Për ata që dikur u rreshtuan kundër Tufanit të Aksasë… para se ta gjykoni, shikoni se çfarë ka ndryshuar ai në botë.
Lexojeni këtë artikull deri në fund dhe shpërndajeni me të tjerët…
Tufani i Aksasë nuk ishte një ngjarje kalimtare dhe ndikimet e tij nuk do të ndalen në kufijtë e Gazës apo te rezultatet e drejtpërdrejta të kësaj lufte.
Që nga 7 tetori 2023, filloi një ngjarje, ndikimi i së cilës do të mbetet i pranishëm në historinë e rajonit për dekada.
Tufani i Aksasë do të ketë një ndikim strategjik të thellë mbi Izraelin dhe do të ndryshojë shumë ekuilibra në rajon dhe në botë. Besoj se përmasat e këtij ndikimi ende nuk janë bërë të qarta plotësisht dhe rezultatet e tij do t’i shohim me sytë tanë, herët a vonë.
Dhe nëse krenaria, dinjiteti, qëndresa dhe këmbëngulja kanë një emër, ai është Gaza.
Këta gjakra të pastër që u derdhën në Gaza nuk do të shkojnë dëm. Ata do të mbijnë, me lejen e Allahut, vetëdije, krenari, liri dhe fitore dhe do të lënë gjurmën e tyre në të ardhmen e Palestinës dhe të rajonit për brezat që do të vijnë.
Çmimi njerëzor ka qenë jashtëzakonisht i rëndë, në një përmasë që fjalët mezi mund ta përshkruajnë. Numri i palestinezëve për martirizimin e të cilëve është njoftuar në Gaza që nga 7 tetori 2023 ka kaluar dhjetëra mijëra, krahas numrit të jashtëzakonshëm të të plagosurve, të zhdukurve dhe të zhvendosurve.
Por, në mes të kësaj vdekjeje, po lindte edhe jeta.
Po, kemi humbur dhjetëra mijëra banorë të Gazës në këtë luftë, por kanë lindur edhe fëmijë të rinj nën bombardime, në çadra dhe në spitale të shkatërruara.
Kjo është Gaza… duan që ajo të vdesë, ndërsa ajo këmbëngul të jetojë.
Një nga rezultatet strategjike më të rëndësishme që ka filluar të shfaqet para syve tanë është rënia e madhe e imazhit, besueshmërisë dhe pozitës së Izraelit në sytë e segmenteve të gjera të opinionit publik botëror.
Treguesit dhe sondazhet ndërkombëtare të opinionit tregojnë se imazhi i Izraelit po kalon sot një nga periudhat e tij më të këqija gjatë dekadave të fundit. Dhe kjo nuk është thjesht një përshtypje emocionale, por një ndryshim që mund të lexohet përmes treguesve të qartë dhe të akumuluar:
- Përmbysje e dukshme në opinionin publik amerikan
Edhe në Shtetet e Bashkuara, aleatin më të rëndësishëm të Izraelit, po shohim një ndryshim që do të ishte e vështirë të imagjinohej disa vite më parë.
Sondazhet e opinionit tregojnë një rënie të vazhdueshme të qëndrimit ndaj Izraelit dhe qeverisë izraelite, veçanërisht te brezat e rinj. Mbështetja tradicionale për Izraelin në shoqërinë amerikane nuk mund të trajtohet më si diçka e qëndrueshme dhe e pandryshueshme.
Kjo është një pikë me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike; sepse kur ndryshimi arrin brenda shoqërisë amerikane, veçanërisht te brezat e ardhshëm, nuk bëhet fjalë për një valë të përkohshme zemërimi, por për një ndryshim që mund të ketë pasoja politike afatgjata.
- Rënie e gjerë e imazhit të Izraelit në botë
Sondazhe të gjera ndërkombëtare gjatë vitit 2026 kanë treguar se pikëpamja negative ndaj Izraelit është bërë mbizotëruese në shumicën e vendeve të përfshira në këto studime.
Ky ndryshim nuk ka ndodhur vetëm në vendet arabe ose islame, por është bërë i dukshëm edhe në shoqëritë perëndimore që historikisht kanë qenë ndër mjediset më mirëkuptuese dhe mbështetëse ndaj Izraelit.
- Rënia e një prej pengesave më të mëdha: kritika ndaj Izraelit është bërë më e pranishme publikisht në hapësirën perëndimore
Kjo, sipas vlerësimit tim, është një nga ndryshimet më të rrezikshme në planin afatgjatë.
Disa vite më parë, shumë politikanë, gazetarë dhe figura publike në Perëndim e trajtonin me shumë kujdes kritikën publike ndaj Izraelit dhe kapërcimi i disa kufijve politikë e mediatikë ishte jashtëzakonisht i vështirë.
Sot situata ka ndryshuar.
Sot shohim politikanë, deputetë, gazetarë, drejtues emisionesh, akademikë, figura publike dhe institucione mediatike ndërkombëtare që flasin më hapur për politikat e qeverisë izraelite, vrasjen e civilëve, urinë, vendbanimet dhe të ardhmen e shtetit palestinez.
Muri psikologjik, politik dhe mediatik që e bënte thjesht kritikën ndaj Izraelit një çështje jashtëzakonisht të ndjeshme, ka filluar të çahet.
Ajo që disa vite më parë thuhej me pëshpëritje, sot diskutohet para miliona shikuesve, në parlamente, universitete, gazeta dhe platformat kryesore mediatike.
Dhe ky ndryshim, në vetvete, është strategjik; sepse betejat e mëdha nuk janë vetëm ushtarake, por janë gjithashtu beteja për narrativën, vetëdijen dhe legjitimitetin.
- Zgjerimi i rrethit të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Palestinës
Vitet e fundit kanë dëshmuar një zgjerim të rëndësishëm të njohjes së shtetit të Palestinës, që ka përfshirë edhe shtete perëndimore me ndikim.
Ky ndryshim shkon përtej simbolikës; ai pasqyron një ndryshim të akumuluar në mjedisin politik dhe diplomatik ndërkombëtar përreth çështjes palestineze.
- Rritja e izolimit në institucionet ndërkombëtare
Vendimet që lidhen me Gazën dhe Palestinën po marrin shumica të mëdha ndërkombëtare.
Në dhjetor 2025, 139 shtete kundrejt vetëm 12 shteteve votuan në favor të një prej rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara lidhur me detyrimet e Izraelit ndaj Kombeve të Bashkuara dhe territoreve palestineze të pushtuara.
Shumë prej vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme mund të mos jenë ligjërisht detyruese, por kur këto shumica përsëriten në këtë përmasë, ato zbulojnë diçka të rëndësishme:
Zgjerimin e hendekut politik midis Izraelit dhe segmenteve të mëdha të komunitetit ndërkombëtar.
- Kalimi i presionit te institucionet ligjore, kulturore dhe akademike
Ndryshimi nuk është më i kufizuar vetëm te rruga ose te sondazhet e opinionit.
Ai ka arritur te institucionet ligjore ndërkombëtare, universitetet, sindikatat, shoqëria civile, kultura dhe arti, ndërsa politikat izraelite janë bërë objekt diskutimi dhe llogaridhënieje në një përmasë më të gjerë se më parë.
- Kalimi i bojkotit nga një qëndrim popullor në një ndikim ekonomik
Ndoshta ky është një nga treguesit që meritojnë më shumë vëmendje në vitet e ardhshme.
Fushatat e bojkotit të lidhura me luftën në Gaza nuk janë më thjesht slogane në rrjetet sociale; disa kompani globale kanë pranuar se bizneset ose markat e tyre dhe reagimet e konsumatorëve në disa tregje janë ndikuar për shkak të luftës dhe debatit të lidhur me të.
Dhe këtu qëndron domethënia më e thellë:
Kur qëndrimi i opinionit publik kalon nga rruga te vendimi i konsumatorit dhe nga vendimi i konsumatorit te shifrat e shitjeve dhe vendimet e kompanive, opinioni publik fiton një peshë reale ekonomike.
Këto nuk janë shtatë ngjarje të veçuara.
Ato janë pjesë të një ndryshimi më të gjerë në qëndrimin global ndaj Izraelit dhe çështjes palestineze.
Fuqia ushtarake mund të shkatërrojë gurët, por nuk mundet me të njëjtën forcë të krijojë legjitimitet, as të imponojë narrativën dhe as të fitojë respektin e popujve.
Gaza ka paguar një çmim njerëzor të jashtëzakonshëm dhe të dhimbshëm, por Palestina është rikthyer fuqishëm në ndërgjegjen e botës: në rrugë, universitete, parlamente, gjykata, tregje dhe qendra vendimmarrjeje.
Dhe besoj se ekziston një rezultat ndoshta më i thellë se të gjithë numrat:
Është thyer pengesa e heshtjes.
Biseda për Palestinën është bërë më e pranishme, kritika ndaj politikave të Izraelit është bërë më e zakonshme dhe pyetjet që dikur ishte e vështirë të shtroheshin në disa shoqëri perëndimore, sot po shtrohen hapur.
Dhe ky ndryshim nuk do t’i shfaqë të gjitha rezultatet e tij sot.
Studenti universitar, vetëdija e të cilit ka ndryshuar sot, pas dhjetë apo njëzet vitesh do të jetë gazetar, profesor, biznesmen, deputet ose ministër.
Dhe i riu që po e sheh sot Gazën, nesër do të marrë pjesë në formësimin e opinionit publik, politikës dhe ekonomisë në vendin e tij.
Dhe pikërisht këtu qëndron ndikimi i vërtetë strategjik.
Ajo që shohim sot nuk është domosdoshmërisht fundi i ndikimit, por mund të jetë fillimi i tij.
Ngjarjet e mëdha nuk maten vetëm me atë që ndodh gjatë ditëve të tyre, por me atë që ndryshojnë në ide, qëndrime dhe ekuilibra për dekada më pas.
Dhe këta gjakra të pastër që u derdhën në Gaza do të mbijnë, me lejen e Allahut, krenari, liri dhe fitore.
Allahu i mëshiroftë dëshmorët e Gazës, i ruajtë banorët dhe fëmijët e saj dhe i dhëntë Palestinës dhe popullit të saj krenari, liri, fitore dhe paqe të drejtë.
Autor: Abdulkerim Bakkar
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















