Disa udhëtime dhe zhvendosje nuk janë të vlefshme derisa të zhvendoset edhe zemra, ashtu siç është zhvendosur trupi nga një vend në tjetrin. Nuk është e drejtë, për shembull, të udhëtosh ndërsa shqetësimet vazhdojnë të mbeten brenda kraharorit tënd dhe nuk i ke lënë pas. Këtu udhëtimi e humbet funksionin e tij për ta çlodhur shpirtin dhe për ta liruar nga barrët prej të cilave njeriu udhëtoi për t’u arratisur.
Po kështu edhe udhëtimi i haxhit; nuk duhet të jetë thjesht një lëvizje trupore nga një vend në një tjetër, ku kryhen disa rite dhe pastaj njeriu kthehet me të njëjtën shpirtësi me të cilën shkoi. Në të vërtetë, ai është një udhëtim për rindërtimin e shpirtit njerëzor, sikur ritualet e haxhit të riparonin çdo thyerje dhe të ndreqnin çdo gjë që është prishur në marrëdhënien e njeriut me veten dhe me Allahun e Lartësuar:
“Dhe furnizohuni, por furnizimi më i mirë është devotshmëria. Dhe kini frikë prej Meje, o ju të zotët e mendjes!”[1]
Atëherë, si e kurojnë ritualet e haxhit shpirtin njerëzor?
Së pari: Ihrami… kura për ndjenjën e epërsisë ndaj krijesave
Haxhinjtë vijnë në Mekë me rrobat e tyre të zakonshme, por sapo arrijnë në mikat, ata zhvishen nga stolitë e dynjasë dhe veshin një petk që i ngjan qefinit. Në atë çast madhështor, zhduken të gjitha dallimet klasore dhe treten titujt, duke u bërë të gjithë të barabartë në një pamje madhështore. Nuk ka dallim mes tyre dhe as epërsi, përveçse me peshoren e devotshmërisë dhe veprave të mira. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, më i nderuari prej jush tek Allahu është më i devotshmi.”[2] Ndërsa Profeti (a.s) ka thënë: “Të gjithë ju jeni prej Ademit, e Ademi është prej dheut.”[3]
Në botën tonë, vlera e njeriut matet me atë që posedon. Ihrami vjen për të kuruar një iluzion të rrezikshëm që është ngulitur në shpirtra: iluzionin e epërsisë përmes pamjes së jashtme. Muslimani mëson se vlera e tij e vërtetë nuk qëndron te rrobat që vesh apo pasuria që zotëron, por te devotshmëria dhe sinqeriteti që mbart zemra e tij.
Së dyti: Tavafi… kura për shpërqendrimin dhe kaosin e identiteteve
Mësimet e tavafit vijnë njëri pas tjetrit për ta zgjuar muslimanin nga pakujdesia. Në rrugët e jetës, të shkujdesurit sillen pa vetëdije në orbita të ndryshme; disa e bëjnë pasurinë Qaben e tyre, të tjerë sillen rreth posteve dhe pozitës shoqërore.
Kështu përpjekja e njeriut shpërndahet dhe zemra e tij ndahet mes idhujve të shumtë bashkëkohorë, ndërkohë që ai mendon se është në rrugën e drejtë. Pastaj vjen tavafi për ta rregulluar sërish qendrën e jetës: është një Zot, një Shtëpi dhe një Kibël. Këtu shfaqet kuptimi i fjalës së Allahut: “O ju dy shokët e burgut! A janë më të mirë zota të ndryshëm apo Allahu, Njëshi, Ngadhënjimtari?”[4].
Zemra, pa e njëhsuar kiblen dhe drejtimin e saj, mbetet në hutim, e këtë hutim nuk e ndreq veçse tavafi, për kë ka mundësi ta arrijë atë.
Së treti: Sa’ji… kura për pafuqinë dhe dëshpërimin
Një nga skenat më prekëse të haxhit është vrapimi mes Safas dhe Merves, duke sjellë ndërmend historinë e zonjës Haxhere. Ajo ndodhej e vetme në shkretëtirë, pa furnizim dhe pa ujë, me një foshnjë të pafuqishme. Megjithatë, bindja e saj nuk e pengoi të pyeste për t’u qetësuar zemra e saj se kjo ishte urdhër nga Allahu, jo thjesht dëshirë e burrit të saj, profetit Ibrahim: “A të urdhëroi Allahu për këtë?” Ai tha: “Po.” Ajo tha: “Atëherë Ai nuk do të na humbasë.”[5]
Pastaj po kjo bindje e shtyn të vrapojë, që muslimani të mësojë se mbështetja e vërtetë tek Allahu nuk do të thotë dorëzim pasiv; mbarimi i shkaqeve nuk do të thotë dëshpërim, dhe përpjekja deri në fund nuk është arsye për t’u dorëzuar. Kështu, sa’ji bëhet një kurë psikologjike kundër kulturës së pafuqisë, frymës së humbjes dhe ikjes drejt vetëvrasjes me arsyetimin e mungesës së mundësive. Dyert e Allahut janë të gjera dhe çlirimi i Tij është gjithmonë i mrekullueshëm për atë që përpiqet me sinqeritet, me zemër të drejtuar drejt Tij.
Së katërti: Arafati… kura për mendjemadhësinë dhe mashtrimin e vetes
Nuk ka ditë si dita e Arafatit, ku besimtarët përulen para Zotit të tyre. Është një nga pamjet më madhështore të përuljes njerëzore para Allahut gjatë gjithë vitit. Shpirtrat zhveshen nga iluzionet e forcës, kontrollit, mendjemadhësisë dhe krenarisë. Nuk ka dallim mes të pasurit e të varfrit, drejtuesit e të drejtuarit, të fortit e të dobëtit; janë miliona njerëz me të njëjtën veshje, në të njëjtën tokë, me zemra të drejtuara nga qielli duke shpresuar mëshirën e Zotit të tyre. Për këtë arsye Profeti (a.s) tha: “Haxhi është Arafati.”[6]
Kështu, Arafati nuk është thjesht një stacion kohor i haxhit, por një çast ku rrëzohet i gjithë mashtrimi njerëzor, kur njeriu kupton madhësinë e tij reale dhe se, pavarësisht forcës apo pushtetit që zotëron, ai mbetet një rob që ka nevojë për mëshirën e Zotit të tij.
Së pesti: Gjuajtja e xhemarateve… kura për dorëzimin ndaj epshit
Edhe pse gjuajtja e xhemarateve duket si një ritual i thjeshtë fizik, kuptimi i tij shpirtëror dhe edukativ është shumë i thellë. Njeriu në të vërtetë nuk gjuan gurë, por shpall luftën e tij të vazhdueshme kundër cytjeve të shejtanit, dëshirave të egos dhe shkaqeve që e largojnë nga rruga e Allahut. Për këtë arsye, gjuajtja shoqërohet me tekbir, ku haxhiu thotë me çdo gur: “Allahu Ekber”; domethënë Allahu është më i madh se epshi, më i madh se frika dhe më i madh se çdo gjë që përpiqet ta pushtojë zemrën dhe ta largojë nga bindja ndaj Allahut.
Ky ritual është simbol i shpalljes së armiqësisë ndaj shejtanit: “Vërtet, shejtani është armiku juaj, prandaj konsiderojeni armik.”[7]
Pra, gjuajtja nuk është luftë me një gur, por trajnim praktik për armiqësi të përhershme ndaj shejtanit dhe epshit të vetes. Për këtë arsye, një numër dijetarësh kanë parë se një nga synimet më madhore të adhurimeve është stërvitja e shpirtit për të luftuar dëshirat e tij, dhe ndër këto adhurime madhështore janë edhe ritualet e haxhit.
Së gjashti: Ditët e Teshrikut… kura për pakujdesinë pas adhurimit
Pas përfundimit të shumicës së ritualeve, Islami nuk e lë zemrën bosh, por i mbush ditët e Teshrikut me tekbir dhe përmendje të Allahut. Allahu thotë: “Dhe përmendeni Allahun në ditë të caktuara.”[8]
Njeriu, pas çdo adhurimi të madh dhe çdo përkushtimi të lartë, është më i ekspozuar se të tjerët ndaj rënies dhe kthimit prapa, sepse lufta e tij me shejtanin nuk përfundon kurrë, derisa të dalë nga kjo botë i shpëtuar nga shirku dhe kufri.
Kjo është edhe problematika e shumicës së njerëzve: bindja mund të jetë e lehtë, por vazhdimësia në të është më e vështira. Për këtë arsye, lutja e Profetit (a.s) ishte: “O Ti që i rrotullon zemrat, ma forco zemrën në fenë Tënde.” [9]
Haxhi nuk është thjesht një udhëtim i trupave, por një rrugëtim për rindërtimin e zemrave dhe riparimin e lidhjes së robit me Zotin e tij. Përmes ritualeve të tij, besimtari mëson përulësinë, njësimin e qëllimit, nevojën për Allahun dhe luftimin e epshit, derisa në fund të kthehet si një njeri i ri, ashtu siç e do dhe e pëlqen Allahu.
Burimi: mugtama.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Bekare: 197.
[2] – Sure Huxhurat: 13.
[3] – Ebu Daudi.
[4] – Sure Jusuf: 39.
[5] – Buhariu.
[6] – Tirmidhiu.
[7] – Sure Fatir: 6.
[8] – Sure Bekare: 203.
[9] – Tirmidhiu.



















