Porositë e Lukmanit për të birin: udhërrëfim për jetën

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Lukmani ishte një njeri të cilit Allahu (xh.sh) i dhuroi urtësi. Ndër këshillat më të çmuara që ai i dha të birit janë ato që Kurani i ka përmendur në suren Lukman. Ato përfshijnë besimin, mirënjohjen, adhurimin, përgjegjësinë, durimin dhe moralin e mirë. Megjithëse ai iu drejtuan të birit, këto porosi janë një udhërrëfim i vlefshëm për çdo njeri që dëshiron të jetojë me besim, urtësi dhe drejtësi.

Këto porosi janë:

1 – Mos i bëj shirk Allahut!

Porosia e parë e Lukmanit ishte më e rëndësishmja: ruajtja e besimit të pastër në Allahun. Ai tha: “O biri im! Mos i shoqëro Allahut asgjë në adhurim! Vërtet, shirku është padrejtësi e madhe.”[1]

2 – Nderoji dhe respektoji prindërit!

Pas porosisë për njëshmërinë e Allahut, Kurani përmend të drejtën e prindërve dhe mirësjelljen ndaj tyre. Njeriu duhet t’i nderojë dhe t’u jetë mirënjohës prindërve për kujdesin dhe sakrificat e tyre. Megjithatë, nëse ata e thërrasin në shirk, ai nuk duhet t’u bindet në këtë çështje, ndërsa duhet të vazhdojë t’i shoqërojë me mirësi. Ai i tha të birit: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vjetësh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.”[2]

3 – Kujto se Allahu di çdo gjë!

Lukmani i mësoi të birit se asnjë vepër nuk humbet nga dija e Allahut, sado e vogël apo e fshehtë të jetë. Ai tha: “O biri im! Nëse diçka peshon sa një kokërr sinapi dhe ndodhet brenda një shkëmbi, në qiej ose në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Vërtet, Allahu është i Butë dhe ka dijeni të plotë.”[3]

Kjo e mëson njeriun të jetë i ndërgjegjshëm për Allahun edhe atëherë kur askush nuk e sheh.

4 – Fale namazin!

Pas besimit dhe ndërgjegjësimit për mbikëqyrjen e Allahut, vjen adhurimi: “O biri im! Fale namazin…”[4]

Namazi është lidhja e vazhdueshme e robit me Zotin e tij dhe një prej shtyllave më të rëndësishme të jetës së besimtarit.

5 – Urdhëro për të mire!

Lukmani e mësoi të birin të mos mjaftohej vetëm me përmirësimin e vetes, por të kontribuonte edhe në përmirësimin e shoqërisë. Ai tha: “Urdhëro për të mirë…”[5]

Besimtari duhet të nxisë të mirën me urtësi, butësi dhe në përputhje me rrethanat.

6 – Ndalo nga e keqja!

Krahas urdhërimit për të mirë vjen edhe përgjegjësia për të ndaluar të keqen: “…dhe ndalo nga e keqja…”[6]

Kjo tregon se besimtari nuk duhet të jetë indiferent ndaj së keqes, por duhet të përpiqet ta largojë atë në mënyrën e duhur.

7 – Ji i durueshëm!

Lukmani e dinte se rruga e bindjes ndaj Allahut dhe përmirësimit të shoqërisë mund të shoqërohet me vështirësi. Prandaj i tha të birit: “Dhe bëhu i durueshëm për atë që të godet! Vërtet, kjo është nga çështjet që kërkojnë vendosmëri.”[7]

8 – Mos u trego mendjemadh!

Lukmani e këshilloi të birin të mos sillej me mendjemadhësi ndaj njerëzve: “Mos e kthe fytyrën me përbuzje ndaj njerëzve dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi…”[8]

Madhështia e vërtetë nuk qëndron në përbuzjen e të tjerëve, por në përulësinë dhe moralin e mirë.

9 – Ec me maturi!

Lukmani i mësoi të birit edhe mënyrën se si duhet të sillet në ecje: “Ec me hap të matur…”[9]

Besimtari duhet të jetë i ekuilibruar në sjellje, pa arrogancë, pa teprime dhe pa shfaqje të panevojshme.

10 – Ule zërin!

Porosia e fundit lidhet me mënyrën e të folurit: “Dhe ule zërin! Vërtet, zëri më i neveritshëm është zëri i gomarit.”[10]

Kjo na mëson se edhe mënyra se si flasim është pjesë e moralit. Njeriu i urtë nuk ka nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar dhe as të ngrejë zërin për të imponuar mendimin e tij.

Autor: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Lukman: 13.

[2] – Sure Lukman: 14 – 15.

[3] – Sure Lukman: 16.

[4] – Sure Lukman: 17.

[5] – Sure Lukman: 17.

[6] – Sure Lukman: 17.

[7] – Sure Lukman: 17

[8] – Sure Lukman: 18.

[9] – Sure Lukman: 19.

[10] – Sure Lukman: 19.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *