Er Rezzaku – Furnizuesi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Emri “Er-Rezzak” në Kuranin e Shenjtë dhe në Sunetin e nderuar:

Ky emër është përmendur edhe në Kuranin fisnik, i përcaktuar me një cilësim tjetër, në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Isai, biri i Merjemes, tha: “O Allah, Zoti ynë! Zbritna një tryezë të shtruar nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parët dhe të fundit prej nesh, si dhe një shenjë prej Teje. Na furnizo, sepse Ti je më i miri i furnizuesve.”[1]

Ky emër është përmendur edhe në Sunetin e Profetit (a.s)

Në hadithin e Enesit (r.a), transmetohet se ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s) çmimet u rritën dhe njerëzit thanë: “O i Dërguari i Allahut, caktoji çmimet për ne!” Ai tha: “Me të vërtetë, Allahu është Ai që cakton çmimet, Ai që i shtrëngon, Ai që i zgjeron dhe Er-Rezzaku (Furnizuesi i madh). Unë shpresoj ta takoj Zotin tim pa pasur ndonjëri prej jush ndonjë kërkesë ndaj meje për ndonjë padrejtësi që lidhet me gjakun apo pasurinë e tij.”[2]

Rizku dhe fitimi

Për këtë arsye, dijetarët kanë bërë dallimin ndërmjet rizkut dhe fitimit. Gjëja që ha, rrobat që vesh dhe shtëpia ku banon, ky është rizku prej të cilit ke përfituar. Ndërsa shuma e pasurisë që ke grumbulluar është fitim prej të cilit mund të mos kesh përfituar drejtpërdrejt. Ajo prej së cilës përfiton drejtpërdrejt është rizku, ndërsa ajo që e ke fituar, por prej së cilës nuk ke përfituar, është fitimi.

Për fitimin do të japësh llogari: Nga e ke fituar? Dhe çfarë ke bërë me të? Edhe nëse nuk ke përfituar prej tij. Dikush që ka një miliard, çfarë ha? Ha një vakt të caktuar. Çfarë rrobash vesh? Vesh një palë rroba. Ku fle gjatë një nate? Në një shtrat të vetëm. Aftësia e njeriut për të shijuar jetën ka një kufi. Sado i pasur të jesh, sa mund të hash? Një vakt të kufizuar. Sa rroba mund të veshësh? Një palë në të njëjtën kohë. Në sa shtretër mund të flesh brenda një nate? Në një shtrat.

Pra, rizku është vetëm ajo prej së cilës ke përfituar, ndërsa fitimi është madhësia e pasurisë që ke grumbulluar. Nga kjo pasuri mund të mos kesh përfituar fare, por ajo mund ti mund të tregosh mendjemadhësi, epërsi dhe pushtet. Për çdo qindarkë që ke fituar do të japësh llogari, edhe pse mund të mos kesh përfituar prej saj.

Për këtë arsye, në disa transmetime të hershme thuhet: “Shpirti i të vdekurit rri pezull mbi arkivolin e tij dhe thotë: “O biri im! O familja ime! Mos lejoni që kjo botë të luajë me ju ashtu siç luajti me mua. E grumbullova pasurinë nga e lejuara dhe e ndaluara, pastaj e shpenzova atë në hallall dhe haram. Kënaqësia është për ju, ndërsa përgjegjësia është mbi mua.”

Rizku është dhuratë dhe furnizim

Në arabisht, “isterzekahu” do të thotë “i kërkoi atij rizk”. Edhe shiu mund të quhet “rizk”, sepse shiu bën që bimët të mbijnë; bën të mbijë gruri dhe perimet. Pra, rizku është ndër pasojat e shiut.

Besimtari duhet t’ia atribuojë rizkun Allahut dhe jo dikujt tjetër

Sa i përket fjalës së Allahut të Madhëruar: “Dhe ju e bëni rizkun tuaj përgënjeshtrim.”[3]

Kur bien shumë shi, dëgjojmë dikë të thotë: “Ka një sistem të presionit të ulët të përqendruar mbi Qipro, i cili është duke ardhur drejt nesh.” Ndërkohë që ky është rizku i Allahut, mirësia e Allahut dhe mëshira e Allahut. Ne ia atribuojmë rizkun vetëm shkaqeve tokësore. Për këtë Allahu thotë: “Dhe ju e bëni rizkun tuaj përgënjeshtrim.”

Në një hadith të saktë transmetohet nga Zejd ibn Halid el-Xhuhenij se: I Dërguari i Allahut (a.s) na fali namazin e sabahut në Hudejbije, pas një nate gjatë së cilës kishte rënë shi. Kur e përfundoi namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha: “A e dini se çfarë tha Zoti juaj?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Ai tha: “Disa prej robërve të Mi u gdhinë besimtarë në Mua dhe disa jobesimtarë. Ai që tha: “Na ra shi me mirësinë dhe mëshirën e Allahut”, është besimtar në Mua dhe jobesimtar në yje. Ndërsa ai që tha: “Na ra shi për shkak të filan ylli”, është jobesimtar në Mua dhe besimtar në yje.”[4]

Në lidhje me këtë hadith, ka njerëz që çdo gjë që ndodh ia atribuojnë vetëm shkaqeve tokësore. Për shembull, kur një tërmet shkatërron gjithçka, dikush të thotë: “Ishte thjesht një çrregullim në koren e Tokës.” Por pse ndodhi pikërisht këtu dhe jo diku tjetër? Ndërkohë që Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti yt nuk do t’i shkatërronte vendbanimet padrejtësisht, ndërkohë që banorët e tyre ishin njerëz që përmirësonin gjendjen.”[5]

Njeriu duhet t’ia atribuojë shkaqet Shkaktarit të shkaqeve, në mënyrë që të pajtohet dhe të sillet me Të:

Njeriu duhet t’ia atribuojë shkaqet Shkaktarit të shkaqeve, Krijuesit të qiejve dhe të tokës, në mënyrë që të lidhet me Të dhe të pajtohet me Të. Për këtë arsye, nuk duhet ta shpjegojë atë që ndodh vetëm me shkaqe tokësore e politeiste; i jep shpjegim asaj që ndodh duke e lidhur me shkaqe tokësore, ndërsa Shkaktari i shkaqeve është Allahu, dhe kjo bëhet për një urtësi jashtëzakonisht të madhe.

Furnizimet janë dy llojesh: furnizime të dukshme dhe furnizime të padukshme:

Furnizimet janë dy llojesh: furnizime të dukshme, si ushqimet për trupin. Shikoni tregun e zarzavateve: sasi të mëdha frutash, sasi të mëdha perimesh, prodhime bujqësore, grurë, dele; shifra marramendëse. Të gjitha këto janë furnizime për robërit e Allahut, ushqime për trupin.

Por ka edhe furnizime të padukshme, të cilat janë dituria dhe besimi. Kur Allahu i Madhëruar i dhuron një njeriu kuptimin e Librit të Allahut, kjo është një furnizim. Meqë ra fjala, dituria është lloji më i lartë i furnizimit. Dëshmia për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Sikur të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj teje, një grup prej tyre do të përpiqej të të çonte në humbje, por ata nuk çojnë në humbje askënd tjetër përveç vetvetes dhe nuk mund të të dëmtojnë aspak. Allahu të shpalli Librin dhe Urtësinë dhe të mësoi atë që nuk e dije. Mirësia e Allahut ndaj teje është vërtet e madhe.”[6] Kur ai arriti pjekurinë e plotë dhe u bë i qëndrueshëm, Ne i dhamë urtësi dhe dituri. Kështu i shpërblejmë bamirësit”[7]

Allahu i Madhëruar i ka dhënë pasuri edhe atij që nuk e donte, edhe atij që e donte. Le të jemi objektivë: Ai ia dha pasurinë Karunit, të cilin nuk e donte, dhe e urdhëroi: “Kërko, nëpërmjet asaj që Allahu të ka dhënë, banesën e botës së ardhshme, por mos e harro edhe pjesën tënde në këtë botë. Bëj mirë, ashtu siç të ka bërë mirë Allahu, dhe mos kërko të bësh çrregullime në tokë, sepse Allahu nuk i do çrregulluesit.”[8]

Dhe ia dha atë edhe hazreti Othmanit, të cilin e donte. Ai shpenzoi për ushtrinë e vështirësisë, dhe Profeti i nderuar tha: “Abdurrahman ibn Semura tregon: Othmani erdhi te Profeti (a.s) me një mijë dinarë në mëngën e tij, në kohën kur po përgatitej ushtria e vështirësisë, dhe i derdhi ato në prehrin e tij. E pashë Profetin (a.s) duke i rrotulluar ato në prehrin e tij dhe duke thënë: “Asgjë nuk do ta dëmtojë Othmanin pas asaj që bëri sot.”[9]

Ai ia dha pushtetin Faraonit, të cilin nuk e donte, dhe ia dha edhe Hazreti Sulejmanit, të cilin e donte. Por çfarë u dha atyre që i do? Pushteti nuk është masë vlerësimi dhe as pasuria nuk është masë vlerësimi. Por ata që Ai i do, janë profetët “Kur ai arriti pjekurinë e plotë dhe u bë i qëndrueshëm, Ne i dhamë urtësi dhe dituri.”

Prandaj, nëse Allahu të dhuron një furnizim të atij lloji që ua ka dhuruar të dashurve të Tij, falënderoje Allahun e Madhëruar.

Sepse në sipërfaqen e rruzullit tokësor ka njerëz që adhurojnë minjtë; të tjerë që adhurojnë organin seksual mashkullor; të tjerë që adhurojnë dallgët e detit; të tjerë që adhurojnë lopët; të tjerë që adhurojnë diellin dhe hënën; të tjerë që adhurojnë gurët, e kështu me rradhë. Ndërsa Allahu i Madhëruar na ka nderuar duke na mundësuar që të adhurojmë Krijuesin e qiejve dhe të tokës.

Allahu i Madhëruar është Furnizuesi; Ai ka garantuar se do ta plotësojë furnizimin, qoftë edhe pas një kohe:

Sa i përket Allahut, i Lartësuar qoftë Ai, Ai është Furnizuesi. Është Ai që i furnizon të gjitha krijesat dhe është Ai që i ka përcaktuar furnizimet e tyre përpara se të krijonte krijesat. “Allahu është Ai që ju krijoi, pastaj ju furnizoi; më pas ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall. A ka ndonjë prej ortakëve tuaj që mund të bëjë diçka të tillë? I lavdëruar dhe i lartësuar është Ai mbi gjithçka që ata i shoqërojnë.”[10]

Pra, ti e dërgon djalin tënd në një vend evropian për të studiuar dhe, që të jesh i qetë, i dërgon shpenzimet e tij për gjashtë vjet njëherësh, në mënyrë që të jesh i qetë. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu është Ai që ju krijoi”— kjo është folje në kohën e shkuar. Pastaj thotë: “pastaj ju furnizoi”. Nuk tha: “pastaj do t’ju furnizojë”, por tha: “pastaj ju furnizoi”.

Allahu i Madhëruar është Furnizuesi dhe ka garantuar se do ta plotësojë furnizimin, qoftë edhe pas një kohe. Çdo njeri ka një furnizim të caktuar tek Allahu, por ai i vjen në kohën e përcaktuar për të. Është thënë: “Kush kërkon ta marrë një gjë përpara kohës së saj, ndëshkohet duke u privuar prej saj.” Asnjë shpirt nuk do të vdesë pa e marrë plotësisht furnizimin e vet. Prandaj, Profeti (a.s)  ka thënë: “O njerëz! Kini frikë Allahun dhe kërkoni në mënyrë të denjë, sepse asnjë shpirt nuk do të vdesë pa e marrë plotësisht furnizimin e vet, edhe nëse ai vonohet. Prandaj, kini frikë Allahun dhe kërkoni në mënyrë të denjë. Merrni atë që është e lejuar dhe lini atë që është e ndaluar.”[11]

Në një transmetim tjetër thuhet “Zgjidhni zanatet tuaja në mënyrë të denjë.” Zgjidh një zanat të ndershëm; zgjidh një zanat që u sjell dobi njerëzve dhe nuk ua zhvat pasurinë atyre. Zgjidh një zanat që u sjell dobi njerëzve dhe nuk mbjell frikë në zemrat e tyre. Zgjidh një zanat prej të cilit përfitojnë njerëzit përreth teje dhe mos zgjidh një zanat që e ndërton të ardhurën tënde mbi rrënojat e të tjerëve.

Sepse gjërat që janë më të lidhura me jetën e njeriut janë furnizimi i tij, zanati i tij dhe bashkëshortja e tij. Automjeti ndërrohet, shtëpia ndërrohet; ndërsa bashkëshortja, nëna e fëmijëve të tij, dhe zanati i tij, janë çështje të një tjetër natyre.

Nëse zanati është në kundërshtim me metodën e Allahut, atëherë ekziston një problem: ti je i privuar vazhdimisht nga afrimi me Allahun.

Furnizimet e Allahut të Madhëruar janë të panumërta dhe të pallogaritshme:

Në ajetin e nderuar thuhet: “O njerëz! Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush. A ka ndonjë krijues tjetër përveç Allahut, që t’ju furnizojë nga qielli dhe toka? Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij. Atëherë, si po largoheni nga e vërteta?”[12]

Disa dijetarë kanë thënë: “Furnizim” është emërtimi për çdo gjë me të cilën ushqehet njeriu ose çdo krijesë tjetër. Por kjo fjalë përfshin furnizimin e kësaj bote dhe të botës së ardhshme.

Hyrja në Xhenet është furnizim; shpëtimi në Ditën e Gjykimit është furnizim; dituria në këtë botë është furnizim; nxjerrja e përsosmërisë nga Allahu është furnizim; butësia është furnizim; devotshmëria është furnizim.

Ne, fare thjesht, kur dëgjojmë fjalën “furnizim”, menjëherë mendojmë vetëm për pasurinë. Mund të gjesh një njeri me të ardhura të kufizuara, por që gëzon dituri të madhe, ka emër të mirë, gëzon qetësi shpirtërore, gëzon suksesin dhe ndihmën e Allahut të Madhëruar, ose gëzon një ndikim të madh tek njerëzit. Shuma e pasurisë së tij mund të jetë shumë e vogël, por vlera e tij tek Allahu mund të jetë jashtëzakonisht e madhe.

Prandaj, nuk duhet të mendojmë se çdo herë që përmendet fjala “furnizim”, ajo nënkupton pasuri. Jo! Furnizimet e Allahut të Madhëruar janë të panumërta dhe të pallogaritshme. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Elif-Lam-Mim. Ky është Libri, në të cilin nuk ka dyshim; është udhëzim për të devotshmit, të cilët besojnë në të padukshmen, e falin namazin dhe shpenzojnë nga ajo me të cilën Ne i kemi furnizuar.”[13]

Allahu i Madhëruar e ka marrë përsipër furnizimin e robërve të Tij:

Ndonjëherë Allahu i Madhëruar i jep një njeriu pozitë dhe autoritet; nëpërmjet kësaj pozite zgjidhen shumë probleme. Kjo është një kapital. Njerëzit të respektojnë, i binden urdhrit tënd. Përdore këtë autoritet për t’u shërbyer njerëzve, për t’u zgjidhur atyre problemet dhe për të shpëtuar atë që ka nevojë të shpëtohet.

Në ajetin e nderuar thuhet: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që të mos e ketë furnizimin e saj tek Allahu. Ai e di vendqëndrimin dhe vendin e saj të prehjes. Të gjitha janë të shënuara në një Libër të qartë.”[14]

Edhe milingona që ecën mbi një shkëmb të fortë, në një natë të errët, furnizimi i saj është nga Allahu.

Edhe kafshët që jetojnë në majat e maleve kanë furnizimin e tyre. Në majat e maleve ka burime uji. Madje, në lartësi të mëdha, në vende ku jetojnë dhitë e egra, ka burime uji për to. Kjo do të thotë se këto burime kanë një sistem furnizimi që shtrihet nën male deri në lartësi edhe më të mëdha.

Në Aruad ka një burim. Reshjet e shiut në Aruad nuk mjaftojnë për të ushqyer këtë burim; rezervuari i tij ndodhet në Tartus dhe furnizimi i tij shtrihet nën det.

Në Indonezi ka trembëdhjetë mijë ishuj. Nuk ka asnjë ishull pa një burim uji të ëmbël.

Këto janë prej shenjave të Allahut që dëshmojnë madhështinë e Tij.

Madhështia e njeriut është të hajë furnizimin që Allahu ia ka caktuar, përmes një rruge të ligjshme:

Madje edhe ushqimi i ndaluar që njeriu konsumon është furnizim nga Allahu. Po sjell një shembull që zakonisht e përsëris shpesh:

Në një kopsht ka pemë molle. Pema e shtatë, dega e tretë, dega e imët e katërt, molla e pestë — ajo mollë është e caktuar për filanin. Ajo është e tij.

Filani mund ta blejë me paratë e tij, mund ta hajë si mik, sepse është ftuar nga pronari i saj, mund ta marrë dhuratë, mund ta vjedhë ose mund ta lypë.

Lypja, vjedhja, dhurata, mikpritja dhe blerja janë zgjedhja e tij. Por vetë molla është caktuar për të.

Madhështia e vërtetë është që ta hash furnizimin që Allahu ta ka caktuar, përmes një rruge të ligjshme.

Në këtë kontekst, mund të përmendim hadithin, në të cilin Profeti (a.s) ka thënë: “Xhibrili më frymëzoi në zemër: “Asnjë shpirt nuk do të vdesë pa e plotësuar furnizimin e vet, edhe nëse ai vonohet. Prandaj, kini frikë Allahun dhe kërkoni në mënyrë të denjë.”

Mos e poshtëro veten! Mos u përul para një të pasuri dhe as para një të fuqishmi. Kërkojini nevojat tuaja me dinjitet, sepse gjërat zhvillohen sipas caktimeve.

Një herë më vizitoi një vëlla në moshë të madhe. I ofrova një mikpritje modeste. Ai mori kafshatën e parë nga ajo që i kisha ofruar dhe, para se ta hante, tha:

“I lavdëruar qoftë Ai që na e ka ndarë këtë dhe që nuk harron askënd nga mirësia e Tij.”

Besojeni këtë: Allahu i Madhëruar nuk harron askënd nga mirësia e Tij.

Ai të ka krijuar; ka marrë përsipër furnizimin tënd; ka marrë përsipër martesën tënde; ka marrë përsipër punën tënde.

Mos u mërzit! Mos u shqetëso! Mos e humb shpresën! Mos u anko!

“I lavdëruar qoftë Ai që na e ka ndarë këtë dhe që nuk harron askënd nga mirësia e Tij.”

Edhe njerëzit e kësaj bote që vjedhin, ajo që marrin është furnizim nga Allahu i Madhëruar; ata kanë zgjedhur ta marrin atë nëpërmjet vjedhjes dhe do të japin llogari për këtë. Por vetë furnizimi ishte caktuar për ta.

Dështimi i veprave në fundin e kohëve si pasojë e:

1 — Përhapjes së imoralitetit:

Vëllezër të nderuar! Ndonjëherë njeriu çuditet: gjërat zhvillohen në dëm të botës islame. Ata jetojnë mbi pasuri të jashtëzakonshme, zotërojnë një pozitë strategjike të mahnitshme, e megjithatë këto pasuri nuk u përkasin atyre; vjen dikush dhe ua merr me forcë.

Por sikur Profeti (a.s) të ishte mes nesh, në këtë hadith, thotë: “O bashkësi e muhaxhirëve! Janë pesë gjëra me të cilat, nëse sprovoheni dhe ato ju bien, kërkoj mbrojtje tek Allahu që të mos i arrini: Nuk është shfaqur kurrë imoraliteti në një popull, derisa ta bëjnë publik atë, pa u përhapur mes tyre sëmundje që nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre. Nuk kanë pakësuar masën dhe peshoren pa u goditur nga vite thatësire, vështirësi e madhe ekonomike dhe padrejtësia e pushtetarit ndaj tyre. Nuk e kanë penguar zekatin e pasurisë së tyre pa iu ndaluar shiu nga qielli; dhe, po të mos ishin kafshët, nuk do të binte shi mbi ta. Nuk e kanë shkelur besën e Allahut dhe besën e të Dërguarit të Tij pa u dhënë mundësi një armiku të huaj të sundojë mbi ta dhe t’u marrë një pjesë të asaj që kanë në duart e tyre. Dhe kur prijësit e tyre nuk gjykojnë sipas Librit të Allahut, por zgjedhin prej asaj që ka shpallur Allahu, Allahu bën që lufta e tyre të jetë mes tyre.”[15]

Sot, homoseksualët në botë kanë organizatat e tyre, kanë drejtuesit e tyre, kanë institucionet që u referohen, kanë karta dhe kërkojnë nga qeveritë që të trajtohen njësoj si qytetarët e tjerë. Shumë qeveri u janë përgjigjur këtyre kërkesave.

Ndonjëherë ndodh që një ambasador i një shteti të fuqishëm të ketë një ceremoni lamtumire në kryeqytet dhe të shkojë së bashku me partnerin e tij seksual. Madje, sipas ligjeve të disa vendeve perëndimore, partnerit seksual mund t’i jepet shtetësia. Nëse dikush ka një partner seksual nga një vend shumë i zhvilluar, partneri i tij mund të ketë të drejtën për shtetësi. Madje ka edhe kompensime.

Profeti (a.s) tha: “derisa ta bëjnë publik atë.”

Homoseksualiteti është një devijim i rrezikshëm që bie ndesh me natyrën e lindur të njeriut. Në shumë vende ai është i njohur edhe në kuadrin ligjor; personi që e praktikon respektohet dhe gëzon të gjitha të drejtat dhe përfitimet që i jepen një personi të martuar.

2 — Përhapjes së sëmundjeve:

Ai tha: “Nuk është shfaqur kurrë imoraliteti në një popull, derisa ta bëjnë publik atë, pa u përhapur mes tyre murtaja dhe sëmundje që nuk kanë ekzistuar më parë te paraardhësit e tyre.”

Domethënë, si AIDS-i. Dikur, nëse një njeri udhëtonte dhe dikush i trokiste në derë natën, i rrëqethej trupi nga frika e Allahut dhe nuk e hapte derën; ndërsa sot mund t’i rrëqethet trupi, por nga frika e AIDS-it. “Të pangopur ndaj jush; e kur vjen frika, i sheh duke të vështruar me sytë që u rrotullohen si të atij që është në agoni të vdekjes. Por, kur frika largohet, ju godasin me gjuhë të mprehta, të pangopur për të mira. Të tillët nuk kanë besuar, prandaj Allahu ua bëri të pavlefshme veprat e tyre. Kjo është e lehtë për Allahun.”[16]

3 — Përhapjes së mashtrimit:

“Dhe nuk e kanë pakësuar masën dhe peshoren pa u goditur nga vite thatësire, vështirësi e madhe ekonomike dhe padrejtësia e pushtetarit ndaj tyre.”

Mashtrimi — lloje të ndryshme mashtrimi.

“Dhe nuk e kanë penguar zekatin e pasurisë së tyre pa iu ndaluar shiu nga qielli; dhe, po të mos ishin kafshët, nuk do të binte shi mbi ta.”

Kushtojini vëmendje tani:

“Dhe nuk e kanë shkelur besën e Allahut dhe besën e të Dërguarit të Tij pa u dhënë Allahu mundësi një armiku të huaj të sundojë mbi ta dhe t’u marrë një pjesë të asaj që kanë në duart e tyre.”

Në luftën e parë, shtatëqind miliardë u transferuan nga vendet tona drejt vendeve perëndimore, dhe në çdo luftë mijëra miliarda transferohen nga vendet tona drejt Perëndimit.

4 — Mosgjykimit sipas Librit të Allahut:

“Dhe kur prijësit e tyre nuk gjykojnë sipas Librit të Allahut dhe nuk zgjedhin atë që ka shpallur Allahu, Allahu bën që lufta e tyre të jetë mes tyre.”

Luftërat civile.

“Dhe kur prijësit e tyre nuk gjykojnë sipas Librit të Allahut dhe nuk zgjedhin atë që ka shpallur Allahu, Allahu bën që lufta e tyre të jetë mes tyre.”

Një armik u vihet mbi krye dhe u merr atë që kanë në duart e tyre.

“U ndalohet shiu nga qielli.”

Të gjitha këto janë ndër gabimet që myslimanët i kryejnë në fundin e kohëve.

Dituria është më fisnikja ndër dy furnizimet: furnizimi i trupave dhe furnizimi i shpirtrave:

Dijetarët kanë thënë: Furnizimi i trupave është përmes ushqimeve, ndërsa furnizimi i shpirtrave është përmes diturisë.

Dituria është furnizim dhe dituria është më fisnikja ndër dy llojet e furnizimit.

Nëse Allahu të veçon me të ardhura të bollshme, me të cilat ha ushqimet më të mira, ndërsa një rob tjetër e veçon me furnizimin e diturisë, dije me bindje të plotë se ai rob është më i nderuar tek Allahu se ti, sepse atij i është dhënë furnizimi i shpirtrave dhe i qenieve njerëzore, domethënë dituria.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kur ai arriti pjekurinë e plotë dhe u bë i qëndrueshëm, Ne i dhamë urtësi dhe dituri. Kështu i shpërblejmë bamirësit.”

“Transmetohet nga Ebu Hurejra (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) e ndaloi vazhdimin e agjërimit pa ndërprerje. Ata i thanë: “Por ti e vazhdon agjërimin.” Ai tha: “Ju nuk jeni si unë; Zoti im më ushqen dhe më jep të pij.” Jezidi tha: “Unë e gdhij natën, ndërsa Zoti im më ushqen dhe më jep të pij. “[17]

Për Allahun, ndonjëherë disa vëllezër janë në një kuvend, një kuvend i begatë, ku ndihet prania e mirësisë, ka dritë, gëzim, dashuri, afërsi dhe përmendje të Allahut. Ai të thotë: “U ula në një kuvend që nuk do ta harroj gjithë jetën.”

Atij i shërbyen vetëm një gotë çaji dhe asgjë tjetër. Ndërsa në raste të tjera ndodh që në sofër shtrohet një ushqim i mrekullueshëm, me ngjyra, lloje dhe shumëllojshmëri, dhe njerëzit thonë: “Nuk u ndjemë mirë, nuk u gëzuam.”

Disa dijetarë kanë thënë: “Furnizuesi është Ai që ushqen shpirtrat e trupave me suksesin e Tij dhe i qetëson zemrat e të mirëve me besimin e tyre tek Ai.”

Pra, Furnizimi është dy llojesh: furnizimi i trupave dhe furnizimi i shpirtrave.

Kështu që ne kemi nevojë për furnizimin e trupave, por mos harroni nevojën tuaj më të madhe për furnizimin e shpirtrave, për njohjen e Allahut: “…dhe të mësoi atë që nuk e dije. Mirësia e Allahut ndaj teje është vërtet e madhe.”

Autor: Ratib Nabulsi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Maide: 114.

[2] – Tirmidhiu.

[3] – Sure Vakia: 82.

[4] – Buhariu.

[5] – Sure Hud: 117.

[6] – Sure Nisa: 113.

[7] – Sure Kasas: 14.

[8] – Sure Kasas: 77.

[9] – Tirmidhiu.

[10] – Sure Rum: 40.

[11] – Ibn Maxheh.

[12] – Sure Fatir: 3.

[13] – Sure Bekare: 1 – 4.

[14] – Sure Hud: 6.

[15] – Ibn Maxheh. Hadithi është Hasen Sahih.

[16] – Sure Ahzab: 19.

[17] – Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *