Islami dallohet për prirjen e tij të qartë, të qëndrueshëm, autentik njerëzor, i cili është i mishëruar në besimet dhe adhurimet e tij, në normat dhe udhëzimet e tij. Ai është feja e njeriut.
Mes hyjnores dhe njerëzores:
Ndoshta shumë njerëzve, në shikim të parë, mund t’u jetë dukur se ekziston një kundërthënie ndërmjet pohimit të veçorisë së “hyjnores” dhe asaj të “njerëzores” në të njëjtën kohë. Sipas asaj që duket, kuptohet dhe supozohet në mendjet e tyre, prania e njërës prej këtyre dy veçorive e mohon tjetrën dhe e përjashton atë, ashtu siç ndodh me çdo dy të kundërta që nuk mund të bashkohen. Pra, nëse ekziston Zoti, nuk mbetet më vend për njeriun!.
Nëse kemi thënë për veçorinë e “hyjnores” se ajo nënkupton, nga njëra anë, hyjnoren e qëllimit dhe të orientimit, në kuptimin se lidhja e mirë me Allahun e Madhëruar dhe kërkimi i kënaqësisë së Tij është qëllimi i njeriut dhe synimi i Islamit.
Nga ana tjetër ajo nënkupton, hyjnoren e burimit dhe të metodës, në kuptimin se Islami është një sistem hyjnor, ligjvënës dhe posedues i të cilit është vetëm Allahu, ndërsa i Dërguari është vetëm përcjellës i shpalljes prej Tij atëherë kjo do të nënkuptonte se nuk ka vend për njeriun.
Ku do të ishte vendi i njeriut, përderisa Allahu është qëllimi, kënaqësia e Tij është synimi dhe orientimi, dhe përderisa vetë Allahu është Ai që ka përcaktuar metodën që të çon drejt këtij qëllimi?
Njeriu nuk është rival i Allahut:
Gabimi i parë dhe themelor në qëndrimin e këtyre njerëzve është se ata e shohin Allahun dhe njeriun sikur të ishin dy rivalë përballë njëri-tjetrit. Këta harrojnë se kush është Allahu dhe çfarë është njeriu.
E vërteta, për të cilën nuk ka asnjë dyshim, është se Allahu është Zotëruesi i këtij universi, Zoti i tij dhe Ai që e drejton e administron atë: “Thuaj: A mos të kërkoj zot tjetër përveç Allahut, kur Ai është Zoti i çdo gjëje?”
Ndërsa njeriu është një krijesë e krijuar, një prej krijesave të Allahut, i Lartësuar qoftë Madhëria e Tij. Nuk mund të përfytyrohet që krijesa të jetë rivale e Krijuesit, që e krijuara në kohë të jetë e ngjashme me të Përjetshmin, apo që i vdekshmi të jetë i barabartë me të Përjetshmin, të Qëndrueshmin: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”
Njeriu është krijesë e Allahut, por është një krijesë që gëzon një pozitë të veçantë dhe ka një rëndësi e një rol në këtë ekzistencë. Ai që ia ka dhënë këtë pozitë dhe i ka caktuar këtë rëndësi e këtë rol është vetë Krijuesi i tij, Allahu i Lartësuar.
Prandaj, le ta shohim njeriun mbi këtë bazë dhe me këtë këndvështrim. Ai është krijesë, por është më i nderuari ndër krijesat tek Allahu i Madhëruar.
Nuk ka mospërputhje mes hyjnores dhe njerëzores:
Nëse i njohim faktet që përmendëm më lart, na bëhet e qartë se Islami, ndonëse është hyjnor në qëllimin dhe orientimin e tij, është gjithashtu njerëzor në qëllimin dhe orientimin e tij. Prandaj themi se njeriu ka një vend, madje një vend të rëndësishëm, në qëllimet e larta dhe objektivat madhore të Islamit, krahas përcaktimit, theksimit dhe forcimit të qëllimit të tij hyjnor. Nuk ka kundërshtim ndërmjet qëllimit hyjnor dhe atij njerëzor por përkundrazi, të dyja plotësojnë njëra-tjetrën.
Sipas këndvështrimit të Islamit, nuk ka asnjë kundërshti midis hyjnores dhe njerëzores. Vlerësimi dhe respektimi i njerëzores së njeriut është pjesë e vetë hyjnorës mbi të cilën është ngritur Islami.
Allahu është Ai që e ka nderuar këtë njeri, i ka fryrë atij nga shpirti i Tij, e ka bërë atë mëkëmbës në tokë, ka vënë në shërbim të tij gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë, dhe ia ka përmbushur begatitë e Tij, të dukshme dhe të padukshme.
Kur burimi i Islamit është “hyjnor”, atëherë është “njeriu” ai që e kupton këtë burim, nxjerr përfundime prej tij, bën përpjekje intelektuale në dritën e tij dhe e shndërron atë në një realitet praktik e të prekshëm.
Kur hyjnorja është qëllimi i shoqërisë muslimane, ashtu siç është edhe qëllimi i individit musliman, atëherë përmbajtja e këtij qëllimi është lumturia e njeriut dhe fitorja e tij, duke fituar begatinë e përhershme pranë Zotit të botëve.
Kur hyjnorja është misioni i muslimanit, atëherë synimet e këtij misioni janë realizimi i së mirës për njeriun dhe ngritja e tij, si dhe pengimi i tij nga devijimi dhe rënia.
Nga kuptimet hyjnore që e udhëheqin muslimanin, si besimi, njëshmëria e Zotit, kthimi tek Allahu me pendim, shpresa, frika etj., në të vërtetë janë kuptime njerëzore, sepse ato janë pjesë e qenies së njeriut ashtu siç e ka krijuar Allahu, dhe janë një prej të fshehtave të fjalës së Tij të Lartësuar: “Dhe i fryva atij nga shpirti im”
Ideja e Islamit është se njeriu nuk mund të jetë vërtet hyjnor në orientimin e tij, pa qenë njëkohësisht njerëzor. Siç nuk mund të jetë vërtet njerëzor, pa qenë njëkohësisht i orientuar drejt Zotit.
Hyjnorja duke e konsideruar atë si qëllim dhe orientim kërkon që nijeti, vepra dhe orientimi të jenë të sinqerta vetëm për Allahun, si dhe që kënaqësia dhe shpërblimi i Tij të jenë përfundimi i synimit dhe qëllimi i përpjekjes pas çdo lëvizjeje, çdo fjale apo çdo vepre.
Qëllimi i gjithë kësaj është çlirimi , lumturimi , nderimi , mbrojtja dhe ngritja e njeriut.
Të gjitha këto janë objektiva dhe qëllime për të cilat Islami kujdeset, të cilat synon dhe për realizimin e të cilave përdor çdo mjet të mundshëm, duke u përpjekur me të gjitha forcat për t’i përmbushur.
Kurani… libri për njeriun:
Nëse i referohemi burimit të parë të Islamit, Kuranit, Librit të Allahut, dhe meditojmë mbi vargjet e tij, si dhe reflektojmë mbi temat dhe çështjet që ai trajton, mund ta përshkruajmë atë si “Libri për njeriun”. Sepse i gjithë Kurani ose i drejtohet njeriut, ose flet për njeriun.
Fjala “njeri” është përmendur në Kuran 63 herë, përveçse njeriu përmendet edhe me shprehje të tjera, si “bijtë e Ademit” e cila është përmendur 6 herë, si dhe fjala “njerëzit”, e cila përsëritet 240 herë në Kuranin Mekas dhe Medinas.
Nga dëshmitë më të qarta për këtë është fakti se ajetet e para që iu shpallën të Dërguarit të Islamit, Muhamedit paqja e Allahut qoftë mbi të, ishin pesë ajetet e sures El-Alek, ku fjala “njeri” përmendet në dy prej tyre, ndërsa përmbajtja e të gjitha këtyre ajeteve tregon kujdesin dhe vëmendjen ndaj çështjes së njeriut.
Këto ajete janë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi. Krijoi njeriun nga një droçkë gjaku. Lexo, sepse Zoti yt është më Bujari. Ai që mësoi me anë të penës. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.”
Muhamedi … i Dërguari njeri:
Nëse shikojmë personin në të cilin Allahu e mishëroi Islamin, duke e bërë atë një shembull të gjallë të mësimeve të tij, dhe morali i të cilit ishte Kurani, mund ta përshkruajmë atë si “të Dërguarin njeri”. Jeta e tij nuk është jeta e një hyjnie, as e një pjese të hyjnisë, e as e një engjëlli të zhveshur nga mishi dhe gjaku, por është jeta e profetit njeri.
Kurani fisnik tregon vazhdimisht, në raste dhe rrethana të ndryshme, se Profeti Muhamed paqja e Allahut qoftë mbi të ishte njeri, siç thuhet në Fjalën e Allahut: “Thuaj: Unë jam vetëm një njeri si ju; mua më shpallet se Zoti juaj është një Zot i vetëm.”
Aspekti njerëzor në mesazhin e Islamit:
Çdo studiues i Islamit, duke u mbështetur në Kuranin fisnik dhe në Sunetin e të Dërguarit të tij, e kupton qartë se Islami i ka kushtuar një vëmendje të madhe “aspektit njerëzor” dhe i ka dhënë atij një hapësirë të gjerë në kuadrin e mësimeve, udhëzimeve dhe legjislacionit të tij.
Nëse shikon në jurisprudencën islame, do të vëresh se adhurimet nuk zënë më shumë se rreth një të katërtën ose një të tretën e saj, ndërsa pjesa tjetër lidhet me çështjet e jetës së njeriut: kodin civil, marrëdhëniet dhe transaksionet, veprat penale, dënimet, e të tjera.
Për më tepër, nëse mediton mbi vetë adhurimet kryesore, do të gjesh se njëra prej tyre është “njerëzore” në thelbin e saj: ai është adhurimi i zekatit. Ai merret nga njeriu i pasur për t’iu dhënë njeriut të varfër; për të parin është pastrim dhe dëlirësim, ndërsa për të dytin është pasurim dhe çlirim.
Edhe adhurimet e tjera nuk janë pa një dimension njerëzor, të cilin mund ta dallosh në thelbin dhe hollësitë e tyre.
Namazi është ndihmë për njeriun në betejën e jetës: “O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz.”
Agjërimi e edukon vullnetin e njeriut me durim përballë vështirësive dhe i edukon ndjenjat e tij që të ndiejë dhimbjet e të tjerëve, duke e nxitur kështu që t’i ngushëllojë dhe t’u gjendet pranë. Për këtë arsye, Profeti paqja e Allahut qoftë mbi të e quajti muajin e Ramazanit “muaji i durimit” dhe “muaji i solidaritetit dhe i mbështetjes”.
Haxhi është një kongres hyjnor dhe njerëzor, në të cilin Allahu i ftoi robërit e Tij besimtarë: “Që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin emrin e Allahut në ditë të caktuara.”
Dëshmimi i këtyre dobive këtu përfaqëson dimensionin njerëzor të qëllimeve të haxhit.
Për më tepër, gjejmë se Profeti paqja e Allahut qoftë mbi të e ngre në shkallën e adhurimit çdo vepër që kryen muslimani, nëse ajo sjell dobi materiale për një njeri ose i shkakton atij gëzim shpirtëror.
Ndër frytet e humanizmit në Islam
Vëllazëria, barazia dhe liria …kjo prirje e mirëfilltë njerëzore në Islam përbën një bazë të rëndësishme për parimin e vëllazërisë njerëzore që ka shpallur Islami, ashtu siç përbën edhe një bazë të rëndësishme për parimin e përgjithshëm të barazisë njerëzore që ka promovuar Islami.
Ajo përbën gjithashtu një bazë të rëndësishme për parimin e lirisë të përcaktuar nga Islami. Islami e ka theksuar thirrjen drejt këtyre tri parimeve njerëzore dhe ka vendosur forma konkrete për zbatimin e tyre. Ai i ka lidhur ngushtë këto parime me besimet, ritet dhe normat e tij morale, në mënyrë që ato të mos mbeten thjesht një dëshirë që e ëndërrojnë disa shpirtra, apo një ide ideale që e përfytyrojnë disa mendje, apo vetëm bojë mbi letër të hedhur nga disa pena.
Këtu do të mjaftohem të flas për parimin e barazisë, duke qenë se ai është i pandashëm nga vëllazëria dhe përbën një nga frytet e saj.
Parimi i barazisë njerëzore:
Sa i përket parimit të barazisë njerëzore që Islami e ka përcaktuar dhe për të cilin ka bërë thirrje, ai mbështetet në parimin se Islami e respekton dhe e nderon njeriun thjesht për shkak se është njeri, dhe jo për ndonjë veçori tjetër.
Njeriu, pavarësisht se cilës prejardhjeje i përket dhe çfarë ngjyre ka, është i barabartë me të tjerët; nuk bëhet dallim mes një race dhe një tjetre, mes një populli dhe një populli tjetër, apo mes një ngjyre dhe një ngjyre tjetër. Kështu, Islami rrëzon të gjitha format e diskriminimit fisor, racor, kombëtar dhe për shkak të ngjyrës së lëkurës.
Kurani thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, që të njiheni ndërmjet jush. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Mirinformuar.”
Njerëzit mund tëjenë të ndryshëm për nga prejardhja dhe përkatësia e tyre. Midis tyre mund të ketë njerëz me prejardhje të ndryshme etnike, arabë dhe joarabë.
Ata mund të ndryshojnë edhe për nga prejardhja familjare dhe statusi shoqëror: dikush mund të rrjedhë nga një familje e njohur dhe me prejardhje të lavdishme, ndërsa dikush tjetër nga një familje e thjeshtë dhe e panjohur në shoqëri.
Njerëzit mund të ndryshojnë edhe në pasurinë e tyre: disa janë të pasur, disa të varfër, ndërsa disa të tjerë kanë një gjendje ekonomike të mesme.
Po kështu, ata mund të ndryshojnë në profesionet dhe postet që mbajnë. Ndër ta ka pushtetarë dhe qytetarë ka inxhinierë të shquar dhe punëtorë të thjeshtë; ka profesorë universiteti dhe roje.
Por të gjitha këto dallime dhe ndryshime nuk i japin askujt një vlerë njerëzore më të madhe se tjetrit, për shkak të prejardhjes, ngjyrës, familjes, pasurisë, profesionit, shtresës shoqërore apo çfarëdo kriteri tjetër.
Vlera njerëzore është e njëjtë për të gjithë. Arabi është njeri, joarabi është njeri; i bardhi është njeri, i ziu është njeri; qeveritari është njeri, qytetari është njeri; i pasuri është njeri, i varfëri është njeri; punëdhënësi është njeri, punëtori është njeri; burri është njeri, gruaja është njeri; i liri është njeri, skllavi është njeri dhe, përderisa të gjithë janë njerëz, atëherë ata janë të barabartë si dhëmbët e një krehri.
Prandaj, Islami e ka konsideruar vrasjen e një njeriu të vetëm si vrasje të mbarë njerëzimit, ndërsa shpëtimin e një jete njerëzore si shpëtim të mbarë njerëzimit. Këtë e përcakton qartë Kurani: “Kush vret një njeri, pa qenë ai fajtor për vrasjen e një njeriu tjetër ose për përhapjen e çrregullimit në tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe kush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar të gjithë njerëzit.”
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com



















