Shkaqet e shpalljes së një sureje mund të jenë të përgjithshme, ndërsa shkaku i shpalljes së një ajeti mund të jetë i posaçëm.
Në rastin e parë: një sure shpallet e plotë pas një ngjarjeje të madhe, apo për arsye të disa shkaqeve madhore. Shembuj:
– Surja Enfal: kjo sure është zbritur e plotë për shkak të luftës së Bedrit. Said ibn Xhubejri thotë: “E pyeta Ibn Abasin (r.a) për suren Enfal dhe ai më tha: “Kjo sure ëshë shpallur në Bedër”.([1])
– Surja Fet`h: kjo sure është shpallur e plotë për shkak të marrëveshjes së Hudejbijes. Misvar ibn Makhrame dhe Mervan ibn Hakemi kanë thënë: “Surja Fet`h është shpallur e plotë në zonën mes Mekes dhe Medines për çështjen e Hudejbijes”.([2])
– Surja Hashr: Kjo sure është shpallur për ngjarjen me Benu Nadir. Said ibn Xhubejri thotë: “E pyeta Ibn Abasin (r.a) për suren Hashr dhe ai më tha: “Kjo sure është shpallur për Benu Nadir”.([3])
Në rastin e dytë: një ajet shpallet për një shkak të posaçëm: Shembuj:
– Ajeti: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre” ([4]) është shpallur posaçërisht për veprimin e Enes ibn Nadrit (r.a). Enes ibn Maliku (r.a) thotë: “Xhaxhai im – për shkak të të cilit jam quajtur edhe unë Enes – nuk pati mundësi të merrte pjesë në luftën e Bedrit dhe këtë gjë e përjetonte rëndë. Ai thoshte: “Unë mungova në betejën e parë që mori pjesë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të). Nëse Allahu do të ma mundësojë, që të marr pjesë në një betejë tjetër bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të), Allahu do ta shikojë se si do të veproj unë”. Pas këtyre fjalëve, ai nuk tha gjë tjetër. Enes ibn Nadri (r.a) mori pjesë bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) në betejën e Uhudit. Në fushëbetejë takoi Sad ibn Muadhin (r.a), të cilin e pyeti: “O Ebu Amr! Ku po shkon”? Ai tha: “Po ndjej flladin e Xhenetit këtu afër në Uhud”. Sapo dëgjoi këto fjalë, Enes ibn nadri (r.a) u vërsul në fushën e betejës dhe luftoi derisa u vra. Pas betejës e gjetën trupin e tij, i cili ishte goditur më shumë se 80 herë me prerje shpatash, me shigjeta dhe dëmtime të tjera. Motra e tij – halla ime – Rubeja bint Nadri tha: “E njoha vëllanë tim nga mollëzat e gishtave”. Allahu i Madhëruar shpalli: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre”.([5]) Të gjithë mendonin, se ky ajet është shpallur për Enes ibn Nadrin (r.a) dhe për ata që vepruan si ai”.([6])
– Ajeti: “Duan t’iu bëjnë më mirë të tjerëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues”([7]) është shpallur posaçërisht për një çift ensarësh. Ebu Hurejrah (r.a) tregon: “Një burrë erdhi për mik tek shtëpia e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të). Ai (Paqja qoftë mbi të) dërgoi dikë, që të pyeste gratë e tij (Paqja qoftë mbi të), nëse kishin ndonjë ushqim. Ato thanë: “Nuk kemi gjë tjetër përveç ujit”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Kush e merr në shtëpi mikun tim”? Një ensar i tha: “Unë, o i Dërguari i Allahut”. Ai e mori mikun tek shtëpia e tij. Më pas i tha të shoqes: “Nderoje mikun e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të). Ajo i tha: “Ne nuk kemi ushqim tjetër, përveç ushqimit të fëmijëve”. Ai i tha: “Përgatite ushqimin dhe vëri fëmijët në gjumë”. Ajo e përgatiti ushqimin, vuri në gjumë fëmijët dhe ndezi kandilin. Kur shtroi ushqimin, ajo u ngrit sikur po rregullonte kandilin dhe e fiku atë. Gjatë ngrënies së ushqimit, miku kujtonte se edhe çifti po hante, prandaj ai hëngri derisa u ngop, ndërsa ata mbetën pa ngrënë. Në mëngjes, ata shkuan tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të), i cili u tha: “Mbrëmë Allahu i Madhëruar ka qeshur – apo është habitur – nga veprimi juaj”. Allahu i Madhëruar shpalli: “Duan t’iu bëjnë më mirë të tjerëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues”.([8])([9])
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4882).
([2]) – Thënie e vërtetë. Hakimi (3710).
([3]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4882) dhe Muslimi (3031).
([4]) – Kurani: Ahzab, ajeti: 23.
([5]) – Kurani: Ahzab, ajeti: 23.
([6]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4783), Muslimi (1903), Tirmidhiu (3200) dhe Nesaiu në “Kubrâ”, (8291).
([7]) – Kurani: Hashr, ajeti: 9.
([8]) – Kurani: Hashr, ajeti: 9.
([9]) – Hadith i vërtetë. Buhariu (4889), Muslimi (2054), Tirmidhiu (3304) dhe Nesaiu në “Kubrâ”, (11582).



















