Sot, familja nuk përballet më vetëm me kriza ekonomike, sociale apo edukative siç ndodhte më parë, por po përballet me ndryshime të paprecedenta që i ka imponuar epoka digjitale, me gjithë atë që ajo sjell nga aplikacionet, telefonat inteligjentë, platformat e komunikimit dhe botët virtuale që kanë hyrë në shtëpi pa trokitur, duke ndryshuar formën e marrëdhënieve njerëzore brenda vetë familjes.
Familja që dikur edukonte… është shndërruar në një familje që negocion me ekranet
Shtëpitë, në një kohë rekord, janë transformuar nga hapësira dialogu, edukimi dhe ngrohtësie njerëzore në ishuj elektronikë të izoluar, ku babai, nëna dhe fëmijët jetojnë nën të njëjtën çati, por me mendje, interesa dhe marrëdhënie virtuale të ndryshme dhe të largëta.
Babai është i zënë me telefonin e tij, nëna e zhytur në grupet e komunikimit, fëmija i lidhur me lojërat elektronike, ndërsa adoleshenti jeton brenda botëve të “TikTok”-ut, “Instagram”-it dhe “YouTube”-it, derisa heshtja digjitale është bërë sunduesi i mbledhjeve familjare.
Familja ka qenë historikisht shkolla e parë e edukimit, vlerave, përkatësisë dhe identitetit. Prej saj njeriu mëson të folurin, respektin, bashkëpunimin, disiplinën, dashurinë dhe marrjen e përgjegjësisë.
Por sot ajo e gjen veten përballë një konkurrenti të rrezikshëm që nuk fle, nuk lodhet, nuk respekton privatësinë dhe nuk njeh kufijtë edukativë apo moralë. Një konkurrent që quhet “bota digjitale”, e cila ka hyrë në dhomat e gjumit, në mendje dhe në ndjenja, duke filluar të kontrollojë sjelljen, mendimet, gjuhën madje edhe ëndrrat.
Problemi real nuk qëndron vetëm në ekzistencën e teknologjisë, sepse zhvillimi digjital në vetvete është një bekim i madh që i ka ofruar njerëzimit shërbime të jashtëzakonshme në arsim, komunikim, dije, kërkim shkencor dhe ekonomi. Rreziku qëndron në mënyrën e përdorimit të saj, si dhe në mungesën e një kornize familjare, edukative dhe kulturore që mund ta mbrojë familjen nga shndërrimi gradual në një grumbullim thjesht njerëzor të lidhur më shumë me internetin sesa me ndjenjat dhe vlerat njerëzore.
Familja mes së djeshmes dhe së sotmes
Familja, dikur bazohej në marrëdhënie të drejtpërdrejta, takime të përditshme, vizita familjare dhe komunikim të vërtetë njerëzor.
Mbledhja familjare rreth tryezës së ushqimit, seancat e mbrëmjes apo rastet familjare ishin hapësira edukimi, udhëzimi, shkëmbimi përvojash, rrëfimesh dhe vlerash. Fëmijët mësonin nga të rriturit kuptimin e respektit, durimit, solidaritetit dhe bashkëpunimit.
Sot, megjithatë, pamja ka ndryshuar rrënjësisht. Familja jeton një gjendje “bashkëjetese digjitale” në vend të komunikimit njerëzor. Të gjithë ulen në të njëjtin vend, por secili jeton brenda një ekrani të ndryshëm. Madje disa familje komunikojnë më shumë përmes mesazheve elektronike sesa me bisedë të drejtpërdrejtë, pavarësisht afërsisë fizike brenda të njëjtës shtëpi.
Ky transformim nuk ka ardhur papritur, por si rezultat i akumulimeve që lidhen me shpejtësinë e zhvillimit teknologjik, dobësinë e kornizës familjare, mungesën e formimit digjital të prindërve, si dhe angazhimin e familjeve me problemet e përditshme të jetës dhe presionet ekonomike e sociale, që kanë bërë që telefoni inteligjent ndonjëherë të shndërrohet në një “edukator zëvendësues” për fëmijët.
Fëmija digjital… një brez që lind brenda ekranit
Më e rrezikshmja që po përjeton sot familja është shfaqja e asaj që mund të quhet “fëmija digjital”, një fëmijë që përdor telefonin dhe pajisjet elektronike para se ndonjëherë të mësojë shkrimin me dorë apo komunikimin natyral me të tjerët. Një brez i rritur mbi shpejtësinë, imazhin dhe efektet vizuale, i cili has vështirësi në përqendrim afatgjatë, në leximin e librave, në zhvillimin e një dialogu të qetë apo në përballimin e pritjes.
Shumë fëmijë sot kalojnë orë të tëra përpara lojërave elektronike dhe videove të shkurtra, gjë që ndikon në zhvillimin e tyre psikologjik, mendor dhe shoqëror.
Po ashtu, kanë filluar të shfaqen probleme serioze të lidhura me varësinë digjitale, mungesën e përqendrimit, agresivitetin, izolimin, çrregullimet e gjumit, rënien e suksesit shkollor, madje edhe ndikime në gjuhë, identitet dhe kulturën lokale.
Më e rrezikshmja është se një numër i madh fëmijësh dhe adoleshentësh po marrin edukimin dhe orientimin e tyre nga “influencerët” dhe krijuesit e përmbajtjes më shumë sesa nga familja apo shkolla. Kështu, platformat digjitale po shndërrohen në institucione paralele që prodhojnë vlera, sjellje, gjuhë, ëndrra dhe modele referimi.
Adoleshentët mes lirisë digjitale dhe rrezikut të shënjestrimit
Adoleshenti në epokën digjitale jeton nën presione psikologjike dhe sociale që nuk kanë ekzistuar me këtë intensitet në brezat e mëparshëm. Ai është i rrethuar nga kultura e krahasimit, ndjekja e famës, numri i pëlqimeve dhe ndjekësve, si dhe ndërtimi i një imazhi të rremë e ideal të jetës.
Gjithashtu, ai është i ekspozuar ndaj ndikimit ideologjik, sjellor dhe kriminal përmes platformave të hapura. Sepse bota digjitale nuk sjell vetëm dije dhe argëtim, por edhe gjuhë urrejtjeje, dhunë, ngacmim, shfrytëzim seksual, shantazh elektronik, drogë digjitale, ekstremizëm, thashetheme dhe manipulim psikologjik e emocional.
Dhe për shkak se familja, në shumë raste, nuk e ndjek këtë transformim të shpejtë, një numër prindërish nuk e dinë çfarë shikojnë fëmijët e tyre, me kë komunikojnë, apo në cilën botë jetojnë ata. Kështu, telefonat inteligjentë shndërrohen në porta të hapura drejt rreziqeve pa kufij.
Prindërit gjithashtu janë viktima të botës digjitale
Diskutimi për ndikimin e botës digjitale mbi familjen nuk duhet të kufizohet vetëm te fëmijët dhe të rinjtë, sepse edhe të rriturit janë bërë viktima të këtij transformimi.
Sa shumë baballarë janë bërë të munguar në familjet e tyre për shkak të varësisë nga lajmet dhe platformat! Sa shumë nëna jetojnë nën presionin e krahasimeve sociale dhe jetës së ekspozimit digjital! Dhe sa shumë marrëdhënie bashkëshortore janë shpërbërë për shkak të botës virtuale, tradhtisë elektronike dhe keqpërdorimit të mjeteve të komunikimit!
Teknologjia ndonjëherë ka ndihmuar në afrim të distancave të largëta, por në të njëjtën kohë ka thelluar distancat e afërta brenda shtëpive. Prania fizike nuk do të thotë më gjithmonë prani e vërtetë njerëzore dhe emocionale.
Shkolla dhe familja… një betejë e përbashkët
Familja nuk mund ta përballojë e vetme këtë valë digjitale pa mbështetjen e shkollës, mediave, shoqërisë civile dhe institucioneve kulturore e fetare.
Shkolla sot është më e detyruar se kurrë më parë t’u mësojë fëmijëve “kulturën digjitale”, jo vetëm përdorimin e teknologjisë. Pra, t’u mësojë si të dallojnë të vërtetën nga thashethemi, lirinë nga kaosi, dhe përdorimin pozitiv nga ai i rrezikshëm i internetit.
Po ashtu, media duhet të ndalojë promovimin e sipërfaqësisë, dhunës dhe sensacionalizmit, dhe të punojë për prodhimin e përmbajtjeve edukative, kulturore dhe njerëzore që respektojnë inteligjencën e familjes dhe mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë.
Ndërsa shoqëria civile duhet të angazhohet në fushata ndërgjegjësimi digjital, sepse beteja nuk është më vetëm kundër analfabetizmit tradicional, por edhe kundër “analfabetizmit digjital”, që e bën njeriun të përdorë teknologjinë pa vetëdije për rreziqet e saj.
Familja nuk është kundër teknologjisë… por kundër humbjes së njeriut
Nuk kërkohet shpallja e luftës kundër teknologjisë apo kthimi në kohën para internetit, sepse kjo është e pamundur dhe jo logjike. Ajo që kërkohet është rivendosja e ekuilibrit brenda familjes, në mënyrë që teknologjia të mbetet një mjet në shërbim të njeriut dhe jo një instrument që e kontrollon atë.
Familja që lexon me fëmijët e saj, që dialogon me ta, që i mbikëqyr me dashuri dhe vetëdije, dhe që i nxit drejt sportit, kulturës, arteve dhe aktiviteteve njerëzore, është në gjendje t’i mbrojë ata nga shumë rreziqe digjitale.
Po ashtu, caktimi i kohëve pa telefona brenda shtëpisë, ringjallja e mbledhjeve familjare, respektimi i kohës së dialogut dhe kujdesi për shëndetin mendor të fëmijëve janë hapa të thjeshtë, por të domosdoshëm për të shpëtuar marrëdhëniet familjare nga ftohtësia digjitale.
A është ende familja e aftë ta shpëtojë njeriun?
Pyetja nuk është më vetëm: si ta mbrojmë familjen? Por është bërë më e thellë: si ta mbrojmë njeriun brenda familjes?
Bota digjitale po zhvillohet me shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërsa aftësia e shoqërive për të ndjekur ndikimet e saj psikologjike, edukative dhe kulturore nganjëherë po bie. Nëse teknologjia ka arritur ta lidhë botën përmes rrjeteve, sfida e vërtetë sot është si të ruajmë lidhjet njerëzore brenda shtëpive.
Familja nuk është thjesht një institucion social i zakonshëm, por është fortesa e fundit që mbron vlerat, identitetin dhe ekuilibrin psikologjik e njerëzor. Nëse familja shembet nën presionin e izolimit digjital dhe shpërbërjes së vlerave, atëherë e gjithë shoqëria do ta paguajë çmimin.
Prandaj, mbrojtja e familjes në epokën digjitale nuk është më një luks intelektual apo një diskurs ceremonial, por është një betejë qytetërimore, morale dhe edukative për të mbrojtur vetë njeriun nga shndërrimi në një qenie që jeton përmes ekranit dhe humbet jetën reale.
Familja mes pabarazive sociale dhe botës digjitale
Sot nuk flitet më për familjen thjesht si një diskurs social tradicional, por si një çështje strategjike e lidhur me sigurinë sociale, kulturore dhe njerëzore të shteteve dhe shoqërive në një kohë kur ekranet, algoritmet dhe botët virtuale po kontrollojnë gjithnjë e më shumë detajet e jetës së përditshme.
Autor: Bushuajb Hamraui
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















