Urtësia hyjnore shfaqet në përshkallëzimin e legjislacionit dhe në marrjen parasysh të interesave të robërve të Allahut. Këtë e mishëron çështja e shfuqizimit të dispozitave dhe zëvendësimit të ajeteve; një urtësi kjo, të cilën idhujtarët nuk arritën ta kuptonin, ndaj e akuzuan Profetin (a.s) për trillim dhe ndryshim sipas dëshirës. Mes këtyre dyshimeve të kota, shpallja zbriti për të mbrojtur pozitën e të Dërguarit të nderuar (a.s) dhe për të sqaruar urtësinë e thellë që qëndron pas shpalljes. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe kur Ne e zëvendësojmë një ajet me një tjetër – e Allahu e di më së miri se çfarë shpall –, ata thonë: “Ti je vetëm një trillues!” Por shumica e tyre nuk dinë. Thuaj: “Atë e ka zbritur Shpirti i Shenjtë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë, si udhëzim dhe si përgëzim për myslimanët.”[1]
Përmes këtyre ajeteve fisnike, ky artikull hedh dritë mbi shkaqet e zbritjes dhe hollësitë e tefsirit, të cilat tregojnë se si ky zëvendësim shërbeu për t’i forcuar zemrat e besimtarëve, për t’i udhëzuar myslimanët dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë vendimtare shpifjeve të injorantëve.
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti:
Komentuesit e Kuranit kanë thënë se: “Idhujtarët thanë: “Muhamedi (a.s) tallet me shokët e tij; sot i urdhëron për një gjë, ndërsa nesër i ndalon prej saj. Kjo nuk është veçse diçka e trilluar, të cilën ai e sajon nga vetja.” Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli: “Dhe kur Ne e zëvendësojmë një ajet me një tjetër…”
Ajeti – siç edhe përmendet në shkakun e zbritjes së tij – flet për idhujtarët të cilët e akuzuan Profetin (a.s) se tallet me shokët e tij. Ata pretenduan se ai (a.s) i ndryshonte dispozitat sipas dëshirës së tij, Allahu na ruajtë nga ky pretendim i rremë.
Komentimi i ajetiti në vija të shkurtra:
Kështu pra ky ajet zbriti për të mbrojtur dhe për ta mbajtur të pastër figurën e Profetit (a.s), duke e shfajësuar dhe pastruar atë nga çdo pretendim se ai ndryshonte fenë e Allahut të Lartësuar, se ndiqte dëshirat e veta apo se tallej me shokët e tij. Ja shpjegimi i tij:
“Dhe kur Ne e zëvendësojmë një ajet me një tjetër”: Zëvendësimi nënkupton heqjen e një gjëje dhe vendosjen e një tjetre në vend të saj. Pra, zëvendësimi i ajetit nënkupton heqjen e tij dhe vendosjen e një ajeti tjetër në vend të tij. Shumica e komentuesve janë të mendimit se me fjalën “ajet” këtu nënkuptohet ajeti kuranor dhe se me “zëvendësimin” e tij nënkuptohet shfuqizimi i tij.
“E Allahu e di më së miri se çfarë shpall”: Kjo është një fjali ndërfutëse ndërmjet kushtit dhe përgjigjes së tij, e cila vjen menjëherë për t’i qortuar dhe për t’i cilësuar idhujtarët si të paditur. Kuptimi i saj është: Allahu i Lartësuar e di më mirë se çdo krijesë se çfarë është më e dobishme për robërit e Tij, çfarë ajetesh shpall dhe cilat dispozita ndryshon e zëvendëson. Si dispozita shfuqizuese, ashtu edhe ajo e shfuqizuar, janë shpallur sipas asaj që kërkojnë urtësia dhe dobia. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai nuk pyetet për atë që bën, kurse ata do të pyeten.”[2]
“Ata thanë: “Ti je vetëm një trillues!”: Në rastin e zëvendësimit të një ajeti me një tjetër, Idhujtarët i thanë Profetit (a.s) “Ti, o Muhamed, vetëm sa e trillon këtë Kuran nga vetja jote dhe e sajon atë me krijimtarinë dhe shpikjen tënde.”
“Por shumica e tyre nuk dinë”: Ky ajet është ngushëllim për Profetin (a.s) që të mos lëndohet nga fjalët dhe shpifjet e tyre, domethënë: Mos u shqetëso, o i Dërguar i nderuar, për atë që këta idhujtarë thanë për ty dhe për Kuranin e nderuar, sepse shumica e tyre janë të paditur. Ata nuk e dinë urtësinë që qëndron në zëvendësimin e ajeteve dhe nuk kuptojnë asgjë nga çështja e fesë së vërtetë.
Allahu i Lartësuar tha: “Por shumica e tyre nuk dinë”, për të treguar se mes tyre kishte edhe një pakicë që e njihte dhe e kuptonte të vërtetën, por e mohonte atë nga kokëfortësia, mohimi dhe zilia ndaj të Dërguarit të Allahut (a.s) për mirësitë që Allahu i kishte dhënë atij.
Pastaj Allahu i Lartësuar i mësoi të Dërguarit të Tij (a.s) përgjigjen me të cilën do t’ua hidhte poshtë të pavërtetën e tyre dhe do ta asgjësonte atë. Ai i tha: “Thuaj: “Atë e ka zbritur Shpirti i Shenjtë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë, si udhëzim dhe përgëzim për myslimanët.”
“Thuaj: “Atë e ka zbritur Shpirti i Shenjtë’”: Shpirti i Shenjtë është Xhibrili (a.s). Në këtë shprehje kemi një lidhje të të përshkruarit me cilësinë e tij, domethënë: “shpirti i shenjtë”. Kuptimi është: Thuaju, o i Dërguari i nderuar, këtyre të paditurve: “Ky Kuran, për të cilin ju pretendoni se unë e kam trilluar, është zbritur nga Shpirti besnik në zemrën time, prej Zotit tim, si një zbritje e shoqëruar me të vërtetën, rreth së cilës nuk sillet e pavërteta; në mënyrë që t’ua shtojë besimtarëve qëndrueshmërinë në besimin e tyre dhe të jetë udhëzim dhe përgëzim për çdokënd që ia dorëzon veten Allahut, Zotit të botëve.”
“nga Zoti yt”: nënkupton nderim dhe lartësim për Profetin (a.s), pasi Allahu i Lartësuar e veçoi këtë Profet të nderuar me zbritjen e Kuranit mbi të, pasi e kishte edukuar nën përkujdesjen e Tij dhe ishte kujdesur për të me vëmendjen e Tij.
“me të vërtetën”: Kjo shprehje vjen në rolin e rrethanorit të gjendjes; domethënë: Ai e zbriti atë me një zbritje të shoqëruar me urtësinë që e kërkonte atë, në mënyrë të tillë që ajo urtësi të mos ndahet prej tij dhe ai të mos ndahet prej saj.
“për t’i forcuar ata që besojnë, si udhëzim dhe përgëzim për myslimanët”: Kjo sqaron funksionin për të cilin zbriti Kurani i nderuar. Është një funksion që u sjell lumturi vetëm besimtarëve, ndërsa jobesimtarët janë larg tij.
Autor: Ahmed Hidër
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Nahl: 101 – 102.
[2] – Sure Enbia: 23.



















