Në ditët e sotme, dijetarët e kanë për detyrë të rishqyrtojnë trashëgiminë juridike nën dritën e shkencës së hadithit së bashku me shkencën e “Fikhut” dhe “Usul Fikhut” me largpamësi dhe vizion si dhe të rishikojnë ato dispozita fetare që janë vendosur në bazë të haditheve të dobëta. Nga konsesusi për të cilin dijetarët kanë rënë dakord është fakti se hadithet e dobëta nuk janë argument për të përligjur një dispozitë fetare dhe as që njeriu të jetë përgjegjës në çështjet që kanë lidhje me hallallin dhe haramin.
Ky rishqyrtim shkencoro – analitik i bërë nga dijetarë të besueshëm, do zbulojë ato çështje sheriatike dhe shoqërore të rëndësishme që kanë marrë një verdikt fetar bazuar në hadithe të dobëta.
Dëmshpërblimi për jobesimtarin[1]:
Merr si shembull sasinë e dëmshpërblimit për dhimijinët[2]në të drejtën penale. Pjesa dërrmuese e juristëve thonë se sasia e dëmshpërblimit që jepet për ithtarët e Librit që banojnë në shetin islam – ashtu sikurse i cilësojnë juristët – është sa gjysma e dëmshpërblimit që jepet për muslimanin.[3]
Argument i shumicës së juristëve janë disa hadithe që janë transmetuar në musned[4] dhe librat e tjera të haditheve[5]. Asnjë prej këtyre haditheve nuk është transmetuar tek Buhariu dhe Muslimi. Ato janë hadithe, të cilat disa dijetarë i kanë pranuar kurse të tjerë i kanë refezuar.
Si për shembull hadithi i Amër ibn Shuajbit, i cili transmeton nga babai tij dhe nga gjyshi i tij se Profeti (a.s) ka thënë: “Dëmshpërblimi për mosbesimtarin vlen sa gjysma e dëmshpërblimit për muslimanin.”[6] Në një transmetim tjetër thuhet: “Është vendosur se dëmshpërblimi për ithtarët e Librit – hebrenjve dhe të krishterëve – është sa gjysma e dëmshpërblimit për muslimanin.”[7]
Juristë të tjerë janë të mendimit se dëmshpërblimi për hebrenjtë dhe të krishterët është sa një e treta e dëmshpërblimit për muslimanin, ashtu sikurse lexojmë në librin “Minhaxh” të imam Neueuijut. Kjo tregon se hadithi që flet se dëmshpërblimi i tyre është sa gjysma e dëmshpërblimit të muslimanit nuk është i saktë tek dijetarët.
Theuriju, Zuhriju, Zejd ibn Alij, Ebu Hanifja dhe dijetarët e medh’hebit të tij janë të mendimit se dëmshpërblimi për dhimijjuët është i barazlefshëm me dëmshpërblimin e muslimanit. Ata kanë marrë si argument hadithe në të cilat Profeti (a.s) e ka bërë dëmshpërblimin për palën kontraktuese – që ka marrveshje midis tyre dhe muslimanëve – sa dëmshpërblimi për muslimanin. Dhe po kështu dëmshpërblimi i dhimijjut duhet të jetë sa dëmshpërblimi i muslimanit. Sakaq dijetatër që mendojnë ndryshe i kanë konsideruar këto hadithe të dobëta.
Në fakt, e vërteta është se hadithet që kanë përmendur të dyja palët nuk arrijnë në gradën për të qenë të saktë aq sa mos të jenë të diskutueshëm. Prandaj është e domosdoshme referimi tek tekstet e përgjithshme, rregullat e sheriatit dhe objektivat sheriatikë gjenerale.
Nëse do t’i referohemi Kuranit Fisnik, do të vërejmë se për vrasjen që bëhet padashje e ka bërë obligim që dëmshpërblimi të jetë i njëllojtë si për besimtarin ashtu edhe për dikënd që i përket palës kontrakuese me të cilin kemi bërë marrveshje. Ajo që është obligim në të dyja rastet është “që të paguajë gjakun trashigmtarëve të të vrarit dhe të lirojë një besimtar që është skllav”[8]. Kurani nuk ka bërë dallimin midis besimtarit dhe jobesimtarit. Gjithashtu kjo përputhet me faktin se sheriati e shenjtëron gjakun e muslimanit dhe jomuslimanit, barazinë e njerëzve në dinjitetin njerëzor dhe veçanërisht atë të banorëve të një shteti – shtetit islam – d.m.th. atë të qytetarëve të një shteti. Ky është mendimi me të cilin shteti islam ka gjykuar prej shumë shekujsh, përgjatë periudhës së hilafetit Abasit dhe atij Osmanlli. Sot ka tentativa nga shtete të mëdha që dëshirojnë të spekulojnë me çështjen e pakicave jomuslimane duke pretenduar se ata janë persekutuar dhe se për ta nuk ka pasë barazi në të drejtën penale islame.
Dëmshpërblimi për gruan:
Një çështje tjetër që ka nevojë për rishqyrtim në të drejtën penale islame është çështja e dëmshpërblimit për gruan. Shumica e juristëve janë të mendimit se dëmshpërblimi për gruan është sa gjysma e dëmshpërblimit për burrin.
Në këtë çështje ata bazohen tek disa hadithe të transmetuara nga Muadhi se Profeti (a.s) ka thënë: “Dëmshpërblimi për gruan është sa gjysma e dëmshpërblimit për burrin.” Hafiz Bejhakiu ka thënë: Vargu i transmetimit të këtij hadithi nuk është i vërtetuar.
Po ashtu Bejhakiu transmeton nga Aliu (r.a) se ai ka thënë: “Dëmshpërblimi për gruan është sa gjysma e dëmshpërblimit për burrin. Kjo thënie transmetohet nga Ibrahim Nehauij, e në vargun e këtij transmetimi ka ndërprerje. Gjithashtu këtë thënie e ka transmetuar edhe Ibn Ebu Shejbe nga Sha’biju. Gjithsesi kjo mbetet në kuadrin e një thënie nga një sahabij dhe nuk mund të konsiderohet hadith i thënë nga Profeti (a.s).
Po ashtu në çështjen e plagosjes, në të drejtën penale islame ka detaje të ndryshme rreth dëmshpërblimit për gruan krahasuar me atë që jepet për burrin. Në lidhje me këtë temë nuk ka as edhe një hadith të saktë që ia vlen për t’u marrë për bazë.
Ashtu sikurse disa dijetarë – të cilët janë të mendimit për këtë ndasi midis burrit dhe gruas në dëmshpërblim – marrin si argument konsesusin e dijetarëve. Është e vërtetë që konsesusi i dijetarëve, padyshim, është argument. Megjithatë në këtë rast konsesusi i dijetarëve nuk është vërtetuar. Sepse në lidhje me këtë rast, dy dijetarë të Selefëve nuk janë pajtuar me këtë mendim. Këta dy dijetarë janë: El Es’ami dhe Ibn Ulbeh, të cilët thonë se dëmshpërblimi për gruan është i njëllojtë me dëmshpërblimin për burrin.[9]
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Që nënkupton se nëse një besimtar vret padashje një jobesimtar duhet që të japë dëmshpërblim për gjakun e tij. Sh.pk.
[2] – Banorë jomuslimanë që banojnë në shtetin islam, që paguajnë tatime për kokë dhe si rrjedhojë e kësaj gëzojnë mbrojtjen e shtetit islam. Sh.pk.
[3] – Shih kapitullin dëmshpërblimi i dhimijinëve tek libri “Nejlul Eutari” i imam Sheukanit, vëllimi 7, fq: 221 – 224.
[4] – Libri i haditheve të imam Ahmedit. Sh.pk.
[5] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Nesait. Sh.pk.
[6] – Ahmedi (7092), Nesai (4806), Ebu Daudi (4583), Ibn Maxheh (2644) dhe Tirmidhiu (1413).
[7] – Ahmedi (7092), Nesai (4806), Ebu Daudi (4583), Ibn Maxheh (2644) dhe Tirmidhiu (1413).
[8] – Doktori i referohet ajetit kuranor: “Kush vret një besimtar gabimisht, duhet të lirojë një besimtar të robëruar dhe t’u paguajë gjakun trashigmtarëve të të vrarit.” Sure Nisa: 92. Sh.pk.
[9] – Për më tepër shih kapitullin e “dëmshpërblimit për gruan e vrarë apo të plagosur” tek libri “Nejlul Eutar” i imam Sheukanit, vëllimi 7, fq: 224-227.



















