Suneti, me atë që përfshin prej fjalëve, veprave, miratimeve dhe cilësive të Profetit (a.s.), përcakton metodologjinë e jetës islame në të gjitha hollësitë e saj: jetën e individit mysliman, të familjes myslimane dhe të bashkësisë myslimane brenda shtetit islam.
Nëse Kurani fisnik vendos rregullat e përgjithshme, parimet themelore dhe përcakton kuadrin e përgjithshëm, si dhe sjell disa modele të dispozitave konkrete të domosdoshme, atëherë Suneti e shtjellon atë që Kurani fisnik e ka paraqitur në mënyrë të përmbledhur, sqaron atë që ka lënë të papërcaktuar dhe paraqet format praktike të zbatimit të udhëzimeve të tij. Kështu, Kurani është në pozitën e kushtetutës, ndërsa Suneti në pozitën e ligjeve dhe akteve shpjeguese që i sqarojnë ato. Prandaj, në Sunet gjejmë hollësi lidhur me besimin në Allahun e Lartësuar, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe në kaderin, me të mirën dhe të keqen e tij.
Edhe jeta e Berzahut, me atë që u ndodh të ngarkuarve me përgjegjësi pas vdekjes në varret e tyre, si pyetja dhe sprova, begatia ose dënimi, tmerret e ringjalljes dhe tubimit, qëndrimi në vendin e shefaatit të madh, llogaria hyjnore dhe gjithçka që pason prej saj, si marrja e fletëve të veprave, hapja e regjistrave, vendosja e peshores, ngritja e Siratit, si dhe ajo që Allahu ka përgatitur në Xhenet për ata që i binden Atij, gjëra që asnjë sy nuk i ka parë, asnjë vesh nuk i ka dëgjuar dhe që asnjë zemër njerëzore nuk i ka përfytyruar, dhe ajo që ka përgatitur në Zjarr për ata që e kundërshtojnë Atë, prej llojeve të ndryshme të dënimit fizik dhe shpirtëror — të gjitha këto janë treguar me hollësi nga Suneti, deri në atë masë sa duket sikur i sheh me sytë e tu.
Myslimanët nuk kanë mospajtim lidhur me argumentimin me Sunetin e vërtetuar nga i Dërguari i Allahut në çështje të tilla të së fshehtës apo “çështjeve të transmetuara” dhe në çështje të tjera të besimit. Çdo mysliman, të cilit i vërtetohet një hadith nga i pagabueshmi, i cili nuk flet nga dëshira e vet, duhet patjetër të besojë në përmbajtjen e tij, pavarësisht nëse tema e tij lidhet me besimin apo me veprën.
Mospajtimi qëndron në parimet themelore të besimit, në të cilat kërkohet të besojë çdokush që hyn në Islam dhe mohuesi i të cilave gjykohet si jobesimtar. Këto duhet të vërtetohen me një tekst me transmetim të prerë, si Kurani dhe Suneti mutevatir, dhe me kuptim të prerë, që nuk pranon interpretim tjetër. Për këtë arsye, shumica e dijetarëve të Ehli Sunetit nuk i kanë shpallur jobesimtarë mutezilitët, havarixhët dhe grupimet e tjera, ndonëse këta mohonin disa prej çështjeve të besimit të vërtetuara me hadithe të sakta sipas dijetarëve të Ehli Sunetit. Megjithatë, ata i kanë gjykuar këto grupe si novatorë dhe si të devijuar nga metodologjia e sahabëve dhe e atyre që i ndoqën ata me përkushtim.
Në Sunet gjejmë hollësi të shumta lidhur me adhurimet rituale, të cilat përbëjnë thelbin e praktikës fetare, si katër adhurimet kryesore: namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi. Këtu përfshihen si ato që janë detyrime të domosdoshme, si pesë namazet ditore, namazi i xhumasë çdo javë, zekati i detyrueshëm çdo vit ose për çdo të korrur, agjërimi i Ramazanit çdo vit dhe kryerja e haxhit në Shtëpinë e Shenjtë një herë në jetë për atë që ka mundësi të udhëtojë deri tek ajo, ashtu edhe ato që kryhen vullnetarisht.
Nëse marrim si shembull një detyrim të tillë si namazi, do të gjejmë se Suneti është i pasur me kapituj dhe trajtime të shumta për të, duke filluar me parapërgatitjet e tij, si pastrimi ritual, abdesi, gusli, tejemumi dhe mes’hi mbi meste etj., dhe duke vijuar me çështjet që lidhen me të, si ezani, ikameti, falja me xhemat dhe imami. Suneti gjithashtu sqaron kohët e namazeve, numrin e rekateve dhe mënyrën e faljes së tyre, shtyllat, sunetet dhe gjërat që e prishin namazin.
Po ashtu, ai sqaron llojet e namazit: cilat prej tyre janë farze; cilat janë namaze vullnetare të theksuara, si sunetet e rregullta dhe vitri; dhe cilat nuk janë të tilla, si namazi i natës dhe namazi i duhasë. Sqaron gjithashtu se cilat namaze falen me xhemat dhe cilat jo; cilat kryhen një ose dy herë në vit, si namazet e dy Bajrameve; cilat kryhen për shkak të rrethanave të zakonshme, si namazi i eklipsit dhe namazi për kërkimin e shiut, apo për një shkak të veçantë, si namazi i istiharasë.
Kur kalojmë te zekati, gjejmë shpjegimin e pasurive për të cilat ai është i detyrueshëm, të nisabeve të tyre dhe masës së detyrimit për secilën prej tyre, si dhe të kohës kur bëhet i detyrueshëm dhe personave që u takon. E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin, haxhin dhe umren: është Suneti ai që i ka shtjelluar dispozitat e tyre në hollësi.
Këto adhurime zënë një hapësirë të madhe në librat e Sunetit, aq sa në një vepër si “El-Xhamiu es-Sahih” i Buhariut, ato përbëjnë afërsisht një të katërtën e përmbajtjes. Nëse kësaj i shtojmë edhe çështjet që lidhen me dhikret, lutjet dhe leximin e Kuranit — të cilat, pa dyshim, janë pjesë e adhurimeve — bëhet e qartë se sa rëndësi u kushton Suneti atyre. Madje, Buhariu e ka përmbyllur përmbledhjen e tij me një hadith që lidhet me këtë tematikë.
Në Sunet gjejmë gjithashtu udhëzime të hollësishme për moralin islam, të cilin Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij për ta përsosur. Ky moral përfshin virtytet njerëzore pa të cilat nuk mund të ndërtohet një jetë e virtytshme. Suneti i ka konsideruar ato pjesë të besimit dhe virtyte të besimtarëve, ndërsa të kundërtat e tyre i ka konsideruar shenja të hipokrizisë dhe vese të hipokritëve. Ndër to janë: sinqeriteti dhe besnikëria, bujaria dhe guximi, përmbushja e premtimeve dhe turpi, butësia dhe mëshira, drejtësia dhe bamirësia, përulësia dhe durimi, vetëpërmbajtja në zemërim, falja kur ke mundësi të ndëshkosh, mirësjellja ndaj prindërve, ruajtja e lidhjeve farefisnore, nderimi i fqinjit dhe përkujdesja për jetimin, të varfrin dhe udhëtarin.
Këtu përfshihen edhe ato që i quajmë “virtyte hyjnore”, të cilat përbëjnë themelin e jetës shpirtërore, si dashuria për Allahun e Lartësuar, kthimi tek Ai me pendim, mbështetja tek Ai, sinqeriteti ndaj Tij, shpresa në mëshirën e Tij, frika nga dënimi i Tij, kënaqësia me caktimin e Tij, durimi ndaj sprovave të Tij, falënderimi për begatitë e Tij, dashuria për hir të Tij dhe urrejtja për hir të Tij, përkrahja e të dashurve të Tij dhe armiqësia ndaj armiqve të Tij, përmbajtja nga të ndaluarat, asketizmi ndaj asaj që zotërojnë njerëzit dhe dëshira për atë që gjendet tek Allahu, si dhe virtyte e gjendje të tjera shpirtërore për të cilat janë përkujdesur të sinqertët ndër dijetarët e tasavufit. Prandaj ata kanë thënë: “Tasavufi është morali; kush të tejkalon në moral, të ka tejkaluar edhe në tasavuf.”
Në Sunet gjejmë gjithashtu hollësi lidhur me normat e sjelljes islame, të cilat kanë të bëjnë me jetën e përditshme të myslimanit dhe përbëjnë shijen e përbashkët dhe kulturën e përbashkët të umetit islam. Ndër to janë: normat e sjelljes gjatë ngrënies dhe pirjes, uljes dhe ecjes, përshëndetjes dhe dhënies së selamit, vizitës dhe kërkimit të lejes, fjetjes dhe zgjimit, veshjes dhe zbukurimit, të folurit dhe heshtjes, tubimit dhe ndarjes. Kështu, kur myslimani ha ose pi, e përmend emrin e Allahut të Lartësuar, ha me dorën e djathtë, pi me dorën e djathtë, ha nga ajo që ka përpara, tregohet i matur në të ngrënë dhe e falënderon Allahun pasi përfundon ushqimin.
Kështu, në Sunetin profetik gjejmë një tërësi të hollësishme normash të përcaktuara për sjelljen e myslimanit në jetën e përditshme. Prej tyre lindin tradita të përbashkëta që e dallojnë shoqërinë myslimane nga shoqëritë e tjera, si dhe i japin individit mysliman një personalitet të pavarur e të veçantë, si në pamjen e jashtme, ashtu edhe në thelbin e tij, duke e bërë të vështirë tretjen e tij në një identitet tjetër.
Në Sunet gjejmë gjithashtu hollësi për ndërtimin e jetës familjare mbi një themel të qëndrueshëm, rregullimin e marrëdhënieve brenda saj, disiplinimin e mbarëvajtjes së saj, mbrojtjen nga faktorët që çojnë në shpërbërje dhe rrënim, si dhe udhëzime për mjetet e nevojshme për ruajtjen e saj. Ai përcakton gjithashtu detyrimet e secilës palë kur pajtimi bëhet i pamundur dhe ndodh shkurorëzimi. Në Sunet gjejmë përkujdesje të veçantë për përzgjedhjen e duhur të bashkëshortit ose bashkëshortes, fejesën dhe dispozitat e saj, martesën dhe normat e saj, të drejtat e bashkëshortes ndaj bashkëshortit dhe të drejtat e bashkëshortit ndaj bashkëshortes, dispozitat e shkurorëzimit dhe rikthimit të martesës, periudhën e pritjes (`iddetin), betimin e abstenimit bashkëshortor (ila), shpalljen e gruas si të ndaluar për bashkëshortin përmes krahasimit me një të afërme të ndaluar për martesë (dhihar), shpenzimet e detyrueshme, të drejtat e fëmijëve ndaj prindërve, të drejtat e prindërve ndaj fëmijëve dhe të drejtat e të afërmve nga farefisi i ndaluar për martesë dhe nga farefisi agnatik, si dhe çështje të tjera mbi të cilat mbështetet “fikhu i familjes”, ose ajo që quhet “e drejta e statusit personal” dhe “Sheriati islam”.
Në Sunet gjejmë gjithashtu një numër të madh dispozitash që lidhen me transaksionet dhe marrëdhëniet shoqërore ndërmjet myslimanëve, si dispozitat e shitblerjes, dhurimit dhe huas, ortakërisë dhe mudarabes, qirasë dhe huapërdorjes, dorëzanisë dhe kalimit të detyrimit nga një debitor te një tjetër, pengut dhe shufasë, vakëfit dhe testamentit, dënimeve të përcaktuara, kisāsit dhe dëshmive, si dhe çështje të tjera mbi të cilat është mbështetur fikhu i “muamelateve”.
Në të përfshihen edhe dispozita që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet sunduesve dhe të sunduarve në çështjet administrative, financiare, gjyqësore dhe të tjera, prej të cilave janë mbështetur veprat mbi “politikën sheriatike”, veprat mbi “pasuritë publike”, “haraçin” dhe të ngjashme. Po ashtu, Suneti rregullon marrëdhëniet ndërmjet shtetit islam dhe shteteve të tjera dhe përcakton kuadrin e marrëdhënieve të myslimanëve me jomyslimanët, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte. Mbi këtë bazë është ndërtuar fikhu i “sires” ose “xhihadit”.
Shpjegimit të urtësive dhe qëllimeve të Sunetit në të gjitha këto fusha i është kushtuar dijetari i madh islam nga India, Ahmed ibn Abdurrahim, i njohur si Shah Veliullah ed-Dihleviu (v. 1176 h.), në veprën e tij të veçantë “Huxhetullahi el-Baliga”.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















