Allahu i Lartësuar: “Dhe kush i madhëron shenjtëritë e Allahut, kjo është më e mirë për të.”[1] Po ashtu, Ai thotë: “Dhe kush i madhëron simbolet e Allahut, atëherë kjo është prej devotshmërisë së zemrave.”[2]
Prej etikës ndaj Allahut të Lartësuar është që t’i madhërojmë shenjtëritë dhe simbolet e Tij, sepse madhërimi i tyre është madhërim i Atij që urdhëron dhe ndalon. Sa më e madhe të jetë njohja e Urdhëruesit dhe Ndaluesit, aq më i madh është madhërimi ndaj Tij. Ndërsa kush e njeh pak Urdhëruesin dhe Ndaluesin, i pakët është edhe madhërimi dhe turpi i tij para Tij.
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër veçse që ta adhurojnë Allahun, duke ia kushtuar sinqerisht fenë Atij.”[3] Po ashtu thotë: “E kush shpreson takimin me Zotin e tij, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurimin e Zotit të tij.”[4]
Prandaj, etika ndaj Allahut të Lartësuar është që t’i bindesh urdhrit të Tij dhe t’i shmangesh ndalesës së Tij, sepse Ai është Zoti që meriton të adhurohet. Ai krijoi e krijoi këtë botë para se të krijonte njeriun dhe e vuri atë në shërbim të tij: “Unë nuk i bëra ata dëshmitarë të krijimit të qiejve dhe të tokës, as të krijimit të vetvetes së tyre, dhe nuk i marr të humburit për ndihmës.”[5]
Po ashtu, Ai e krijoi Xhenetin para se të kalosh në botën tjetër: “Dhe nxitoni drejt faljes së Zotit tuaj dhe drejt një Xheneti, gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka, i përgatitur për të devotshmit.”[6]
A nuk meriton, vallë, që ta adhurosh Atë duke qenë i çliruar nga çdo interes personal? I dashuruari nuk ka interes përballë të dashurit të tij. Kush ndalet te ndonjë prej interesave të veta në marrëdhënien me të dashurin e tij, e ka bërë atë interes shkak në dashurinë e tij. E nëse lakmon shpërblimin për veprën e tij, atëherë ai ka mendim të mirë për veprën e vet, ndërsa Allahu i Lartësuar i përshkruan robërit e Tij që kanë frikërespekt duke thënë: “Dhe ata që japin nga ajo që u kemi dhënë, ndërsa zemrat e tyre janë të frikësuara, sepse do të kthehen te Zoti i tyre.”[7]
Si mund të ketë njeriu mendim të mirë për veprën e vet, kur Profeti (a.s) thotë: “Askënd nuk do ta fusë vepra e tij në Xhenet.” Ata thanë: “As ty, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “As mua, përveç nëse Allahu më mbulon me mirësinë dhe mëshirën e Tij. Prandaj, përpiquni të jeni të drejtë dhe afrohuni sa më shumë drejt së vërtetës. Asnjëri prej jush të mos e dëshirojë vdekjen; nëse është bamirës, ndoshta do të shtojë edhe më shumë të mira, e nëse është mëkatar, ndoshta do të pendohet dhe do të kërkojë falje.”[8]
Si mund të ketë njeriu mendim të mirë për veprën e vet dhe të shpresojë shpërblimin për të, duke menduar se ajo është një e drejtë që Allahu i Lartësuar ia ka borxh sipas drejtësisë e jo sipas mirësisë së Tij, ndërkohë që Profeti (a.s) thotë: “O Muadh, a e di cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij dhe cila është e drejta e robërve mbi Allahun?” Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Ai tha: “E drejta e Allahut mbi robërit është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë në adhurim; ndërsa e drejta e robërve mbi Allahun është që të mos e ndëshkojë atë që nuk i shoqëron Atij asgjë.”[9]
Prandaj, është e domosdoshme që zbatimi i urdhrave dhe shmangia e ndalesave të pastrohen nga çdo motiv tjetër, dhe që ato të kryhen vetëm për madhërimin e Urdhëruesit dhe Ndaluesit, sepse Ai është i denjë të adhurohet dhe të madhërohen urdhrat, simbolet dhe shenjtëritë e Tij. Ai meriton adhurimin, madhërimin dhe nderimin për Vetveten e Tij dhe për përsosmëritë e Tij të pakufishme, si dhe për cilësitë e Tij që nuk kanë as fillim e as fund.
Edhe sikur Zoti ynë të mos kishte krijuar as Xhenetin e as Zjarrin, a nuk do të meritonte Ai të adhurohej? I Lartësuar qofsh, o Zoti ynë! Ty të takon falënderimi për durimin Tënd pas dijes Sate, dhe për faljen Tënde pas fuqisë Sate.
Allahu e mëshiroftë atë që njeri që ka thënë: “Supozo sikur të dërguarit të mos na kishin sjellë lajmin e ringjalljes, a nuk do të falenderoje Dhuruesin e të mirave? Dhe sikur zjarri flakërues të mos ishte ndezur për krijesat, a nuk do t’i takonte çdo qenieje ta falënderonte Bamirësin?”
Ai është Zoti që meriton adhurimin dhe madhërimin e simboleve dhe shenjtërive të Tij për shkak të mirësive të mëparshme që na ka dhënë si dhuratë, si edhe për mirësitë që vazhdon të na japë po si dhuratë. Po të thellohej njeriu me etikë të lartë, do të kuptonte se edhe vetë urdhrat dhe ndalesat janë pjesë e mirësive për të cilat Zoti ynë meriton të falënderohet.
Medito fjalën e Allahut të Lartësuar: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili krijoi qiejt dhe tokën dhe bëri errësirat e dritën; megjithatë, ata që mohojnë i barazojnë të tjerë me Zotin e tyre.”[10]
Dhe medito fjalën e Tij, të Lavdëruarit e të Lartësuarit: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili ia zbriti robit të Vet Librin dhe nuk bëri në të asnjë shtrembërim.”[11]
Ai meriton falënderimin, lavdërimin dhe madhërimin për krijimin e qiejve dhe të tokës, si dhe për errësirat dhe dritën, sepse këto janë mirësi për trupat tanë. Po ashtu, Ai meriton falënderimin dhe lavdërimin për mirësinë e Librit, i cili përmban urdhra dhe ndalesa, sepse ato janë mirësi për zemrat dhe shpirtrat tanë. Madje, ai është shpirti i shpirtrave tanë dhe sekreti i jetës sonë.
Medito fjalën e Allahut të Lartësuar: “O ju që besuat! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret në atë që ju jep jetë.” Çfarë është kjo jetë drejt së cilës jemi thirrur?
Medito gjithashtu fjalën e Tij: “Dhe Ne zbresim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, ndërsa zullumqarëve nuk u shton veçse humbje.”[12]
A nuk është Kurani Fisnik një prej mirësive të Allahut ndaj nesh? Madje, a nuk është ai prej mirësive më të mëdha?
Medito rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “E ka zbritur atë Shpirti Besnik mbi zemrën tënde, që të jesh nga paralajmëruesit”[13]. Pse Allahu i Madhëruar e ka quajtur Xhibrilin (a.s)“Shpirt”?
Medito rreth fjalës së Allahut të Lartësuar: “Dhe kështu Ne të kemi shpallur ty një shpirt nga urdhri Ynë; ti nuk e dije ç’është Libri dhe as ç’është besimi, por Ne e bëmë atë dritë me të cilën udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Dhe ti me të vërtetë udhëzon në rrugën e drejtë, në rrugën e Allahut, të Cilit i përket gjithçka që është në qiej dhe në tokë. Vërtet, tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.”[14]
Pse Kurani është quajtur “shpirt”?
Nëse meditojmë rreth këtyre ajeteve dhe të ngjashmëve me to, që flasin për Kuranin dhe ndikimin e tij në shpirtrat tanë, si fjala e Allahut të Lartësuar: “Ju ka ardhur një këshillë nga Zoti juaj, shërim për atë që është në zemra dhe udhëzim e mëshirë për besimtarët”, dhe po ashtu: “Thuaj: Ai është për ata që besojnë udhëzim dhe shërim”, a nuk është ai nga dhuntitë më të mëdha të Allahut që meriton falënderimin tonë më të thellë ndaj Zotit tonë?
Kjo është arsyeja se përse ne e shohim Profetin (a.s) duke e mishëruar këtë të vërtetë me fjalën e tij: “A të mos jem një rob falënderues?”
Kështu, sjellja e duhur ndaj Allahut të Lartësuar është që njeriu ta pastrojë kryerjen e urdhrave dhe ndalimeve nga çdo motiv tjetër përveç adhurimit të Allahut, duke e bërë motiv të vetëm robërinë ndaj Tij, madhërimin e urdhrave dhe ndalesave të Tij, madhërimin e riteve dhe shenjtërive të Tij, dhe pranimin se Ai është Zoti që meriton adhurim.
Ka prej atyre që e kundërshtojnë këtë duke u argumentuar me disa tekste nga Kurani Famëlartë:
1- Fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe (përkujto) Zekerijanë kur iu lut Zotit të tij: “Zoti im, mos më lër të vetëm, dhe Ti je më i miri i trashëgimtarëve.” Ne iu përgjigjëm atij dhe i falëm Jahjanë dhe ia përmirësuam bashkëshorten e tij. Vërtet ata nxitonin në vepra të mira dhe Na luteshin me shpresë dhe frikë, dhe ishin të përulur ndaj Nesh.”. Ata na luteshin me shpresë për atë që është tek Ne dhe me frikë nga dënimi Ynë. Përemri në ajet i referohet profetëve të përmendur më parë në ajet. Si mund të themi atëherë: nuk shpresojmë në atë që është tek Ai dhe nuk frikësohemi nga dënimi i Tij?
2 – Fjala e Allahut të Lartësuar në përshkrimin e robërve të Mëshiruesit: “Dhe ata që thonë: “Zoti ynë, largoje prej nesh dënimin e Xhehenemit, sepse dënimi i saj është i pandashëm (i përhershëm). Vërtet ajo është vendbanim dhe qëndrim i keq.” Të tillët janë njerëzit më të mirë pas profetëve; ata i luten Zotit të tyre nga frika e dënimit të Xhehenemit. Si mund të mos kemi frikë nga zjarri i Xhehenemit?
3 – Fjala e Allahut të Lartësuar në përshkrimin e njerëzve të mendjes së shëndoshë: ”Me të vërtetë në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndërrimin e natës dhe të ditës ka shenja për njerëzit me mendje të pastër. Ata që e përmendin Allahun në këmbë, ulur dhe të shtrirë, dhe meditojnë mbi krijimin e qiejve dhe të tokës, (duke thënë): “Zoti ynë, Ti nuk e ke krijuar këtë më kot; i Madhëruar je Ti, prandaj na ruaj nga dënimi i zjarrit. Zoti ynë, këdo që Ti e fut në zjarr, e ke poshtëruar, dhe për zullumqarët nuk ka ndihmës. Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që thërriste për besim: “Besoni në Zotin tuaj”, dhe ne besuam. Zoti ynë, na i fal mëkatet tona, na i mbulo të këqijat tona dhe na vdis me të mirët. Zoti ynë, na jep atë që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit; vërtet Ti nuk e shkel premtimin.” Këta janë njerëzit që e njohin më së miri Allahun, janë ata që e përmendin Atë dhe i frikësohen dënimit, kërkojnë falje për mëkatet e tyre dhe kërkojnë që Allahu t’u japë atë që u ka premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tij, që është Xheneti që ata e kërkojnë. Si mund të mos i kërkojmë Allahut Xhenetin dhe të mos kërkojmë mbrojtje nga Zjarri?
4 – Fjala e Allahut të Lartësuar përmes Ibrahimit (a.s) “Dhe i Cili shpresoj që të më falë gabimin tim në Ditën e Gjykimit. Zoti im, më jep urtësi dhe më bashko me të mirët. Dhe më bëj të kem një përmendje të mirë ndër brezat e ardhshëm. Dhe më bëj prej trashëgimtarëve të Xhenetit të begatë. Dhe fale babain tim, sepse ai ka qenë prej të humburve. Dhe mos më poshtëro në ditën kur do të ringjallen njerëzit, në ditën kur nuk bën dobi as pasuria e as fëmijët, përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër.” Ky është Ibrahimi (a.s), miku i të Gjithëmëshirshmit, i cili i kërkon Allahut Xhenetin dhe kërkon mbrojtje nga poshtërimi në Ditën e Ringjalljes. Si mund të mos kërkojmë edhe ne Xhenetin dhe të mos kërkojmë mbrojtje nga poshtërimi në ditën kur do të ringjallemi?!
5 – Dhe zotëria i të gjithë profetëve dhe të dërguarve, i Dërguari i Allahut (a.s) i kërkon Allahut Xhenetin; madje ai e urdhëron umetin e tij që t’i kërkojnë Allahut për të “el-Vesile”, që është grada më e lartë në Xhenet. Ai (a.s) thotë: “Kur të dëgjoni ezanin, thoni siç thotë ai (muezini), pastaj dërgoni salavate mbi mua, sepse kush dërgon një salavat mbi mua, Allahu i dërgon atij dhjetë. Pastaj kërkoni nga Allahu për mua “el-Vesilen”, sepse ajo është një gradë në Xhenet që i takon vetëm një robi nga robërit e Allahut, dhe shpresoj që ai të jem unë. Kush kërkon për mua “el-Vesilen”, do të ketë ndërmjetësimin tim.”[15]
6 – Hadithi i njohur, hadithi i engjëjve shëtitëss, që kërkojnë tubimet e dhikrit, në të cilin Profeti (a.s) thotë: “Me të vërtetë Allahu ka engjëj shëtitës, fisnikë, që ndjekin tubimet e përmendjes së Allahut. Kur gjejnë një tubim ku bëhet dhikër, ulen me ta dhe disa prej tyre mbulojnë të tjerët me krahët e tyre, derisa mbushin hapësirën mes tyre dhe qiellit të dynjasë. Kur shpërndahen, ngrihen dhe ngjiten në qiell. Allahu – dhe Ai e di më mirë – i pyet: “Prej nga po vini?” Ata thonë: “Po vijmë nga disa robër të Tu në tokë, që të madhërojnë, të lavdërojnë, të përmendin dhe të falënderojnë, dhe të kërkojnë prej Teje.” Allahu thotë: “Çfarë më kërkojnë?” Ata thonë: “Xhenetin Tënd.” Ai thotë: “A e kanë parë Xhenetin Tim?” Ata thonë: “Jo, o Zot.” Ai thotë: “Po sikur ta kishin parë?” Ata thonë: “Dhe kërkojnë mbrojtje prej Teje.” Ai thotë: “Prej çfarë kërkojnë mbrojtje?” Ata thonë: “Nga Zjarri Yt, o Zot.” Ai thotë: “A e kanë parë Zjarrin Tim?” Ata thonë: “Jo.” Ai thotë: “Po sikur ta kishin parë?” Ata thonë: “Ata kërkojnë faljen Tënde.” Allahu thotë: “I kam falur; u kam dhënë atë që kërkuan dhe i kam mbrojtur nga ajo prej së cilës kërkuan mbrojtje.” Pastaj thonë: “O Zot, në mesin e tyre është filani, një rob gabimtar; ai vetëm kaloi dhe u ul me ta.” Allahu thotë: “Edhe atij ia kam falur; ata janë një popull që kush ulet me ta nuk humbet.”[16] Kështu pra megjithëse këta besimtarë janë tubuar në një shtëpi prej shtëpive të Allahut dhe janë duke bërë dhikër, ata i kërkojnë Allahut Xhenetin dhe kërkojnë mbrojtje nga Zjarri. Si mund të mos stolisemi me cilësitë e tyre?
Prandaj, Kurani Fisnik dhe Suneti profetik janë të mbushur me lavdërimin e robërve që i kërkojnë Allahut Xhenetin dhe shpresojnë të hyjnë në të, dhe kërkojnë mbrojtje tek Ai nga Zjarri dhe frikësohen prej tij. Si mund të themi pas gjithë kësaj: “Ne e adhurojmë Allahun vetëm se Ai e meriton të adhurohet, dhe jo për Xhenetin e Tij apo nga frika e Zjarrit të Tij”?
Përgjigjja e kësaj çështje është se nëse ne, meditojmë rreth të gjitha ajeteve kuranore që përshkruajnë profetët, të dërguarit, të dashurit e Allahut dhe njerëzit me mendje të pastër, do të gjejmë se të gjithë ata i kërkojnë Allahut Xhenetin dhe kërkojnë mbrojtje nga Zjarri, si një formë adhurimi, jo si mbështetje në veprat e tyre apo në bindjet e tyre.
Nuk kemi lexuar për asnjërin prej tyre që t’i ketë thënë Zotit të tij: “O Zot, unë të jam bindur duke kryer urdhrat e Tua dhe duke u larguar nga ndalesat e Tua, prandaj e meritoj Xhenetin dhe të më largosh nga Zjarri.”
Si mund ta thotë dikush këtë, kur ka dëgjuar fjalën e të Dërguarit të Allahut: “Asnjë vepër nuk do ta fusë askënd në Xhenet”? Po, siç ka thënë Zoti ynë i Madhëruar: “Na luten me shpresë dhe frikë”. Ata i luten Atij si adhurim, sepse vetë lutja është adhurim, jo thjesht mjet. A nuk ka thënë Zoti ynë i Lartësuar: “Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë do t’ju përgjigjem. Vërtet ata që tregohen mendjemëdhenj ndaj adhurimit Tim do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar.”
Lutja është urdhër i drejtpërdrejtë, ashtu siç është namazi dhe zekati… pra lutja është adhurim. Profeti (a.s) ka thënë: “Duaja është vetë adhurimi”, pastaj lexoi ajetin: “Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë do t’ju përgjigjem. Vërtet ata që tregohen mendjemëdhenj ndaj adhurimit Tim do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar.”[17]
Po ashtu i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Duaja është thelbi) i adhurimit.” Hadithi është i dobët, por kuptimi i tij është i saktë, duke u mbështetur në hadithin e mëparshëm dhe ajetin kuranor.
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka gjë më të nderuar tek Allahu sesa duaja.”[18]
Pra, duaja në vetvete është adhurim i kërkuar nga robi, si të gjitha adhurimet e tjera. Për këtë arsye Profeti (a.s) ka thënë: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu nga zjarri!”[19]
Sjellja e duhur me Allahun e Lartësuar është që veprimin tënd të urdhrit dhe ndalesës ta pastrosh nga çdo motiv tjetër, përveç motivit të robërisë ndaj Allahut të Lartësuar.
Nëse thua: puna për të kërkuar Xhenetin dhe shpëtimin nga Zjarri është synim i Sheriatit, dhe Profeti (a.s) i ka nxitur shokët dhe umetin e tij të veprojnë për Xhenetin: “A ka ndonjë që përpiqet për Xhenetin? Sepse – pasha Zotin e Qabes – ai është dritë që shkëlqen, një aromë e këndshme që lëkundet, një bashkëshorte e bukur, fruta të pjekura, një pallat i ngritur dhe një lumë i rrjedhshëm.” Shokët thanë: “Ne jemi ata që përpiqemi për të.” Ai (a.s) tha: “Thoni: nëse Allahu do.”[20]
Po ashtu Profeti (a.s) i tha atij që i kërkoi Xhenetin: “Më ndihmo veten tënde me shumë sexhde.” Rebi‘a ibn Ka‘b el-Eslemi ka thënë: “E kaloja natën me të Dërguarin e Allahut (a.s), dhe i sillja ujin e abdesit dhe nevojat e tij. Ai më tha: “Kërko.” Unë thashë: “Të kërkoj shoqërimin tënd në Xhenet.” Ai tha: “A do ndonjë gjë tjetër?” Thashë: “Vetëm këtë.” Ai tha: “Atëherë më ndihmo veten tënde me shumë sexhde.”[21]
Profeti (a.s) thotë: “Kush bën kështu, atij i hapen tetë dyert e Xhenetit.”[22]
Hadithet që flasin për këtë temë janë të shumta.
Allahu i Lartësuar thotë:“Allahu thërret për në Shtëpinë e Paqes (Xhenetin)” Dhe thotë: “Dhe u thirrën: “Ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni vepruar.” Dhe thotë: “Paqja qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet për shkak të asaj që keni vepruar.” Dhe thotë: “Dhe ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni vepruar.”
Ka edhe shumë ajete të tjera që tregojnë hyrjen në Xhenet për shkak të veprave.
Po, fjala në këtë temë është shumë e gjerë si në Kuran ashtu edhe në Sunet, por e gjitha është e lidhur me mirësinë dhe mëshirën e Allahut të Madhëruar, jo thjesht me drejtësinë e Tij. Kjo për shkak të hadithit të saktë dhe të qartë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet për shkak të veprës së tij.” Thanë: “As ti, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “As unë, përveç nëse Allahu më mbulon me mirësinë dhe mëshirën e Tij. Prandaj bëni vepra të drejta dhe përpiquni afër përsosmërisë, dhe askush prej jush të mos dëshirojë vdekjen: nëse është mirëbërës, ndoshta do të shtojë të mirat; e nëse është keqbërës, ndoshta do të pendohet.”[23]
Pra, ne duhet të përmbahemi në edukatën me Allahun e Lartësuar së pari, dhe themeli i kësaj edukate është që veprat tona t’i pastrojmë nga çdo motiv tjetër përveç robërisë ndaj Allahut. Ne kërkojmë Xhenetin dhe mbrojtje nga Zjarri si adhurim ndaj Tij. Dhe e dimë se hyrja në Xhenet është me mirësinë dhe mëshirën e Tij, edhe pse ajo është e lidhur me veprat, por kjo është nga aspekti i mirësisë, jo i detyrimit apo i “të drejtës” mbi Allahun.
Ne e duam Allahun, shpërblimin e Tij dhe Xhenetin e Tij nga mirësia e Tij, duke ndjekur shembullin e Nënave të Besimtarëve, kur Allahu thotë: “Nëse ju dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë Allahu ka përgatitur për bamirëset prej jush shpërblim të madh.” Ne e dëshirojmë këtë sipas fjalës së Tij: “Kush dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me përpjekjen e saj, duke qenë besimtar, atyre përpjekja u pranohet dhe u shpërblehet” E dëshirojmë këtë nga mirësia e Tij, jo duke u mbështetur në veprat tona.
O Allah, na jep sinqeritet në fjalë dhe vepra. O Allah, bëje namazin tim, adhurimet e mia, jetën time dhe vdekjen time për Ty, o Zot i botëve. Të kërkoj, o Zot, Xhenetin më të lartë (Firdeusin) dhe çdo vepër që të afron tek ai, dhe kërkoj mbrojtje nga zemërimi Yt, nga hidhërimi Yt dhe nga Zjarri dhe çdo vepër që afron tek ai. Amin.
Autor: Abdusherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
Top of Form
A
[1] – Sure Haxh: 30.
[2] – Sure Haxh: 32.
[3] – Sure Bejjine: 5.
[4] – Sure Kehf: 110.
[5] – Sure Kehf: 51.
[6] – Sure Ali Imran: 133.
[7] – Sure Muminun: 60.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.
[9] – Buhariu.
[10] – Sure En’am: 1.
[11] – Sure Kehf: 1.
[12] – Sure Isra: 82.
[13] – Sure Shuara: 193 – 194.
[14] – Sure Shura: 52.
[15] – Muslimi.
[16] – Muslimi.
[17] – Hakimi. Hadithi është Sahih.
[18] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.
[19] – Tirmidhiu. Hadithi është Sahih.
[20] – Ibn Maxheh.
[21] – Muslimi.
[22] – Muslimi.
[23] – Buhariu dhe Muslimi.



















