Hamza për të moshuarit dhe Zufinaze për personat me aftësi të kufizuara

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në Stamboll vizitova dy institucione bamirësie ku i pari merret me të moshuarit dhe personat që kanë nevojë, ndërsa i dyti  me personat me aftësi të ndryshe dhe me nevoja të veçanta.

I pari ishte institucion publik shtetëror, ndërsa i dyti ishte privat por nuk vura re ndonjë ndryshim mes dy instucioneve nga ajo që afronin.

Shtëpia e të moshuarve dhe të pafuqishmëve ishte themeluar në vitin 1895 gjatë kohës së sulltan Abdulhamidit, e cila vazhdon dhe dallohet për kujdesin ndaj të moshuarve.

Takova drejtorin e institucionit, Hamzën, i cili ishte një njeri që e donte bamirësinë dhe punën humanitare. Ai ishte zgjedhur dhe emëruar nga presidenti i shtetit, dhe kjo politikë ndiqet që nga koha e sulltan Abdulhamidit.

Ai na prezantoi historinë dhe aktivitetet e institucionit, pastaj na shoqëroi në ambientet e tij. Vura re se të gjithë të moshuarit pranë të cilëve kalonim e mirëprisnin, qeshnin me të, e ftonin të ulej me ta dhe shfaqnin dashuri e admirim ndaj tij, ndërsa ai bisedonte dhe bënte shaka me ta.

Nga gjërat e veçanta që pashë në këtë institucion ishte kujdesi për ambientin, pastërtinë dhe shërbimet shëndetësore. Në këtë shtëpi jetonin afërsisht 500 të moshuar dhe për ta kujdeseshin 450 punonjës në aspektin administrativ, shëndetësor, psikologjik, sportiv dhe social.

Në Turqi, rreth 100000 të moshuar përfitojnë kujdes nga këto institucione përmes 700 vakëfeve, të ardhurat, e të cilave shpenzohen për të moshuarit dhe të pafuqishmit.

Gjatë vizitës kaluam pranë një thertoreje delesh dhe u habita nga prania e saj. Kur pyeta për arsyen, më thanë: “Ne therim çdo ditë 100 dele për të përgatitur ushqimin e rezidenteve të këtij institucioni dhe të disa qendrave të tjera afër tij.”

Brenda institucionit kishte një xhami, kopshte, kafene, furrë buke dhe muze. Ai ishte si një qytet i vogël ku i moshuari jeton pa pasur nevojë të dalë jashtë.

Gjatë shëtitjes më tërhoqi vëmendjen prania e një kishe dhe një sinagoge hebraike. Kur pyeta për arsyen e ekzistencës së tyre, më thanë: “Këto janë që nga koha e Abdulhamidit ku në atë kohë të krishterët përbënin 40% të popullsisë së Stambollit, prandaj u ndërtua një kishë brenda institucionit dhe ne e kemi ruajtur deri sot, megjithëse tani askush nuk hyn në të.”

Pastaj vizituam muzeun dhe pamë shumë fotografi të varura dhe kur pyeta për to, më thanë se ato ishin fotografitë e personave që kishin ndërruar jetë nga ata që kishin jetuar në këtë shtëpi që nga fillimi i saj deri më sot, dhe ne e ruajmë kujtimin e tyre.

Ndërsa po ecnim, më erdhi pranë një grua me emrin Aishe, e cila lëvizte me karrocë. Ajo na përshëndeti dhe tha duke buzëqeshur e duke qeshur: “Më uroni!” Ne i thamë: “Urime për çfarë?” Ajo tha: “Sot bëhen 35 vjet që jetoj në këtë institucion dhe jam shumë e lumtur dhe e gëzuar.” U ula dhe bisedova me të përmes përkthyesit dhe ajo ishte shumë e gëzuar nga vizita.

Në fund të vizitës na prezantuan projektin e tyre të ri i cili ishte një qytet i tërë për të moshuarit dhe të pafuqishmit që do të hapet brenda dy viteve të ardhshme. Emri i tij do ndryshonte nga “Shtëpia e të Pafuqishmëve” në “Shtëpia e Mëshirës”. Aty do të ketë shtëpi, rrugë dhe dyqane.

Gjithashtu na shpjeguan disa veçori të këtij qyteti, ndër to pishina dhe shatërvane në mënyrë të tillë që tingulli i ujit të krijojë një melodi që ndihmon në trajtimin e sëmundjeve të të moshuarve. U habita nga kjo ide dhe ata më treguan një film për pishinat dhe shatërvanët e qytetit të ri, ku tregohej se si inxhinierët kishin projektuar tingujt e ujit për të qenë një trajtim psikologjik dhe shëndetësor për të moshuarit.

Institucioni i dytë që vizitova merret me personat me aftësi të kufizuara. U takova me drejtoreshën e institucionit dhe një nga themelueset e tij, prej njëzet vitesh, zonjën Zafinaze.

Ajo tha se qëllimi i institucionit është të zgjojë motivimin dhe aftësitë e personit me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ai të bëhet pozitiv dhe aktiv në shoqëri.

Gjatë bisedës, ajo tha se Allahu merr dhe jep, dhe se çdo person me aftësi të kufizuara ka cilësi pozitive dhe pika të forta, por shumë prej tyre dorëzohen përballë aftësisë së kufizuar dhe bëhen barrë për shoqërinë.

Ky institucion ka arritur të fusë 5000 persona me aftësi të kufizuara në tregun e punës në Turqi, duke i bërë ata produktivë në shoqëri dhe duke ndryshuar jetën e tyre për më mirë. Shumë prej tyre janë martuar, kanë fëmijë dhe krijuan familje.

Ajo na paraqiti një histori suksesi të një personi me aftësi të kufizuara, i cili ishte i braktisur . Kur institucioni u kujdes për të, ai vazhdoi studimet dhe u diplomua dy here në master.

Më pas u martua me një vajzë me nevoja të veçanta dhe e inkurajoi edhe atë që të vazhdonte studimet, derisa ajo u diplomua në universitet dhe gjithashtu mori diplomën e masterit.

E gjitha kjo, ndodhi falë ndjekjes së rasteve nga ana e institucionit dhe inkurajimit të tyre për të punuar dhe për t’u nisur drejt një jete aktive.

Kjo është një histori suksesi ndër shumë histori të tjera që dëgjova gjatë takimit, për shumë raste që ata i ndjekin qoftë edhe në shtëpitë e tyre.

Autor: Xhasim Mutava

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *