Dita e Arafatit, dita më e vështirë për shejtanin

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dita e Arafatit është një prej ditëve më me vlerë tek Allahu i Madhëruar, sepse në këtë ditë muslimani i cili qëndron në Arafat plotëson një prej pesë kushteve të Islamit, kurse ai i cili agjëron në këtë ditë i falen mëkatet e vitit të kaluar dhe të atij që vjen. E kështu pra mëshira dhe bujaria e Allahut të Madhëruar zbret ndaj robërve të Tij.

Mirëpo në këtë ditë është një krijesë e cila është e poshtëruar dhe e nënçmuar, midis saj dhe nesh ekziston një armiqësi e përhershme. Kjo krijesë përpiqet maksimalisht që të na privojë nga hyrja në Xhenet dhe që të fitojmë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. I Dërguari i Allahut (a.s) na e përshkruan gjendjen e shejtanit në këtë ditë të begatë: “Shejtani nuk e shikon veten e tij më të vogël, më të larguar, më të poshtëruar dhe më të mbushur me mllef sesa në ditën e Arafatit. Arsyeja  e kësaj është se ai shikon se mëshira e Allahut zbret (mbi robërit e Tij) dhe se Ai ia fal atyre mëkatet e mëdha. Megjithatë poshtërimin më të madh ai e ka parë në ditën kur është zhvilluar beteja e Bedrit. Disa pyetën: Çfarë ka parë ai në atë ditë? Ai (a.s) tha: Ai ka parë Xhibrilin (a.s) duke rrjeshtuar engjëjt.”[1]

Por përse shejtani trishtohet në ditën në të cilën besimtarët gëzohen? Sepse qëllimi i tij i vetëm është që t’i largojë njerëzit nga mëshira e Allahut të Madhëruar dhe t’i tërheqë ata në greminën e shkatërrimit. Orvatjet e tij janë të destinuara të dështojnë me të gjithë ata besimtarë të cilët qëndrojnë në Arafat, sepse ata i drejtohen Allahut të Madhëruar që t’i mëshirojë, t’i falë dhe t’i ruajë nga zjarri i Xhehenemit. Ata kanë ardhur nga çdo cep (i botës) duke sakrifikuar shumë, pendohen tek Allahu i Madhëruar e Ai i fal ata. Jo vetëm kaq, por Allahu i Madhëruar veprat e këqija ua shndërron në të mira. Kjo është dita në cilën ata janë zgjuar nga gafleti që i kishte kapluar. Kështu që ata në vend që të jenë në Xhehenem bashkë me shejtanin, ata janë prej banorëve të Xhenetit. Padyshim që kjo gjë e trishton jashtëzakonisht shumë shejtanin.

E përsa i përket ditës në të cilën është zhvilluar beteja e Bedrit ajo ka qenë dita më e trishtuar për shejtanin sepse në atë ditë ka triumfuar e vërteta ndaj të kotës, ka triumfuar besimi ndaj mosbesimit. Në atë ditë, Allahu i Madhëruar i ndihmoi robërit e Tij besimtarë me një ushtri prej engjëjve. E në fakt, sa herë që e vërteta shfaqet e triumfon sadopak, ky është momenti më i trishtuar për shejtanin.

Një moment tjetër në të cilin shejtani trishtohet dhe pezmatohet është momenti në të cilin i Dërguari i Allahut (a.s) është lutur për Umetin e tij në prag mbrëmje të qëndrimit të haxhinjve në Arafat. E atij i është pranuar lutja. Allahu ka thënë: Unë ia kam falur atyre përveç zullumqarit, sepse Unë do ia kthej të drejtën atij që i është bërë padrejtësi. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: O Zot, nëse dëshiron i dhuron Xhenetin atij që i është bërë padrejtësi dhe e fal zullumqarin. Në atë kohë, kjo lutje nuk pranohet. E kur gdhin të nesërmen në Muzdelife, i Dërguari i Allahu bën të njëjtën lutje dhe lutja i pranohet. Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) qeshi. Ebu Bekri dhe Omeri thanë: Për babën dhe nënën, deri tani nuk po qeshje çfarë të bëri që të qeshësh, Allahu të bëftë gjithmonë të tillë? Ai (a.s) tha: Armiku i Allahut, Iblisi kur e mori vesh që lutja ime u pranua dhe Umeti im u fal, mori dhe’ e hodhi në kokë dhe filloi të lutej për mjerim. Kjo që pashë më bëri që të qesh.”[2]

Konflikti midis shejtanit dhe njeriut është i hershëm. Dredhitë dhe kurthet e shejtanit janë të shumta dhe nga më të ndryshmet e ai është specialist në këtë pikë. Sa herë që atij i mbyllet një derë, nuk mërzitet, por ai tenton të hapë një derë tjetër. A thua vallë njeriu e humb gjithmonë betejën me shejtanin apo ai ka mundësi që ta mundë atë? I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shejtani i qëndron në ballë birit të Ademit me mënyrat (rrugët) e tij. Ai i qëndron atij para derës së Islamit dhe i thotë: A do të bëhesh musliman dhe do të braktisësh fenë tënde dhe të baballarëve të tu? Mirëpo ai (njeriu) nuk i bindet atij (shejtanit) dhe bëhet musliman. Pastaj ai shejtani i qëndron njeriut përballë rrugës së hixhretit dhe i thotë: A do të emigrosh dhe do të braktisësh tokën dhe qiellin  tënd. Shembulli i atij që emigron është si shembulli i kalit në lartësi. Mirëpo njeriu nuk i bindet atij dhe emigron. Pastaj shejtani i qëndron atij para portës së luftës dhe i thotë: Ajo është një sakrificë shumë e madhe, do humbasësh pasurinë, do të vritesh, gruaja jote do të martohet me një tjetër dhe pasuria jote do të shpërndahet. Mirëpo njeriu nuk i bindet atij dhe shkon në luftë. Pastaj Profeti (a.s) tha: Kush prej tyre vepron kështu dhe ndërron jetë, Allahu e fut në Xhenet, kush vritet (duke kundërshtuar shejtanin), Allahu do ta fusë në Xhenet, kush mbytet (duke kundërshtuar shejtanin) Allahu do ta fusë në Xhenet, e atë cilin e godet ndonjë kafshë e vdes (duke kundërshtuar shejtanin) Allahu do ta fusë në Xhenet.”[3]

Konflikti midis njeriut dhe shejtanit është e hershme, megjithatë Allahu i Madhëruar ka premtuar se do t’i mbrojë robërit e Tij prej shejtanit. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë fuqie ndaj robërve të Mi. Mbrojtja e Zotit tënd është e mjaftueshme për ta.”[4] Madje muslimani – me lejen  e Zotit – është i aftë të dominojë dhe të triumfojë ndaj shejtanit. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Muslimani ka mundësi ta dobësojë shejtanin ashtu sikur ndonjëri prej jush e dobëson devenë e tij gjatë udhëtimit.”[5] A nuk e keni parë devenë e cila është e aftë të përballojë gjithë atë udhëtim në shkretëtirë, i zoti e ngarkon atë dhe e stërlodh duke e ngarkuar me barrë të rëndë, e pas njëfarë kohe e sheh devenë të dobët, të lodhur e të rraskapitur.

Shejtani përdor të gjitha llojet e armëve për ta shmangur njeriun nga rruga e drejtë. Shejtani e frikëson muslimanin me varfëri nëse ai jep në rrugë të Zotit, ndez zjarrin e urrejtjes dhe armiqësisë midis tij dhe të tjerëve, fut përçarjen midis burrit dhe gruas, ia vështirëson atij faljen e pesë namazave, veçanërisht atë të sabahut, ia zbukuron dhe ia ëmbëlton mëkatin, ia shtrembëron të Vërtetën dhe vazhdimisht e shtyn njeriun hap pas hapi të thotë fjalë të shëmtuara dhe të bëjë veprime të këqija derisa ai të bjerë në greminë.

Këto beteja – midis të Vërtetës dhe të Kotës, banorëve të Xhenetit dhe të Zjarrit, njeriut dhe shejtanit – nuk kanë për të përfunduar asnjëherë. Prandaj muslimani e ka për detyrë që të mbrohet prej shejtanit. Allahu i Madhëruar thotë: “Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet vetëm për t’i bërë banues të Zjarrit.”[6] Po ashtu muslimani duhet të dijë se si t’i bëjë ballë cytjeve të shejtanit dhe të kërkojë mbrojtje nga Allahu prej shejtanit me qëllim që të triumfojë ndaj tij.

Ideja se shejtani ka mundësi t’i lëndojë besimtarët kur të dëshirojë do të thotë të mos jesh i vetëdijshëm për ajetin në të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Por ata nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut.”[7]

Autor: Muhamed Atije

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Muuata. Hadithi është Daif.

[2] – Ibn Maxheh dhe Bejhaki. Hadithi është i saktë me dëshmi përforcuese.

[3] – Ahmedi. Zinxhiri i transmetimit është i fortë.

[4] – Sure Isra: 65.

[5] – Ahmedi. Hadithi është i dobët.

[6] – Sure Fatir: 6.

[7] – Sure Bekare: 102.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.