Kjo urtësi është nga hollësitë e urtësive edukative; ajo e krahason edukatën me ushqimin, dhe veprën me kripën. Në këtë ka sinjale të thella për renditjen e prioriteteve në ecjen drejt Allahut të Lartësuar, si dhe në marrëdhëniet me krijesat.
Kuptimi i shprehjes “Bëje edukatën tënde ushqim!”
Edukata është baza dhe ushqimi
Ushqimi është themeli i ekzistencës dhe me të mbahet trupi; po kështu edhe edukata është themeli i fesë dhe i njerëzisë.
1 – Dituria pa edukatë është fitne (shkak për prishje).
2 – Vepra pa edukatë është ashpërsi dhe hipokrizi.
3 – Thirrja pa edukatë sjell largim dhe neveri.
Prioriteti që të parët e devotshëm i jepnin edukatës ndaj dijes, veprës dhe thirrjes
Të parët e umetit i kanë pasë dhënë përparësi mësimit të edukatës ndaj shumë pjesëve të dijes dhe veprës.
Abdulla ibn Mubaraku (r.h) ka thënë: “Ne kemi më shumë nevojë për pak edukatë sesa për shumë dije.”
Imam Maliku (r.h) i tha nënës së një nxënësi të tij: “Shko te Rabia dhe mëso prej edukatës së tij para dijes së tij!”
Fushat e edukatës
Edukata përfshin:
1 – Edukata e robit me Allahun e Lartësuar.
2 – Edukata e robit me të Dërguarin e Allahut (a.s).
3 – Edukata e robit me dijetarët dhe njerëzit në përgjithësi.
4 – Edukata e robit me veten e tij.
Kush e humb edukatën, i humbet edhe begatia e veprës.
Kuptimi i shprehjes “Bëje veprën tënde kripë!”
Vepra është si kripa; kripa është e rëndësishme, por është e pakët në raport me ushqimin, dhe nëse shtohet tepër e prish atë. Kuptimi i shprehjes është: mos e bëj synimin tënd shtimin e veprave të dukshme, teksa zemra dhe morali të jenë të prishura.
Por le të jetë vepra jote e ndjekur nga edukata, sinqeriteti dhe përulësia. Sepse vepra, nëse është pa edukatë, bëhet:
1 – Syfaqësi,
2 – Ose vetëpëlqim,
3 – Ose mendjemadhësi,
4 – Ose shkak për të sulmuar njerëzit.
Ndërsa edukata e zbukuron edhe veprën e pakët, derisa ajo të bëhet e madhe tek Allahu.
Argumentet sheriatike:
Edukata para veprës
1 – Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe flisni njerëzve fjalë të mira!”[1] Në këtë ajet, Allahu e jep përparësi edukatës me njerëzit.
2 – Në lidhje me edukatën e besimtarëve, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, mos i ngrini zërat tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos i flisni me zë të lartë atij siç flisni me njëri-tjetrin, që të mos ju humbasin veprat tuaja pa e vënë re!”[2] Ky ajet tregon se mungesa e edukatës mund t’i prishë veprat.
Pozita e moralit të mirë në fe
1 – I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Prej jush më i dashuri tek unë dhe më i afërti me mua në ditën e Kiametit janë ata që kanë moralin më të mirë; dhe më të urryerit tek unë dhe më të largëtit nga unë në ditën e Kiametit janë ata me moral të keq, ata që flasin shumë, që flasin me tepri dhe që shtiren si të ditur.”[3]
2 – Profeti (a.s) ka thënë: “Gjëja më e rëndë në peshore është morali i mirë.”[4] Ky hadith tregon se Profeti (a.s) e ka konsideruar moralin e mirë një nga veprat më të mëdha të afrimit tek Allahu.
Vepra pa sinqeritet dhe pa edukatë nuk sjell dobi
1 – Allahu i Lartësuar thotë: “Mjerë për ata që falen, të cilët janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre, të cilët bëjnë syfaqësi.”[5] Këta njerëz veprojnë, por kur humbën edukatën me Allahun dhe sinqeritetin, u qortuan.
2 – Profeti (a.s) ka thënë: “Ndoshta një agjërues nuk ka nga agjërimi i tij asgjë tjetër përveç urisë, dhe ndoshta një falës i natës nuk ka nga namazi i tij asgjë tjetër përveç pagjumësisë.”[6] Sepse vepra që ata bënë – agjërimi dhe namazi – ishte pa devotshmëri dhe pa edukatë të brendshme, prandaj u bë si hi i shpërndarë në peshoren e sheriatit.
Kuptimi edukativ i kësaj urtësie
Kjo urtësi thërret në:
1 – Përmirësimin e zemrës para mburrjes me veprat.
2 – Kujdesin ndaj moralit dhe përulësisë.
3 – Ekuilibrin mes së jashtmes dhe së brendshmes.
4 – Kujdesin për bukurinë e sjelljes, ashtu siç kujdesemi për shumësinë e adhurimeve.
Mund të ndodhë që një njeri të ketë shumë nafile (adhurime vullnetare), por të ketë moral të keq; ndërsa një tjetër ka pak vepra, por ka edukatë të mirë dhe është i mëshirshëm me njerëzit. Kështu i dyti është më afër pranimit.
Ebu Hurejra (r.a) tregon se një burrë i tha Profetit (a.s): “O i Dërguar i Allahut, filania përmendet për shumë namaz, agjërim dhe sadaka, por ajo i shqetëson fqinjët e saj me gjuhën e saj.” Ai tha: “Ajo është në zjarr.” Pastaj tha: “Filania tjetër përmendet për pak agjërim, sadaka dhe namaz, por ajo jep sadaka edhe nga pak gjë, dhe nuk i shqetëson fqinjët e saj me gjuhën e saj.” Ai tha: “Ajo është në Xhenet.”[7]
Kështu, veprat e shumta të gruas së parë nuk i sollën dobi për shkak të mungesës së edukatës, dhe ajo e meritoi zjarrin për shkak të moralit të keq. Ndërsa vepra e tjetrës – megjithëse të pakta – , me edukatë të mirë, e bëri të meritojë kënaqësinë e Allahut dhe Xhenetin.
Abdulkerim Abduselam Jasini (r.h) ka thënë: “Qëllimi i edukimit është që dituria të shndërrohet në moral.”
Përmbledhje:
Edukata është baza mbi të cilën ndërtohet personaliteti i besimtarit. Vepra është zbukurim i edukatës dhe fryt i saj. Pak vepra me edukatë të mirë është më e mirë se shumë vepra me ashpërsi dhe mendjemadhësi. Edukata e vërtetë është shenjë e gjallërisë së zemrës.
Lavdia i takon Allahut me mirësinë e të Cilit përfundojnë veprat e mira.
Autor: Bin Salim Bahshim
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Bekare: 83.
[2] – Sure Huxhurat: 2.
[3] – Bejhakiu në Shuab dhe Ahmedi në Musned.
[4] – Ibn Hibani.
[5] – Sure Maun: 4 – 6.
[6] – Ibn Maxheh.
[7] – Ahmedi.



















