“…ose të strehohem në një mbështetje të fortë…”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në hidhësinë e ditëve, madje edhe në vitet e varfra dhe të thata, dhe në përzierjen me njerëzit e ulët, gjëja më e keqe që e përball njeriun është ndjenja e dobësisë. Sipas natyrës së krijimit të njeriut dhe ekuilibrit të strukturës së tij emocionale, ai duhet dhe i kërkohet të ndiejë forcë dhe pavarësi. Nëse është me ndërtim dhe mendim të drejtë, ai piqet dhe arrin urtësi në mendjen e tij dhe në sjelljen e tij.

Por nëse është i ri, i zjarrtë dhe i paditur, kjo mund ta çojë në ndjenjën e guximit të tepruar dhe në bindjen se meriton të drejtojë “karrocën” e jetës, e mbushur me “bukuri”, duke menduar se kjo është burrëri.

Ndërsa gjendja është krejt ndryshe për atë që arrin pushtet nën vete dhe i rriten llogaritë, qofshin bankare, shoqërore, prestigjioze apo edhe përvoja shkencore, deri në kufijtë e arrogancës. Ai kalon në një shkallë ku hyn në garë me Zotërimin hyjnor, duke menduar se është një “Zot i lartë” përveç Allahut.

Më pas, kalojmë te rasti i vajzës së re elegante me flokë të shpërndarë, e cila pretendon pavarësi ose “çlirim”. Sa shumë prej atyre që u shkëputën nga turma, u gëlltitën nga ujqërit!

Në strukturën psikologjike të njeriut, ai e do shfaqjen dhe në thelb është krijuar për këtë (siç thotë Zoti: “Unë po vendos në tokë një mëkëmbës”). Prandaj çdo njeri i arsyeshëm duhet të përpiqet të arrijë këtë rol. Njeriu kaloi nga epoka e hershme, në atë të gurit, pastaj në epokën fosile, të bronzit, dhe më pas u zhvilluan epokat, popujt dhe qytetërimet, deri në kohën tonë “të gënjeshtërt”, në epokën e post-modernitetit dhe zhvillimit—epokë në të cilën u shpall “vdekja e arit” dhe u shfaqën monedhat digjitale, tregtimi dhe inteligjenca artificiale.

Por, pavarësisht gjithçkaje ku ka arritur njeriu, madje edhe nëse ka udhëtuar në hapësirë (nëse kjo është e vërtetë), njerëzimi ende është në neglizhencë të plotë ndaj dimensionit shpirtëror, për të cilin u zbritën ligjet hyjnore dhe u vendos feja. Prandaj njeriu ka nevojë të domosdoshme për ngushëllim shpirtëror dhe për ujë me të cilin pastron zemrën dhe ndërgjegjen; sa shumë rënkime i ka shkaktuar vetë zemra dhe sa shumë klithma burojnë nga brendia e saj!

Allahu e krijoi njeriun dhe e formësoi me dy dimensione: trupor (konstruktin fizik), i cili është i zbrazët dhe nëse lihet pas dore ligështohet, dhe dimensioni tjetër, më i rëndësishmi, ai moral dhe shpirtëror. Sprova e trupit është dy llojesh: njëra e lehtë, e cila ka shërim, dhe tjetra është vdekja, për të cilën nuk ka shërim.

Sa i përket shpirtit, ai është shkaku përmes të cilit u formuan qytetërimet dhe u takuan popujt dhe zemrat u anuan drejt njëra-tjetrës. Këtu shfaqen sprovat: Zoti i ka vendosur njeriut tri dëshira, të cilat, edhe pse lidhen me trupin, kanë natyra të ndryshme. E para është dëshira e ushqimit për të siguruar ekzistencën; e dyta, më e rëndësishmja, është dëshira e epshit për sigurimin e riprodhimit dhe vazhdimësisë; dhe e treta, por më e rëndë dhe më e vështira, të cilën nuk e arrin kush përveç atyre me fat të madh, është dëshira e mendjes, sepse jo çdo sy sheh vërtet.

“Për Allahun ne jemi…”

Kur vizatojmë në imagjinatën e fëmijërisë suksese, vendosim qëllime dhe përpiqemi me të gjitha forcat t’i arrijmë ato, pastaj papritmas shfaqet një pengesë ose një kufi ndarës, fillon beteja e mendjes dhe kjo është “dëshira e tretë”: ose qëndrimi dhe përballja, ose ikja!

Ke arritur sukses dhe ke realizuar një pjesë të asaj që shpresoje, por sheh se ke marrë vetëm gurë, ndërsa maja mbetet ende më e lartë, më e madhe dhe më e largët. Këtu vjen loti: ose “ah sikur të mos kisha lëvizur fare”, ose “ah sikur të mund të qëndroja këtu”, ose—më e rënda—humbja e motivimit për të vazhduar drejt asaj që synon.

Por është e çuditshme se si dëshira e mendjes mund të lidhet me një shtysë të brendshme që lidhet në mënyrë të pazakontë me prirjen e sfidës ose me atë që njerëzit e Shamit e quajnë “mukajara” (sfidim i tjetrit). Atëherë ndien nevojën për ta arritur suksesin për të shijuar kënaqësinë e arritjes, apo atë që quhet ekstaza e ndjenjës.

Por ndërsa je në rrugën drejt asaj maje dhe qëllimi të vizatuar, mund të të tradhtojë këmba, ose të lëndohet krahu, ose të të dobësohet vullnet, çfarë do të bësh atëherë? A nuk është kjo një ndjenjë dobësie? Apo ndoshta ndien një butësi nga Allahu, sikur Ai po të përgatit për diçka më të madhe? Atëherë ti shtrëngon veten dhe i thua shpirtit: “Durim, o shpirt, sepse nesër është pushimi i të lodhurve!”

Pasuria, mendimi, feja, prejardhja, njohuria dhe karizma janë ngritëse dhe ulëse të gjendjes së njeriu, pas mirësisë së Allahut. Dhe nuk po e teproj; këtë e thonë shumë njerëz rreth nesh, edhe paraardhësit, madje edhe popujt e mëhershëm dhe tregimet e profetëve fisnikë. A nuk i thanë banorët e Medjenit profetit të tyre Shuajb: “Po të mos ishte familja jote, do të të kishim vrarë me gurë, dhe ti nuk je i nderuar tek ne”? Pra, po të mos ishte fisi dhe farefisi, do të silleshin ndryshe me të. Kjo është diçka që ka si të vërtetën ashtu edhe të gabuarën: të shohësh vetëm origjinën pa degët është injorancë e përbërë, ndërsa të shohësh vetëm degët pa origjinën është gjykim i mangët.

Nëse shikojmë, për shembull, ndërtuesit e trupit (bodybuilders) ose atletët profesionistë në kulmin e rinisë së tyre, trupat e tyre—dhe në një aspekt edhe shpirtrat e tyre—janë si mbështetje dhe shok. Por sapo trupi dobësohet, flokët thinjen dhe ecja ndryshon, ata ndihen të lënë pas dhe sytë u mbushen me lot: si nuk arrita dot ta mbaj as një “dumbbell 5 kg”? Sa e dhimbshme!

“Nëse të ka rrethuar kujdesi… dhe të kam formuar për Veten Time.”

A e di sa ngushëllim, bukuri dhe qetësi shpirtërore ka në një fjalë të vetme?

Kur “këndi i fortë” nuk është thjesht ndihmës, por vetë Krijuesi—jo një krijues që lë krijesën e vet, por një përkujdesje e vazhdueshme dhe absolute—atëherë vjen qetësia, sikur një mbulesë që mbulon çdo anë të trupit që dridhet nga i ftohti, ose trupin që është lagur nga uji dhe sapo çlirohet nga pesha e pikave, shfaqet kuptimi i bukurisë.

Dhe dije, o shok, se edhe kostoja e krijimit hyjnor nuk është e lehtë; ajo nuk shpërndahet falas. Përkundrazi, ai që e “merr” këtë mirësi duhet të jetë bujar në dhënie, që të kuptojë vetë konceptin e dhurimit dhe të arrijë stabilitetin shpirtëror. Sepse “manuali hyjnor” kërkon të shmangësh çdo gjë që dëmton apo shkatërron krijimin e Zotit. Vetëm atëherë arrin mbrojtjen dhe përfshirjen hyjnore.

Edhe në aspektin psikologjik—që është më i rëndësishëm se trupi—duhet kujdes në fjalë, siç thuhet: “shkund mendjen mirë para se të flasësh”. Sepse fjala vret!

Çfarë do të ndodhte nëse një udhëheqës do të kujdesej për zemrat e atyre që ka nën vete po aq sa kujdeset për llogarinë bankare? Projektet dhe njerëzit do të garonin për të ardhur tek ai. Dhe sikur çdo njeri me zemër të shëndoshë të trajtonte zemrat e të tjerëve me dashuri dhe drejtësi, jo me përçmim dhe lartësim, popujt nuk do të luftonin përveçse me lule.

Kur sheh rrjedhën e jetës së profetëve Musa, Isa dhe Muhamed (paqja qoftë mbi ta), dhe sa sprova e dhimbje u ndërthurën me shpresa, dhe si Allahu i formësoi fatet e tyre dhe i mbrojti edhe në mesin e armiqve të tyre, atëherë njeriu detyrohet të mendojë thellë për lidhjen mes krijimit “nën kujdesin e Allahut”.

Kur robi i mirë vuan dhe përpiqet të arrijë “këndin e fortë” që i qëndron përballë shtypjes, zhgënjimit apo rrëzimit shpirtëror, urtësia e Allahut ndonjëherë është që njeriu të sprovohet me jetën deri në atë pikë sa të dëshirojë vdekjen—atë që Allahu e ka bërë për robërit e Tij.

Kështu shfaqet madhështia e “këndit të fortë”, që shëron plagët e së kaluarës dhe i jep njeriut të shohë bukurinë e të qenit i formuar nën kujdesin e Allahut.

“…ose të strehohem në një mbështetje të fortë…”

A e di kush e ka thënë, si e ka thënë, kujt ia ka thënë, apo për kë e ka thënë?

Njeriu, nëse nuk edukohet nga një sheriat, ligj, ndalim moral apo frenim i brendshëm, bëhet i egër në natyrë, i prirur drejt sjelljes shtazore dhe ndërhyrës në veprimet e tij. Me arritjen e rinisë së plotë, forcës, prestigjit dhe synimeve të tij, ai mendon se nëse bie, do të gjejë dikë që ta mbajë. Por gënjen kush thotë se njerëzit nuk kanë nevojë për njerëzit; përkundrazi, Allahu thotë: “dhe Ne i kemi bërë disa prej jush për disa të tjerë mjet shërbimi”, që do të thotë se Allahu i ka vënë njerëzit në shërbim të njëri-tjetrit dhe për këtë i ka krijuar.

Por natyra njerëzore shpesh e tepron kur nevojat themelore plotësohen pa kosto apo sakrificë, dhe humbet ndjenja e vlerës, sepse gjërat i vijnë lehtë. Kur përpiqesh të çlirohesh nga padrejtësia, të përballesh me shtypjen, pasi ke kaluar vite rrahjeje, fyerjesh, robërie dhe dëbimi, ndërsa bota e tërë nuk sheh, nuk dëgjon, nuk flet—por megjithatë e di me siguri gjendjen tënde—dhe pastaj, sapo shkund pluhurin e poshtërimit dhe i thua tiranit “mjaft!”, ose lufton me gjithë forcën tënde kundër një pushtuesi të tokës, nderit dhe fesë tënde, pas mijëra goditjesh mbi popullin tënd dhe shenjtëritë e tua, të thonë: “ti e fillove i pari?”

Allahu i mallkoftë ata që kanë lindur këto krijesa të egra!

Pastaj detyrohesh të vazhdosh të denoncosh padrejtësinë dhe shtypjen, duke shkelur edhe vetë natyrën e pastër njerëzore. Dhe kur ke kundërshtuar “zotin e rremë” që është epshi, atëherë quhesh rebel, gabimtar dhe më i keqi ndër të këqijtë; dhe gjërat përmbysen.

Thanë: “Nxirreni familjen e Lutit nga qyteti juaj…” Do të ishte më mirë të thoshin: janë rebelë, të prapambetur, ose po prishin rendin shoqëror dhe sigurinë kombëtare! Por jo—refuzimi i tyre ishte: “Ata janë njerëz që pastrohen!”

Për Zotin, çfarë logjike dhe çfarë mendjeje është kjo?! Gjykatat e tyre të devijuara e konsiderojnë pastërtinë si krim dhe e quajnë atë prapambetje dhe kundërshtim të zakoneve të shtrembëruara dhe natyrës së degjeneruar.

Ata e sulmuan popullin e Lutit sikur të kishin kryer krimin më të madh, vetëm sepse ata thërrisnin në udhëzim dhe të vërtetë. Por pastaj u sollën edhe më keq, derisa thanë: “Ata janë njerëz që urdhërojnë të mirën, pastërtinë, mbulesën dhe moralin e lartë…”

Imagjino këtë gjendje… me një profet fisnik të Zotit, me vlerë të madhe, por i ngushtohet toka ndërsa përpiqet të luftojë të pavërtetën. Madje përpiqet që të paktën t’i urdhërojë familjes së tij të bojkotojë mendimin apo veprën e tyre, por sa do të donte që populli i tij ta kuptonte…

Më pas goditet edhe brenda shtëpisë së tij, sepse gruaja e tij ndan të njëjtin fat me ta. Dhe ajo që është bashkëshortja, mbështetja dhe ngushëllimi i tij, bëhet pjesë e sprovës së tyre, por gjithçka është e kotë nëse Allahu nuk është mes tyre.

Në ankesën e tij, në dhimbjen dhe pafuqinë e tij, dhe në lotin e syrit të tij për popullin e tij sepse janë injorantë, ai përpiqet me gjithë forcën t’i nxjerrë nga errësira e thellë drejt gjerësisë së ahiretit. Dhe ai dëshiron një dëshirë të një zemre të përulur para Krijuesit të tij, duke u përpjekur të ruajë atë që mund të ruhet, duke e ditur nga Zoti i tij se do të mbetet në histori dhe se Allahu përfshin çdo gjë me dije.

Dhe në këtë dëshirë të tij lidhet kërkesa për “një mbështetje të fortë”: që të ketë fuqi për të mbrojtur të vërtetën, për të rrëzuar padrejtësinë, shtypjen, devijimin dhe pushtimin që ka përshkuar popullin dhe vendin e tij.

Dhe nuk ka asgjë të keqe në kërkimin e ndihmës për të vërtetën, sidomos kur e vërteta është e dobët dhe nuk ka përkrahës.

Autor: Hisamudin Ismaili

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *