21.
[2] – “Mexhmu-ul Fetava”
[3] – “Fet’hul Bari”.
[4] – “Minhatul Bari”
[5] – Sure Hashr: 7.
[6] – Muslimi.
[7] – Buhariu dhe Muslimi.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.
[9] – Muslimi.
[10] – Buhariu dhe Muslimi.
[11] – Muslimi.
[12] – Darimiu.
[13] – Sure Nur: 63.
[14] – Sure Maide: 3.
[15] – “El I’tisam”.
[16] – Sure Maide: 67.
[17] – Hakimi. Hadithi është Hasen.
[18] – Sure Nisa: 103



















