Myslimanët e Filipineve, veçanërisht banorët e jugut të njohur si “populli Moro”, përbëjnë një nga komunitetet më të vjetra islame në Azinë Juglindore, të cilët kanë qëndruar të palëkundur për shekuj me radhë përballë kolonializmit dhe përpjekjeve për fshirjen e identitetit të tyre kulturor dhe fetar.
Ky dialog, i zhvilluar dhjetë vjet më parë në tetor 2014 me profesorin “Habib Osman”, i cili në atë kohë mbante postin e komisionerit të Departamentit të Medias të “Frontit Islamik Çlirimtar Moro”, duke folur në emër të frontit për publikun arabofon, pasqyron një pamje gjithëpërfshirëse mbi realitetin e myslimanëve në Filipinë. Ai vë në pah marrëveshjet më të rëndësishme politike që përcaktojnë të ardhmen e tyre, si dhe diskutime mbi gjendjen sociale dhe politike në veri dhe jug të vendit.
Në këtë dialog interaktiv, i zhvilluar drejtpërdrejt në Facebook, morën pjesë një numër specialistësh, gazetarësh dhe vëzhguesish arabë dhe të huaj nga vende të ndryshme të botës; dhe më poshtë janë pikat kryesore informuese që u trajtuan në këtë bisedë:
Së pari: Procesi i paqes… nga marrëveshjet fillestare deri te Marrëveshja gjithëpërfshirëse e Bangsamoros
Përpjekjet zyrtare për paqe midis qeverisë së Filipineve dhe Frontit Islamik Çlirimtar Moro filluan në fund të viteve 90, përmes marrëveshjes “Korniza e përgjithshme e synimeve të palëve” në vitin 1998, e ndjekur nga një seri marrëveshjesh që u kurorëzuan me “Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për Bangsamoron” më 27 mars 2014.
Kjo marrëveshje përfaqëson një pikë kthese historike për krijimin e një entiteti të ri politik të quajtur “Bangsamoro”, i cili zëvendësonte autonominë e mëparshme në rajonin mysliman të Mindanaos dhe i jepte popullit Moro një identitet të pavarur të njohur zyrtarisht nga qeveria qendrore.
Marrëveshja përfshin krijimin e një qeverie me kompetenca të gjera, që përfshijnë gjenerimin e të ardhurave kombëtare, ndarjen e pasurive natyrore, vendosjen e taksave, sovranitetin mbi ujërat territoriale të pasura dhe hartimin e një kushtetute të veçantë. Kjo pasqyron një dimension të thellë politik dhe ekonomik që shkon përtej një autonomie tradicionale.
Nga ana tjetër, palët synojnë të sigurojnë zbatimin e procesit të paqes përmes fazave të mirëplanifikuara, që përfshijnë çarmatimin gradual, mbikëqyrjen ndërkombëtare neutrale, miratimin e ligjit bazë nga parlamenti i Filipineve, dhe më pas ratifikimin e tij përmes një referendumi popullor në zonat përkatëse.
Së dyti: Konfliktet historike dhe sfidat e sotme
Konflikti midis myslimanëve të Filipineve dhe qeverive të njëpasnjëshme ka zgjatur për më shumë se katër shekuj. Ai nisi me kolonizimin spanjoll, më pas amerikan dhe japonez, ku u synua eliminimi i identitetit islam të shoqërisë Moro, e cila kishte gëzuar sovranitet të pavarur para pushtimit në shekullin e XVI.
Pas pavarësisë së vendit nga kolonizatorët e huaj, konflikti vazhdoi me qeverinë e Manilës në veri gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ku populli Moro u përball me disa fushata ushtarake dhe politike që synonin shtypjen e lëvizjeve të tyre kombëtare dhe kërkesave për të drejtat e tyre legjitime.
Sa i përket ndarjeve brenda fraksioneve të Frontit Çlirimtar Moro, si Fronti Kombëtar Çlirimtar Moro dhe Fronti Islamik Çlirimtar Moro, ato nuk përbëjnë konflikte në vetvete, por përfaqësojnë drejtime të ndryshme politike brenda të njëjtës lëvizje kombëtare. Këto fraksione ndryshuan në strategjitë për arritjen e objektivave, veçanërisht pas refuzimit nga disa prej tyre të marrëveshjeve që u konsideruan kufizuese për të drejtat e popullit Moro.
Luftërat civile dhe përplasjet politike u shoqëruan me akte dhune dhe shtypjeje ndaj popullsisë, veçanërisht gjatë periudhave të shpalljes së ligjit ushtarak në vitet 70 dhe 80, gjë që çoi në zhvendosjen e mijëra familjeve dhe krijoi një krizë të thellë humanitare.
Së treti: Pasuritë dhe burimet natyrore
Rajoni i ri Bangsamoro përbën rreth 10% të territorit të Filipineve dhe është i pasur me burime të mëdha natyrore, përfshirë rezerva të mëdha nafte të vlerësuara në triliona metra kub, minerale nikeli në zona si provinca Tawi-Tawi, si dhe pasuri të rëndësishme detare si sardelet dhe lloje të tjera peshqish.
Këto burime natyrore përbëjnë një shtyllë ekonomike thelbësore për ndërtimin e shtetit të ri dhe janë një faktor kyç në marrëveshjet e ndarjes së të ardhurave me qeverinë qendrore.
Së katërti: Gjendja e myslimanëve në veri
Në kontrast me jugun, myslimanët në veri të Filipineve jetojnë në numër më të vogël dhe me një mënyrë jetese të ndryshme. Shumë prej tyre janë bërë myslimanë kohët e fundit, gjatë përvojave të tyre në vendet e Gjirit, ose si rezultat i përqafimit të Islamit për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme fetare, siç është shpëtimi i disa xhamive nga fatkeqësitë natyrore.
Këta përballen me sfida të mëdha integrimi, pasi nuk u ofrohen mundësi të gjera politike apo shoqërore, ndërsa vazhdon fenomeni i diskriminimit fetar në kryeqytetin Manila dhe në zona të tjera, gjë që kufizon pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën publike.
Së pesti: Pjesëmarrja politike dhe e ardhmja e autonomisë
Pavarësisht ekzistencës së një përfaqësimi të pjesshëm politik të myslimanëve të jugut në parlament, ndikimi i tyre mbetet i kufizuar për shkak të numrit të vogël në raport me shumicën e krishterë, si dhe faktit që legjislacioni bazohet në votën e shumicës.
Themelimi i qeverisë së Bangsamoros dhe zbatimi i ligjit të saj bazë hapin mundësi për rindërtimin e administratës lokale, krijimin e institucioneve të veçanta policore dhe të sigurisë, si dhe garantimin real të të drejtave politike dhe ekonomike.
Së gjashti: Sfidat dhe mundësitë
Myslimanët e Filipineve përballen me disa sfida, më të rëndësishmet prej të cilave janë nevoja për përgatitjen e kuadrove në fushat politike, ekonomike dhe shoqërore, një kërkesë thelbësore për menaxhimin efektiv të shtetit të tyre të sapokrijuar.
Po ashtu, investimet dhe menaxhimi i burimeve natyrore konsiderohen çelësi për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe për zhdukjen e varfërisë që ka prekur prej kohësh komunitetet myslimane në jug.
Nga ana tjetër, përhapja e shiizmit iranian shihet me shqetësim, pasi ka filluar të shfaqet në shoqërinë myslimane të Filipineve, duke ngritur sfida të reja fetare dhe kulturore.
Së shtati: Rreziku i çarmatimit dhe ruajtja e paqes
Procesi i çarmatimit menaxhohet në mënyrë graduale dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare, me krijimin e një force policore lokale që i përket qeverisë së Bangsamoros, e cila do të zëvendësojë forcat e armatosura të Filipineve në rajon. Kjo synon të zvogëlojë shqetësimet për boshllëqe sigurie ose për ndonjë përmbysje të marrëveshjes.
Përfundim
“Marrëveshja e Bangsamoros” përbën një hap serioz drejt zgjidhjes së një konflikti që ka zgjatur për shekuj, dhe një shpresë për stabilitet afatgjatë për popullin Moro, i cili synon të rikthejë dinjitetin dhe identitetin e tij.
Megjithatë, rruga drejt paqes dhe zhvillimit mbetet e mbushur me sfida politike, shoqërore dhe ekonomike, si dhe me nevojën për përfshirjen e myslimanëve në veri të Filipineve në procesin e përparimit, dhe për forcimin e komunikimit më të gjerë me botën islame dhe arabe.
Autor: Hani Salah
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















