Detyrimi për të mbajtur financiarisht babanë e sëmurë dhe nëse këto shpenzime merren nga pasuria e trashëgimisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje:

Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.

Ne jemi katër fëmijë: tre djem dhe një vajzë. Babai ynë u sëmur nga një sëmundje e rëndë, e cila zgjati për disa muaj dhe vazhdon ende. Ai ka nevojë për shërbim dhe përkujdesje intensive e afatgjatë, duke përfshirë shtrime dhe dalje të shpeshta nga kujdesi intensiv, ndërrimin, kthimin e trupit nga njëra anë në tjetrën dhe përkujdesje shëndetësore.

Përpjekjet dhe përgjegjësitë ndërmjet nesh janë ndarë si më poshtë:

Përkujdesjen, shërbimin dhe barrën fizike i kryejmë unë (vajza) dhe vëllai im më i vogël; veçanërisht vëllai im më i vogël ka një rol të madh dhe bën diferencën në këtë drejtim. Allahu e shpërbleftë për këtë.

Edhe bashkëshorti im ka një rol të madh në këtë barrë. Ndonëse jam e martuar dhe banjo në një krahinë tjetër, bashkëshorti im përballon vështirësinë që të më çojë me automjetin e tij në shtëpinë time, në krahinën tjetër.

Shpenzimet dhe kostot i përballojnë dy vëllezërit e mi të tjerë, të cilët jetojnë larg, pasi gjendja e tyre ekonomike është e mire, kurse babai im nuk ka para, megjithëse zotëron disa pasuri të paluajtshme dhe toka bujqësore.

Për këtë arsye, dy vëllezërit që jetojnë larg kanë marrë përsipër të paguajnë nga pasuria e tyre shpenzimet e larta të trajtimit dhe të barnave.

Duke u nisur nga kjo, ju lutemi të na sqaroni dispozitën sheriatike për çështjet e mëposhtme:

1 – Shpenzimet e trajtimit, ndërkohë që babai është i paaftë financiarisht: A konsiderohet se shpenzimet për trajtimin dhe barnat e babait janë detyrim sheriatik vetëm për djemtë e aftë financiarisht, apo ky detyrim bie mbi të gjithë fëmijët, meshkuj dhe femra, përfshirë edhe mua si vajzë?

2 – Kthimi i shumave të shpenzuara nga pasuria e trashëgimisë: A kanë të drejtë dy vëllezërit e mi, të cilët kanë paguar shpenzimet e trajtimit, t’i marrin mbrapsht shumat që kanë shpenzuar nga pasuria e babait tim pas vdekjes së tij – Allahu ia zgjatftë jetën në bindje ndaj Tij – dhe para ndarjes së trashëgimisë?

3 – Klasifikimi juridik i shumave të paguara: A konsiderohen këto shuma borxh mbi pasurinë e babait, i cili duhet të shlyhet para ndarjes së trashëgimisë, apo konsiderohen si dhurim dhe mirësi ndaj tij, për të cilat nuk ka të drejtë kthimi?

4 – E drejta e vajzës në trashëgimi: A kam të drejtë të kërkoj pjesën time të plotë të përcaktuar nga Sheriati në trashëgimi, pa u zbritur prej saj asgjë nga shpenzimet e trajtimit që kanë paguar dy vëllezërit e mi?

Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigjja

Falënderimi i takon Allahut, ndërsa paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Çështja e detyrimit për të mbajtur financiarisht prindin e sëmurë dhe dispozitat që rrjedhin prej saj, të lidhura me trashëgiminë dhe borxhet, është prej atyre dispozitave praktike, në të cilat ndërthuren të drejtat ndaj Allahut të Lartësuar me të drejtat e njerëzve, si dhe dispozitat e bamirësisë dhe ruajtjes së lidhjeve farefisnore me dispozitat e transaksioneve financiare. Pyetësi ka vepruar drejt kur ka pyetur fillimisht për detyrimin e tij fetar, para se të pyeste për të drejtën e tij nga pasuria, sepse kuptimi i fesë është synimi, ndërsa njohja e dispozitës sheriatike është qëllimi. Për këtë temë do të ndalemi përmes pikave të mëposhtme:

Pika e parë: Thelbi i detyrimit të fëmijëve për të mbajtur financiarisht prindin e tyre: kuptimi dhe kushtet

Përkufizimi i “nefeka – shpenzim” në aspektin gjuhësor dhe terminologjik

Në aspektin gjuhësor, fjala “nefaka” rrjedh nga folja arabe “nefake” (nafaka), që do të thotë: diçka shkoi dhe u shua. Prej këtu thuhet: “Nefikat ed-derahim”, domethënë: paratë u shpenzuan.

Ndërsa në terminologjinë e fikhut, ajo është: “Plotësimi i nevojave të atij që personi ka nën përkujdesje, në ushqim, veshmbathje, banim dhe në gjithçka tjetër që lidhet me nevojat e domosdoshme.”

Juristët e kanë përkufizuar gjithashtu si: “Ajo që shpenzohet për njeriun në ushqim, veshmbathje, banim, shërbim, trajtim mjekësor dhe të ngjashme.”

Kështu që financimi ndaj prindërve hyn në detyrimin për ruajtjen e lidhjeve farefisnore, madje ajo është ndër format më madhore të bamirësisë që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar pas adhurimit të Tij dhe njëshmërisë së Tij.

Baza e detyrimit për financimin ndaj prindërve

Baza e detyrimit të fëmijëve për të financuar ndaj prindërve është e përcaktuar me Kuran, Sunet dhe ixhma.

Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt ka vendosur që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit.”[1]  Në këtë mirësi përfshihet edhe shpenzimi për ta kur ata kanë nevojë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe shoqërohu me ta në këtë botë me mirësi!”[2] Gjithashtu thotë: “Le të shpenzojë ai që është në gjendje të mirë, sipas mundësive të tij!”[3]

Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, ushqimi më i mirë që ha njeriu është ai që e fiton vetë, dhe fëmija i tij është prej fitimit të tij.”[4]

Kushtet për detyrimin e financimit ndaj prindërve

Juristët kanë përcaktuar dy kushte themelore për detyrimin e fëmijëve që fëmijët kanë për të mbajtur prindërit e tyre financiarisht:

Kushti i parë: Varfëria dhe nevoja e prindërve, në atë mënyrë që ata të mos kenë pasuri të mjaftueshme për nevojat e tyre, ose të kenë pasuri që nuk u mjafton.

Kushti i dytë: Gjendja e mirë ekonomike dhe aftësia e fëmijës për të shpenzuar, domethënë të jetë në gjendje të fitojë dhe të ketë tepricë pas plotësimit të nevojave të veta dhe të nevojave të atyre për të cilët e ka detyrim mbajtjen financiare.

Ibn Kudame (r.h) thotë: “Burri detyrohet të mbajë financiarisht prindërit e tij dhe fëmijët e tij, meshkuj dhe femra, nëse janë të varfër dhe ai ka mundësi të shpenzojë për ta.”[5] [ Gjithashtu, në të njëjtin burim, ai thotë: “Argument për detyrimin për mbajtjen financiare të prindërve dhe fëmijëve është Kurani, Suneti dhe ixhmaja.”

Pika e dytë: A është detyrim financimi ndaj prindit të sëmurë për të gjithë fëmijët apo vetëm për djemtë?

Kjo çështje është ndër ato çështje në të cilat ka mospërputhje ndërmjet qëndrimeve të juristëve. Për të sqaruar mendimin më të qëndrueshëm, po paraqesim qëndrimet dhe argumentet e tyre:

Qëndrimi i parë: Detyrimi për mbajtjen financiare përfshin djemtë dhe vajzat

Ky është qëndrimi i shumicës së juristëve, përfshirë hanefitë, malikijtë, shafi’ijtë dhe hanbelijtë.

Ata argumentohen me sa vijon:

Përgjithësia e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Dhe shoqërohu me ta në këtë botë me mirësi.” Urdhri këtu është i përgjithshëm dhe përfshin si mashkullin, ashtu edhe femrën.

Përgjithësia e fjalës së Profetit (a.s) drejtuar Hind bint Utbes: “Merr atë që të mjafton ty dhe fëmijës tënd, sipas së drejtës dhe të arsyeshmes.”[6]

Mbajtja financiare është detyrim në masën e plotësimit të nevojës, dhe në këtë nuk ka dallim ndërmjet mashkullit dhe femrës. Imam Ibnul-Mundhiri ka thënë: “Dijetarët janë pajtuar se mbajtja financiare e dy prindërve të varfër, të cilët nuk kanë as mundësi fitimi dhe as pasuri, është detyrim mbi pasurinë e fëmijës.” Këtë konsensus e kanë përcjellë edhe një numër dijetarësh të tjerë dhe e kanë konsideruar këtë dispozitë të përgjithshme si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.

Qëndrimi i dytë: Kufizimi i detyrimit të mbajtjes financiare vetëm te djemtë e aftë

Disa juristëë kanë mbajtur qëndrimin se detyrimi për mbajtjen financiare bie vetëm mbi djemtë dhe jo mbi vajzat. Ata i kanë interpretuar argumentet duke thënë se përgjegjësia për mbajtjen financiare i takon djalit, sepse shpenzimi kërkon sigurimin e të ardhurave dhe djali është ai që ngarkohet me këtë përgjegjësi.

Shumica e juristëve u janë përgjigjur se mbajtja financiare është detyrim mbi atë nga fëmijët që është në gjendje dhe ka mundësi ekonomike, qoftë mashkull apo femër. Ky është qëndrimi më i qëndrueshëm dhe ai që zbatohet në praktikë.

Edhe përgjegjësi i fetvave pranë Darul-Iftasë së Egjiptit ka sqaruar se financimi ndërmjet paraardhësve dhe pasardhësve është detyrim kur plotësohen kushtet përkatëse. Nëse babai është i varfër ose i paaftë financiarisht dhe ka fëmijë, meshkuj dhe femra, atëherë është detyrim mbi të gjithë ata, duke marrë parasysh rrethanat e secilit prej tyre. Në këtë rast, financimi konsiderohet një nga format e bamirësisë ndaj prindërve dhe është detyrim mbi fëmijët.

Shpërndarja e shpenzimeve ndërmjet fëmijëve

Nëse financimi bëhet detyrim mbi fëmijët dhe ata janë disa, atëherë ajo shpërndahet ndërmjet tyre sipas gjendjes dhe mundësive të tyre ekonomike, jo në mënyrë të barabartë për çdo person dhe as sipas pjesëve të trashëgimisë. Në Mevahib el-Xhelil thuhet: “Ajo shpërndahet ndërmjet tyre, qofshin meshkuj apo femra, të mitur apo të rritur, sipas gjendjes së tyre ekonomike, sipas mendimit më të qëndrueshëm; jo në mënyrë të barabartë për çdo person dhe as sipas pjesëve të trashëgimisë.”

Kjo do të thotë se fëmija i pasur përballon një pjesë më të madhe sesa fëmija me gjendje ekonomike mesatare, e kështu me radhë.

Pika e tretë: Dispozita e shpenzimeve të trajtimit dhe barnave për prindin e sëmurë: a janë ato detyrim?

Klasifikimi juridik i shpenzimeve të trajtimit

Shpenzimet e trajtimit dhe të barnave përfshihen në financimin që është detyrim mbi fëmijën, sepse financimi përfshin gjithçka që prindi ka nevojë për nevojat e domosdoshme, ndër të cilat janë edhe çmimi i barnave, pagesa e mjekut dhe shpenzimet e spitalit.

Juristët kanë përcaktuar se shpenzimet e trajtimit janë pjesë përbërëse e financave dhe se nuk mund të lihet pas dore.

Doktor Zuhejli thotë: “Po kështu, shpenzimet e trajtimit janë pjesë përbërëse e financimit dhe nuk mund të lihet pa to; ato përfshijnë çmimin e barnave, pagesën e mjekut dhe të tjera.”[7]

Gjendja e babait tuaj: i paaftë financiarisht, por me pasuri të paluajtshme

Çështja që kemi përpara është delikate. Babai juaj, ndonëse zotëron pasuri të paluajtshme dhe toka, nuk ka mjete monetare të gatshme me të cilat mund të paguajë trajtimin dhe barnat. Kjo çështje është objekt shqyrtimi në mesin e juristëve

Nëse paratë e tij nuk mjaftojnë për trajtimin, atëherë ai konsiderohet i varfër dhe i paaftë financiarisht në këtë aspekt, dhe mbajtja e tij financiare bëhet detyrim mbi fëmijët e tij që kanë mundësi, sipas kushteve që përmendëm.

Juristët kanë përcaktuar se mbajtja financiare është detyrim për atë që nuk gjen atë që i mjafton dhe nuk merret parasysh pasuria e tij e paluajtshme nëse ai nuk mund të disponojë me të ose nëse ajo lidhet me nevojat e tij themelore.

Mirëpo – me të drejtë – mund të shtrohet pyetja: A është ai i detyruar të shesë një pjesë të pasurisë së tij të paluajtshme për të paguar trajtimin? Kjo është një çështje tjetër që lidhet me dispozitat e disponimit mbi pronën. Parimi bazë është se ai nuk detyrohet të shesë pronën e tij. Megjithatë, çështja matet edhe me parimin e mbajtjes financiare: nëse ai ka diçka që tejkalon nevojat e tij themelore, atëherë mbajtja financiare duhet të sigurohet nga vetë pasuria e tij; përndryshe, ajo bëhet detyrim mbi fëmijët e tij.

Përfundimi: Shpenzimet e trajtimit të babait tuaj janë detyrim mbi fëmijët e tij që kanë mundësi financiare, si meshkuj, ashtu edhe femra, secili sipas gjendjes dhe mundësive të tij ekonomike. Veçanërisht, dy vëllezërit që jetojnë larg kanë marrë përsipër pagesat për shkak të gjendjes së tyre më të mirë ekonomike dhe faktit se, për shkak të largësisë dhe mungesës së tyre, nuk marrin pjesë në përkujdesjen fizike ndaj babait. Kjo ndarje e përgjegjësive është e pranueshme nga pikëpamja sheriatike, për sa kohë që bëhet me mirëkuptim dhe pëlqim të ndërsjellë.

Pika e katërt: Klasifikimi juridiko-fetar i shumave të paguara nga dy vëllezërit: a janë borxh mbi pasurinë e trashëgimisë apo dhurim pa të drejtë kthimi?

Kjo pikë është thelbi i çështjes dhe kërkon një shtjellim të rëndësishëm:

Rasti i parë: Kur fëmija paguan shpenzimet që janë detyrim mbi të

Nëse financimi ndaj prindit të varfër është detyrim mbi fëmijën dhe ai e paguan atë nga pasuria e vet, atëherë kjo konsiderohet detyrim i tij dhe ai nuk ka të drejtë t’ia kërkojë kthimin babait të tij apo pasurisë së tij të trashëgimisë.

Imam Desuki thotë: “Nëse ai për të cilin shpenzohet pretendon se shpenzimi është bërë si ruajtje e lidhjes farefisnore, ndërsa ai që ka shpenzuar pretendon se nuk e ka pasur për qëllim ruajtjen e lidhjes farefisnore, por ka pasur për qëllim kthimin e shumës, ose nuk ka pasur asnjë qëllim të caktuar, atëherë fjala i takon atij që ka shpenzuar, së bashku me betimin e tij.”[8]

Një parim i rëndësishëm është: “Ai që ka përmbushur atë që ishte detyrim mbi të, nuk ka të drejtë t’ia kërkojë kthimin atij mbi të cilin ishte detyrimi i kostove financiare.”

Rasti i dytë: Kur fëmija paguan më shumë sesa detyrimi i tij ose kur babai është i pasur

Nëse prindi është i pasur dhe ka mjete monetare të mjaftueshme, ndërsa fëmija paguan vullnetarisht në vend të tij, atëherë kjo konsiderohet dhuratë, e cila nuk mund të kërkohet më pas.

I Dërguari i Allahut  ka thënë: “Ai që kthehet në dhuratën e tij është si qeni që vjell dhe pastaj kthehet te të vjellat e veta.”[9]

Dijetarët janë pajtuar se nuk lejohet kthimi i dhuratës së dhënë të afërmve pasi ajo t’i jetë dorëzuar atij. Në Enciklopedinë e Fikhut thuhet: “Nëse një person i dhuron diçka një të afërmi të tij dhe dëshiron ta rimarrë atë që i ka dhuruar pasi ia ka dorëzuar, atëherë, përveç rastit të pasardhësve, kthimi i dhuratës është i pamundur me konsensus.”

Rasti i tretë: Kur fëmija paguan shpenzimet me qëllim kthimin e tyre ose pa pasur për qëllim dhurimin

Nëse fëmija i ka paguar shpenzimet me synimin për t’i marrë më pas mbrapsht, ose nuk ka pasur për qëllim t’i dhurojë ato, ndërkohë që babai ka qenë realisht në nevojë, atëherë kjo është një çështje për të cilën ka mospajtim ndërmjet juristëve:

Disa juristë kanë mbajtur qëndrimin se nuk ka të drejtë t’i kërkojë mbrapsht, sepse këto shpenzime ishin detyrim mbi të.

Të tjerë kanë mbajtur qëndrimin se ka të drejtë t’i kërkojë mbrapsht, sepse ai i ka paguar me synimin për t’i marrë më pas, ose me qëllimin që ato të konsiderohen borxh. Imam Desuki ka theksuar se “Fjala i takon atij që ka shpenzuar, së bashku me betimin e tij”, nëse ai pretendon se nuk e ka pasur për qëllim ruajtjen e lidhjes farefisnore.

Me fjalë të tjera, pagesa është bërë si shpenzim i përkohshëm, me synimin që shuma të kthehet dhe jo si dhurim.

Shejhu Abdul-Mexhid Selim, ish-myfti i Egjiptit, ka thënë në një fetva të tij: “Nëse njëri prej trashëgimtarëve e qefinos të vdekurin nga pasuria e tij, duke i siguruar qefinin e zakonshëm, me qëllim që ta marrë nga pasuria e trashëgimisë një shumë të barabartë me të, atëherë ai ka të drejtë ta kërkojë atë shumë.”

Mendimi më i qëndrueshëm në çështjen tonë

Nëse prindi, siç paraqitet në pyetjen tuaj, është i paaftë financiarisht dhe nuk ka para, pra është i varfër në këtë aspekt, dhe dy vëllezërit kanë paguar shpenzimet e trajtimit që ishin detyrim mbi ta, atëherë mendimi më i qëndrueshëm nga pikëpamja sheriatike është se ata nuk kanë të drejtë t’i kërkojnë mbrapsht këto shpenzime, sepse ato ishin detyrim mbi ta dhe detyrimi i përmbushur nuk kërkohet të kthehet.

Por nëse ata i kanë paguar me synimin për t’i marrë mbrapsht ose me synimin që ato të konsiderohen borxh mbi babanë e tyre, atëherë çështja është ndryshe. Përgjegjësi i fetvave pranë Darul-Iftasë së Egjiptit ka dhënë fetva se: “Ajo që fëmija ka paguar për trajtimin e babait të tij konsiderohet borxh mbi pasurinë e trashëgimisë”, nëse ai e kërkon atë pas vdekjes; dhe trashëgimtarët duhet ta shlyejnë atë nga pasuria e trashëgimisë para ndarjes së saj.

Në një fetva të publikuar në faqen Islamweb thuhet: “Nëse ajo që fëmija ka shpenzuar për trajtimin e babait të tij është për shkak të varfërisë së babait dhe pamundësisë së tij për të paguar shpenzimet e trajtimit, atëherë kjo shpenzim është detyrim mbi fëmijën, sepse mbajtja financiare e prindit të varfër është detyrim mbi fëmijën e tij të pasur… Në këtë rast, fëmija nuk ka të drejtë ta kërkojë atë shpenzim, sepse ai ishte detyrim mbi të dhe nuk e ka dhënë si dhurim.”

Sqarimi i çështjes në rastin tuaj

Bazuar në sa u tha më sipër:

Nëse dy vëllezërit i kanë paguar shpenzimet e trajtimit si pjesë të bamirësisë dhe ruajtjes së lidhjeve farefisnore, me synimin që të mos i kërkojnë më pas, atëherë ata nuk kanë të drejtë t’i kërkojnë këto shuma nga pasuria e trashëgimisë.

Ndërsa nëse i kanë paguar me synimin që ato të konsiderohen borxh mbi babanë e tyre, ose me synimin që t’i marrin nga pasuria e trashëgimisë, atëherë kjo është një çështje e bazuar në ixhtihad.

Për më shumë kujdes, është e udhës që çështja t’i paraqitet Komisionit të Fetvave pranë El-Ez’herit, në mënyrë që të dëgjohen të gjitha palët, si dhe provat dhe betimet.

Pika e pestë: E drejta e vajzës për pjesën e plotë të trashëgimisë, pa zbritjen e shpenzimeve të trajtimit

Parimi sheriatik lidhur me borxhet dhe trashëgiminë

Parimi i konsoliduar sheriatik është se borxhet shlyhen fillimisht nga pasuria e trashëgimisë, pastaj zbatohet ajo që i ndjeri ka lënë me testament dhe më pas pjesa e mbetur u ndahet trashëgimtarëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Pasi të zbatohet testamenti që keni lënë ose të shlyhet borxhi.”[10]

A zbriten shpenzimet e trajtimit nga pasuria e trashëgimisë para ndarjes së saj?

Nëse shpenzimet e trajtimit janë borxh i provuar mbi të ndjerin, qoftë me prova, me pranimin e tij apo me betim, atëherë ato zbriten nga pasuria e trashëgimisë para ndarjes së saj.

Ndërsa nëse shpenzimet kanë qenë detyrim mbi fëmijët ose janë dhënë prej tyre si dhurim, ato nuk zbriten nga pasuria e trashëgimisë.

E drejta e vajzës në trashëgimi

E drejta e vajzës në trashëgimi është e përcaktuar me Kuran, Sunet dhe ixhma. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ju urdhëron për sa u përket fëmijëve tuaj: mashkullit i takon pjesa e dy femrave.”[11]

Nëse shpenzimet e trajtimit që kanë paguar dy vëllezërit kanë qenë detyrim mbi ta, atëherë ata nuk kanë të drejtë t’i kërkojnë mbrapsht dhe trashëgimia ndahet pa u zbritur asgjë prej saj.

Ndërsa nëse ato kanë qenë borxh i provuar, atëherë zbriten fillimisht nga pasuria e trashëgimisë dhe më pas pjesa e mbetur ndahet ndërmjet trashëgimtarëve. Në këtë rast, vajza merr pjesën e saj të përcaktuar nga Sheriati mbi pasurinë që mbetet pas shlyerjes së borxhit.

Përgjegjësi i fetvave pranë Darul-Iftasë së Egjiptit ka thënë: “Parimi sheriatik është se borxhet shlyhen fillimisht nga pasuria e trashëgimisë, para se trashëgimia t’u shpërndahet trashëgimtarëve. Ajo që fëmija ka paguar nga pasuria e tij për trajtimin e babait të tij, nëse e kërkon pas vdekjes, konsiderohet borxh që duhet të shlyhet nga pasuria e trashëgimisë dhe trashëgimtarët nuk janë të detyruar ta paguajnë atë nga pasuritë e tyre personale.”

Përmbledhje dhe rekomandime sheriatike

Përmbledhje e dispozitave:

1 – Shpenzimet e trajtimit të prindit të varfër dhe të paaftë financiarisht janë detyrim mbi të gjithë fëmijët që kanë mundësi financiare, meshkuj dhe femra, secili sipas gjendjes së tij ekonomike.

2 – Nëse fëmija paguan shpenzimet që janë detyrim mbi të, ai nuk ka të drejtë t’i kërkojë ato mbrapsht nga pasuria e trashëgimisë.

3 – Nëse fëmija paguan vullnetarisht një shumë që tejkalon detyrimin e tij, ajo konsiderohet dhuratë dhe nuk mund të kërkohet kthimi i saj.

4 – Nëse fëmija paguan me synimin për ta marrë shumën mbrapsht ose me synimin që ajo të konsiderohet borxh, atëherë kjo është çështje për të cilën ka mospajtim. Për më shumë kujdes, është e udhës që çështja t’i paraqitet Komisionit të Fetvave pranë El-Ez’herit.

5 – E drejta e vajzës në trashëgimi është e plotë dhe nuk i zbritet asgjë prej saj.

Rekomandime praktike:

Është e këshillueshme që vëllezërit të arrijnë me mirëkuptim në një zgjidhje paqësore, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, veçanërisht faktin se dy vëllezërit që jetojnë larg janë angazhuar me shpenzimet, ndërsa motra dhe vëllai i saj më i vogël kanë mbajtur barrën e përkujdesjes fizike dhe psikologjike. Nuk do të ishte e drejtë që dy vëllezërit që jetojnë larg të kërkonin kthimin e shumave që kanë paguar, pa marrë parasysh shërbimet që të tjerët kanë ofruar dhe që nuk mund të vlerësohen me para.

Nëse nuk arrihet mirëkuptimi, atëherë Komisioni i Fetvave pranë El-Ez’herit është organi të cilit mund t’i drejtoheni për shqyrtimin e çështjes, provave dhe betimeve.

Nëse dy vëllezërit heqin dorë nga e drejta e tyre, tërësisht ose pjesërisht, për hir të Allahut dhe për ruajtjen e lidhjeve farefisnore, kjo është një formë bamirësie për të cilën do të shpërblehen dhe që kontribuon në forcimin e dashurisë dhe mëshirës ndërmjet vëllezërve.

I këshilloj të gjithë vëllezërit që të tregojnë mëshirë ndaj njëri-tjetrit dhe të ruajnë lidhjet farefisnore, sepse “lidhja farefisnore është një degëzim nga Mëshiruesi”. Nëse i ndërprisni lidhjet ndërmjet jush, do të privoheni nga një shpërblim i madh.

O Allah, na bëj prej atyre që u bëjnë mirë prindërve të tyre, na jep sukses në atë që Ti e do dhe me të cilën je i kënaqur, dhe bëje atë që ofrojmë prej bamirësisë dhe mirësisë një thesar për ne në këtë botë dhe në botën tjetër. O Allah, mëshiroji baballarët dhe nënat tona, vendosi ata në kopshtet e Tu të gjera, bekoji fëmijët dhe pasardhësit e tyre. Vërtet, Ti je Dëgjuesi dhe Ai që i përgjigjet lutjes.

Myfti: Muhamed Ebu Nasir

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Isra: 23.

[2] – Sure Lukman: 15.

[3] – Sure Talak: 7.

[4] – Buhariu.

[5] – “El Mugni”

[6] – Buhariu dhe Muslimi.

[7] – “Fikhul Islami ue Edil-letuhu”

[8] – “Hashijetu Ed Desuki”

[9] – Buhariu dhe Muslimi.

[10] – Sure Nisa: 11.

[11] – Sure Nisa: 11.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *