Parimi i tetë
Imam Hasan el Bena (r.h) ka thënë: “Mospajtimet në lëminë e fikhut në çështjet dytësore, nuk duhet të jenë shkak për ndasi në fe, e as të sjellin në përçarje dhe urrejtje, duke ditur se çdo muxhtehid e ka shpërblimin e tij. Po ashtu nuk është e ndaluar të bëhet analizë e pastër shkencore në lidhje me këto çështje nën hijen e dashurisë për hir të Allahut të Madhëruar dhe bashkëpunimit, për të arritur tek e vërteta, pa pasur për qëllim ngritjen e famës dhe shprehjen e fanatizmit.”
Ky parim trajton:
Mospërputhjet në çështjet e fikhut
Çështjet në të cilat ka mospërputhje nuk ndalohen
Bashkëpunojmë në çështjet konsensuale dhe justifikojmë njëri-tjetrin në çështjet e debatueshme
Profeti (a.s) ka thënë: “Ajo gjë që e ka humbur një popull pasi kanë qenë të udhëzuar ka qenë polemika.”[1]
Debati në fikh nuk duhet të çojë në përçarje
Sepse debati është domosdoshmëri
Sepse çdokush që merr për bazë mendimin e një imami, ka për qëllim bindjen ndaj Allahut dhe Profetit të Tij
Sepse uniteti i zemrave është më i shenjtë se sa të cenohet nga debati në çështjet e fikhut
Modeli ynë është brezi, të cilin e edukoi Profeti (a.s). Ata kishin mospajtime në çështjet e fikhut, por nuk përçaheshin e as nuk kishin urrejtje për njëri-tjetrin.
Çdo muxhtehid ka shpërblimin e vet
Ata që kanë mospërputhje në çështjet e fikhut duhet ta kenë parasysh se çdokush që përpiqet për të njohur dispozitën e Allahut është i shpërblyer në rastin e saktësisë apo të gabimit. Atëherë përse duhet të grindemi e të zihemi?
Profeti (a.s) thotë: “Nëse muxhtehidi përpiqet dhe gjen të vërtetën, ka dy shpërblime dhe nëse gabon ka një shpërblim.”[2]
Ata që debatojnë rreth çështjeve të fikhut duhet të kenë parasysh një sëmundje shumë të rëndë, e cila shkatërron popujt dhe i humb. Kjo sëmundje është polemika dhe fanatizmi.
Profeti (a.s) ka thënë: “Ajo që e ka humbur një popull pasi kanë qenë të udhëzuar ka qenë polemika.” Prandaj duhet të heqim dorë prej tyre, që të ruajmë vëllazërinë islame dhe bashkimin e zemrave, sepse kjo gjë është më e rëndësishme.
Autor: Sabahudin Jashari
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Tirmidhiu (3253).
[2] – Muslimi (1716).



















