Hyrje
Teuhidi përbën themelin më të madh mbi të cilin janë ngritur të gjitha shpalljet hyjnore; ai është peshorja me të cilën maten veprat, botëkuptimet dhe qëndrimet. Metodat kuranore për ta rrënjosur këtë parim kanë qenë të larmishme: herë përmes legjislacionit, herë përmes rrëfimit. Ndër modelet më elokuente është ajo që vjen në historinë e Hudhudit me Pejgamberin e Allahut, Sulejmanin (a.s.), ku paraqitet një tablo e saktë e përkujdesjes ndaj teuhidit dhe e përkushtimit për ta ruajtur atë, brenda një konteksti edukativ me domethënie të thellë.
Së pari: Konteksti kuranor dhe domethënia e tij doktrinare
Përmendja e Hudhudit në suren Neml vjen brenda një konteksti që trajton shenjat e mbretërisë dhe të pushtetit, për të kaluar më pas papritur te një çështje doktrinare themelore, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Unë gjeta një grua që i sundon ata; asaj i është dhënë nga çdo gjë dhe ajo ka një fron madhështor. E gjeta atë dhe popullin e saj që i përkulen diellit në vend të Allahut.”[1]
Vërehet se teksti kuranor e paraqet së pari realitetin politik dhe qytetërues, e vetëm më pas tregon çrregullimin doktrinar. Kjo renditje e qëllimshme tregon se përparimi material apo organizativ nuk e zëvendëson shëndoshësinë e besimit, as nuk përbën kriter për vlerësimin e drejtësisë doktrinare.
Së dyti: Xhelozia për teuhidin si vetëdije njohëse
Në fjalimin e Hudhudit spikat një dimension i qartë njohës: ai nuk u mjaftua me transmetimin e lajmit, por ofroi edhe një arsyetim doktrinar të saktë, kur tha: “Që të mos i përkulen Allahut, i Cili nxjerr të fshehtën në qiej dhe në tokë.”[2]
Ky arsyetim zbulon se xhelozia për teuhidin, në këtë model kuranor, nuk është një reagim emocional i zhveshur, por fryt i njohjes së madhështisë së Allahut dhe i lidhjes ndërmjet cilësive të Rububijes (Zotërimit) dhe meritimit të adhurimit. Kjo përputhet me parimin themelor që përcakton se dija është baza e veprimit dhe se qartësia e bindjes është kusht i reformimit.
Së treti: Dimensioni edukativ i qëndrimit
Hudhudi nuk u ndal vetëm te vëzhgimi apo përshkrimi, por atë që pa ia përcolli Pejgamberit të Allahut, Sulejmanit (a.s.), në formën e një raportimi të disiplinuar, të zhveshur nga ekzagjerimi apo fyerja. Kjo hapi rrugën për udhëzim dhe për korrigjimin e drejtimit doktrinar të popullit të Sebe’së.
Nga kjo përfitohet se kujdesi për teuhidin, në metodologjinë kuranore, ndërtohet mbi:
diagnostikimin e saktë të realitetit;
sqarimin e qartë të problemit;
përcjelljen e informacionit te autoriteti i aftë për trajtim.
Kjo është një metodë reformuesë e mbështetur në urtësi dhe gradualitet.
Ibn Kajjimi (r.h) ka thënë: “Xhelozia e lavdërueshme është ajo që e shtyn njeriun të ruajë kufijtë e Allahut, bashkë me dijen dhe urtësinë.”
Së katërti: Domethëniet e modelit në realitetin bashkëkohor
Historia e Hudhudit nxjerr në pah se xhelozia për teuhidin është një vlerë edukative themelore, e cila kërkon vetëdije shkencore, kuptim të konteksteve dhe aftësi për shprehi të matura. Ajo gjithashtu thekson se reformimi doktrinar nuk ndahet nga metoda, dhe se nuk realizohet veçse duke bashkuar dijen me komunikimin e urtë.
Prandaj, rikujtimi i këtij modeli kuranor ndihmon në rrënjosjen e një qasjeje të ekuilibruar në trajtimin e çështjeve të akides, larg teprimit dhe neglizhencës, e ndërtuar mbi kuptimin, argumentin dhe sqarimin.
Përfundim
Hudhudi në Kuran nuk është thjesht një element rrëfimor, por një model domethënës i pasur, që pasqyron rëndësinë e kujdesit ndaj teuhidit dhe dëshmon se xhelozia për të mbështetet në larpamësi, jo në shpërthim emocional; në reformim të qetë, jo në reagime impulsive.
Autor: Dr. Abdullah ibn Ma‘juf el-Xhej‘id
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Neml: 23 – 24.
[2] – Sure Neml: 25.



















