Ndalimi pason të fëlliqtën dhe dëmin

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Është e drejtë e Allahut të Lartësuar – për shkak se Ai është Krijuesi i njerëzve dhe Bamirësi i tyre me të mira të panumërta – që t’u lejojë atyre dhe t’u ndalojë çfarë të dëshirojë, si dhe t’i urdhërojë ata me adhurime e rite si të dojë. Ata nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë apo të bëjnë mëkat, sepse kjo është e drejtë e Zotërimit të Tij mbi ta dhe rrjedhojë e adhurimit të tyre ndaj Tij. Megjithatë, si mëshirë prej Tij për robërit e Vet, Ai e bëri lejimin dhe ndalimin për arsye të kuptueshme, që bazohen në interesin e vetë njerëzve. Kështu, Ai nuk ka lejuar asgjë tjetër përveç të mirave dhe nuk ka ndaluar asgjë tjetër përveç të fëlliqurave.

Është e vërtetë se Allahu i Lartësuar se çifutëve ia ndaloi disa gjëra të mira, mirëpo kjo ishte si ndëshkim për shkak të padrejtësisë së tyre dhe shkeljes së të ndaluarave të Allahut, siç thotë i Lartësuari: “E atyre që ishin jehudi, Ne u ndaluam çdo (kafshë) një thundrake, ndërsa nga gjedhët dhe dhentë u ndaluam dhjamin e tyre, përveç atij që kishin në shpinën e tyre ose në zorrët, apo të përzier me ndonjë kockë. Me këtë Ne i ndëshkuam për shkak të padrejtësisë së tyre. Dhe Ne, vërtet, jemi të sinqertë.”[1]

Allahu ka sqaruar forma të kësaj padrejtësie nga ana e tyre në një sure tjetër, ku thotë i Lartësuari: “Dhe për shkak të padrejtësisë së atyre që ishin jehudi, Ne u ndaluam atyre disa gjëra të mira që u ishin lejuar, si dhe për shkak se i pengonin shumë njerëz nga rruga e Allahut. Edhe për shkak të marrjes së kamatës, megjithëse u ishte ndaluar ajo, dhe për shkak të ngrënies së pasurisë së njerëzve pa të drejtë…”[2]

Kur Allahu dërgoi vulën e të dërguarve të Tij me fenë universale dhe të përjetshme, prej mëshirës së Tij të Lartësuar ndaj njerëzimit – pasi ai u piq e arriti pjekurinë e tij – ishte që të hiqte nga njerëzit barrën e rëndë të ndalesave, të cilat kishin qenë një ndëshkim i përkohshëm për një popull kokëfortë e rebel (siç e përshkruan Tevrati). Ky ishte edhe kryetitulli i shpalljes së Muhamedit te ithtarët e Librit, ashtu siç përmend Kurani se ata: “…e gjejnë të shkruar tek ata në Tevrat dhe në Inxhil; i cili i urdhëron ata për të mira dhe i ndalon nga të këqijat, ua lejon gjërat e mira e të pastra dhe ua ndalon të fëlliqurat, dhe i çliron nga barrat e tyre të rënda e nga prangat që kishin mbi vete.”[3]

Allahu legjitimoi në Islam gjëra të tjera për shlyerjen e mëkateve, përveç ndalimit të të mirave. Kështu, ekziston pendimi i sinqertë që i fshin gjynahet ashtu siç fshin uji papastërtitë; ekzistojnë veprat e mira të cilat i largojnë të këqijat; ekzistojnë lëmoshat (sadakatë) që e shuajnë mëkatin ashtu siç shuan uji zjarri; dhe ekzistojnë sprovat e fatkeqësitë me të cilat rrëzohen gjynahet, ashtu siç rrëzohen gjethet e pemëve në dimër kur thahen.

Me këtë u bë e njohur në Islam se ndalimi pason të fëlliqurën dhe dëmin. Çdo gjë që sjell dëm të pastër është e ndaluar (haram), dhe çdo gjë që sjell dobi të pastër është e lejuar (hallall). Po ashtu, ajo që dëmi i saj është më i madh se dobia është e ndaluar, dhe ajo që dobia e saj është më e madhe është e lejuar. Kjo është ajo që Kurani Famëlartë e ka sqaruar hapur rreth çështjes së alkoolit dhe bixhozit: “Të pyesin ty për alkoolin dhe bixhozin. Thuaj: “Në të dy ka mëkat të madh, por edhe dobi për njerëzit, mirëpo mëkati i tyre është më i madh se dobia e tyre.”[4]

Gjithashtu, nga përgjigjet e prera në Islam kur dikush pyet për të lejuarën (hallallin) është se ajo përfshin: (Të mirat/të pastrat). Domethënë: gjërat që shpirtrat e ekuilibruar i pëlqejnë dhe njerëzit në përgjithësi i konsiderojnë të mira, pa pasur ndonjë ndikim nga zakoni. Allahu i Lartësuar thotë: “Të pyesin ty se çfarë u është lejuar. Thuaj: “U janë lejuar gjërat e mira e të pastra…”[5] Dhe ka thënë: “Sot u janë lejuar juve gjërat e mira e të pastra…”[6]

Nuk është e domosdoshme që myslimani të ketë njohuri të hollësishme rreth fëlliqësisë apo dëmit për shkak të të cilit Allahu ka ndaluar një gjë të caktuar. Atij mund t’i fshihet ajo që për dikë tjetër është e qartë, ashtu siç mundet që dëmi i një gjëje të mos zbulohet në një kohë të caktuar, por të shfaqet qartë në një kohë më pas. Prandaj, besimtari duhet të thotë gjithmonë: “Dëgjuam dhe respektuam (u bindëm).”[7]

A nuk e sheh se Allahu e ka ndaluar mishin e derrit? Myslimani nuk ka kuptuar ndonjë arsye tjetër për ndalimin e tij përveç faktit se ai është i ndotur (i fëlliqur). Më pas, me kalimin e kohës, shkenca zbuloi se ai përmban krimba dhe bakterie vdekjeprurëse. Edhe sikur shkenca të mos kishte zbuluar asgjë te derri, apo të zbulonte edhe më shumë se aq, myslimani do të qëndronte përsëri në bindjen e tij se ai është i fëlliqur (rixhs).

Një shembull tjetër për këtë është thënia e Profetit (a.s) : “Ruajuni dy gjërave që sjellin mallkim!” Ata (shokët e tij) pyetën: “E cilat janë ato dy gjëra që sjellin mallkim, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Ai që kryen nevojën në rrugën e njerëzve ose në vendhijen e tyre.”[8]  Në një transmetim tjetër thotë: “Ruajuni tri gjërave që sjellin mallkim (domethënë që i sjellin kryesit të tyre mallkimin e Allahut dhe të njerëzve): kryerja e nevojës në burimet e ujit, në mes të rrugës dhe në hije.”[9] Në shekujt e parë, askush nuk dinte rreth kësaj përveç faktit se këto janë veprime të fëlliqura, të cilat i refuzon shija e pastër dhe edukata publike. Mirëpo, kur përparoi zbulimi shkencor, ne morëm vesh se këto tri gjëra (që sjellin mallkim) janë ndër gjërat më të rrezikshme për shëndetin publik, si dhe janë burimi kryesor për përhapjen e infeksioneve nga sëmundjet e rrezikshme parazitare, siç janë ankylostomiasis (krimbat e zorrëve) dhe bilharzia.

E kështu, sa herë që depërtojnë rrezet e shkencës dhe zgjerohet fusha e zbulimit, na shfaqen qartë vlerat e Islamit në gjërat që ka lejuar (hallall) dhe në ato që ka ndaluar (haram), si dhe në të gjitha ligjet e tij. E si të mos jetë kështu, kur ai është ligjësim i një të Gjithëdituri, të Urtë dhe të Mëshirshëm ndaj robërve të Tij? “Allahu e di kush është dëmtuesi dhe kush është përmirësuesi. E sikur të dëshironte Allahu, do t’ju rëndonte juve (me rregulla të vështira). Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”[10]

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure En’am: 146.

[2] – Sure Nisa: 160 – 161.

[3] – Sure Nisa: 157.

[4] – Sure Bekare: 219.

[5] – Sure Maide: 4.

[6] – Sure Maide: 5.

[7] – Sure Bekare: 285.

[8] – Muslimi.

[9] – Ebu Daudi.

[10] – Sure Bekare: 220.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *