Sad ibn Ebi Vekkas dhe respekti i prindërve që nuk njeh kufinj

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në këtë temë, do të trajtojmë respektin që Sad ibn Ebi Vekkas kishte për nënën e tij.

Nëse dikush do të vizitonte kala dhe mbetje arkeologjike të ndërtuara para qindra dhe mijëra vitesh, do të shohë gjurmët e ndërtuesve dhe banorëve të atyre godinave.

Ndërkohë që islami na mëson që të lëmë pas nesh gjurmë të një lloji tjetër. Këtë na e mëson vetë Profeti (a.s) në një hadith ku thotë:”Kur vdes biri i Ademit, i ndërpriten veprat që punonte përveç tre: E para, një sadaka e vazhdueshme, një dije nga e cila kanë dobi njerëzit dhe një fëmijë i ndershëm i cili lutet për prindërit.”

Kohët e fundit unë bashkë me një ekip studiuesish vizituam një nga kryeveprat botërore të qytetërimeve të hershme. Ato u përkisnin një populli që quheshin Anbat dhe shtëpitë e tyre i ndërtonin në male shkëmborë. Aty hapnin dhomat ku banonin, dhomat e gjumit, krevatët ku flinin etj… gjithçka në shkëmb.

Ne po e përmendim diçka të tillë ndërkohë që flasim mbi respektin e Sad ibn Ebi Vekkasit për nënën, pasi me ardhjen e Islamit, muslimanët nuk kërkuan që t’i shembin këto ndërtesa dhe të shfarosin çdo shenjë të ekzistencës së tyre.

Diçka të tillë e përforcon vetë qëndrimi i Profetit (a.s) ndaj profetëve të tjerë, ku thotë: ”Unë dhe profetët e tjerë, i ngjasojmë një ndërtese me tulla. Çdo tullë përfaqëson një profet. Me ardhjen time u vendos dhe tulla e fundit.”

Kështu, Islami dhe profeti Muhamed (a.s) nuk erdhën për të shfarosur gjithçka që ekzistonte më parë, por erdhën për të plotësuar mangësitë e tyre, erdhën për të plotësuar ndërtesën e moraleve dhe vlerave njerëzore.

Kështu, është shumë e rëndësishme ta kuptojmë qëndrimin e islamit ndaj qytetërimeve dhe feve të tjera. Baza e këtij qëndrimi dhe ndërtimi të marrëdhënieve me jomuslimanët, qëndron në ajetin ku Zoti thotë: ”Ne nuk të dërguam veçse si mëshirë për të gjithë botrat.”

Mënyrën sesi u sollën muslimanët me jomuslimanët dhe me qytetërimet e mëparshme, e mësojmë nga jetëshkrimet dhe kronikat mbi shokët e Profetit a.s dhe sidomos e gjejmë të pasqyruar në jetëshkrimin e Sad ibn Ebi Vekkas dhe marrëdhëniet që ai kishte ndërtuar me nënën e tij jomuslimane.

Profeti (a.s) krenohet me dajën e tij, Sad ibn Ebi Vekkas

Gjatë betejës së Uhudit, Profetit (a.s) i ra në sy qëndresa, forca dhe taktika luftarake e Sadit, që ishte daja i tij. Profeti (a.s), duke dashur të krenohej me dajën e tij, u tha luftëtarëve të tjerë muslimanë: ”Sadi është daja im. Mi tregoni ju të tjerët dajat tuaj.”

Nëse ndonjëri prej nesh ka një mik dhe të afërt të suksesshëm dhe pikë referimi për të tjerët, ai ndihet krenar mbi këtë fakt. Nëse vëllai, daja, xhaxhai etj… kanë një pozitë të lartë shoqërore, na bën që edhe ne të ndihemi krenarë me këtë.

Edhe fëmijët e vegjël përpiqen të identifikohen me personalitetet më të famshëm dhe më të dëgjuar të familjes. Kjo tregon që njeriu përpiqet dhe dëshiron të identifikohet me fisnikët dhe njerëzit e sërës së lartë. Kushdo prej nesh që kontribon për mirë në shoqëri dhe në shërbim të saj, fëmijët e tij dhe e gjithë shoqëria do të identifikohen me të dhe do e kujtojnë gjithmonë.

Në një betejë tjetër, Profeti (a.s) i thoshte Sadit: ”Gjuaj o Sad, flijofsha babanë dhe nënën time për ty!”

Fjalë të tilla, Profeti (a.s) nuk i ka thënë për askënd tjetër perveç Sad ibn Ebi Vekkasit. Padyshim që diçka e tillë është nder dhe privilegj për Sadin. Profeti (a.s) e thoshte diçka të tillë duke u mbështetur në trimërinë, guximin, lidhjet shoqërore që kishte ndërtuar me nënën, vëllezërit, shokët etj… Ai ishte një model dhe yll, që ia vlen të ndiqet dhe të pasohet në këto vlera.

I pari që hodhi shigjetën në luftë për hir të Zotit

Sad ibn Ebi Vekkasi njihet dhe si muslimani i parë që hodhi shigjetën në drejtim të armikut në islam. Profeti (a.s) kishte dërguar një njësi ushtarake në një vend të quajtur Xhuhfe, pranë Mekes. Komandant i kësaj njësie ishte vetë Sad. Mes kësaj njësie dhe disa mekasve u zhvillua një betejë e vogël, gjatë së cilës Sadi lëshoi shigjetën e parë në drejtim të armiqve dhe kundërshtarëve të muslimanëve.

Një herë, Sad u sëmur dhe zuri shtratin. Profeti (a.s) dëgjoi që ai është sëmurë dhe vajti ta vizitojë. Pasi u ul, Profeti (a.s) vendosi dorën mbi fytyrën e tij, kraharorin dhe më pas barkun, ndërkohë që lutej për shërim.

Pas disa vitesh, Sad u tregon shokëve të tij dhe u thotë: ”Për Zotin u shërova në ato çaste dhe akoma vazhdoj ta ndjej freskinë e dorës së dërguarit të Zotit.”

Diçka e tillë ishte rezultat dhe pasojë e marrëdhënieve tepër të ngushta dhe miqësore mes Sad dhe të dërguarit të Zotit (a.s). Sad ishte një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet dhe daja i Profetit (a.s). Gjithashtu, Sad ishte një nga gjashtë personat të cilët i zgjodhi Umer ibn Hattabi për të zgjedhur Halifen musliman pas vdekjes së Umerit.

Sad ibn Ebi Vekkas ishte një personalitet i madh, komandant i shquar dhe personi i shtatë që pranoi islamin.

Sad ibn Ebi Vekkas dhe nëna e tij

Le të përmendim atë që ndodhi mes tij dhe nënës së tij, kur Sadi pranoi islamin. Kur nëna e tij jomuslimane dëgjoi që djali i saj kishte përqafuar fenë islame, filloi t’i bëjë presion që ta braktisë këtë fe të re, pasi ishte fe e rreme dhe e ndryshme nga feja e të parëve të tyre. Presionet me fjalë të nënës duket se nuk ndikuan tek Sadi për të ndryshuar fenë dhe për tu kthyer në fenë e të parëve. Duke e parë këtë, nëna e tij përdori një taktikë tjetër presioni. Ajo i tha Sadit: ”Nëse nuk do e braktisësh islamin dhe të kthehesh në fenë e parë, do të refuzoj çdo lloj ushqimi dhe pije derisa të vdes.”

Këtu filloi Sad të mendohej dhe pyeste veten: A duhet ta respektoj nënën dhe t’i bindem asaj, edhe pse kjo është në kundërshtim të hapur me Zotin dhe fenë e Tij? Çfarë duhet të bëj? Si të sillem?

Pasi u mendua mirë, i tha nënës:”O nënë! Unë të dua dhe të respektoj, por ajo që po më kërkon është e pamundur. Për Zotin! Nëse do të kishe njëqind shpirtra dhe të gjithë të dilnin njëri pas tjetrit, unë nuk do e braktisja këtë fe që kam zgjedhur.”

Ishte një përgjigje dhe reagim i ashpër nga ana e Sadit. Por çfarë ndodhi më pas? Si reagoi nëna e tij? A vazhdoi në grevë urie apo e ndërpreu atë?

Kur u bind dhe u sigurua se djali i saj nuk do e braktisë fenë e Muhamedit (a.s) sido që t’i bënte presion, ajo ndërroi mendje dhe doli nga greva e urisë.

Duke analizuar jetën shoqërore, edukative dhe familjare të Sad ibn Ebi Vekkasit, zbulojmë që ai përfaqësonte një shkollë edukative nga e cila përfitojmë dhe kemi dobi edhe në ditët e sotme.

Ai ishte njeri i zgjuar, i urtë dhe i mençur. Pikërisht për këtë e zgjodhi Umeri në këshillin që do të zgjidhte Halifen e ardhshëm.

Nëse do të studionim jetëshkrimin e tij në aspektin politik, do të zbulonim se ai ishte nga politikanët e shquar. Nëse do e studionim nga aspekti ushtarak, do të zbulonim se ai ishte ushtaraku trim dhe ekspert. Nëse do e studionim në aspektin shoqëror, edukativ dhe familjar, do të zbulojmë se ai ishte një edukator i mirë dhe model për t’u ndjekur në këtë aspekt.

Në atë që ndodhi mes Sadit dhe nënës së tij, përfitojmë mënyrën më të mirë në marrëdhëniet që duhet të ndërtojmë me prindërit tanë dhe me jomuslimanët në përgjithësi.

Sadi e respektonte dhe e donte shumë nënën e tij, dashuri e cila nuk njihte kufinj, por njëkohësisht ai refuzonte të shkelë urdhëresat e Zotit dhe fenë e Tij.

Një qëndrim të tillë për nënën jobesimtare mbajti dhe Esmaja. Kur erdhi nëna e saj ta vizitojë, ajo pyeti të dërguarin e Zotit nëse duhej ta presë, ta respektojë dhe nderojë apo jo. Në çdo pyetje, i dërguari i Zotit përgjigjej:”Po, po, po.”

Kështu ne duhet të bëjmë dallime mes vetë personit dhe ideologjisë e doktrinës të cilën ka përqafuar. Nëse unë komunikoj dhe hyj në marrëdhënie me një jomusliman, e bëj këtë në bazë të asaj që na bashkon si njerëz. Nëse ai tregohet agresiv ndaj meje, atëherë meriton një trajtim tjetër. Kështu, unë e respektoj jomuslimanin si njeri me shpirt. Ndërkohë që sjelljet dhe veprat e këqia të tij i dënoj, kurse të mirat i pranoj dhe i mirëpres.

Sad ibn Ebi Vekkas në marrëdhëniet me jomuslimanët

Ndërkohë që vizitonim disa banime antike, gjetëm dhe statuja të shumta dhe të ndryshme. Ajo që më shkoi ndërmend ishte se muslimanët e parë nuk i kishin prekur dhe shkatërruar por i kishin lënë ashtu siç ishin, duke e ruajtur trashëgiminë e të tjerëve.

Kur imam Ebu Hanife u pyet mbi një musliman që kishte vrarë derrin e një të krishteri dhe i kishte thyer enët e mbushura me raki, ai u përgjigj: ”Muslimani duhet t’ia dëmshpërblejë të krishterit edhe derrin e vrarë edhe rakinë e derdhur.”

Një pikë tjetër e rëndësishme mbi të cilën flasin dijetarët muslimanë është dhënia e sadakasë të krishterëve. Të gjithë e pranojnë diçka të tillë. Kurse përsa i përket zekatit, ai nuk mund t’i jepet veçse muslimanëve dhe kategorive të përmendura në Kuran. Vetë Aisheja, gruaja e Profetit a.s i ka dhënë sadaka një çifuti.

Gjatë vizitës së vendeve antike, u takuam dhe me një turist perëndimor të cilin e pyetëm mbi përshtypjet e tij në tokat muslimane. Ai u përgjigj se ishte i befasuar me atë që kishte parë. Ai i kishte gjetur muslimanët paqësorë dhe të dashur, panoramë e cila binte ndesh me atë që kishte dëgjuar dhe parë në media dhe në shtyp në Amerikë. Më pas unë e pyeta nëse ndjente njëfarë urrejtjeje dhe mllefi kundrejt muslimanëve dhe ai më tha: ”Më parë po, por tani që i pashë vetë me sy jo. Këtë ndjenjë mllefi dhe urrejtjeje kundër muslimanëve e kanë kultivuar mediat dhe shtypi i përditshëm.”

Mbi tetëdhjetë përqind të institucioneve mediatike në Amerikë, janë të interesuar dhe punojnë për deformimin e imazhit të muslimanit dhe islamit.

Një ditë, Profeti (a.s) kërkoi një njeri të ndershëm që t’i bëjë roje. Ai që erdhi ishte Sad ibn Ebi Vekkas dhe ai e mori përsipër një mision të tillë. Tregon trasmetuesi i hadithit: ”Sad qëndroi duke i bërë rojë të dërguarit të Zotit, i cili u shtri të flejë i qetë, ngaqë ndihej i sigurtë me rojen e tij Sad ibn Ebi Vekkas.

Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Autor: Xhasim Mutava

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *