Tre porosi për thirrësit në rrugë të Allahut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar thotë: “Pranoje faljen, urdhëro për të mirë dhe largohu nga të paditurit! Nëse shejtani të nxit drejt së keqes, kërko mbrojtjen e Allahut! Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi dhe i Gjithëdijshmi. Ata që i frikësohen Allahut, kur i prek ndonjë ngacmim nga shejtani, kujtohen dhe, ja, bëhen të vetëdijshëm!”[1]

Këto ajete përmbajnë tri porosi për atë që i thërret njerëzit drejt Allahut të Madhëruar:

Porosia e parë: Të pranosh faljen.

Porosia e dytë: Të urdhërosh për të mirë.

Porosia e tretë: Të largohesh nga të paditurit.

Porosia e parë: “Pranoje faljen!”,

O ti që i thërret njerëzit drejt Allahut me urtësi dhe këshillë të mirë! Nga ata që i fton, do të përballesh me lëndime dhe armiqësi, me marrëzi dhe padije, me kokëfortësi dhe mendjemadhësi, me tallje dhe përqeshje. Do të përballesh edhe me fyerje e sharje… Përballë kësaj situate të vështirë, ke dy mundësi:

Ose t’u përgjigjesh atyre me të njëjtën mënyrë siç sillen ata, duke dalë kështu nga metodologjia e thirrjes sate dhe duke ngritur mes teje dhe tyre pengesa të grindjeve e të armiqësive. Këto janë pengesa të vështira për t’u kapërcyer në rrugën e thirrjes sate, të cilat të pengojnë të vazhdosh përpara.

Ose t’i falësh ata që sillen keq me ty, të mos ua vësh re sjelljet dhe t’i mbash të hapura urat e lidhjes mes teje dhe atyre, udhëzimin, këshillimin dhe orientimin e të cilëve kërkon.

Udhëzimi hyjnor ka ardhur duke kërkuar që të ndiqet rruga e faljes dhe e shpërfilljes së fyerjeve të atyre që sillen keq.

Ajo që është e veçantë në formulimin e udhëzimit kuranor është se ai shprehet me urdhrin për të marrë faljen: “Pranoje faljen!”, dhe jo thjesht me shprehjen: “Fali ata!” ose “Qëndro në rrugën e faljes!”. Shprehja “Pranoje faljen!” të krijon përshtypjen se falja është diçka e çmuar, që duhet marrë, shfrytëzuar dhe fituar.

Falja ka ëmbëlsinë e saj në zemra dhe në shpirtra. Kush fal, e shijon ëmbëlsinë e faljes, ndërsa gjërat që kanë ëmbëlsi merren e përfitohen.

Allahu i Madhëruar e shpërblen faljen me një shpërblim të madh. Besimtari e fiton këtë shpërblim të madh pikërisht nëpërmjet faljes, e cila bëhet kështu shkak për të fituar shpërblim të madh nga Allahu i Lartësuar.

Fjalët e Allahut të Madhëruar: “Pranoje faljen!”, nënkuptojnë domosdoshmërisht edhe ndalimin e kërkimit të hakmarrjes. Pra, mos kërko të shfrysh mllefin tënd përmes hakmarrjes, duke ia kthyer të keqen me të njëjtën të keqe dhe duke e ndëshkuar atë që të ka bërë keq.

Ëmbëlsia dhe kënaqësia e faljes, së bashku me shpërblimin e madh të Allahut, janë më të mira për ty sesa kënaqësia kalimtare e hakmarrjes, të cilën mund të mos e arrish fare. Për më tepër, hakmarrja mund të të sjellë një të keqe të madhe, duke ngritur pengesa dhe mure në rrugën e përmbushjes së misionit tënd për përmirësimin e gjendjes së njerëzve, si dhe duke shkatërruar urat e lidhjes mes teje dhe atyre me të cilët merresh përmes thirrjes sate.

Porosia e dytë: Urdhëro për të mirë!,

domethënë, shqetësimi yt kryesor le të jetë t’i urdhërosh njerëzit për të mirë. E mira këtu nënkupton kontributin, bujarinë dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevoja dhe gjenden në gjendje të vështirë.

Ai që i thërret njerëzit drejt Allahut të Lartësuar duhet të kujdeset për problemet dhe nevojat e të varfërve, të skamnorëve dhe të të dobëtëve, si dhe t’i nxisë njerëzit të tregojnë dhembshuri ndaj tyre e t’i ndihmojnë. Në këtë mënyrë, ai fiton zemrat e shumicës dërrmuese të njerëzve, të cilët mblidhen rreth tij dhe i përgjigjen thirrjes së tij.

Nëpërmjet bujarisë, kontributit dhe ndihmës, ai që mbart mesazhin ua mbyll gojën atyre që e fyejnë. Ata ndihen të vegjël në vetvete, tërhiqen nga qëndrimi i tyre dhe përpiqen ta shlyejnë të keqen që i kanë bërë.

Porosia e tretë: Largohu nga të paditurit!,

domethënë, ndaj atyre që vazhdojnë të sillen me marrëzi kundrejt teje, edhe pasi ua ke falur sjelljet e këqija dhe i ke nxitur të bëjnë mirë, përgjigju vetëm duke u larguar prej tyre. Kjo do të thotë t’u kthesh anën e fytyrës dhe të trupit.

Nga kjo kuptojmë se nuk është e pëlqyeshme t’i kthesh shpinën e të largohesh krejtësisht prej tyre. Përkundrazi, kërkohet të mjaftohesh vetëm me shpërfilljen e tyre. Shpërfillja përbën një qëndrim të ndërmjetëm mes përballjes me ta dhe largimit të plotë prej tyre.

Me të paditurit këtu synohen ata që sillen në mënyrë të pahijshme ndaj njerëzve të virtytshëm, duke iu drejtuar me fjalë të ulëta e të shëmtuara, me fyerje e sharje, duke i lënduar përmes përçmimit, talljes, nënçmimit dhe përgojimit…

“Nëse shejtani të nxit drejt së keqes, kërko mbrojtjen e Allahut! Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi dhe i Gjithëdijshmi.”

Pas tri porosive, ky ajet vjen për të trajtuar gjendjen e brendshme të atij që mbart mesazhin, kur nefsit të tij i lind dëshira për t’u hakmarrë ndaj atyre që i kanë bërë keq… Allahu i Madhëruar ia bëri të qartë se kjo vjen nga nxitja e shejtanit, domethënë, nga përpjekja e tij për ta nxitur, për ta shtyrë dhe për t’ia ndezur zemërimin.

Allahu i Madhëruar ia mësoi edhe ilaçin me të cilin e largon prej tij këtë nxitje djallëzore.

Ky ilaç është që të kërkojë mbrojtjen e Allahut prej shejtanit. Kur vepron kështu, Allahu e dëgjon kërkimin e tij të sinqertë të mbrojtjes, që buron nga thellësia e zemrës, dhe i përgjigjet, duke e kthyer në gjendjen e qetësisë, paqes dhe prehjes shpirtërore.

Nxitja e shejtanit përfshin vesveset, cytjet dhe zbukurimin e veprave të këqija në sytë e njeriut, të cilat e shtyjnë atë drejt mëkateve.

“Kërko mbrojtjen e Allahut!” Domethënë, lute Allahun të të mbrojë nga nxitjet e shejtanit, ta largojë atë prej teje dhe të të ruajë nga vesveset dhe cytjet e tij. Atë që kërkon mbrojtjen e Allahut dhe strehohet tek Ai me sinqeritet në qëllim, Allahu e përfshin në mbrojtjen dhe ruajtjen e Tij.

“Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi dhe i Gjithëdijshmi.” Dija e Tij është gjithëpërfshirëse dhe e pakufishme. Ai i përgjigjet atij që kërkon mbrojtjen e Tij, kur e lut me zë të ulët dhe me qëllim të sinqertë. Ai i dëgjon sjelljet e pahijshme dhe marrëzitë e të paditurve dhe e di se çfarë përmbajnë ato nga lëndimet që shkaktojnë.

Allahu i Madhëruar e ka përforcuar përmbajtjen e këtij ajeti në suren Fussilet, ku thotë: “Kush flet më bukur se ai që i thërret njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë jam vërtet prej myslimanëve? Të keqen largoje me atë që është më e mira!”[2]

Nëse dikush të polemizon me argumente të pavërteta, ti përgjigju duke polemizuar në mënyrën më të mirë. Nëse të përgjigjen me fyerje e sharje, me intriga, kurthe, dredhi dhe akuza të pavërteta, ti largoje të keqen me atë që është më e mira.

“Atëherë, ai me të cilin ke pasur armiqësi do të bëhet sikur të ishte mik i afërt.”

Kjo mënyrë veprimi e ftoh zjarrin e sulmit të tij dhe e bën të tërhiqet gradualisht nga qëndrimet e tij të këqija, duke filluar të mbajë qëndrime të buta, të përzemërta dhe të mira. Kështu, ai përpiqet të mbulojë qëndrimin e mëparshëm, për shkak të të cilit njerëzit e kishin gjykuar si të pahijshëm në sjellje dhe si agresiv pa asnjë arsye të justifikueshme.

Ai vazhdon të tërhiqet derisa fillon të shfaqë përzemërsi, duke u dukur sikur është një mik i afërt, një përkrahës besnik dhe një shok me dashuri të sinqertë.

Fjala e Allahut të Lartësuar “sikur” tregon se ai mund t’i shtiret këto shfaqje miqësore për lajka dhe syefaqësi, me qëllim që të mbulojë qëndrimet e mëparshme të këqija, të cilat nuk kishin asnjë justifikim.

“Dhe këtë nuk e arrijnë” – domethënë, këtë virtyt të lartë, që të keqes t’i përgjigjesh me të mirë, “përveç atyre që durojnë” përballë lëndimeve. Kjo cilësi kërkon durim të madh, si dhe një pjesë të bollshme të virtyteve morale dhe të tipareve të lavdërueshme të karakterit.

Këtë cilësi njeriu e fiton ndër dhuntitë që i jep Allahu i Lartësuar.

“Nëse shejtani të nxit drejt së keqes, kërko mbrojtjen e Allahut! Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi dhe i Gjithëdijshmi.” Ky është po ai ilaç që Allahu e ka porositur në suren A‘raf. Në suren Fussilet, Allahu e ka përforcuar këtë udhëzim dhe ka shprehur veçanësinë e Tij në këtë cilësi, duke thënë: “Vërtet, vetëm Ai është Gjithëdëgjuesi dhe i Gjithëdijshmi”, ndërsa në suren A‘raf thuhet: “Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi dhe i Gjithëdijshmi.”

Xhafer es-Sadiku ka thënë: “Allahu e urdhëroi Profetin e Tij të pajisej me virtytet më të larta morale. Në Kuran nuk ka asnjë ajet tjetër që t’i përmbledhë virtytet morale më plotësisht sesa ky ajet.”

Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) nuk ishte njeri i ndyrë në të folur, as nuk fliste me fjalë të pahijshme, nuk bërtiste nëpër tregje dhe nuk ua kthente të keqen me të keqe, por falte dhe tregonte zemërgjerësi.”

Ukbe ibn Amiri  ka thënë: “E takova të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe i fola i pari. E mora për dore dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më trego cilat janë veprat më të virtytshme!” Ai më tha: “O Ukbe, mbaji lidhjet me atë që i ndërpret me ty, jepi atij që të privon dhe mos u merr me atë që të bën padrejtësi!”[3]

Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Ujejne ibn Hisni erdhi dhe qëndroi te djali i vëllait të tij, el-Hurr ibn Kajsi, i cili ishte ndër njerëzit që Omeri i afronte pranë vetes. Lexuesit e Kuranit, qofshin të moshuar apo të rinj, ishin pjesëmarrës në kuvendet e Omerit dhe në këshillimet e tij. Ujejne i tha djalit të vëllait: “O djali i vëllait tim! Ti ke një pozitë të mirë te ky prijës, prandaj kërko leje për mua që të hyj tek ai.” Ai iu përgjigj: “Do të kërkoj leje për ty.” Ibn Abasi tregon: “El-Hurri kërkoi leje për Ujejnën dhe Omeri e lejoi të hynte. Kur hyri, Ujejne i tha: ‘O Ibn Hatab! Për Allahun, ti nuk na jep dhurata të bollshme dhe nuk gjykon mes nesh me drejtësi!” Omeri u zemërua aq shumë, saqë gati urdhëroi ta ndëshkonin. Atëherë el-Hurri i tha: “O prijësi i besimtarëve! Allahu i ka thënë Profetit të Tij (a.s): “Pranoje faljen, urdhëro për të mirë dhe largohu nga të paditurit!” Ky njeri është prej të paditurve.” Për Allahun, Omeri nuk e kaloi këtë ajet pa e zbatuar, pasi el-Hurri ia lexoi. Ai ishte nga ata që ndaleshin me përpikëri te Libri i Allahut të Madhëruar.”[4]

Padija është e kundërta e maturisë dhe e pjekurisë, ndërsa padija është e kundërta e dijes. Shpërfillja shprehet duke i lënë pas dore, duke mos u kushtuar rëndësi, duke i nënvlerësuar veprimet dhe fjalët e tyre të nxitura nga padija dhe duke kaluar pranë tyre pa u ndalur, siç kalojnë njerëzit fisnikë. Ajo nënkupton edhe të mos përfshihesh me ta në polemika që nuk çojnë askund, përveçse në debate të pafundme, kundërshti të ndërsjella dhe humbje kohe e energjie.

Heshtja ndaj tyre dhe shpërfillja e sjelljeve të tyre të paditura mund të përfundojnë duke i zbutur dhe disiplinuar, në vend që t’u përgjigjesh me fjalë të ndyra dhe të këmbëngulësh në kundërshtime kokëforta. Nëse kjo nuk sjell një rezultat të tillë tek ata, atëherë kjo mënyrë veprimi i veçon ata nga njerëzit e tjerë, në zemrat e të cilëve ka mirësi. Këta të fundit e shohin atë që bën thirrje drejt Allahut të durueshëm dhe të shmangur nga fjalët e kota, ndërsa i shohin të paditurit të sillen marrëzisht, të shpërthejnë nga zemërimi dhe të tregojnë padijen e tyre. Kështu, këta të fundit bien nga vlerësimi i njerëzve dhe mbeten të veçuar prej tyre.

Allahu i Lartësuar thotë në suren Mu’minun: “Të keqen largoje me atë që është më e mira! Ne e dimë më së miri atë që ata përshkruajnë.”[5] (96)

Këto tri ajete, në suret A‘raf, Mu’minun dhe Fussilet — dhe nuk ka një të katërt të këtij lloji — e udhëzojnë njeriun drejt mënyrës se si duhet të sillet me atë që bën mëkate: me mirësi dhe në mënyrën më të mirë. Më pas, Allahu e udhëzon të kërkojë mbrojtjen e Tij nga shejtani prej xhinëve, sepse mirësia nuk e ndal atë nga e keqja që synon të të bëjë. Përkundrazi, ai dëshiron shkatërrimin dhe rrënimin tënd. Ai është armik i hapur i yti dhe i babait tënd para teje.

“Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi” Ai e dëgjon padijen dhe sjelljen e pahijshme të të paditurit ndaj teje dhe e di se çfarë e largon nxitjen e shejtanit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju robërve të Mi të flasin atë që është më e mira, sepse shejtani nxit përçarje mes tyre.”[6]

O Ti, tek i Cili strehohem për atë që shpresoj,

dhe prej të Cilit kërkoj mbrojtje nga ajo që druhem!

Njerëzit nuk mund ta bashkojnë një kockë që Ti e ke thyer,

as nuk mund ta thyejnë një kockë që Ti e ke bashkuar.

Autor: Muhamed Meki

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure A’raf: 199 – 201.

[2] – Sure Fussilet: 33 – 34.

[3] – Ahmedi.

[4] – Buhariu.

[5] – Sure Mu’minun: 96.

[6] – Sure Isra: 53.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *