Ekuilibri midis fikhut të dispozitave dhe fikhut të sjelljes

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

E vërteta është se fikhu i dispozitave praktike dytësore, që lidhet me anën e jashtme të jetës së kësaj bote dhe me përditshmërinë e njerëzve, ka zënë një hapësirë shumë të madhe në jetën, mendimin dhe përpjekjet tona, si te elita ashtu edhe te masa e gjerë. Për këtë fikh janë themeluar akademi vendore dhe ndërkombëtare, janë organizuar simpoziume dhe konferenca të specializuara, janë hapur fakultete dhe departamente, dhe janë shkruar libra të shumtë: të zgjeruar, të mesëm dhe përmbledhës.

Sa u përket elitave, kjo është panorama; ndërsa për masën e gjerë, ata janë marrë – dhe dijetarët i kanë angazhuar – me çështje dytësore e hollësi të shumta, madje edhe të ndërlikura, aq sa kapitulli i pastrimit ritual (taharetit) i ligjërohet publikut gjatë gjithë muajit të Ramazanit, madje koha nuk mjafton.

Ndërkohë,  në kohën e  Profetit (a.s) vinte një njeri nga shkretëtira e tij, qëndronte vetëm një ditë ose disa ditë, pastaj kthehej te populli i vet, duke e kuptuar fenë e tij përmes shikimit dhe përjetimit praktik:
“Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur.”

Kjo nuk do të thotë që të neglizhojmë fikhun e dispozitave të dukshme; përkundrazi, ai është i kërkuar dhe detyrim. Por po aq i kërkuar dhe detyrim është edhe ekuilibri: ekuilibri ndërmjet së jashtmes dhe së brendshmes, ose ndërmjet veprave të gjymtyrëve dhe veprave të zemrave.

Imam Gazaliu e konsideroi “fikhun” që merret vetëm me anën e jashtme si pjesë të shkencave të kësaj bote, e jo të shkencave të botës tjetër! Madje ai i kritikoi dijetarët e fikhut të kohës së tij për faktin se kishin lënë pas dore disa detyrime kolektive shumë të rëndësishme për umetin, dhe ishin përqendruar te fikhu për shkak të posteve që sillte pas vetes – si gjykimi dhe dhënia e fetvave – ndërkohë që në qytet nuk gjendej asnjë mjek, përveçse nga radhët e jomyslimanëve!

Prandaj ishte e domosdoshme që “fikhu i zemrave” t’i rikthehej vendi dhe pozita që i takon, t’i jepej e drejta e tij në kujdesin shkencor dhe praktik, dhe vëmendja e elitës dhe e masës të drejtohej kah fikhu i sjelljes: pasimi i rrugës që të shpie tek Allahu dhe në Xhenet në botën tjetër. Sepse nuk ka shpëtim pa të, nuk ka përmirësim pa të, madje nuk ka as jetë pa të, dhe nuk ka arritje te Allahu përveçse përmes tij.

Kjo është tregtia fitimprurëse nga e cila janë shpërqendruar shumica e njerëzve: tregtia me Zotin e botëve. Kapitali i saj është jeta, malli është bindja, ndërsa fitimi është falja dhe Xheneti në botën tjetër, si dhe jeta e mirë në këtë botë. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, ata që lexojnë Librin e Allahut, e falin namazin dhe shpenzojnë nga ajo që Ne u kemi dhënë, fshehurazi dhe haptazi, shpresojnë në një tregti që nuk do të dështojë, që Ai t’ua japë shpërblimet e tyre dhe t’u shtojë nga mirësia e Tij; vërtet Ai është Falës dhe Mirënjohës.”[1] “Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë dhe do t’i shpërblejmë sipas më të mirës së asaj që kanë vepruar.”[2]

Kush e shpërdoron këtë tregti, ka shpërdoruar veten e vet, ka humbur gjithë kapitalin e tij dhe i ka humbur të mirat e botës tjetër dhe të kësaj bote. Ai nuk ka prej saj as pjesë e as hise, ndaj le të qajë për veten e vet ai që e humbi jetën e tij! Të vërtetën e ka thënë Allahu i Lartësuar kur thotë: “Thuaj: Të humburit e vërtetë janë ata që e humbën veten dhe familjet e tyre Ditën e Kiametit. Ja, ky është humbja e qartë.”[3]

Humbja e kapitalit këtu nuk ka zëvendësim, sepse nuk ka mundësi tjetër pas mundësisë që të jepet në këtë jetë dhe nuk ka shtyrje kur vjen afati: “Allahu nuk ia shtyn askujt afatin kur i vjen caktimi i tij, dhe Allahu është i Mirinformuar për atë që bëni.”[4]

I lutem Allahut të Lartësuar që këto studime t’i bëjë një rreze të dijes së dobishme, ndihmë për veprën e mirë dhe dritë që ndriçon rrugën; dhe t’i bëjë për mua një formë përpjekjeje në rrugën e Tij, dhe të mos më privojë nga udhëzimi që Ai e ka premtuar me fjalën e Tij: “Ata që përpiqen për Ne, Ne do t’i udhëzojmë patjetër në rrugët Tona; dhe vërtet Allahu është me bamirësit.”[5]

O Allah, kërkojmë mbrojtje te Ti nga dija që nuk sjell dobi, nga zemra që nuk përulet, nga vepra që nuk ngrihet dhe nga lutja që nuk pranohet.

O Allah, na bëj prej robërve të Tu që mësojnë e pastaj mësojnë të tjerët, që mësojnë e pastaj veprojnë, që veprojnë e pastaj tregohen të sinqertë, e pastaj qëndrojnë të palëkundur, dhe që i pranohet vepra e mirë,

“Zoti ynë, mos i shmang zemrat tona pasi na ke udhëzuar, dhe na dhuro mëshirë nga ana Jote; vërtet Ti je Dhuruesi i Madh. Zoti ynë, Ti do t’i tubosh njerëzit në një ditë për të cilën s’ka dyshim; vërtet Allahu nuk e thyen premtimin.”[6] Amin.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Fatir: 29-30.

[2] – Sure Nahl: 97.

[3] – Sure Zumer: 15.

[4] – Sure Munafikun: 11.

[5] – Sure Ankebut: 69.

[6] – Sure Ali Imran: 8-9.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.