Nëse detyra e mëkëmbësisë në tokë filloi me Ademin (a.s), përmes formimit të njeriut të aftë për të mbajtur përgjegjësinë e besuar, atëherë thirrja e Ibrahimit, mikut të Allahut (a.s), e çoi këtë kuptim në një etapë të re. Nëpërmjet tij, besimi u shndërrua nga një përballje me idhujtarinë në një projekt të plotë, që çliron mendjen, ndërton familjen, ngre Shtëpinë (e shenjtë) dhe lidh brezat e profetësisë me njëri-tjetrin. Në udhëzimin e profetëve (a.s), qytetërimi nuk lind vetëm nga bollëku i pasurisë, por fillon atëherë kur njeriu çlirohet nga robëria e iluzioneve, njeh Zotin e tij dhe më pas e shndërron këtë njohje në edukim, punë dhe institucione që ruajnë besimin, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor.
Ibrahimi (a.s) u rrit në një shoqëri ku adhurimi i idhujve ishte rrënjosur aq thellë, saqë ishte bërë pjesë e trashëgimisë së saj. E vetmja dëshmi që kishte populli ishte fjala e tyre: “Ne i gjetëm të parët tanë duke i adhuruar ata.”[1] Ibrahimi (a.s) iu përgjigj: “Ju dhe të parët tuaj keni qenë në një humbje të qartë.”[2] Qëllimi i tij nuk ishte të cenonte pozitën e të parëve, por ta çlironte të vërtetën nga sundimi i kohës. Një ide nuk bëhet e vërtetë vetëm sepse është e lashtë ose e përhapur, ndërsa trashëgimia meriton respekt aq sa përputhet me shpalljen hyjnore dhe argumentin e qartë.
Allahu ia bëri të dukshëm Ibrahimit (a.s) mbretërinë e qiejve dhe të tokës. Ai zhvilloi debat me popullin e tij rreth yjeve, hënës dhe diellit, të cilat ata i adhuronin, dhe e hodhi poshtë hyjninë e tyre duke treguar se ato perëndonin. Më pas shpalli drejtimin e tij: “Unë e kam drejtuar fytyrën time nga Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, duke qenë i përkushtuar vetëm Atij, dhe nuk jam prej idhujtarëve.”[3] Në këtë dialog u shfaq një metodë e thirrjes fetare që u drejtohet njerëzve përmes asaj që ata kuptojnë dhe i udhëheq gradualisht drejt zbulimit të kundërthënieve në bindjet e tyre, derisa mendja të arrijë vetë te e vërteta.
Në thirrjen e tij, Ibrahimi (a.s) ndërthuri fuqinë e argumentit me mëshirën në të folur. Ai iu drejtua babait të tij me fjalët: “O babai im”, dhe i paraqiti dijen që i kishte ardhur, pa u treguar mendjemadh. Kur babai e kërcënoi, ai iu përgjigj: “Paqja qoftë mbi ty! Do t’i kërkoj falje Zotit tim për ty. Vërtet, Ai është gjithmonë i butë dhe i kujdesshëm ndaj meje”[4]. Kur i theu idhujt, ai synoi ta kthente popullin e tij te pyetja e natyrshme e ndërgjegjes njerëzore: Si mund ta adhurojë njeriu atë që nuk dëgjon, nuk sjell dobi dhe nuk mund ta mbrojë as veten nga dëmi? Kur ata nuk arritën t’i kundërviheshin argumentit të tij, iu drejtuan forcës dhe thanë: “Digjeni dhe ndihmojini zotat tuaj!”[5] Atëherë erdhi urdhri i Allahut: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”[6]
Më pas, Ibrahimi (a.s) emigroi për hir të besimit të tij dhe kaloi nga kundërshtimi i së pavërtetës në ndërtimin e alternativës. Allahu i dhuroi Ismailin (a.s) dhe, kur ky arriti moshën për të punuar e për të ecur së bashku me të atin, Ibrahimi (a.s) u vu në sprovë me urdhrin për ta flijuar atë. Tek i biri, ai gjeti frytin e edukimit të bazuar në besim: “O babai im, bëj atë që je urdhëruar! Në dashtë Allahu, do të më gjesh ndër të duruarit.”[7] Kështu, besimi nuk mbeti më thjesht një ide që e mbante babai, por u bë një bindje e palëkundur që trashëgohej nga bijtë dhe një gatishmëri e përbashkët për bindje dhe sakrificë.
Projekti i Ibrahimit (a.s) arriti në fazën e themelimit kur ai (a.s) dhe Ismaili (a.s) ngritën themelet e Shtëpisë së Shenjtë (Qabes), duke thënë: “Zoti ynë, pranoje prej nesh! Vërtet, Ti je Dëgjuesi dhe i Gjithëdijshmi”[8] Ata ndërthurën punën me lutjen dhe nuk u mjaftuan vetëm me ndërtimin e gurëve, por iu lutën Allahut për themelimin e një bashkësie të nënshtruar ndaj Tij dhe dërgimin e një të dërguari, i cili do t’u lexonte njerëzve ajetet e Allahut, do t’u mësonte Librin dhe Urtësinë dhe do t’i pastronte. Kështu, rreth Shtëpisë së Shenjtë u bashkuan siguria, adhurimi, mësimi dhe pastrimi shpirtëror. Ndërtimi i Qabes u bë pikënisja e një qendre që do ta përhapte besimin në Një Zot në mbarë botën, derisa Allahu ia pranoi lutjen duke dërguar Muhamedin (a.s) nga pasardhësit e Ismailit (a.s).
Ismaili (a.s) ishte besnik në premtimet e tij dhe i urdhëronte familjarët e vet të falnin namazin dhe të jepnin zekatin. Jeta e tij dëshmoi se ndërtimi i bashkësisë fillon në familje: me një baba që mban përgjegjësinë e tij, me një familje që fal namazin dhe me besnikëri që ruan besimin e ndërsjellë ndërmjet njerëzve. Vargu i profetësisë vazhdoi te Is’haku (a.s) dhe Jakubi (a.s). Shqetësimi më i madh i Jakubit (a.s), në çastet para vdekjes, ishte vazhdimësia e besimit në Një Zot te pasardhësit e tij. Ai i pyeti bijtë e vet: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” Ata u përgjigjën: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e të parëve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm, dhe vetëm Atij i nënshtrohemi.”[9]
Në të njëjtën rrugë erdhi edhe thirrja e Lutit (a.s), për mbrojtjen e natyrshmërisë së pastër njerëzore, familjes dhe sigurisë së përgjithshme. Në popullin e tij u përhap shthurja, e cila u shoqërua me prerjen e rrugëve dhe shfaqjen haptazi të veprave të shëmtuara. Më pas, vlerat e tyre u përmbysën aq shumë, saqë për njerëzit e pastër thanë: “Nxirrini nga vendbanimi juaj, sepse këta janë njerëz që duan të pastrohen!”[10] Shoqëritë arrijnë në një gjendje të rrezikshme kur shthurja bëhet e pranueshme në tubimet e tyre dhe përmirësimi shihet si kërcënim, sepse zhvillimi dhe përparimi nuk mund të qëndrojnë të qëndrueshëm kur familja shkatërrohet, siguria tronditet dhe ata që bëjnë thirrje për pastërti përjashtohen.
Kjo etapë plotësohet me historinë e Jusufit (a.s), i cili kaloi nga pusi, skllavëria dhe burgu në administrimin e depove të Egjiptit. Ai e ruajti dëlirësinë e tij në fshehtësi, i ftoi njerëzit drejt Allahut edhe në burg dhe refuzoi të dilte prej tij derisa të vërtetohej pafajësia e tij. Më pas, hartoi një plan për përballimin e zisë së bukës, i cili mbështetej në rritjen e prodhimit, ruajtjen e drithërave dhe kursimin e konsumit. Kur tha: “Më cakto përgjegjës për depot e vendit, sepse unë jam ruajtës dhe i ditur.”[11] ai bashkoi dy themelet e drejtimit të përgjegjshëm: ndershmërinë që mbron burimet dhe dijen që siguron administrimin e duhur të tyre.
Kur Jusufi (a.s) arriti të merrte pushtetin, ai nuk e përdori atë si mjet për hakmarrje, por u tha vëllezërve të tij: “Sot nuk do të ketë qortim për ju. Allahu ju faltë!”[12] Kështu, ai e bashkoi përsëri familjen e tij pa e poshtëruar atë dhe ndërthuri sigurinë ekonomike me paqen shoqërore.
Në këtë mënyrë, bëhet e qartë njësia e projektit të Ibrahimit: çlirimi i mendjes nga imitimi i verbër, mëshira në thirrjen fetare, familja që përcjell besimin, Shtëpia e Shenjtë që bashkon adhurimin me sigurinë, mbrojtja e natyrshmërisë së pastër njerëzore dhe udhëheqja që ndërthur ndershmërinë, aftësinë dhe faljen.
Përmes këtyre themeleve, besimi në Një Zot shndërrohet nga një bindje në zemër në një forcë që ndërton njeriun, familjen dhe bashkësinë.
Autor: Muhamed Ali Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Enbija: 53.
[2] – Sure Enbija: 54.
[3] – Sure En’am: 79.
[4] – Sure Merjem: 47.
[5] – Sure Enbija: 68.
[6] – Sure Enbija: 69.
[7] – Sure Saffat: 102.
[8] – Sure Bekare: 127.
[9] – Sure Bekare: 133.
[10] – Sure A’raf: 82.
[11] – Sure Jusuf: 55.
[12] – Sure Jusuf: 92.



















