Namazi dhe qytetërimi… Si kontribuon namazi në ndërtimin e qytetërimit njerëzor dhe të qytetërimit shoqëror?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kur njerëzit flasin për namazin, zakonisht e shohin atë si një adhurim individual ose si një marrëdhënie shpirtërore ndërmjet njeriut dhe Zotit të tij. Kjo qasje është e saktë në thelb, por nuk i përfshin të gjitha përmasat dhe ndikimet e namazit. Kurani nuk e paraqet namazin thjesht si një ritual adhurimi të shkëputur nga jeta, por e bën atë pjesë të projektit për ndërtimin e njeriut; dhe njeriu është tulla e parë mbi të cilën ngrihet çdo qytetërim.

Prandaj mund të thuhet se namazi nuk është vetëm një adhurim shpirtëror, por edhe një institucion edukativ dhe qytetërues, që kontribuon në formësimin e personalitetit njerëzor mbi të cilin ndërtohet qytetërimi. Duke qenë se Ibn Halduni ka pohuar se qytetërimi njerëzor është fryt i ndërveprimit të njeriut me jetën shoqërore, politikën, moralin, ekonominë dhe kulturën, atëherë namazi ndikon në të gjitha këto fusha përmes ndikimit të tij të thellë mbi vetë njeriun.

Kriza e qytetërimit, në shumë raste, nuk është krizë burimesh apo mundësish, por krizë e njeriut. Aty ku prishet njeriu, prishet edhe qytetërimi; dhe aty ku përmirësohet njeriu, përmirësohet edhe qytetërimi. Pikërisht për këtë arsye, namazi zë një vend të veçantë si një nga mjetet më të mëdha për formimin dhe ndërtimin e njeriut.

Së pari: Namazi dhe ndërtimi i njeriut nga brenda

Ibn Halduni e konsideron njeriun si boshtin e qytetërimit dhe pohon se prishja e moralit çon domosdoshmërisht në prishjen e shoqërisë, shtetit dhe qytetërimit. Pikërisht nga ky këndvështrim mund të kuptohet namazi si një proces i vazhdueshëm i ndërtimit të njeriut nga brenda.

Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, namazi e pengon njeriun nga imoraliteti dhe e keqja.”

Ky ajet nuk flet vetëm për një ndikim në botën tjetër apo për një efekt shpirtëror, por tregon edhe një funksion të drejtpërdrejtë shoqëror dhe qytetërues, sepse imoraliteti dhe e keqja përbëjnë ndër shkaqet kryesore të rrënimit të shoqërive. Padrejtësia, korrupsioni, tradhtia, gënjeshtra dhe agresioni nuk janë thjesht mëkate individuale, por mjete që shkatërrojnë qytetërimin.

Namazi i lufton këto dukuri shkatërruese që në rrënjë, sepse ai formon brenda njeriut një mbikëqyrës të përhershëm moral.

Shoqëria, anëtarët e së cilës nuk kanë nevojë për një mbikëqyrës të jashtëm në çdo veprim të tyre, sepse ndërgjegjja e tyre është e gjallë, është një shoqëri më e aftë për të ruajtur stabilitetin, për të qenë prodhuese dhe për të ndërtuar qytetërimin.

Prandaj, në thelbin e tij, namazi është formim i ndërgjegjes para se të jetë kryerje e riteve.

Njeriu që qëndron pesë herë në ditë para Allahut, duke e ndier mbikëqyrjen e Tij dhe duke kujtuar llogarinë dhe shpërblimin, bëhet më i aftë të kontrollojë epshet dhe prirjet e tij, si edhe më i përkushtuar ndaj vlerave morale që ruajnë rendin shoqëror.

Qytetërimi nuk mund të ndërtohet veçse mbi besimin e ndërsjellë, dhe nuk mund të ketë besim pa moral.

Së dyti: Namazi dhe çlirimi i njeriut nga robëria e materies

Një nga problemet më të mëdha që çojnë në prishjen e qytetërimit është çrregullimi i hierarkisë së vlerave, kur pasuria, pushteti ose interesi shndërrohen në synimin më të lartë të jetës së njeriut.

Kurani e lidh namazin me çlirimin e njeriut nga këto forma të robërisë tokësore.

Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Unë jam Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje. Prandaj më adhuro Mua dhe fale namazin për të më përkujtuar Mua.”

Namazi nuk është thjesht përkujtim i Allahut, por një riorganizim i vazhdueshëm i përparësive të njeriut. Ai e ridrejton vazhdimisht busullën drejt vlerës absolute, në mënyrë që as pasuria të mos bëhet zot, as posti të mos bëhet zot, e as epshi të mos bëhet zot.

Kur njeriu çlirohet nga robëria e gjërave materiale, ai bëhet më i aftë t’i përdorë ato në shërbim të ndërtimit të qytetërimit, në vend që ato të shndërrohen në mjete shfrytëzimi dhe korrupsioni.

Qytetërimet nuk shemben vetëm për shkak të varfërisë, por shemben kur materia shndërrohet nga një mjet në një qëllim dhe nga një instrument në një objekt adhurimi. Ndërsa namazi e rikthen njeriun, çdo ditë, në qendrën e ekuilibrit.

Së treti: Namazi dhe disiplina qytetëruese

Nuk mund të përfytyrohet një qytetërim i lulëzuar pa respekt për kohën, rregullin dhe disiplinën.

Është domethënëse se namazi është adhurimi më i lidhur me kohën.

Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, namazi është bërë detyrim për besimtarët në kohë të caktuara.”

Edhe drejtimi në të është një. Lëvizjet e tij janë të sistemuara. Kalimi nga një shtyllë e namazit në tjetrën bëhet sipas një rendi të përcaktuar.

Kjo disiplinë, që përsëritet çdo ditë, e edukon njeriun të respektojë kohën, rregullin dhe përkushtimin ndaj detyrës.

Namazi i mëson njeriut se jeta ka një rend dhe se suksesi nuk arrihet me kaos e çrregullim.

Kush mediton mbi qytetërimet e mëdha, vëren se një nga sekretet e përparimit të tyre është respekti për kohën dhe disiplina në punë.

Namazi e rrënjos këtë vlerë në shpirt që në fëmijëri. Ai është një stërvitje e përditshme për respektimin e orareve, organizimin e punëve dhe nënshtrimin e dëshirave personale ndaj kërkesave të detyrës.

Prandaj nuk është rastësi që gjëja e parë për të cilën robi do të japë llogari në Ditën e Kiametit është namazi; sepse ai përfaqëson kriterin e aftësisë së njeriut për disiplinë dhe përkushtim, si dhe mbjell në të një nga vlerat më themelore të qytetërimit: vlerën e disiplinës.

Së katërti: Namazi dhe ndërtimi i kapitalit moral

Qytetërimi nuk ndërtohet vetëm mbi pasuri, sepse sa shumë popuj kanë pasur pasuri e megjithatë janë shembur. Ai ka nevojë për atë që sociologët modernë e quajnë “kapital moral”, pra një sistem vlerash që u mundëson individëve bashkëpunim dhe besim të ndërsjellë.

Namazi është një nga burimet më të rëndësishme të këtij kapitali moral.

Ai që përsërit çdo ditë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” edukohet në përulësi, sepse kërkimi i ndihmës nga Allahu e shuan mendjemadhësinë.

Ai që i përkulet vetëm Allahut çlirohet nga arroganca ndaj njerëzve. Dhe ai që lexon: “Sunduesi i Ditës së Gjykimit” e mban gjithmonë të gjallë ndjenjën e përgjegjësisë dhe llogarisë.

Këto kuptime me kalimin e kohës shndërrohen në sjellje shoqërore që reflektohen në ekonomi, politikë dhe marrëdhënie njerëzore.

Sepse sinqeriteti, besnikëria dhe ndershmëria nuk janë vetëm virtyte individuale, por kushte themelore për lulëzimin e qytetërimit.

Tregu ka nevojë për besnikëri.

Drejtësia ka nevojë për paanësi.

Administrata ka nevojë për integritet.

Dija ka nevojë për sinqeritet.

Dhe të gjitha këto vlera ushqehen nga i njëjti burim: edukimi shpirtëror dhe moral që ndërton namazi.

Së pesti: Namazi dhe ndërtimi i unitetit shoqëror

Ibn Halduni pohon se shoqëria njerëzore nuk mund të stabilizohet pa lidhje që i bashkojnë njerëzit dhe pengojnë shpërbërjen e tyre.

Namazi, veçanërisht namazi me xhemat, e realizon këtë rol në mënyrë të përsosur.

Njerëzit qëndrojnë në një rresht të vetëm, pa dallim midis të pasurit dhe të varfrit, midis sundimtarit dhe të sunduarit, apo midis atij me prejardhje dhe atij pa prejardhje.

Përpara tyre shfaqet një e vërtetë e thellë kuranore: “Vërtet, më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshmi.”

Kjo është një shkollë e përditshme e barazisë praktike.

Gjithashtu, xhamia gjatë historisë islame ka qenë qendër e dijes, konsultimit dhe solidaritetit shoqëror, gjë që e ka bërë atë një institucion qytetërues në kuptimin e plotë, jo thjesht një vend adhurimi.

Prandaj, lulëzimi i qyteteve islame historikisht ka qenë i lidhur ngushtë me lulëzimin e rolit të xhamisë në jetën publike.

Së gjashti: Namazi dhe formimi i njeriut të përgjegjshëm

Një nga krizat më të rrezikshme të qytetërimit është humbja e ndjenjës së përgjegjësisë tek njeriu; njeriu konsumator, indiferent ose egoist nuk ndërton qytetërim. Namazi e riformëson njeriun si një qenie përgjegjëse para Allahut. Prandaj një nga kushtet e një qytetërimi të suksesshëm është ekzistenca e individëve që ndjejnë përgjegjësi ndaj vetes dhe shoqërisë së tyre.

Namazi e mbjell këtë kuptim përmes lidhjes së drejtpërdrejtë midis robit dhe Zotit të tij.

Personi që falet qëndron i vetëm para Allahut, pesë herë në ditë para Krijuesit të tij, dhe kujton se nuk është një qenie e lënë pa qëllim, por një mëkëmbës në tokë: “Unë po vendos në tokë një mëkëmbës”, dhe mëkëmbësia nënkupton përgjegjësi, kontribut dhe ndërtim. Kështu, ai që falet mban përgjegjësi për veprat e tij dhe lexon çdo ditë ajetet që flasin për dhënien e llogarisë dhe të shpërblimit.

Kjo vetëdije për përgjegjësinë individuale është themeli i çdo rilindjeje qytetëruese.

Qytetërimet nuk ndërtohen vetëm me urdhra, por ndërtohen kur ndërgjegjja shndërrohet në një mbikëqyrës të brendshëm.

Prandaj Kurani e lidh vazhdimisht besimin me veprën e mirë, sepse qytetërimi ka nevojë për një ndërgjegje të gjallë po aq sa ka nevojë për ligje dhe institucione. Pa këtë kuptim, qytetërimi e humbet shpirtin e tij, edhe nëse zotëron nivelet më të larta të përparimit teknologjik.

Së shtati: Namazi dhe prodhimi i kuptimit qytetërues

Një nga krizat më të rrezikshme që përballin qytetërimet është humbja e kuptimit.

Njeriu mund të ketë mirëqenie, por ai nuk e di se përse jeton dhe përse ka ardhur në këtë botë.

Njeriu mund t’i posedojë të gjitha mjetet që i japin mirëqënie, por ai nuk e di thelbin dhe qëllimin e gjërave.

Qytetërimet nuk jetojnë vetëm me forcë, por jetojnë me vizion dhe kuptim.

Kur njeriu nuk e di pse jeton, pse punon dhe pse ndërton, qytetërimi shndërrohet në një makineri të madhe  e pa shpirt.

Namazi i jep njeriut këtë kuptim të thellë ekzistencial.

Ai e kujton çdo ditë se është mëkëmbës në tokë dhe se misioni i tij nuk është vetëm konsumimi, por ndërtimi dhe përmirësimi.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai ju krijoi nga toka dhe ju ngarkoi ta ndërtoni dhe ta përmirësoni atë.”

E ky “ndërtim” këtu nënkupton kërkimin e zhvillimit dhe reformës.

Përmes namazit, njeriu kupton se puna, prodhimi, dija dhe dhënia nuk janë veprimtari të ndara nga feja, por pjesë e misionit të tij në tokë. Ato e lidhin atë me Allahun, me botën tjetër dhe me përgjegjësinë e tij tokësore.

Prandaj namazi e çliron veprimin njerëzor nga kotësia.

Bujqësia bëhet adhurim.

Dija bëhet adhurim.

Puna bëhet adhurim.

Madje edhe vetë qytetërimi bëhet pjesë e mëkëmbësisë që Allahu ka dashur për njeriun.

Kështu, i gjithë aktiviteti qytetërues shndërrohet në një akt me kuptim moral dhe shpirtëror.

Së teti: Namazi dhe mbrojtja e qytetërimit nga sundimi materialist

Një nga shenjat më të dukshme të shembjes së qytetërimeve është kur materia shndërrohet në një “zot të fshehtë” që sundon njeriun.

Kurani e ka sinjalizuar këtë rrezik kur thotë: “A e ke parë atë që e ka marrë epshin e tij për zot?”

Qytetërimi që shkëputet nga vlerat mund të arrijë përparim teknologjik, por mund të humbasë humanitetin e tij.

Namazi luan një rol vendimtar në mbrojtjen e njeriut nga kjo gjë.

Ai e kujton vazhdimisht se pasuria nuk është qëllim, fuqia nuk është qëllim, posti nuk është qëllim dhe se njeriu është më i madh se reduktimi i tij në nevoja materiale.

Prandaj namazi ruan ekuilibrin midis materies dhe shpirtit, një ekuilibër që përbën një nga kushtet themelore të qytetërimit të qëndrueshëm.

Përfundim

Në vizionin kuranor, namazi nuk është arratisje nga jeta, por përgatitje për jetën. Ai nuk është shkëputje nga qytetërimi, por themel i tij; është një projekt i plotë qytetërues që fillon me ndërtimin e njeriut dhe përfundon me ndërtimin e qytetërimit.

Qytetërimi për të cilin flet Ibn Halduni fillon me njeriun, dhe namazi është një nga mjetet më të mëdha që e ndërton këtë njeri.

Ai formon ndërgjegjen që pengon korrupsionin, vlerat që prodhojnë besim, disiplinën që sjell efikasitet, unitetin që ruan shoqërinë dhe kuptimin që i jep qytetërimit shpirtin e tij.

Prandaj marrëdhënia midis namazit dhe qytetërimit nuk është rastësore, por një lidhje e thellë strukturore; çdo qytetërim që i përshtatet dinjitetit njerëzor duhet të bazohet në një njeri me zemër të gjallë, ndërgjegje të zgjuar dhe shpirt të lidhur me Allahun. Dhe namazi është shkolla e përditshme që kujdeset për formimin e këtij njeriu.

Nga këtu mund të thuhet se namazi nuk është vetëm miraxhi i shpirtit drejt qiellit, por edhe themeli që e bën njeriun të aftë të ndërtojë tokën sipas vlerave që ka caktuar Allahu; kështu adhurimi dhe qytetërimi bashkohen në një projekt të vetëm, që synon ndërtimin e një njeriu më të lartë, një shoqërie më të drejtë dhe një qytetërimi më human.

Nëse rrënimi i qytetërimit fillon nga rrënimi i njeriut, atëherë edhe përmirësimi i qytetërimit fillon nga përmirësimi i njeriut. Prandaj kuptojmë sekretin e lidhjes së besimit me veprën e mirë në Kuran, si dhe vendin qendror që ka namazi në mesazhin islam; ai nuk është thjesht një rrugë drejt përmirësimit individual, por një rrugë drejt ndërtimit të një qytetërimi që i përshtatet dinjitetit njerëzor dhe mëkëmbësisë së tij në tokë, një qytetërim që bashkon forcën e ndërtimit me fisnikërinë e qëllimit, përparimin material me lartësinë shpirtërore, dhe ndërtimin e tokës me ndërtimin e zemrës.

Autor: Omer Ismail Rahimi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *