Të dashur fëmijë!
Faleni Namazin!
Vërtet namazi të mbron nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.
Namazi është lidhja e njeriut me Allahun.
Namazi është shtyllë e Islamit.
Namazi është dëshmi në Ditën e Gjykimit.
Namazi është dritë.
Dialog:
Ismaili: Babi, Sa namaze duhet të falë muslimani në ditë?
Babai: Pesë namaze në ditë.
Ismaili: Kur është bërë namazi obligim për herë të parë?
Babai: Në natën e Israsë dhe Miraxhit.
Ismaili: A mund të ma shpjegosh pak?
Babai: Në këtë natë, Profeti (a.s) është ngritur sipër 7 qiejve dhe prej aty është urdhëruar me faljen e 50 namazeve në ditë.
Ismaili: Babi, por ne falemi vetëm pesë herë në ditë?!
Babai: Në fillim Profeti (a.s) u urdhërua të falte 50 namaze, por pastaj Allahu ia uli numrin dhe e urdhëroi të falte vetëm 5 namaze në ditë. Prandaj ne falim 5 namaze në ditë, por shpërblimin e kemi sa për 50 namaze.
Ismaili: Faleminderit babi.
Lumi që pastron
Një ditë Profeti (a.s) i pyeti shokët e tij: “Nëse një lumë kalon pranë shtëpisë tuaj dhe ju laheni në të pesë herë në ditë, a do të pastroheshit”? Ata thanë: “Po”. Profeti (a.s) tha: “Kështu është edhe çështja e namazit. Kur ju faleni pesë herë në ditë, pastroheni nga gjynahet”.
Profetët e kanë pasë falur namazin
Profeti Ibrahim (a.s) e ka falur namazin.
Profeti Ismail (a.s) e ka falur namazin.
Profeti Musa (a.s) e ka falur namazin.
Profeti Harun (a.s) e ka falur namazin.
Profeti Zekerija (a.s) e ka falur namazin.
Profeti Isa (a.s) e ka falur namazin.
Profeti Muhamed (a.s) e ka falur namazin.
Të gjithë profetët e Allahut (Paqja qoftë mbi ta) kanë falur namaz.
Pesë namazet e obligueshme janë: Sabahu, Dreka, Ikindia, Akshami dhe Jacia. Muslimani i fal namazet në kohët e tyre
Dialog:
Shahini: Tahir, hajde të ikim në xhami!
Tahiri: Ik ti, sepse unë do të shkoj njëherë në shtëpi. Shahini: Po përse do të ikësh në shtëpi?
Tahiri: Po ja, deri tani ne po luanim dhe rrobat e mia janë bërë pis, kështu që unë do të shkoj në shtëpi të ndërrohem, të vesh rroba të pastra dhe pastaj do të vij menjëherë në xhami.
Shahini: Ke shumë të drejtë, pasi edhe rrobat e mia janë bërë pis dhe nuk është mirë që të falemi me këto rroba të pista, prandaj edhe unë do të shkoj në shtëpi e të vesh rroba të pastra.
Tahiri: Hajde, le të shpejtojmë!
Kushtet që duhet të plotësohen para namazit:
1 – Njeriu duhet të marrë abdes apo gusul, ose në mungesë të ujit të marrë tejemum.
2 – Të drejtohet nga Qabja.
3 – Trupi, rrobat dhe vendi ku do të falet, të jenë të pastra.
4 – Pjesët e turpshme të trupit duhet të jenë të mbuluara. Pjesë e turpshme tek meshkujt konsiderohet nga kërthiza deri tek gjuri, kurse tek femrat i gjithë trupi përveç fytyrës dhe duarve e këmbëve deri në kyçe.
5 – Të ketë hyrë koha e namazit përkatës.
6 – Të bëjë nijetin për namazin që do të falë.
Kushtet (ruknet) që duhet të plotësohen gjatë faljes së namaz:
1 – Tekbiri fillestar.
2 – Qëndrimi në këmbë dhe leximi i Kuranit.
3 – Rukuja.
4 – Sexhdja.
5 – Teshehudi i fundit
6 – Përfundimi i namazit, duke dhënë selam në të dy krahët.
Gjërat që e prishin namazin:
1 – Të hash apo të pish gjatë namazit.
2 – Të flasësh diçka që nuk ka lidhje me namazin.
3 – Të qeshësh me zë në namaz.
4 – Të prishësh abdesin.
5 – Të zbulosh auretin (pjesët intime).
6 – Të bësh lëvizje të shumta që nuk janë pjesë e namazit.
Të mos kryesh një prej kushteve të namazit
Edukata ime në namaz:
Unë i drejtohem Allahut me gjithë zemër në namaz.
Unë marr abdes, përpara se të fal namazin.
Unë falem pesë herë në ditë.
Unë jam i përpiktë në kohën e namazit.
Unë iu përmbahem rregullave të namazit me kujdes dhe përkushtim.
Unë shikoj në vendin e sexhdes, kur falem.
Unë, përveç namazeve obligative, fal edhe namaze vullnetare (nafile).
Autor: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















