Hixhreti profetik.. një udhëtim që formësoi një umet dhe ndryshoi historinë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Hixhreti profetik… një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e thirrjes dhe të umetit

Hixhreti profetik është një kujtim i çmuar dhe një ngjarje historike që ka ndikimin e vet shpirtëror dhe fetar te çdo mysliman. Ai përbën një çast vendimtar dhe një etapë kyçe në historinë e thirrjes islame. Nëpërmjet tij, Islami kaloi nga një thirrje e fshehtë, e më pas nga një thirrje e hapur e përndjekur dhe e rrethuar, ku bartësit e saj ndiqeshin dhe përsekutoheshin, në një fazë të re të ndërtimit, edukimit të organizuar dhe formimit të shoqërisë, për të arritur më pas në ngritjen e shtetit dhe të umetit.

Hixhreti mbart mësime dhe urtësi që lidhen ngushtë me realitetin tonë të sotëm, në një kohë kur krizat janë përshkallëzuar dhe ndryshimet janë përshpejtuar. Ai nuk ishte thjesht një zhvendosje gjeografike nga Meka në Medinë, por një ndryshim drejt një klime lirie; sepse prijësit e Kurejshëve ua ngushtuan jetën myslimanëve, i penguan ata të praktikonin fenë dhe adhurimet e tyre, si edhe t’i thërrisnin të tjerët në Islam brenda Mekës.

Për këtë arsye, Profeti (a.s) punoi për ta përhapur thirrjen e tij jashtë Mekës dhe u takua me prijësit e ensarëve. Kjo u shfaq qartë në Besëlidhjen e parë dhe të dytë të Akabes. Si pasojë e tyre, thirrja islame u zhvendos në një mjedis tjetër dhe në horizonte më të gjera, gjë që bëri të mundur rritjen dhe lulëzimin e tij. Kështu, myslimanët u shndërruan nga një bashkësi e dobët dhe e përndjekur në një shoqëri e organizuar dhe bashkëpunuese, e më pas në një shtet që lidhte marrëveshje dhe korrespondonte me shtetet e tjera.

Ndër mësimet që nxirren nga ky rrugëtim madhështor është se Profeti (a.s) i menaxhoi informacionet që lidhen me hixhretin në një mënyrë që ruante fshehtësinë e të dhënave, të pjesëmarrësve dhe të planit të tij. Ai nuk i bëri të njohura hollësitë e tij për të gjithë, por secilit që kishte një rol i zbuloi vetëm aq sa i nevojitej për ta kryer detyrën e vet në mënyrën më të përsosur. Kjo, për shkak se Profeti (a.s) e dinte mirë kurthet e armikut dhe se edhe informacioni më i vogël, nëse dilte jashtë kontekstit të tij, mund të çonte në dështimin e të gjithë projektit dhe planit të hixhretit.

Kjo shfaqet qartë në rastin e udhërrëfyesit të hixhretit dhe marrëveshjes me të për vendin e takimit, pa ia bërë të ditur të gjithë çështjen apo destinacionin e udhëtimit. Në një hadith autentik thuhet: “I Dërguari i Allahut (a.s) dhe Ebu Bekri morën me pagesë një burrë nga fisi Benu ed-Dejl si udhërrëfyes të zotë, i cili ishte ende në fenë e jobesimtarëve të Kurejshëve. Ata ia besuan atij dy devetë e tyre dhe caktuan me të takim në shpellën Theur pas tri netësh.”[1]

Nga kjo bëhet e qartë se udhëtimi i hixhretit nuk ishte një veprim i improvizuar, por fryt i një planifikimi, përgatitjeje dhe pune të organizuar, me kohët dhe vendet e tij të përcaktuara paraprakisht.

Në librat e sires është përmendur se Amir ibn Fuhejra, i cili ishte bariu i deleve të Ebu Bekrit, ishte ngarkuar me detyrën e fshirjes së gjurmëve. Ndër to ishte edhe zhdukja e gjurmëve të Abdulla ibn Ebu Bekrit, detyra e të cilit ishte t’i sillte Profetit (a.s) dhe Ebu Bekrit lajmet dhe informacionet. Po ashtu, edhe Esmaja, u çonte atyre ushqimin.

Kjo dëshmon për nivelin e lartë të organizimit dhe të shpërndarjes së roleve në hixhretin profetik; secili kishte një detyrë të caktuar që e kryente me përpikëri, në mënyrë që plani të realizohej me sukses. Kështu, hixhreti u shndërrua në një model të shkëlqyer të ndërthurjes së mbështetjes te Allahu me marrjen e shkaqeve, të besimit me planifikimin dhe të organizimit me përkushtimin në kryerjen e përgjegjësive.

Kushdo që lexon dhe mediton mbi ngjarjet e hixhretit, vëren se ato na japin edhe një mësim tjetër: suksesi nuk arrihet nga një njeri i vetëm. Në të mori pjesë Ebu Bekri me shoqërimin e tij, me pasurinë dhe gatishmërinë e tij; Ali ibn Ebu Talibi me qëndrimin në shtratin e Profetit dhe kthimin e amaneteve; Abdullahu dhe Esmaja, fëmijët e Ebu Bekrit, duke sjellë ushqim dhe duke mbledhur lajmet; Amiri ibn Fuhejra me kamuflimin dhe zhdukjen e gjurmëve; ndërsa udhërrëfyesi kontribuoi me përvojën e tij në njohjen e rrugës.

Secili prej tyre e kreu rolin e vet në përputhje me aftësitë dhe pozitën që kishte. Kjo na tregon se projektet madhore nuk ndërtohen mbi një person të vetëm, sado e lartë të jetë pozita e tij. E megjithatë, në këtë umet nuk ka pozitë më të lartë se pozita e të Dërguarit të Allahut (a.s). Megjithatë, ai punoi me një ekip dhe secilit prej tyre ia ngarkoi detyrën përkatëse. Kështu u dëshmua suksesi i hixhretit të tij (a.s) dhe mbërritja e tij në Medinë së bashku me shokun e tij, të sigurt dhe të paprekur nga çdo e keqe.

Profeti (a.s) ndoqi një rrugë tjetër nga ajo e zakonshmja. Fillimisht u drejtua për në shpellën Theur, një drejtim krejtësisht i kundërt me rrugën që të çonte në Medinë; sepse shpella ndodhej në jug të Mekës, ndërsa Medina në veri të saj. Ai zgjodhi kështu një rrugë jo të zakontë për t’i hutuar jobesimtarët, duke e ditur se ata do ta ndiqnin dhe do ta kërkonin.

Në këtë ka një mësim të thellë, jo vetëm për ndryshimin e itinerarit, por edhe për ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe shpikjen e zgjidhjeve e trajtimeve të reja. Të menduarit jashtë kornizave të zakonshme dhe të njohura, për aq kohë sa nuk çon në kundërshtimin e parimeve të pandryshueshme, është një cilësi e lavdërueshme që Islami e nxit dhe që Suneti i më të mirit të njerëzimit e dëshmon. Kjo ngjarje dhe ky udhëtim janë ndër provat më të qarta që e vërtetojnë këtë.

Duke qenë se ky udhëtim ishte i rrethuar nga rreziqe të shumta dhe Kurejshët po e kërkonin Profetin (a.s) dhe shokun e tij, madje ata kishin caktuar një shpërblim prej njëqind devesh për këdo që do t’ua sillte të gjallë ose të vdekur, ndërkohë që rruga ndërmjet Mekës dhe Medinës ishte e gjatë, e pasigurt dhe jo lehtësisht e njohur, Profeti (a.s) veproi në atë formë për t’i minimizuar rreziqet në maksimum. Ai zgjodhi shokun e udhëtimit, përcaktoi vendin dhe kohën e fshehjes, kërkoi ndihmën e një udhërrëfyesi të aftë që njihte mirë shtigjet, ngatërresat dhe degëzimet e rrugës, shpërndau detyrat dhe më pas priti çastin e përshtatshëm për nisje.

Pas vetes la një popull të hutuar, që nuk dinte as ku ta kërkonte dhe as si të arrinte tek ai. Me të gjitha këto masa paraprake, ai uli në minimum rreziqet, të cilat mund të çonin jo vetëm në dështimin e hixhretit, por edhe në pengimin e të gjithë projektit islam.

Ndër mësimet dhe dëshmitë e thella të hixhretit të tij (a.s) është edhe fakti se ai kërkoi ndihmën e një udhërrëfyesi të aftë për ta orientuar në rrugë, edhe pse ai në atë kohë nuk ishte në fenë islame. Kjo do të thotë se përvoja dhe kompetenca, kur shoqërohen me besueshmëri dhe ndershmëri, mund të mbështetesh tek to. Po ashtu, bashkëpunimi në çështje të ligjshme që realizojnë synime madhore është i konsideruar dhe i vlefshëm.

Puna e suksesshme ka nevojë për njerëz të ndershëm dhe kompetentë; sepse vetëm qëllimi i mirë nuk mjafton nëse mungon aftësia profesionale. Profeti (a.s) mori shkaqet dhe mjetet njerëzore që kishte në dispozicion në atë kohë dhe zgjodhi një udhërrëfyes të sprovuar e tepër të zotë, jo një udhërrëfyes të zakonshëm, ashtu siç e kërkonte natyra e atij udhëtimi dhe e asaj etape. Në këtë mësojmë se Islami nxit vlerësimin e ekspertizës dhe na mëson t’i mbështetemi Allahut, pa hequr dorë nga marrja e shkaqeve në mënyrën dhe format më të mira.

Në këtë udhëtim u shfaqën qartë virtytet dhe karakteri fisnik i shokëve të tij. U bë i dukshëm sinqeriteti i Ebu Bekrit, si edhe i familjes së tij dhe guximi i tyre. Po ashtu, u shfaq trimëria e Ali ibn Ebu Talibit, i cili e flijoi veten për Profetin (a.s) dhe fjeti në shtratin e tij, ndërkohë që e dinte vendimin që Kurejshët kishin marrë për ta vrarë atë.

Gjithashtu, u shfaq besnikëria e ensarëve, të cilët hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre për të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe për shokët e tij muhaxhirë.

Dihet se krizat i zbulojnë njerëzit në realitetin e tyre të vërtetë, ndryshe nga ditët e mirëqenies dhe rehatisë, kur shtohen mirësjelljet formale dhe komplimentet. Prandaj, ensarët i pritën ata me ngrohtësi dhe mikpritje të jashtëzakonshme.

Po ashtu, u shfaq qartë armiqësia e ashpër e Kurejshëve ndaj të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe shokëve të tij, në krye të së cilës qëndronin edhe disa prej xhaxhallarëve të Profetit (a.s). Ky udhëtim na vendos përballë një të vërtete të rëndësishme: se ai që ecën në rrugën e së vërtetës do të përballet me lëndime, kundërshtime dhe sprova, madje edhe nga njerëzit më të afërt të tij.

Megjithëse Profeti (a.s) dhe shokët e tij u përballën me dëme dhe përndjekje të rënda në Mekë, ku një numër i sahabëve fisnikë ranë dëshmorë, dhe çështja arriti deri në tentativën për vrasjen e Profetit (a.s), për të cilën Kurejshët morën vendim në Dar en-Nadua — e cila në atë kohë ishte organi më i lartë vendimmarrës së Kurejshëve — hixhreti nuk u shndërrua në një projekt hakmarrjeje apo ndëshkimi.

Përkundrazi, Profeti (a.s) e bëri atë një projekt ndërtimi dhe rilindjeje; ai e nisi jetën e re duke ndërtuar xhaminë, duke forcuar lidhjet e zemrave mes muhaxhirëve dhe ensarëve dhe duke vendosur vëllazërim mes tyre. Po ashtu, marrëveshjet e tij me banorët e Medinës nga hebrenjtë u bënë bazë për bashkëjetesë dhe përgjegjësi të përbashkët shoqërore.

Pas viteve të hixhretit dhe përplasjeve mes muslimanëve dhe Kurejshëve, si dhe rënies dëshmor të dhjetëra sahabëve në disa beteja, muslimanët u kthyen fitimtarë në Mekë, por nuk pati vend për hakmarrje. Profeti (a.s) tha fjalën e tij të famshme: «Shkoni, ju jeni të lirë», pasi i pyeti: «Çfarë mendoni se do të bëj me ju?» Ata thanë: “Mirë, një vëlla fisnik dhe bir i një vëllai fisnik.”

Dukej qartë se Profeti (a.s) dhe shokët e tij nuk e lanë Mekën vetëm si vend, por lanë edhe zakonet e padrejta, mosbesimin dhe shtypjen e saj, dhe u kthyen me moralin islam të mëshirës, bashkëjetesës, tolerancës, vëllazërisë dhe tejkalimit të plagëve.

Në udhëtimin e hixhretit shfaqet edhe rëndësia e fillimeve, sado të vogla të jenë ato. Kush e sodit skenën e shpellës sheh dy burra të paarmatosur dhe të ndjekur, pa ushtri dhe pa shtet që t’i mbështesë. Megjithatë, kjo pamje në dukje e dobët ishte pika më e madhe e kthesës në historinë njerëzore.

Pas saj, Profeti (a.s) dhe shoku i tij u nisën drejt Medinës për të ndërtuar një shoqëri që më pas u shndërrua në shtet, dhe ai shtet ndërtoi një umet që kaloi nga dobësia në fuqizim, nga momenti i arratisjes në momentin e udhëheqjes.

Kz udhëtim na mëson se ngjarjet e historisë nuk i krijon zhurma, dhe se mësimi i vërtetë qëndron te fillimi dhe nisja e një procesi. Qëllimet e mëdha fillojnë me një ide, e cila pasohet nga punë dhe përpjekje, dhe pikërisht kjo ndodhi në këtë udhëtim. Ajo pamje që në dukje ishte e dobët, ishte paraprirë nga vite të tëra përgatitjeje, edukimi dhe pune, gjatë të cilave Profeti (a.s) dërgoi Mus’ab ibn Umejrin në Medinë, dhe kështu ensarët u përgatitën, ndërsa Medina u bë e gatshme për të pritur fenë islame dhe për t’u shndërruar në një dritë udhëzuese për të gjitha qytetet.

Kush e lexon me vetëdije siren e hixhretit profetik, gjen në të një shkollë të tërë për menaxhimin e transformimeve. Ne kemi shumë nevojë të nxjerrim prej saj mësime dhe përvoja, veçanërisht në një kohë kur ka hyrë çrregullimi në vend të rendit, sipërfaqësia në vend të vetëdijes, ankesa në vend të iniciativës dhe konsumi në vend të prodhimit.

Ne kemi nevojë të përfitojmë nga mësimet e këtij udhëtimi për të braktisur çdo gjë që na largon nga feja jonë, si zakone dhe tradita të huaja që nuk përputhen me vlerat tona. Hixhreti, edhe pse një ngjarje historike e ndodhur një herë, kuptimi i tij mbetet i gjallë dhe i përsëritshëm, dhe duhet ta kujtojmë sa herë që mjedisi na ngushtohet, frikërat na rrethojnë, humbasim vlerat tona, ose përballemi me një realitet që nuk na përngjan dhe nuk përputhet me parimet tona fetare.

Besnikëria ndaj këtij udhëtimi të madh nuk qëndron vetëm në përmendjen e tij, por në shndërrimin e tij në një metodë të të menduarit, në mjete pune, në planifikim për realizimin e detyrave dhe në bashkëpunim për menaxhimin e jetës. Po ashtu qëndron në besimin se Allahu pas vështirësisë sjell lehtësim, dhe nga ngushtica sjell rrugëdalje, si dhe në ndjesinë e pranisë së Allahut në çdo hap të jetës sonë, duke u frymëzuar nga skena e shpellës, kur Profeti (a.s) i tha shokut të tij Ebu Bekrit, kur ai tha: “O i Dërguar i Allahut, sikur njëri prej tyre të shikonte poshtë këmbëve të tij, do të na shihte”, e ai iu përgjigj: «Çfarë mendon, o Ebu Bekër, për dy persona me të cilët Allahu është i treti?”

Dhe e përkujtojmë përshkrimin që Allahu i Lartësuar e bën për këtë skenë me Fjalën e Tij: “Përveç nëse ju nuk e ndihmoni atë, Allahu e ka ndihmuar tashmë atë kur e nxorën ata që nuk besuan; i dyti nga të dy kur ishin në shpellë, kur ai i thoshte shokut të tij: “Mos u pikëllo, Allahu është me ne.” Atëherë Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të, e forcoi atë me ushtri që ju nuk i patë dhe e bëri fjalën e atyre që nuk besuan të ulët, ndërsa Fjala e Allahut është më e larta. Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.”[2]

Autor: Muhamed Hysejni

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu (2264).

[2] – Sure Teube: 40.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *